Standard.al

Mesi fillon të hedh poshtë “perënditë” (Maradonën)

 Përgatiti Altin Vorpsi

mesi“Pleshti” i Barçës me tre golat që shënoi me Argjentinën dy net më parë, kaloi Maradonën për rrjetat e shënuara në kombëtare

 

 

Miqësorja përballë Guatemalës është kthyer në një lojë fëmijësh për Argjentinën që pati shansin që t’i besonte gjithçka një Leo Mesi në formën e vet më të mirë. “Pleshti” i Argjentinës këtë ndeshje “e bekoi” me një tregolësh që e ngjiti tashmë në majën e futbollit të tokës që ka nxjerrë bombera si Maradona, Krespo e Batistuta.

 

Rënia e mitit

Ky tregolësh ka pasur një peshë të veçantë, edhe pse i realizuar në një miqësore. Themi kështu, pasi sulmuesi ka kaluar legjendën argjentinase të futbollit, Diego Armando Maradona sa u përket rrjetave të realizuar në përfaqësuesen. Tani ai është lojtari i dytë që ka shënuar më shumë në kombëtare (bashkë me Hernan Krespon) në kuotën e 35 golave. Renditjen e kryeson Gabriel Batistuta, i cili në takimet e tij të luajtura me ‘albiçelestët’ ka shënuar 56 herë.

 

Reagimi

Në fund të këtij takimi, Mesi nuk i ka vënë shumë rëndësi thyerjes së rekordit të Maradonës, por ka dashur që të nënvizojë paraqitjen e mirë të ekipit. “Rekordi im është ai që ka më pak rëndësi. Objektivi ynë ishte që ta mbyllnim pa pasur probleme një miqësore që realisht nuk ishte e lehtë për t’u përballuar, duke pasur parasysh edhe faktin që kanë nisur pushimet”, – tha Leo Mesi.

 

 

 

Kronika

Federata e Futbollit në Guatemalë i pagoi Argjentinës 500 mijë euro më shumë vetëm që Leo Mesi të ishte i takimit. Kjo federatë pagoi këtë shifër dhe në fund “u shpërblye” pasi Mesi dha spektakël jo vetëm se shënoi tri herë. Skuadra e drejtuar nga Alehandro Sabeja kaloi në avantazh me një gjuajtje të fortë me të majtën nga Mesi që realizoi nga jashtë zone në të 15-ën. Një finalizim i bukur që bëri që të 26 mijë tifozët e pranishëm në stadium të festonin sikur të kishte shënuar ekipi i tyre dhe jo ai argjentinas. Goli i dytë vjen pas 20 minutash, kur Augusto Fernandez me kokë shënon, pasi një krosimi të “Pleshtit”. Pas 5 minutash ylli i Barçës pengohet brenda zone, arbitri jep penallti dhe vetë Mesi fut topin ën rrjetë duke mposhtur portierin Rikardo Jerez. Në minutën e 48 do të vijë goli i katërt i takimit, dhe Mesi me të majtën e tij mposht për të tretën herë ekipin guatemalas. Rasti i vetëm për gol për vendasit ishte në minutën e 52-të, me anë të sulmuesit Marko Pablo Papa, që shënoi, por goli u cilësua si i parregullt.

 

 

Deklarata

Drejtori i akademisë së Bajernit: Pep na ka marrë videot

Pep Guardiola e nis aventurën e tij me Bajernin më 26 qershor, por faktikisht ai e ka bërë diçka të tillë me kohë. Trajneri i ardhshëm i Bajernit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me talentet e ekipeve të moshave U-19 të Bajernit, çka e konfirmon drejtori sportiv i akademisë, Wolfgang Dremler. “Vërtet Guardiola nuk ka qenë në stadium për të ndjekur nga afër talentet, por ai i ka parë të gjitha ndeshjet e fundit të moshave U-23 dhe e njeh shumë mirë edhe ekipin U-19, pasi na ka kërkuar video për çdo takim”, – tha Dremler. Talentet si Hojbjerg, Vaihrauh, Rankoviç dhe Reder pritet të jenë nën lupën e Pep.

 

Ëndrra

Monakoja shpreson të bashkojë sërish Hulkun me Falkaon

Skuadra e Monakos duket se është e fiksuar pas ish-lojtarëve të Portos. Pas transferimit të yjeve si Falkao, Rodriguez, Mutinjo dhe Karvalho, sipas “L’Equipe” ata janë të interesuar edhe për brazilianin e Zenitit, Hulk, i cili ishte edhe blerja më e shtrenjtë në merkaton e janarit. Ekipit rus i kushtoi 55 milionë euro kartoni i tij, por këtë sezon Hulk nuk e gjeti veten fort mirë nën drejtimin e Spaletit. Por, sipas mediave, braziliani ka edhe një klauzolë me Zenitin. Për kartonin e tij, Monako ka ofruar për 45 milionë euro. Në garë për shërbimet e tij është edhe Çelsi, i cili ofron 40 milionë euro.

 

Çudia

Kombëtarja e futbollit e Zimbabves ka dy portierë

Kombëtarja e futbollit e Zimbabves, një shtet që ka probleme të shumta ekonomike, mund të detyrohet të hedhë në fushën e lojës dy portierë në ndeshjen ndaj Guineas që luhet në Konakry sot (takim ky i vlefshëm për eliminatorët e Botërorit 2014). Një prenotim i vonë i biletave të avionit nga ana e Federatës Zimbabviane të Futbollit bëri që në avionin me të cilin duhej të udhëtonte skuadra, të gjendeshin vetëm 14 vende bosh, nga 25 që ishin parashikuar në delegacionin e ekipit, një pjesë e të cilit ka mbetur në Dakar në Senegal, ku kishin shkuar të gjithë bashkë. Trajneri gjerman Klaus Diter Pagels dhe doktori i ekipit hipën në avion bashkë me 12 lojtarë, mes të cilëve ishin portierët Uashington Arubi dhe Maksuell Niamupangedengu. Mediat afrikane raportuan se një prej mesfushorëve të përzgjedhur në aeroport, nuk po gjente dot pasaportën e tij në udhëtimin drejt Guineas dhe u bllokua në Nairobi të Kenias, duke bërë që tashmë trajneri Pagels të kishte në dispozicion vetëm 11 lojtarë, 2 prej të cilëve portierë. Federata e Zimbabves ka lajmëruar FIFA-n për situatën ekstreme dhe ka bërë të qartë se po mundohet në të gjitha mënyrat që të dërgojë të paktën edhe një futbollist në Guinea për takimin në fjalë.

 

Argjentinë

Ndalohen disa persona pasi kanë pastruar para gjatë transfertave

Prokuroria në Argjentinë ka nisur një operacion ku janë të përfshirë kompani që merren me transferimin e futbollistëve nga Amerika Latine në Europë. Nëpërmjet lëvizjeve të lojtarëve të njohur, u është dhënë mundësia kompanive të ndryshme që të kryejnë pastrim parash. Sipas mediave argjentinase, janë dhjetëra milionë dollarë të cilët janë filtruar nëpërmjet kësaj skeme. Prokuroria ka marrë në hetim transferimin e lojtarëve të njohur argjentinas si Gonzalo Higuain, Ezekiel Laveci dhe Serxho Aguerro. Institucionet shtetërore dyshojnë se ka shkelje sa i përket mospagimit të taksave por edhe pastrimit të parave. Gjykatësi i çështjes Norberto Ojarbide urdhëroi që të merren nën hetim 6 klube. Në pranga u vunë 10 persona pas një operacioni që u realizua në bashkëpunim me Interpolin. Dyshohet se kompanitë që janë marrë nën hetim kanë degë të tyre edhe në Kili e Uruguai dhe shkeljet mund të jenë bërë edhe në këto dy shtete.

 

 

Francë

PSG, gati të bëjë çmenduri për Andre Vilas Boasin

Sipas të përditshmes presitgjoze “Le Parisien” mësohet se zgjedhja e parë për të zëvendësuar Karlo Ançelotin mbetet trajneri i Totenhemit, Andre Vilas Boas. Bosi i londinezëve, Daniel Levi, do të pranonte ta linte të lirë teknikun portugez për shumën e 12 milionë eurove. Gjithnjë sipas shtypit francez, negociatat vazhdojnë dhe kampionët e Francës janë gati t’i paguajnë që tani 12 milionë eurot për të mos e shndërruar në një telenovelë emërimin e trajnerit të ri. Pas rinovimit të Hidink me Anzhin, favoritë për të zëvendësuar teknikun italian në “Parc des Princes”, janë Vilas Boas dhe trajneri i Suonsit, Majkëll Laudrup. Ëndrra mbetet Arsen Venger, por trajneri i Arsenalit mund të vijnë në Paris vetëm pas 2014-ës.

 

 

 

 

 

Comments are closed.