Info/kult

0
111

12 qershor japonez Një maestro japonez luan suitën “Mrika”

Në tri net, Tiranës iu ofrua një mozaik i artit dhe kulturës japoneze përmes muzikës, letërsisë dhe filmit. “Ditët e Kulturës Japoneze” sollën për publikun shqiptar mbrëmjen koncertale me Orkestrën Ballkanike të Dhomës, mbrëmjen artistike me aktoren e mirënjohur Ema Andrea dhe “Tokyo Story”. Ambasada Japoneze për Shqipërinë në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Japoneze në Romë dhe Fondacionin Japonez, sollën në Tiranë Orkestrën Ballkanike të Dhomës, nën dirigjimin e mjeshtrit Toshio Yanagisawa, shoqëruar në flaut nga Yuki Saito. Repertori i kësaj orkestre virtuoze, në mbrëmjen e Tiranës përfshiu pjesë të zgjedhura orkestrale, që nga “Triptique”(Triptiku) i njohur i kompozitorit Yasushi Akutagaëa, Suitë nga Opera “Mrika” e Prenk Jakovës apo kompozimin në katër kohë “Shpirti i Traditës” nga muzikanti kosovar Valton Beqiri. Kjo vepër është kompozuar nga autori Beqiri posaçëm për Orkestrën Ballkanike të Dhomës, e cila është themeluar në vitin 2007 nga dirigjenti japonez Toshio Yanagisaëa, me dëshirën për të zgjuar ndërveprim artistik mes etnive të Gadishullit Ballkanik. Ky formacion orkestral shëtitës përbashkon instrumentistë prej vendeve të ndryshme të Ballkanit.

Andi Nano, zyrtar i JTI për Shqipërinë, theksoi në fjalën e tij përshëndetëse se kultura japoneze ka shumë për t’i ofruar publikut shqiptar, me bindjen se Ditët e Kulturës Japoneze do të sjellin më pranë shqiptarëve këtë pasuri kulturore duke forcuar urat e miqësisë midis dy vendeve.

“Letrat dhe muzika japoneze nuk janë të shenjuara vetëm për ndjeshmërinë që mbartin; Ato gjithaq shpërfaqin shpirtin e pamposhtur dhe përparimtar të japonezëve, i cili mund të na frymëzojë të gjithëve. Duke respektuar rrënjët tona, ne do të vazhdojmë të mbështesim kulturën japoneze edhe në të ardhmen”, tha z. Nano.

Mbrëmja e dytë solli Mozaikun e Literaturës Japoneze ”Nga e bardha… në Lindje”, i cili shpërfaq frymën e kulturës japoneze, përmes pjesëve të shkëputura nga mjeshtra të penës – Fitues të Çmimit Nobel – Yasunari Kavabata, Kenzaburo Oe, si edhe novelistët e kohëve moderne Haruki Murakami dhe Ami Yamada. Nën trillin e interpretimit të aktores Ema Andrea dhe trupës që e shoqëronte, erdhën për publikun ndjesitë, fryma dhe tingulli japonez në një shfaqe artistike krejt të veçantë, pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, mbrëmjen e 6 Qershorit.

Në mbrëmjen e tretë, publiku u ftua të udhëtojë në kohë në realitetin japonez përmes filmit me metrazh të gjatë “Tokyo Story”. Tokyo Story konsiderohet si një ndër filmat më të mirë të regjisorit të njohur japonez Yasujirō Ozu, i vlerësuar nga Instituti Britanik i Filmit si një ndër 100 filmat më të mirë Botërorë . Ky film i vitit 1953 dëshmon artistikisht përpjekjet dhe kostot e Japonisë dhe njerëzve të saj për të mbërritur në zhvillimin e sotëm.

 

 

Udhëtimi i Paolo Coelho-s

Udhëtimi i Paolo Coelho-s, gjatë muajve mars dhe korrik të vitit 2006, nëpër tri kontinente: Evropë, Afrikë dhe Azi – një udhëtim në kohë dhe hapësirë, me të kaluarën dhe të tashmen, gjithmonë në kërkim të vetvetes do të përfundonte në një roman.

Përvoja e tij gjatë këtij udhëtimi nëpërmjet hekurudhës transiberian me tren, me botuesin e tij dhe me një vajzë që ai takohet në udhëtim krijojnë dhe vështrimin e personazheve mbi psikozën e lëvizjes. Bëhet fjalë për romanin e ri “Aleph”, në shqip nga botimet “Toena”.

Romani fillon me Paulon, duke folur për pakënaqësitë e jetës: të rinj që mbarojnë universitetin dhe nuk gjejnë punë, të moshuar që dalin në pension pa asnjë grosh në xhep, të rriturit që nuk kanë kohë për të ëndërruar; që nga teta e mëngjesit deri në pesë të pasdites luftojnë për të mbajtur familjen, për të paguar shkollën e fëmijëve, duke u përballur me atë që të gjithë e njohim me emrin “realitet i vështirë”. Bota, sipas Paolos, nuk ka qenë asnjëherë kaq e përçarë sa tani: luftëra fetare, gjenocide, mungesë respekti për planetin, krizë ekonomike, depresion, varfëri. Të gjithë kërkojnë rezultate të menjëhershme për të zgjidhur të paktën disa nga problemet e botës, ose të jetës së tyre private. Por gjërat duken gjithnjë e më të errëta sa më tepër që i afrohemi së ardhmes.

“Nje nga arsyet e shumta të këtij udhëtimi është pikërisht kthimi në të kaluarën, në atë që është nën tokë, në rrënjët e tij”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency