Beqir Meta “Politika dhe historianët s’duhet të ndalin denoncimin e Konferencës së Londrës”

0
137

12 qershor

Politika dhe historiografia shqiptare nuk duhet të ndalojnë së denoncuari Konferencën e Londrës. Kjo është një përgjigje që historiani Beqir Meta jep nga këndvështrimi shqiptar i historisë 100-vjeçare, që bashkë me krijimin e Aleancës Ballkanike, nisën dhe luftërat në Ballkan. Ashtu si nga pohimi i djeshëm i studiuesit Enver Bytyçi, vendi ynë ishte themeli i konflikteve prej 100 vjetësh në rajon. Në dy ditë debat mbi ngjarjet e viteve ‘12-‘13 të organizuar nga dy homologë, Instituti i Studimeve të Evropës Juglindore në Shqipëri e Gjermani, historianët e Ballkanit ende ndajnë mendimet, duke mos e pranuar aq lehtë çfarë ndodhi në Konferencën e Londrës. Sipas Metës janë historianët serbë e grekë që “mbrojnë” akoma argumentin e krijimit të Aleancës Ballkanike si lëvizje për çlirimin nga Turqia. Ndërsa historiani i referohet nacionalistëve shqiptarë të 100 viteve më parë që denoncuan këtë Aleancë duke treguar se mbeten të qëndrueshëm në argumentin se Aleanca e serbëve dhe grekëve kishte synim copëtimin e Shqipërisë, siç edhe ndodhi realisht. Nuk ka zbutje në këtë front të debatit, ndonëse pranohet se më 1999 me prezencën e forcave të NATO-s në Kosovë shenjat e zbutjes së retorikës historike po shfaqen. Gjithsesi Meta nuk heq dorë të thotë prerë, se Konferenca e Londrës si rast i padrejtësisë historike mbi territoret shqiptare duhet çuar deri në fund për zgjidhje. Në intervistën e mëposhtme, për “standard”, historiani Beqir Meta vazhdon të mbajë tonin denoncues të elitës politike të viteve ‘900.

 

Është një rast që i rikthehen një debati të madh që ende nuk është shuar, të gjendjes ballkanike nga vitet ‘12-‘13, një krahasim të shkurtër të kohës, pse po bëhet sipas jush i domosdoshëm ky debat, takim mes historianëve të Ballkanit?

 

Ky debat vjen në përvjetorin e mbajtjes së Konferencë së Londrës, që shënon fundin e Luftërave Ballkanike. Pra, ky është viti i Luftërave Ballkanike dhe 101 vjet nga koha kur u krijua Aleanca Ballkanike, që shkaktoi këto luftëra.

Nga kjo pikëpamje ka një arsye për ta analizuar, nga lartësia e 100 viteve; e dyta që e theksova dhe në kumtesën time është vendi ynë. Shqipëria meriton ta zhvillojë këtë diskutim të madh, pasi ishte viktima kryesore e kësaj Aleance dhe e këtyre luftërave. Vendi unë ishte thelbi i Aleancës, synimi i copëtimit të territoreve shqiptare. Kështu një analizë e tillë nga ky këndvështrim 100-vjeçar është i nevojshëm gjithmonë, çfarë përfundimesh ka nxjerrë historia dhe se si njerëzit duhet të mësojnë nga këto përvoja të hidhura.

 

Në këto 100 vite a ka pasur një qëndrim zyrtar të historiografisë ballkanike lidhur me luftërat, cila kanë qenë përplasjet ku bashkohen e ndahen historianët?

 

Historiografia ballkanike, në përgjithësi ballkanasit nuk mund të themi se, ka pasur një qëndrim unik. Ato vende që ishin pjesëtare të Aleancës Ballkanike, po ato vende, historianët e tyre janë munduar ta glorifikojnë, ta ngrejnë në qiell këtë si Aleancë përparimtare për çlirimin e Ballkanit nga osmanët, për shpëtimin e krishtërimit nga myslimanizmi.

 

Cilat vende vazhdojnë ta mbajnë këtë argument?

Kanë qenë historianë të Serbisë, Greqisë, Malit të Zi, Bullgarisë. Po ashtu, ka pasur preferenca për politika perspektive të anëtarëve të Aleancës, sigurisht qëndrime kritike.

Siç ndodhi në luftë, ashtu edhe është ndarë historiografia. Aleanca Ballkanike u shpërbë dhe aleatët ju vërsulën njëri tjetrit. Kemi parasysh përplasjet e Bullgarisë me Greqinë dhe Serbinë, që ishte një luftë shumë fatkeqe. Kështu që, ka pasur vlerësime kontradiktore, por sigurisht janë ende larg vlerësimit objektiv, se çfarë ishte kjo Aleancë dhe çfarë procesesh solli ajo në Ballkan dhe çfarë procesesh ndërpreu ajo etj.

 

Në gazetën “Tomorri” të drejtuar nga Lef Nosi, më 1910-1911 ka paralajmëruar çështjen e Besëlidhjes Ballanike, ndërkohë historiania nga Maqedonia e konsideroi një lëvizje patriotike të shqiptarëve që erdhi nga jashtë, nga shqiptarët e Bukureshtit. Pse konsiderohet e dobët lëvizja e brendshme?

 

 

Lëvizja kombëtare shqiptare ka pasur vështirësitë e veta që erdhi si proces në ngjitje. Zgjimi ynë ishte pak më i vonë se të tjerët në Ballkan, për arsye dhe të politikave specifike që ndoqi perandoria otomane. Por dhe të vetë zhvillimit politiko-social të realitetit etnik, politik social brenda Shqipërisë, të të gjithë trevave. Kjo vonesë u shndërrua në një humbje shumë të madhe për shqiptarët. Pikërisht në momentin kur Lëvizja Kombëtare shqiptare po arrinte në pikën e saj më të lartë, këtu nis lëvizja e Aleancës Ballkanike.

 

 

Fjala juaj ishte pikërisht mbi faktin se çfarë përfaqësoi Aleanca Ballkanike. Pas 100 vjetësh, cili është këndvështrimi shqiptar për të?

 

Historiografia shqiptare do të thosha se tashmë ka bërë një analizë edhe më të thelluar dhe është kthyer në pozicionin e analizave që kanë bërë nacionalistët shqiptarë pikërisht në kohën kur u krijua kjo Aleancë dhe në kohën e zhvillimit të Luftës Ballkanike. Pra, ishte një aleancë e krijuar totalisht për të ndarë zotërimet e Turqisë në Ballkan, të cilat ishin dy etnitete kryesore, në radhë të parë territoret shqiptare, por dhe territore të tjera siç ishte Maqedonia etj. Por kryesorja dhe hapësira më e madhe ishin territoret shqiptare të cilat ishin në themel të synimeve copëtuese të Aleancës.

 

 

Si përballeni me tezat që vijnë nga historiografia e sotme serbe, greke apo dhe ajo bullgare; a vazhdojnë të jenë në të njëjtin front ekstremist? Pse ju shmangen realitetit shqiptar të para 100 vjetëve?

 

Sigurisht në këtë vështrim të sotëm ka lëvizje përpara. Gjithë historiografia edhe në këto vende ka analiza dhe qasje më serioze, më objektive. Por, do të thosha që rrymat mbizotëruese vazhdojnë të mbeten po ato. Ka një diferencë të madhe në vlerësimin e Aleancës. Ne, mbajmë qëndrimin tonë që Aleanca Ballkanike hapi luftën 100-vjeçare në Ballkan, ndërsa ato i japin asaj një karakter çlirimtar për të larguar Turqinë nga Ballkani. Historianët serbë e grekë vazhdojnë të peshojnë aty, ndërsa ne në faktin e fillimit të luftërave në Ballkan.

 

 

Konferenca e Londrës sigurisht vazhdon të jetë një “njollë e zezë” me vendimet e saj të njohura botërisht, e aktivizuar sërish kohët e fundit nga politika. A mbetet e hapur historia në këtë pikë?

 

 

Konferenca e Londrës u ndërtua mbi bazën e dy parimeve; së pari mbi bazën e parimit të interesave strategjike dhe të balancës midis blloqeve të Fuqive të Mëdha; dhe së dyti mbi bazën e forcës ushtarake, arritjes ushtarake të ballkanasve në luftën kundër Turqisë.

Nuk u ndërtua mbi bazën e së drejtës së kombeve për të ndërtuar shtetet e tyre kombëtar dhe ky ka qenë thelbi i gjithë gabimi të madh të historik që përshkon Konferencë të Londrës. Ballkani ia pa sherrin kësaj Konference në 100 vjetët në vazhdim. Dhe akoma ky sherr nuk është mbyllur. Po riparohen një nga një segmentet e kësaj padrejtësie të madhe historike, por dhe këtij problemi të madh që krijoi Konferenca e Londrës. Ne, ende nuk e kemi mbyllur këtë kapitull. Është dashur 100 vjet dhe ende vendimet e saj nuk janë kapërcyer. Do të thosha se ishte mendimi kryesor i gabuar dhe fatkeq për Ballkanin, që u bazua mbi interesa dhe jo mbi parime.

 

 

Përdorimi sot nga politika e ditës, çfarë shenje është për ju?

Sigurisht që Konferenca e Londrës duhet të vijojë të denoncohet në të gjitha krahët qoftë dhe nga politika. Kur një çështje është e padrejtë, është e padrejtë dhe nuk mund të mbyllet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency