Standard.al

Prezantimi i kandidatëve Berisha: TAP-i do t’i ndryshojë fytyrën Beratit dhe gjithë Shqipërisë

Ina Jano

beroKryeministri, takime elektorale në Lapardha, Poliçan dhe me banorët e njësisë numër 7 në Tiranë

Kryeministri, socialistëve: Njeriu që ju udhëhoqi nga disfata në disfatë nuk meriton të ndiqet më

 

I bindur se vendimi i konsorciumit të detit Kaspik do të jetë për gazsjellësin TAP, Kryeministri Berisha në vizitën e tij të gjashtë në Berat për këtë fushatë elektorale ka premtuar se do të jetë pikërisht kjo vepër gjigante për të gjithë rajonin, që do t’u ndryshojë jetën të gjithë shqiptarëve. “Unë kam kënaqësi të madhe t’ju pohoj se vendimi i konsorciumit të detit Kaspik do të jetë për zgjedhjen e TAP, si projekti që ata do të mbështesin. Ky projekt do të ndryshojë në mënyrë të rëndësishme jetën e shqiptarëve sepse do të bëjë të mundur gazifikimin e çdo familjeje shqiptare, do të ulë koston e jetesës për ngrohje dhe gatim me gaz, por në gazifikimin e Shqipërisë do të punësohen mijëra dhe dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë”, – tha Berisha në Poliçan. Duket se ky qark është një prej atyre ku gara do të jetë e fortë pasi shpërndarja e mandateve edhe nga shifrat e 2009-ës, është e tillë që në lojë hyn edhe LSI-ja. Nga 8 deputetë që prodhon ky qark, me shpërndarjen e legjislaturës së kaluar, 4 deputetë i takuan socialistëve, 3 demokratëve dhe 1 LSI-së. Duke i bërë përsëri llogaritë, atëherë me koalicionet aktuale, nëse do të ruhen të njëjtat shifra, do të kalohen 5 me 3 në favor të koalicionit të majtë. Ndoshta kjo është një nga arsyet pse kreu i demokratëve ka përqendruar një pjesë të madhe të vëmendjes së tij në këtë qark. Kryeministri Berisha ka ftuar banorët e Poliçanit të votojnë kandidaturën e PD-së, duke akuzuar kandidatin e PS-së, Fidel Ylli. “Ylli është miliarder që humbi mandatin në Parlament, se radion ia dha motrës duke shkelur Kushtetutën dhe e bëri milionere brenda natës, Astrit Velia është biznesmen, por me paratë e tij hapi universitetin e parë në vend me tarifa publike për ju, për Beratin, Skraparin e mbarë vendin. Besoj se kjo përbën një dallim të madh midis vlerave, atdhetarizmit dhe respektit karshi jush, kundër makutërisë e pangopësisë së Yllit”, – tha ai. Në Poliçan, Kryeministri nuk vuri në shënjestër alternativën e socialistëve, por akuzoi kryetarin e PS-së se po fyen qytetarët mbi baza krahinore. “Ju duhet ti kërkoni zotit Ilir Meta, ta sjellë këtu në shesh Edi Ramën dhe të kërkojë të falur për fyerjen me gjeografinë. Një ditë do vijë t’ju thotë unë jam nga Skrapari. Ky bëhet një personazh qesharak, por fyerjet kolektive janë të dënueshme”, – tha Berisha.

Laparadha

“Banorë të Lapardhasë, Otllakut, Lumasit! Sot nga kjo platformë ju garantoj se Boshti i Jugut dhe Rruga e Arbrit janë dy projektet madhore të katër viteve që vijnë dhe ne do t’i ndërtojmë ato dhe ne nuk do të pranojmë kurrë, që Berati ky diamant i trashëgimisë sonë, të qëndrojë si xhep, jo. Ne do t’i presim malet, do t’i shpojmë me tunel dhe Boshtin e Jugut do ta ndërtojmë mandatin që vjen. Edhe njëherë ju ftoj me 23 qershor të bashkohemi së bashku demokrat, socialist, të pa parti, të votojmë 44, të votojmë për punësimin, të votojmë për zhvillimin, të votojmë për integrimin, të votojmë për fitoren tonë të shkëlqyer”, – nënvizoi shefi i qeverisë. Ai më tej deklaroi se këto janë projekte të cilat do të përfundojnë brenda mandatit të ardhshëm.

Ftesa për socialistët

Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat Berisha pati edhe një ftesë të veçantë për t’u bërë të gjithë banorëve të Beratit të cilët janë socialistë, por edhe pa parti. Duke i siguruar se rruga e integrimit evropian është e sigurt, shefi i kabinetit qeveritar tha se të votosh për numrin 44, pra për Partinë Demokratike, do të thotë të jesh pro punësimit, pro zhvillimit dhe pro mirëqenies. “Ftoj të gjithë qytetarët e këtij qarku, demokrat, socialistë dhe ata pa parti të bashkohemi për të ecur në rrugën e punësimit, në rrugën e mirëqenies, në rrugën e zhvillimit. Ftoj socialistët e Beratit, të mendojnë për një moment. Ky është rrethi për të cilin e mbi 4 mijë fermer i kemi financuar me grande, cili socialist është diskriminuar për bindjen e tij, qoftë edhe një i vetëm. Me ne do të ecim përpara, ne do të trefishojmë grantet për këtë kategori”, – shtoi Kryeministri.

Njësia 7

Duke akuzuar Ramën për bllokim të integrimit, shefi i qeverisë nga njësia numër 7 në Tiranë, ku kandidon ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, tha se tashmë ai kërkon të hyjë nga dritarja, pasi të gjithë kryeqytetasit e përzunë nga dera. Numri një i Partisë Demokratike. njëherësh Kryeministër i vendit i bëri thirrje socialistëve që të bashkohen me të pasi nuk meritojnë që të ndjekin kryetarin Rama që sipas tij i udhëhoqi nga disfata në disfatë. “Po shkojmë drejt 23 qershorit, njeriun që e nxorët nga dera dhe e përcollët mendon se do e fusni nga dritarja, dhe tani bën rolin e dhelprës dhe rrushtë. Por shoku Edi do të mbetesh në autobusin tënd mavi për të bërë portretet me të gjithë ngjyrat që do të rilindësve të tu të autobusit mavi. Ne kemi ne zemër dhe shpirt fitoren e cila mezi po pret datën 23 për të vërshuar në katër anët e Shqipërisë. Është PD ajo që u faktua këto vite lokomotive e pandalshme e integrimit. Le të lëmë piktorin e dështuar në fatin e dështimit të tij. Njeriu që iu udhëhoqi nga disfata në disfatë nuk meriton të ndiqet më, ejani me ne”, – bëri thirrje Berisha.

 

 

Reagimi

PD: Rama kërkon të marrë pushtetin me dhunë

Partia Demokratike dje ka reaguar në lidhje me një prej deklaratave të njërit prej mbështetësve të Ramës i cili ka thënë se ai do të kishte dashur të vriste kreun e qeverisë Berisha. Për selinë blu kryesocialisti duhet ta dënonte një veprim të tillë dhe jo të bënte batutën e radhës pasi dhuna është e patolerueshme në demokraci. “Dje (të mërkurën) në mbrëmje, ndërsa Rama i mbushte qytetarët me pesimizëm në një prej takimeve të Partisë Socialiste, një prej mbështetësve të Ramës deklaroi se do të kishte dashur ta vriste liderin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Shqipërisë. Por Rama nuk e dënoi këtë veprim. Përkundrazi, Edi Rama u përgjigj duke e inkurajuar qytetarin duke i thënë se do t’i duhej të qëllonte në shenjë për shkak të antiplumbit. A mos beson Edi Rama se largimi me dhunë i një qeverie është veprimi i duhur? A mos mendon Edi Rama se vrasja është veprimi i duhur? Edi Rama duhet ta dënojë këtë koment menjëherë dhe të kërkojë ndjesë për heshtjen e tij. Kjo nuk është hera e parë që Edi Rama nxit dhunë në zgjedhje dhe për këtë atij duhet t’i vijë turp. Dhuna nuk ka vend në Demokraci!”, – thuhet në reagimin e kësaj partie në rrjetin social Facebook.

 

Inspektimi

Kryeministri: Berati, jo më xhep i veçuar

Gjatë vizitës në qarkun e Beratit, Kryeministri Berisha inspektoi punimet për ndërtimin e rrugës Lushnjë-Berat, e projektuar me gjerësi asfalti 8.2 metra dhe gjerësi totale 9.5 metra.

Kryeministri u shpreh se krahas rrugës Lushnjë – Berat, një vepër prioritare është edhe Boshti i Jugut, duke bërë në këtë mënyrë që Berati të lidhet me infrastrukturë moderne nga të gjitha anët e tij. Kryeministri tha se në ndërtimin e Boshtit të Jugut është projektuar një tjetër tunel malor që do të lidhë Beratin me Tepelenën. “Ne kemi marrë vendimin përfundimtar që malet që ndajnë Tepelenën me Beratin t’i hapim, do të bëjmë tunel, pasi ato nuk mund të pengojnë. Berati do të ketë komunikim nga të gjitha anët. Në radhë të parë, këtë e meritojnë qytetarët, por edhe Berati, ky qytet 2500 vjeçar që ka ardhur kaq madhështor, nuk mund të jetë kurrë xhep. Ata para nesh ruajtën Kodikët, ruajtën Beratin, ne tani i japim Beratit infrastrukturën e këtij shekulli”, – u shpreh Kryeministri, gjatë inspektimit të segmentit Poshnje-Berat. Shefi i ekzekutivit tha se një tjetër drejtim i rëndësishëm, ku janë përqendruar investimet në infrastrukturën rrugore, është edhe lidhja e Beratit me bregdetin. “Rruga që e lidh Beratin me Fierin ka filluar ndërtimin nga kthesa e Roskovecit dhe është një investim me 500 milionë lekë. Së shpejti do të fillojë edhe këtu dhe është rrugë e standardeve më të mira. Ne bëjmë reale projektet e infrastrukturës më moderne që ekziston. Lidhjet e Beratit do të jenë të shumta, por të gjitha ky qytet i meriton, pasi Berati është trashëgimi kulturore botërore, por është edhe vendi i qytetarëve të mrekullueshëm, që me djersën e tyre kanë qëndisur çdo gjë,” – nënvizoi kreu i mazhorancës. Kryetari i qeverisë u ndal në lotin e parë të saj, segmentin Berat-Poshnje, që nis nga rreth-rrotullimi në dalje të Lushnjës deri tek kthesa e fshatit Kosovë, Lushnjë, investim me vlerë 432 milionë lekë. Ai u njoh nga drejtuesit e kompanisë ndërtuese me ecurinë e punimeve, të cilët raportuan se vlera e punimeve të realizuar përbën rreth 71 për qind të vëllimit të përgjithshëm. Ai shprehu kënaqësinë për ritmet e shpejta të punimeve.
 

 

 

Comments are closed.