“Piku” i naftës, sa duhet të shqetësohemi?

0

naftaPiku i prodhimit botëror të naftës do të ndodhë me siguri, për këtë nuk mund të ketë dyshim. Ka akoma debate për kohën e pikut: ka ndodhur tashmë, do të ndodhë së shpejti apo mund të shtyhet për shumë vite, madje edhe dekada?

Loading...

 

Termi piku i naftës shpesh keqkuptohet sikur do të thotë mbarim i plotë i rezervave të naftës – shterim. Në fakt, me të kuptohet periudha kur nafta arrin maksimumin e prodhimit përpara se të pakësohet përfundimisht. Piku dhe pakësimi i naftës është vënë re tashmë në mijëra puse nafte dhe në prodhimin kombëtar të shumë vendeve si SHBA, Indonezi, Norvegji, Britani e Madhe, Oman, Meksikë. Piku i prodhimit botëror të naftës do të ndodhë me siguri, për këtë nuk mund të ketë dyshim. Ka akoma debate për kohën e pikut: ka ndodhur tashmë, do të ndodhë së shpejti apo mund të shtyhet për shumë vite, madje edhe dekada?

Në vitin 2010, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e mbylli debatin. Në broshurën prestigjioze “Energjia në botë në vitin 2010”, IEA deklaroi se prodhimi vjetor botëror i naftës bruto me shumë mundësi nuk do të kapërcejë kurrë nivelin e vitit 2006. Megjithatë agjencia e mjegulloi pak çështjen kur deklaroi se piku nuk është për shkak të kufizimeve gjeologjike, dhe se vëllimet totale të karburanteve të lëngshme (përfshirë naftën bruto, biokarburantet, naftën sintetike nga rërat bituminoze dhe qymyri, si dhe lëngjet e gazrave natyralë si butani, propani) do të vazhdojnë të rriten disi në vitin 2035. Disa analistë mendojnë se deklarata e fundit ka thjesht qëllim të shmang panikun e tregjeve.
Studiuesit e naftës fillojnë me premisën se burime të parinovueshme si nafta nxirren sipas parimit se frutat që janë më afër vilen të parat. Meqë inxhinierët e naftës fillimisht eksploruan fusha naftëmbajtëse në tokë dhe që ishin më lehtë të arritshme, si dhe meqë fushat më të mëdha gjenden më lehtë se fushat e vogla, fushat naftëmbajtëse të mëdha dhe lehtësisht të shfrytëzueshme u gjetën herët.

Fushat më të mëdha naftëmbajtëse (të cilat pothuajse të gjitha u gjetën në vitet 1930-1960) ishin gjigante, secila me miliarda barela naftë bruto dhe nga të cilat në pikun e tyre u nxorën me qindra mijëra deri miliona barela naftë në ditë. Por pak nga fushat ishin supergjigande. Shumica e fushave të tjera, të cilat janë me mijëra, janë shumë më të vogla, me disa mijëra deri në pak milion barela naftë dhe që prodhojnë nga disa barela deri në mijëra barela në ditë. Me plakjen e fushave supergjigante bëhet gjithmonë e më e vështirë të kompensohet pakësimi i prodhimit të tyre të lirë me naftë nga fushat e reja që janë më të vogla dhe më të vështira për t’u aksesuar, prandaj zakonisht më të kushtueshme në eksplorim dhe nxjerrje. Jeremy Gilbert, ish-kryeinxhinier nafte në BP thotë “Fushat që po përpiqemi të shfrytëzojmë aktualisht, në shumë raste i kemi njohur për shumë kohë, por nuk i kemi shfrytëzuar se ishin komplekse, të copëzuara, të vështira. Tani teknologjia dhe njohuritë tona janë më të mira, kjo është gjë e mirë, sepse këto janë fushat që kanë mbetur”.

 

Ndryshimet
Tendencat në industrinë e naftës janë të qarta dhe të padiskutueshme: eksplorimi dhe prodhimi po shtrenjtohen dhe po nevojitet më shumë rrezikim i ambientit, kurse konkurrenca për të shfrytëzuar rajone të reja me fusha po shkakton më shumë tensione gjeopolitike. Zbulimi i fushave në rang botëror është në rënie nga fillimi i viteve 1960 dhe shumica e eksplorimeve dhe zbulimeve të tanishme janë në zona të vështira si ujëra të thella (në thellësi oqeanike deri në 5 km), dhe në Arktik, ku shpenzimet operacionale dhe rreziqet ekologjike janë shumë të mëdha. Kjo situatë do të vazhdojë me shterimin e fushave të mira dhe me afrimin e pikut të prodhimit botëror të naftës.

Megjithëse Departamenti i Energjisë i SHBA-së dhe IEA vazhdojnë të nxjerrin parashikime disi optimiste që sugjerojnë se prodhimi global i karburanteve të lëngshme do të vazhdojë të rritet deri në vitin 2030, këto parashikime tani shoqërohen me një kusht gjysmë të heshtur: për sa kohë investime shumë të mëdha në eksplorim dhe nxjerrje realizohen. Ky optimizëm i kujdesshëm gjendet dhe në deklaratat e ExxonMobil dhe Shoqatës së Kërkimeve Energjetike, Kembrixh, si dhe në deklaratat e disa ekonomistëve të energjisë. Megjithatë, shumica e analistëve seriozë presin fillimin e afërt (brenda kësaj dekade) të pakësimit të prodhimit botëror të naftës bruto dhe të karburanteve likuide. Një sondazh i bërë vitin e kaluar nga Shoqata për Studimin e Pikut të Naftës (ASPO) me rreth 100 gjeologjistët më të respektuar të naftës, gjeti se shumica prisnin që prodhimi botëror i naftës të arrinte pikun midis 2010 dhe 2020. Figura të dëgjuara të industrisë së naftës si Charles Maxwell dhe Boone Pickens thonë se piku ka ndodhur ose do të ndodhë së shpejti. Dhe studime të fundit të detajuara nga qeveritë dhe shoqata industrie kanë arritur të njëjtin konkluzion. Toyota, Virgin Airlines, dhe korporata të tjera konsumatore të mëdha të naftës e përfshijnë rregullisht pikun e naftës në modelet e tyre të parashikimit.

Nëse i shqyrtojmë nga afër, argumentet e mohuesve të pikut të naftës në fakt janë përpjekje të stërholluara për të thënë në thelb të njëjtën gjë si mbrojtësit e idesë së pikut, por në një mënyrë më pak dramatike (disa thonë dhe më pak të saktë dhe të dobishme): Ekspertë të dëgjuar si Daniel Yergin i Shoqatës së Kërkimeve Energjitike, Kembrixh, flasin për pikun jo të ofertës, por të kërkesës për naftë (natyrisht, ulja e kërkesës vjen nga rritja e çmimeve të naftës – kështu që ku është ndryshimi?).

Ose theksojnë se bota po shikon fundin e naftës së lirë por jo të vetë naftës. Ata tregojnë rezervat gjigante, në disa raste në rritje, të naftës në botë. Por nga ekzaminimi nga afër i rezervave të pretenduara del se shumica janë vetëm në letër (shifra të pretenduara pa prova) apo bitum dhe burime të tjera fosile që nxirren me metoda speciale të ngadalta, të shtrenjta dhe që harxhojnë shumë energji. Lexoni me kujdes: edhe deklaratat e optimistëve më të zjarrtë pranojnë se kemi hyrë në një epokë ku çmimet e hidrokarbureve likuide do të jenë disa herë më të larta se çmimet (e rregulluara me inflacionin) të vetëm pak viteve më parë.

 

Debatet

 

Diskutimet për kuptimin e saktë të “pik”-ut, mbi kohën e saktë të tij, apo mbi kuptimin e fjalës “naftë” janë të kota. Bota e naftës ka ndryshuar. Dhe ky shok i fuqishëm ndaj energjisë në botë koninçidon me ndryshimet sizmike në sistemet financiare dhe ekonomike.

Pasojat e pritshme të pikut të naftës janë studiuar në shumë libra, studime dhe raporte, dhe përfshijnë pasoja të rënda në transport, ushqim, tregti ndërkombëtare dhe në të gjitha industritë që varen nga karburantet likuide, si p.sh. kimikatet, pastikat dhe ilaçet. Pra elementët kryesorë të jetës sonë të përditshme do të duhet të përshtaten përndryshe nuk do të funksionojnë. Gjithashtu ka shumë mundësi që konfliktet në botë mbi rezervat e mbetura të naftës të shtohen.

Sigurisht prodhimi i naftës nuk do të ndalojë menjëherë pas pikut, por do të pakësohet gradualisht përgjatë disa dekadave; kështu pasojat do të shtohen dhe rriten me kalimin e kohës, shoqëruar me kriza ekonomike dhe gjeopolitike të herëpashershme të shkaktuara nga skarciteti i naftës dhe rritja e çmimeve.

 

 

 

 

Porti Durrës, projekte të reja në konkretizim

 

Në hapësirën lindore të portit të Durrësit vazhdojnë punimet e fundit për realizimin e dy projekteve infrastrukturore, ndërsa është përgatitur tenderi për ndërtimin e një rruge të re portuale drejt kalatës së re lindore. Këto ditë në të njëjtin territor ka përfunduar edhe rikonstruksioni i plotë i kalatës 10 me një vlerë 1.13 miliardë lekë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Autoritetit Portual bënë të ditur se punimet në hyrjen nr. 4 me një investim të përgjithshëm prej 159 milionë lekë janë përqendruar në portën e re, e cila do të pajiset me një sistem elektronik modern kontrolli dhe sigurie. Traseja dhe asfaltimi i rrugës me gjatësi 740 metra dhe gjerësi 19 metra ka përfunduar tërësisht në njërën prej korsive trekalimëshe, ndërsa vazhdojnë intensivisht një sërë punimesh të tjera, shtuan burimet e APD. Investimi përfshin një sipërfaqe të përgjithshme punimesh prej 27 mijë metër katrore. Përveç elementëve të portës nr. 4 ka përfunduar ndërtimi i një sheshi prej 5500 metra katrore me godinën përkatëse për të gjithë automjetet që nuk kanë prenotuar paraprakisht udhëtimin me traget. Investimi tjetër me vlerë 31.5 milionë lekë ka shërbyer për ndërtimin e rrugës së re dytësore drejt godinës së Doganës së portit, si dhe për sistemin e ri të tubacioneve për furnizimin me ujë të të gjitha kalatave, shesheve dhe zyrave portuale. Të dy investimet me vlerë të përgjithshme afro 190 milionë lekë janë financuar nga APD.
Këto ditë do të zhvillohet edhe tenderi për ndërtimin e rrugës së re, nga rrethrrotullimi i ri drejt kalatës lindore. Projektet infrastrukturore po zbatohen në pjesën lindore të portit, atje ku ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i kalatës 10. Në kalatat e portit më të madh të vendit përpunohen çdo vit rreth 3.5 milionë ton mallra dhe afro 850 mijë udhëtarë me tragete.

 

 

Loading...