“Të penduarit” Kabashi është i radhës… por jo i fundit

0
128

Altin Vorpsi

 

elvisKanë qenë të shumta rastet, që disa lojtarë nuk i janë përgjigjur ftesës së Shqipërisë. Ata, pasi janë lënë jashtë edhe nga ekipi i vendit ku kanë pasur më tepër pretendime, i janë përgjigjur një ftese të dytë që të luajnë për Shqipërinë.

 

 

Në vitet e fundit shpeshherë kombëtarja jonë më shumë sesa një “luks” është parë si “shansi” i fundit për të qenë pjesë e një përfaqësueseje. Pa dyshim që një dilemë e tillë u përket vetëm atyre lojtarëve që mund të kenë lindur në Shqipëri dhe Kosovë apo atyre fëmijëve që kanë emigruar së bashku me familjet e tyre që në moshë të vogël. Të shumtë janë ata futbollistë që kanë zhdehur në tru e jo me zemër…

 

I radhës…

“Kam luajtur disa ndeshje për kombëtaren shqiptare të të rinjve dhe u jam shumë mirënjohës për interesin që keni shfaqur për mua deri ditën e sotme, por ju ftoj të mos më thërrisni më në të ardhmen, sepse dëshira ime është të luaj me kombëtaren italiane të futbollit. Shpresoj të mirëkuptoni zgjedhjen time. Në të ardhmen, përgjigje pozitive nga ana ime do të marrë vetëm një ftesë e Federatës Italiane të Futbollit”, – kjo është vetëm një pjesë nga letra që i dërgoi Elvis Kabashi zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit në mes të marsit. Ndërkohë që tani pas vetëm pak javësh duket se gjithçka ka ndryshuar. Elvis Kabashi është tërhequr nga ky vendim absurd dhe ka vendosur që t’i ofrohet sërish Federatës Shqiptare të Futbollit. Të premten kjo e fundit mori një tjetër letër prej të riut të talentuar të Juventusit (e bleu nga Empoli për 1.8 milionë euro) që i shkruante se ishte penduar për atë që kishte shkruar pak kohë më parë.

 

… dhe i penduar

“Tani kuptoj pse më keni quajtur tradhtar”, – shkruan Kabashi. “Edhe unë, si çdo shqiptar, e ndjek, e shoh dhe e adhuroj kombëtaren shqiptare. Të gjithë mund të gabojnë dhe gabimi im më i madh ishte ajo letër drejtuar FSHF-së”, – ka shkruar Kabashi në faqen e vet zyrtare në Facebook. “Jam përlotur para ndeshjes me Norvegjinë, kam qarë nga fjalët e komentatorit, jam drithëruar nga ajo tifozeri e mrekullueshme dhe atë ditë kam marr një vendim shumë të rëndësishëm. Kam vendosur të rikthehem në kombëtaren shqiptare dhe ju lutem më bëni një vend aty pranë jush e më mbështesni, ashtu si kombëtaren. Mos më quani më tradhtar, sepse më vret shumë ajo fjalë”, – shkruhet më tej në komunikatën e Kabashit. Tashmë shihet nëse FSHF do të pranojë pendesën e tij dhe do ta grumbullojë sërish, duke qenë se ajo ka miratuar një vendim, sipas të cilit, askush nuk do të grumbullohet më me kombëtaren, nëse e refuzon një herë atë.

 

 

Vendimi i FSHF-së, Kaçe mban “në lojë” të gjithë të tjerët

Në fund të janarit të këtij viti Federata Shqiptare e Futbollit tentoi që të mos u jepte një shans të dytë futbollistëve që snobonin fanellën kuqezi. Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së miratoi unanimisht rregullin që të lërë jashtë kombëtares, çdo lojtar që do të refuzojë ftesën e parë. Kanë qenë të shumta rastet, që disa lojtarë nuk i janë përgjigjur ftesës së Shqipërisë. Por ky vendim është thyer pasi debutimi i Kaçes përballë Norvegjisë vërteton diçka të tillë. Mesfushori edhe pse kishte refuzuar që të luante në miqësoren përballë Gjerogjisë në shkurt, u ftua në përfaqësuse. Ky është nje precedent i rrezikshëm për federatën tonë të futbollit që përballë “tërheqjes” së Kabashit nuk mund të rinxjerrë atë rregull që po vetë miratoi në janar.

Kaçe nuk është i fundit

Para Kabashit u pendua edhe një tjetër futbollist. Flasim për Ergys Kaçen. Mesfushori i PAOK-ut në Greqi në një moment të parë refuzoi ftesën e marrë nga kombëtarja U-21 e Shqipërisë. Por më pas ai u tërhoq. Dhe në një intervistë për mediat shqiptare zbuloi të vërtetën sipas tij: “Për herë të fundit më ka ardhur një ftesë nga kombëtarja U-21 e Shqipërisë. E vërteta është që unë e kam refuzuar atë, pasi kisha disa arsye madhore. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se unë do të refuzoj të luaj për kombëtaren e madhe të Shqipërisë. Madje, mund t’ju them se e pres një ftesë nga trajneri De Biazi. Kur më erdhi ftesa, isha në një moment shumë të rëndësishëm të karrierës sime. Në atë periudhë sapo kisha fituar besimin e trajnerit të PAOK-ut dhe nisa të aktivizohesha titullar. Duke qenë se ishte thjesht një ndeshje miqësore e kombëtares U-21, kisha frikë se mos dëmtohesha. Trajneri më tha që do të luaja nga fillimi në takimin e radhës në kampionat dhe, në njëfarë mënyre, nuk donte që unë të shkëputesha nga stërvitja. Në këto kushte, pasi u këshillova me familjen, vendosa të mos shkoja në grumbullimin e kombëtares U-21. Kjo ishte e gjitha”.

 

Mavraj besonte tek ftesa e madhe

Mbrojtësi kosovar Mërgim Mavraj deklaroi gati një vit më parë se është i penduar që e refuzoi ftesën e kombëtares shqiptare, duke e konsideruar atë si gabimin më të madh të jetës së tij futbollistike. Mavraj, i cili tani luan për Grojter Fyrtin (Bundesliga 2), e bëri pohimin e dhimbshëm gjatë një interviste për portalin gjerman Spox.de. Aksel Ros, ndihmësi i ish-trajneri i kombëtares, Hans-Peter Brigel, e kishte rekomanduar mbrojtësin, i cili zotëronte pasaportë gjermane, ndërkohë që Oto Bariçi e ftoi atë të ishte pjesë e kombëtares. Mavraj, i cili ka luajtur vetëm një ndeshje miqësore me Gjermaninë U-20, refuzoi ftesën e Shqipërisë, duke shpresuar se do të ishte pjesë e kombëtares A gjermane, në kohën kur ai luante për Bohumin, por ftesa nuk mbërriti kurrë. Edhe Josip Kuzhe i bëri zyrtarisht ftesë lojtarit, por pasi mori premtimin e Mërgim Mavrajt, lojtari i zhgënjeu sërish tifozët kuqezinj, të cilët dolën edhe me banderolat kundër “tradhtarit Mërgim Mavraj”. Por një vit më parë ai nuk mundi që të humbte shansin e fundit të dhënë nga De Biazi. Tekniku italian e ftoi dhe Mavraj, që pasi nuk u llogarit nga Hoakim Lëv, pranoi të luante për Shqipërinë.

 

Hezitoi edhe Çani

Edhe Edgar Cani vite më parë nuk pranonte të luante me ekipin Shpresa, sepse menaxheri i tij i pati premtuar Italinë. Më pas shtatlarti i sulmit kuptoi se nga Shqipëria do të vinte ftesa e vetme për të luajtur me një ekip kombëtar dhe pranoi të ishte pjesë e tij.

 

Azemi “ëndërron” si Mavraj

Ilir Azemi, mesfushori kosovar që luan me Grojter Fyrtin në Bundesligen 2 i ka thënë jo kombëtares shqiptare. Javë më parë Drejtoria e Ekipeve Kombëtare në federatë është munduar të kontraktojë me lojtarin për të plotësuar dokumentacionin që ai të marrë ai shtetësinë shqiptare dhe për të luajtur me ekipin kombëtar dhe atë Shpresa. Por pas mirëpritjes së momentit të lojtarit, erdhi heshtja totale. Lojtari nuk u bë i gjallë për të qenë pjesë e kombëtares, paçka se trajneri Xhani de Biazi dhe ai i ekipit Shpresa, Skënder Gega e kërkuan në skuadër. Arsyet e refuzimit dhe mohimit të skuadrës kuqezi janë të paqarta. Gjithsesi, jo zyrtarisht nga ana e drejtuesve në institucionin e futbollit konfirmohet teza se ai kishte dëshirë, ose më mirë mendonte se mund të luajë me përfaqësuesen e Gjermanisë. Një model ky i famshëm për ata që pretendojnë të luajnë me Shqiperinë dhe më pas joshen nga ide menaxherësh që u premtojnë fanella të rënda si Italia apo Gjermania.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency