KiE, Tatsopoulos: PD konfirmon se do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, PS në mëdyshje

0
145

Florenc Drizari

TATSOPOLUSDelegacioni i Komitetit të Vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Pak kohë pas takimeve që përfaqësues të Komitetit të Vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës patën me krerë të partive politike në Shqipëri, ata dolën në një deklaratë ku pasqyruan qëndrimet e tyre dhe liderëve shqiptarë lidhur me procesin zgjedhor.

Anëtar i delegacionit të KiE-së, Petros Tatsopoulos, tha se njohja e rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit është një pikë vendimtare për liderët politikë në vend dhe për procesin në tërësi. Për këtë Tatsopoulos citoi një pjesë të qëndrimit që Kryeministri Berisha i kishte shprehur në takim, duke thënë se ai dhe forca politike që përfaqëson është e gatshme të njohë rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa një gjë të tillë përfaqësuesi i KiE-së tha se nuk e mori nga përfaqësuesit e PS-së.

KiE, Tatsopoulos

“Nuk dua të besoj se politikanët mund të bëjnë lojëra kur vjen puna për rezultatin e zgjedhjeve. Veçanërisht kur rezultati është i ngushtë. Politikanët tuaj e kanë marrë atë mesazh dhe nëse bëjnë të tilla lojëra do të rrezikojnë. E di që ka ndodhur në të shkuarën, por nuk dua të fajësoj asnjë apo t’i faturoj ndonjërit përgjegjësitë. Kryeministri na tha shprehimisht se në çfarëdo lloj rrethanash PD dhe koalicioni i saj do ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Nga ana tjetër, gjatë takimit që patëm me përfaqësuesit e PS-së nuk na u tha një pohim i tillë. Na u tha prej tyre që të shohim si do të shkojë i gjithë procesi deri në fund dhe pastaj do të shprehemi për rezultatin”, – deklaroi Tatsopoulos.

Duke komentuar situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me katër anëtarë pas dorëheqjes së tri anëtarëve të opozitës rreth dy muaj më parë, zoti Tatsopoulos ishte i drejtpërdrejtë kur u shpreh se kompozimi i tanishëm i KQZ-së, është potencialisht një problem serioz që mund të kthehet në rrezik.

“Siç e kemi thënë edhe më parë, KQZ-ja është një problem shumë serioz. Mund të transformohet në një rrezik, me të vërtetë një rrezik pasi KQZ-ja është aktori kryesor për rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, – theksoi ai.

Nga ana e tij, përfaqësuesi tjetër i delegacionit të KiE-së, Luca Volante, tha se misioni i tyre ishte këshillimi i aktorëve politikë dhe jo ndërhyrja për të gjetur zgjidhje. Sipas tij, delegacioni shpreh keqardhjen që kriza e KQZ-së, nuk është tejkaluar.

VOLANTE

“Shqipërisë i nevojiten zgjedhjet e 23 qershorit për të plotësuar angazhimet e Këshillit të Evropës, standardet e tij dhe njëkohësisht për të konfirmuar angazhimin real të Shqipërisë për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Delegacioni shpreh keqardhjen e tij që kriza e KQZ-së nuk është tejkaluar akoma. Për aq kohë sa KQZ-ja konsiderohet si i paplotë, atëherë realizimi demokratik i zgjedhjeve mund të rrezikohet”, – deklaroi Volante.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency