Nuk u arrestua për 10 vite nga policia, i parashkruhet dënimi nga gjykata

0
170

Sonja Caka

gjyqiVendimi: Për Saba C’Metën, i dënuar 9 vjet për vjedhje me armë, nuk u ekzekutua dënimi në kohë, parashkruhet

 

I dënuar me nëntë vjet burg për vjedhje me armë në bashkëpunim, një të dënuari 12 vjet më parë nga Gjykata e Tiranës i është parashkruar dënimi. Ai gjatë kësaj kohe nuk u kap nga policia, vendimi nuk u ekzekutua përgjatë kësaj kohe, qysh prej momentit që vendimi ka marrë formën e prerë, duke përfituar në këtë mënyrë nga e drejta që i jep ligji, parashkrimi i dënimit. Personi që ka përfituar është Saba C’Meta, të cilit vendimi i dhënë nga tri gjykata në vitin 2001 i është parashkruar në momentin që mbushte 10 vjet pa u ekzekutuar si vendim. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 22 datë 17.1.2001, ka vendosur deklarimin fajtor të të pandehurit Sabah C’Meta për veprën penale “Vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim”, mbetur në tentativë dhe në bazë të kësaj dispozite, e ka dënuar me 9 vjet burgim. Vendimi i mësipërm është shqyrtuar Gjykata nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila me vendimin nr. 108 datë 12.3.2001 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit dhe nga Gjykata e Lartë është lënë në fuqi vendimi i Apelit. Mbi bazën e vendimeve të mësipërme, nga ana e organit të Prokurorisë është lëshuar urdhri për ekzekutimin e vendimit penal datë 4.4.2001. Por, nga vendimi nr. 22 datë 17.1.2001 i Gjykatës së Tiranës rezulton se i dënuari Saba C’Meta është gjykuar dhe dënuar në mungesë. Kërkuesi ka pretenduar se vendimi i dënimit të këtij shtetasi nuk është ekzekutuar dhe nga data e marrjes së vendimit formë të prerë kanë kaluar më shumë se 10 vjet. Nga ana e prokurorisë u pretendua se shtetasi Sabah C’Meta nuk po vuan dënimin në shtete të tjera dhe u paraqit në gjykim shkresa me nr. 643/1 prot. datë 5.3.2013 e Ministrisë së Drejtësisë sipas të cilës “nga Ministria e Drejtësisë nuk rezulton të ketë ndonjë të dhënë për shtetasin Saba C’Meta”. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është kthyer përgjigja me nr. 395/2 prot. datë 31.1.2013 sipas së cilës “për shtetasin Saba C’Meta nuk rezulton të jetë vënë ekzekutim apo të jetë duke vuajtur dënimin e dhënë ndaj tij”. Nisur nga të gjitha këto të dhëna të faktuara me dokumentacion, gjykata vendosi ta pranojë kërkesën për parashkrim të dënimit, me argumentin se “deri në ditën e këtij gjykimi datë 29.3.2013 nuk rezulton që vendimi i mësipërm të jetë ekzekutuar apo të ketë filluar ekzekutimi i tij. Nga dita që vendimi i dënimit ka marrë formë të prerë deri në ditën e këtij procesi kanë kaluar më shumë se 10 vjet”.

 

Kur parashkruhet dënimi

Gjykata e Tiranës konstatoi se plotësohen kushtet e parashikuara në nenin 68 të Kodit Penal për parashkrimin e dënimit të C’Metës. Sipas Kodit Penal, “vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar njëzet vjet për vendimin që përmban dënim pesëmbëdhjetë gjer në njëzetepesë vjet burgim; dhjetë vjet për vendimin që përmban dënim pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet burgim; pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në pesë vjet ose dënime të tjera më të lehta.” Në rastin objekt gjykimi, kërkuesi është dënuar më pak se 15 vjet burgim, vendimi i dënimit të tij nuk është ekzekutuar dhe nga dita e marrjes formë të prerë të këtij vendimi kanë kaluar më shumë së 10 vjet burgim. Duke qenë kështu, Gjykata duhet të deklarojë të parashkruar ekzekutimin e dënimit të dhënë me vendimin nr. 22 datë 17.1.2001 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të dënuarin Saba C’Meta.

Vendimi

Sipas gjykatës, kërkuesi është dënuar më pak se 15 vjet burgim, vendimi i dënimit të tij nuk është ekzekutuar dhe nga dita e marrjes formë të prerë të këtij vendimi kanë kaluar më shumë së 10 vjet burgim

Detaj

9 vjet burg ishte dënuar Saba C’Meta për veprën penale të vjedhjes me armë, e mbetur në tentativë

 

 

Dëshmia

Babai i Aldo Hoxhës: Dhunë mbi djalin të thoshte një emër autori

Gjyqi i Aldo Hoxhës, të riut të akuzuar për vrasjen e Fatbardha Tafës për një varëse floriri, po vijon me provat e mbrojtjes dhe dje e ka pasur radhën i ati i tij, Nexhmiu, për të dëshmuar. Para togave të zeza, ashtu sikundër ka deklaruar edhe për mediat pas arrestimit të të birit, ai ka rrëfyer gjithçka për ditën e ngjarjes, ku ishte i biri, si dhe për ditën e arrestimit të djalit të tij në banesën e të vëllait në fshatin Çekrez të Tiranës. Gjithashtu, Nexhmi Hoxha rihodhi akuza të rënda ndaj policisë për dhunë dhe kërcënime ndaj të birit për të pranuar vrasjen ose të thoshte një emër për të shpëtuar veten. “Flas me bindje se e njoh tim bir dhe së dyti se kam qenë vetë i pranishëm në të gjithë punën e policisë në përpjekjen për të vënë Aldon nën akuzë. Ai është torturuar për orë me radhë, edhe në sytë e mi, derisa i ka rënë të fikët; ai është marrë, pas arrestimit të dytë, ose arrestimit të vërtetë, sepse i pari mund të quhet shoqërim ose ndalim, ose e dinë ata se si e emërtojnë dhe është çuar në malin e Dajtit. Atje është torturuar deri në mëngjes vetëm e vetëm që të pranonte vrasjen ose të thoshte emrin e një personi tjetër si autor. Ai s`mund të pranojë diçka që s`e ka bërë, ndërsa provat e AND-së di policia dhe prokuroria se ku janë gjendur. S`ka asnjë provë shkencore që implikon tim bir”, – ka deklaruar para gjykatës Nexhmi Hoxha, duke iu qëndruar besnik deklarimeve të mëparshme mediatike. Më pas, ai deklaroi se djali i tij ditën e ngjarjes ka qenë në banesë. Ai u shpreh se Aldo nuk kishte lëvizur nga banesa atë pasdite pasi familjarisht po bëheshin gati për të shkuar në një dasmë jashtë Tirane. Nexhmi Hoxha, pretendon se djali i tij po akuzohet pa të drejtë nga organi i akuzës. Aldo Hoxha dyshohet si autor i vrasjes së 37-vjeçares Fatbardha Tafa, gjatë tentativës për grabitje pasditen e 7 gushtit, ngjarje e ndodhur pranë Fushës së Aviacionit në Tiranë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency