PD duhet të shkatërrojë alibinë e PS-së për mosnjohjen e zgjedhjeve

0

pd psÇelo Hoxha

Loading...

 

Entuziazmi, shpresat, besimi në fitore, të shprehura gjatë fushatës, nga të gjitha palët në garë, do të përfundojë me pikëllim për shumicën e garuesve, sepse, dihet, nuk fitojnë të gjithë. Kështu ka ndodhur e kështu do të ndodhë, sepse nga mijëra kandidatë salla e Kuvendit zë vetëm 140. Por e keqja është, dhe parandenja më thotë që do të ndodhë, ca nga gjelat e kësaj fushate do të qajnë si kalamaj shkolle kur u humbet çanta e bukës. Dhe s’do të lënë njeri pa akuzuar.

Ambasadorët kryesorë në Shqipëri – SHBA, ca vende bosh, BE dhe OSBE – janë munduar t’u tërheqin vëmendjen dy partive kryesore për plotësimin e vendeve bosh në KQZ, i cili prej gati dy muajsh funksionon me katër anëtarë. Javën e fundit ata e prekën edhe një herë këtë çështje, sidomos ambasadori i OSBE-së, i cili dha dje një intervistë të gjatë për radion gjermane “Dojçe Vele”, një intervistë të gjatë.

Personalisht do të pëlqeja një Shqipëri ku t’i ndeshnim në rrugë ambasadorët, edhe ata të “fuqive të mëdha”, dhe të mos i njihnim. Një vend që të ishte dinjitoz me partnerët dhe ambasadorët e tyre të ndiheshin po aq sa ndihen në vende të tjera, me përmasat e Shqipërisë, si në Portugali, Zvicër, Austri apo diku tjetër. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodh dhe ne nuk mund ta injorojmë mendimin e tyre, që, për hir të së vërtetës, ka qenë dhe është në të mirë të Shqipërisë.

Në intervistën e tij, ambasadori Eugen Wollfarth u shpreh me keqardhjen për ngërçin që ka kapur KQZ-në, por ishte i qartë: “Nuk është faji i KQZ-së”.

Dhe nuk është. Ngërçi filloi me krijimin e koalicionit të majtë, në fillim të prillit. LSI doli nga qeveria dhe e mori të keqen, siç e ka zakon, me vete. Kur ishte pjesë e qeverisë, ministriat e saj ishin më të akuzuarit për korrupsion, aq të papërmbajtur u treguan saqë filmuan edhe takimet mes tyre për t’i bërë shantazh njëri-tjetrit. Pas prishjes së koalicionit me PD-në, LSI filloi të shkaktojë probleme brenda koalicionit të ri. Meqë një anëtar të KQZ e Mori PD-ja (se asaj i takonte pas daljes së LSI nga koalicioni), atëherë PS, aleatja e dëshpëruar e LSI, i tërhoqi aletatët e saj, me dorëheqje “të vullnetshme”. Që atëherë, KQZ vazhdon të jetë me katër anëtarë.

Sipas ambasadorit Wollfarth, “anëtarët e mbetur po bëjnë më të mirën”, por situata në KQZ “është një vendim dhe mosveprim në nivelin politik, që dëmton një proces të rëndësishëm demokratik”.

Ambasadori nuk mund të thotë më shumë. Ai nuk mund të thotë që një KQZ e mangët mund të shfrytëzohet nga palët (PS, kryesisht, sepse ajo e ka në dorë fatin e KQZ), të akuzojnë kundërshtarin për vjedhjen e votave. Ky është një film që e kemi parë nja dhjetë herë. Skenari është i tillë: vazhdojnë qarjet nja 3-4 muaj, shpallet mosnjohja e parlamentit, opozita bën bojkot, pastaj ndodh si me gjithë plagët e zemrës: i shëron koha. Gjithçka pranohet. Me këtë metodë u miratua Kushtetuta, tashmë nuk e kujton më njeri që atëherë opozita (pozita e sotme) nuk e njohu për shumë kohë. Nga 2005 e këtej, ka qenë opozita e sotme që ka bërë akuzat për vjedhje, që ka bojkotuar Kuvendin etj., por në fund i ka pranuar të gjitha, edhe Kuvendin, edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës e gjithçka që ka mohuar në fillim. Kjo, për mua, është sjellje njerëzore, vetëm se ne të tjerëve, ne e kemi ushtruar deri aty nga klasa e katërt e fillore, kurse politikanëve kjo fazë u zgjat pak më shumë në disa drejtime specifike, jo në të gjitha aspektet e jetës së përditshme.

PD-ja duhet t’i dalë të keqes përpara. Deri tani ajo ka deklaruar që është e gatshme të mbledhë Parlamentin në çdo orë që të dojë opozita dhe të votojë propozimet e saj për anëtarë të KQZ, por kjo nuk mjafton. Tashmë është e qartë se PS i mban vendet bosh në KQZ që të ketë alibi pas zgjedhjeve, jo se nuk ka kohë të mbledhë deputetët për të votuar. Në një rast të tillë, PD përditë duhet t’i bëjë thirrje PS-së që të vijë në Kuvend të votojë anëtarët e KQZ-së. Kjo duhet bërë në mënyrë pemanente, që, pas zgjedhjeve, kur PS të thotë se KQZ na vodhi votat se ishte vetëm me anëtarët e Berishës, publiku ta ketë të ngulitur në mendje që zoti Berisha i doli borxhit para zgjedhjeve. PS refuzoi edhe votimin e tri ligjeve, por PD ia arriti që gjatë gjithë kohës ta mbante çështjen në vëmendje, duke e sqaruar ngadalë e me durim çështjen, saqë, kur PS votoi, të gjithë e dinin se ajo ishte fajtore për vonesën dhe nuk fitoi elektoralisht asgjë.

 

Loading...