Kundër të keqes së madhe, të keqes së vogël dhe shpikësve të tyre

0

e keqaÇelo Hoxha

Loading...

 

Ata që e ndajnë një realitet politik si një tërësi e dominuar nga dy të këqija, njëra më e madhe dhe tjetra më e vogël, arrijnë në përfundime të gabuara, për shkak të premisës. Realiteti, duam apo s’duam, është diçka më e madhe dhe më e ndërlikuar, kurse, që nuk është bardhezi, këtë e tregon dhe arsyetimi i bardhezinjve, sepse ata i kritikojnë të dy ngjyrat e realitetit, në emër të një ngjyre tjetër, për të cilën nuk thuhen shumë gjëra, por që kuptohet, prej tyre, se ekziston. Atëherë ku gjendet ngjyra tjetër? Mos vallë është si bimët tropikale që rriten vetëm në vende tropikale, dhe për pasojë adhuruesit e saj nuk mund ta kenë po nuk ndërruan klimë?

Kjo hyrje, për ndokënd jo fort e qartë, ka lidhje me një debat të nisur nga Fatos Lubonja, që në 23 qershor, sipas tij, votuesit duhet t’i heqin një kryq të madh të dyja koalicioneve. Sipas zotit Lubonja, qeveria e djathtë është e keqja e madhe, kurse opozita, mundësia tjetër për qeverisje, është e keqja e vogël. Ai është kundër të dyjave.

Zoti Berisha është kthyer në e keqe e madhe për zotin Lubonja, por bazuar vetëm në thashetheme. Ndërkohë, po të niseshim nga akuza e kundërakuza, edhe zoti Lubonja e Blendi Fevziu e vizatuan njëri tjetrin, në një emision të Fevziut para nja dy muajsh, si mamuthë të korrupsionit.

Akuzat e kundërakuzat në Shqipëri janë gjëja që prodhohen në masë. Disa deputetë janë dënuar tashmë nga gjykata për shpifje, por po ta sjellësh si argument në mbrojtje të drejtësisë menjëherë do fillojnë kundërshtimet, sepse paditësit ishin fëmijët e kryeministrit. Megjithatë, nëse duam shtet ligjor, duhet të respektojmë institucionet, jo t’u predikojmë të tjerëve t’i respektojnë ato. Kur dikush akuzon, nuk duhet t’i dalim menjëherë në krah, por t’i kërkojmë të sjellë prova ose të mbyllë gojën, sepse kemi krijuar në këtë vend, me të drejtë e pa të drejtë, një klimë dyshimi, mosbesimi dhe kaosi.

Shqipëria është një realitet politik, ky realitet ka aktorët e vetë që kryejnë veprimtarinë e tyre politike, përfshi dhe votuesit e thjeshtë. Në këtë realitet, mendimtarët, gjykoj unë, nuk mund t’i njollosin të gjithë me bojë të zezë dhe gri dhe të thonë që në këtë vend mungojnë politikanët me ngjyrë tjetër. Nuk ka shoqëri, me përjashtim të burgut ndoshta, ku gjithë anëtarët e saj janë të këqij. Dhe burgu, kjo vlen të theksohet, është vepër e njeriut, kurse Zoti është treguar më i kujdesshëm në krijimin e veprës së tij, duke i balancuar vlerat.

Zoti Lubonja e përjashton zgjedhjen e të keqes më të vogël, duke pasur parasysh përvojën e vitit 1997, kur, sipas tij, ai dhe shumë tjerë që u rreshtuan me opozitën, e bënë këtë në emër të së keqes më të vogël (e keqja e madhe dhe atëherë ishte zoti Berisha), por u zhgënjyen, sepse nga ajo lëvizje, erdhën në pushtet socialistë që në 2005 u kthyen në të keqen më të madhe. Në 2005 ai përkrahu të keqen më të vogël, që, ironikisht, ishte zoti Berisha dhe gjatë këtyre tetë viteve u kthye përsëri në të keqen më të madhe. Gjatë gjithë kohës që ka qenë në politikë, zoti Berisha, sipas zotit Lubonja, ka bërë vetëm ecejake nga njëri skaj i të keqes në skajin tjetër. Pse vallë? A është ky njeri i kurdisur vetëm të bëjë keq? Mos duhet të vrasim atë robin që e ka kurdisur? Ose mos nuk ekziston pjesa tjetër e rrugës ku ai të bëjë ecejake dhe mos na duhet ta ndërtojmë?

Tani le të bëjmë ca sqarime të vogla. Ata që u rreshtuan me opozitën në 97-ën nuk zgjodhën të keqen më të vogël, ata iu bashkuan një grupi politik që e çoi vendin drejt katastrofës dhe veprimtaria e tyre ishte kriminale. Ata nuk zgjodhën, ata i imponuan pjesës tjetër të shqiptarëve një realitet kriminal, i cili ishte krijesë e një politike bazuar në urrejtje. Ata ecën në rrugën e paraardhësve të tyre, duke ribërë, në një variant tjetër, veprën që etërit e kishin bërë një herë në 1945. Fatos Lubonja ka avancuar disi, sepse aktorët e 45-ës shikonin vetëm zi, kurse ky e ka holluar pak me ujë katranin e penës së tij, e ka bërë gri.

Ata që shikojnë vetëm bardhë e zi bëjnë mirë të shkojnë te okulisti, të lexojnë libra të tjerë nga ata që kanë lexuar deri tani, ose të ndërrojnë vend. Fatos Nano, nuk u bë hajdut në 2005, kur i shkrepi në kokë disave t’i thonë hajdut. Zoti Nano në 1997 ishte i dënuar me burg për vjedhje, me vendim gjykate, por asokohe zoti Lubonja dhe shumë të tjerë zgjodhën të mos e respektonin vendimin e gjykatës dhe kjo logjikë ua bëri më të pranueshme t’u vendosnin kazmën gjithë institucioneve në 1997. Nëse ata do të kishin respektuar gjykatën, sot do të kishim gjykata dhe qytetarë me respekt për to. Logjika e refuzimit total, e kam thënë edhe herë tjetër (po e përsëris me që zoti Lubonja bëri një shkrim të dytë pardje te Panorama për të njëjtën temë), buron nga një logjikë me prirje vetëvrasëse.

Le ta mbyllim shpjegimin me një shembull më të thjeshtë. Një nënë me shtatë fëmijë ka një kovë me qumësht. Para se t’ua japë fëmijëve qumështin për të ngrënë, nëna e rreh në dybek, të nxjerrë pak gjalpë (për fëmijët edhe gjalpin, e mjera nënë). Vjen i shoqi, dhe e derdh qumështin, e vret lopën (refuzon të keqen e madhe), i fut dhe ca shpulla gruas (të keqes së vogël), vetëm se gjalpi nuk kishte dalë në cilësinë që e do ai (nuk dihet çfarë cilësie e do djathin, po është e sigurt që ai nuk e ha gjalpin më pak të keq). E çfarë fitoi familja në këtë rast? Asgjë, të gjithë dolën të humbur. Një baba i logjikshëm, ha atë gjalpë që i bën lopa, dhe, kur gjen një lopë më të mirë, e blen atë për të zëvendësuar të vjetrën. Nëse zoti Lubonja ka në mendje si politikanë të mirë perëndimorët, le të hedhë idenë për marrjen e një qeverie me qera ose le të propozojë kthimin e Shqipërisë në protektorant të një shteti me politikanë të mirë. Një mendimtar i mirë, nuk i hedh benzinë zjarrit, ai ofron zgjidhje. Përfitimi nga vepra e një kritizeri është histori e mbyllur, me cikël të plotë, me jetën e Sejfulla Malëshovës (e ndonjë tjetri), i cili hapi një gropë të madhe, kur ranë gjithë shqiptarët, e bashkë me ta edhe ai. Tashmë është e qartë, që Malëshova ishte pjesë e të keqes së kohës të tij dhe jo ata që ai kritikonte. Për kontrast, mendimtarët e matur të viteve tridhjetë vazhdojnë të lexohen me ëndje.

 

Loading...