Standard.al

McCormak: Zgjedhjet s’mund të bëhen pa KQZ-në, certifikimi i rezultatit kërkon 5 anëtarë

Florenc Drizari

MCZgjedhjet, flet kryevëzhguesja e ODIHR-it, McCormack

“KQZ nuk ka pesë anëtarë dhe ka marrë vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar”

 

Kryesuesja e misionit vëzhgues ndërkombëtar të OSBE/ODIHR-it në Tiranë, Conny McCormack, deklaroi një ditë më parë se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve kërkon shumicë të cilësuar prej pesë anëtarësh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për këtë, ajo vuri në dukje pamundësinë e KQZ-së për ta marrë një vendim të tillë.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, McComarck theksoi se KQZ është një faktor shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe afrimi i 23 qershorit ngushton hapësirat për miratimin e atyre vendimeve që duhet të merren me një shumicë të cilësuar.

“Situata në KQZ është në mendjen e të gjithëve dhe në media prej shumë javësh, por ajo nuk ka ndryshuar: në vend të 7 anëtarëve që duhet të ishin, janë vetëm katër që i përkasin të njëjtës parti politike. Kjo situatë, ashtu si e kemi vënë në dukje, po ndikon në vendimmarrjen e deritanishme, pasi disa vendime, në bazë të ligjit, duhet të merren me pesë anëtarë që bien dakord ose ndryshe të merren me shumicë të cilësuar dhe jo me një shumicë të thjeshtë. Në raportin tonë paraprak, kemi theksuar se kjo kërkesë e ligjit nuk është zbatuar disa herë pasi KQZ nuk ka pesë anëtarë dhe ka marrë vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar duke përdorur justifikime racionale sipas të cilave është në rregull marrja e vendimeve me 4 anëtarë. Gjithsesi ligji është shumë i qartë dhe mendoj që çështja për ne dhe këdo tjetër është që zgjedhjet po afrohen dhe vendimi se kush do t’i fitojë ato, certifikimi i rezultatit kërkon qartësisht një shumicë të cilësuar prej pesë anëtarësh. Ky është thelbi i çështjes. Pra, ka disa vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar prej pesë votash por më i rëndësishmi prej tyre, që është në mendjen e gjithkujt, është certifikimi i rezultatit. Ndërsa lidhur me rastet kur vendimeve të KQZ u mungon motivimi ligjor dëshiroj të sjell si shembull rastin e vendimit për rikompozimin e 89 KZAZ-ve”, – tha kryesuesja e misionit të vëzhgimit.

Ajo shtoi më tej se KQZ duhet të funksionojë dhe se askush nuk dëshiron që ky komision të ndalojë së funksionuari. “Ju doni të bëhen zgjedhjet dhe ato nuk mund të bëhen pa një strukturë drejtuese si KQZ, për këtë nuk ka alternativë tjetër. Por misioni ynë ka paraqitur faktin që KQZ ka marrë disa vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe po ecën drejt skadimit të disa afateve të tjera ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar. Dhe nuk do të arrijë t’i kapë këto afate nëse kompozimi i KQZ nuk përshpejtohet në kohën që ka mbetur deri në 23 qershor”, – tha McComarck.

Sipas saj, në një vend si Shqipëria, me një historik zgjedhjesh me diferencë të ngushtë mes palëve, thekson rezultati nuk është vetëm në dorë të KQZ, por edhe nga ajo se çfarë do të ndodhë në procesin e numërimit.

“Shqipëria ka një histori zgjedhjesh me rezultat të ngushtë, me një diferencë të ngushtë mes palëve dhe natyrisht, mendoj që kjo krijon një atmosferë tjetër nga ajo kur fitorja është e qartë. Pra kërkon të thuash që në kushtet e një KQZ, jo të plotë, me vetëm 4 anëtarë, njerëzit nuk do të besojnë rezultatin e shpallur prej tij? Por rezultati nuk është vetëm në dorë të KQZ; ai varet edhe nga ajo se çfarë do të ndodhë në procesin e numërimit, si do të shkojë ky proces. Ndërkohë që procesi i numërimit në Shqipëri është shumë i hapur, lejon vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë, askush nuk mundohet të mohojë aksesin e tyre, që mendoj se është një komponent kyç i besueshmërisë së publikut. Gjithë qendrat e votimit kanë kamera TV, ekrane që tregojnë se si ecën votimi, nëse vota është hedhur. Në kuptimin e transparencës procesi është jashtëzakonisht i mirë, këtë shumë vende nuk e kanë, përfshirë edhe vendin tim, SHBA. Kontestim i zgjedhjeve ndodh në të gjitha ato vende ku rezultati i zgjedhjeve është shumë i ngushtë. Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë më 23 qershor”, – deklaroi McComarck.

 

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.