Rezultatet e para Letërsia, maturantët midis notës gjashtë dhe tetë. Shumë teste me kopje

0
167

Driçim Çaka

maturantetKur janë korrigjuar rreth 50% e testeve, shumica e maturantëve kanë treguar nivel mesatar, duke mos pasur ndonjë ndryshim nga një vit më parë

 

Rezultatet paraprake në provimin e letërsisë flasin për një nivel mesatar të maturantëve. Pavarësisht se shumë kandidatë pas provimit e vlerësuan testin si të lehtë, rezultatet tregojnë të kundërtën. Kur janë korrigjuar rreth 50% e testeve, shumica e maturantëve kanë treguar nivel mesatar, duke mos pasur ndonjë ndryshim nga një vit më parë. “Rezultat e para flasin se maturantët kanë dalë mirë në provimin e letërsisë, po jo ai nivel që ne prisnim. Shumica e kandidatëve kanë marrë nga nota 6.5 deri në 8.5. Pjesa tjetër është midis notës 5 dhe 6, ndërkohë që kemi shumë pak maturantë që janë vlerësuar maksimalisht, domethënë nga 9.5-10”, – përmendin burime të gazetës. Korrigjimi i provimeve të letërsisë do të përfundojë javën tjetër, ndërkohë që rezultatet do të publikohen menjëherë pas provimit të matematikës, i cili do të zhvillohet në 14 qershor. Ndërkohë që, notat maksimale janë të pakta, në të njëjtat shifra janë dhe maturantët të cilët nuk kanë arritur të jenë kalues. Sipas të dhënave numri i maturantëve mbetës, deri dje nuk e kalonte 150.

Kopjet

Masat që mori Ministria e Arsimit për të ndaluar kopjet kanë qenë të shumta, duke filluar që nga zhurmuesit e telefonave deri te kontrolli për secilin maturantë. Por asnjë prej këtyre nuk e ndali fantazinë e të rinjve, të cilët kanë shpikur forma të ndryshme për të kopjuar. Pavarësisht se shumë prej tyre ia “arritën” të shpëtonin përsëri do të ketë penalizime ndaj atyre që kuptohen se kanë kopjuar. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, në një intervistë bën me dije procedurën që do të ndiqet për tezat “e dyshimta”. “Këto janë teste që ne i quajmë të parregullta, përfshirë dhe ato me kopje. Vlerësuesit i nxjerrin rast pas rasti mënjanë kush janë teste të parregullta, po themi në përgjithësi. Kurse ato që janë të kopjuara, janë të raportuara nga administratorët në procesverbalet. Gjithmonë ka, dhe këto kalojnë në një komision të posaçëm, nuk u shpallet rezultati në ditën që u shpallet të gjithëve po kalojnë në një procedurë shqyrtimi të mëtejshëm që është e një komisioni të posaçëm që verifikon çfarë ka ndodhur dhe del me një përfundim, me një vendim që do të thotë shpallje e rezultatit në një fazë të dytë për ta”, – përmend Harizaj.

Matematika

Ndërkohë që po presin rezultate e letërsisë, maturantët janë duke u përgatitur për provimin e matematikës. Në të gjitha maturat e mëparshme, matematika ka qenë provimi ku kandidatët kanë hasur vështirësi si dhe rezultatet mesatare kanë qenë poshtë notës 7.5. Testi në total do të ketë 25 pyetje nga të cilat, 13 do të jenë me alternative ndërsa 12 do të jenë me zhvillim. Pyetjet me alternative do të vlerësohen me nga një pikë secila ndërkohë që pyetjet me zhvillim do të vlerësohen me 37 pikë në total. Testet e matematikës do të fillojnë të harton javës tjetër dhe specialistët që do të merren me tezat do të jenë totalisht “të ngujuar” nga ambientet e jashtme.

 

 

Basha: Mirënjohje përjetë mikpritjes dhe bujarisë së tiranasve

 

Kryebashkiaku Lulzim Basha mori pjesë në ceremoninë e promovimit të librit “Dibranë dhe tiranas, njëqind vjet së bashku”, të dr. Faruk Borovës, ku ka shprehur mirënjohjen e tij për mikpritjen që tiranasit i bënë komunitetit dibran, i detyruar të shpërngulet, për shkak të spastrimit etnik, por edhe mijëra qytetarëve të cilët pas viteve ‘90 zgjodhën Tiranën për të ndërtuar një jetë më të mirë. “Hapja e dyerve të shtëpive, mundësimi i vendosjes së banorëve që vinin pas një terrori dhe spastrimi etnik ishte një sinjal i qartë se niveli i qytetërimit, botëkuptimi i qytetarëve të Tiranës ishte aq i avancuar, sa që të krijonte gjenezën e zmadhimit me shpejtësi historike të qytetit dhe kthimit të tij në pikën më influente të kombit shqiptar që është sot Tirana metropolitane, kryeqyteti i Tiranës”, – përmendi Basha gjatë fjalës së tij. Kryebashkiaku theksoi se pas 100 vitesh gjërat kanë ndryshuar. ”Është shumë e vështirë të presësh me thikë tiranasit nga dibranët, pikërisht për shkak të “shkrirjeve” familjare, krushqive dhe e njëjta vlen edhe për shumë e shumë komunitete të tjera që vijnë nga Vermoshi në Konispol, nga Mollasi në Kepin e Rodonit dhe i thonë Tiranës “shtëpia” jonë dhe është shtëpia e çdokujt që vendos ta quajë të tillë”, – u shpreh Basha. Ndërtimi dhe rindërtimi i infrastrukturës rrugore, sipas kryetarit të bashkisë, ka sjellë dhe me afër njëri-tjetrit shqiptarët kudo ku jetojnë, brenda apo jashtë kufijve administrativë. Një ndër to është dhe Rruga e Arbrit, e cila do të përfundojë në 24 muajt e ardhshëm dhe do të shkurtojë ndjeshëm distancën fizike mes Tiranës dhe Dibrës së Madhe. “Brenda pak ditësh, unë do të kem kënaqësinë e veçantë si kryetar i bashkisë, por edhe si banor i hershëm i zonës, të jem i pranishëm në rikualifikimin urban të Rrugës së Dibrës, e cila po përfundon me parametrat më modernë të mundshëm, duke i dhënë komunitetit autokton dhe të vjetër të kësaj zone rrugën që meritonin dhe që nuk e kanë pasur prej shumë kohësh. Kjo kënaqësi do ishte e cunguar nëse unë nuk do të ndaja me ata banorë, me të gjithë ju sot (dje) këtu, me kryetarin e Komunës së Dibrës dhe me shumë e shumë bashkëqytetarë nga Tirana, Dibra, Mati, Shkupi, Tetova e anembanë Shqipëria lajmin e gëzuar se ky në fakt është vetëm përfundimi i një projekti madhor i cili është premtuar për t’u realizuar në 24 muajt e ardhshëm nga Kryeministri Sali Berisha dhe kjo është Rruga e Arbrit, rrugë e cila do të përthyejë në mënyrë të paimagjinueshme edhe distancën fizike midis Tiranës e Dibrës, pasi distanca shpirtërore ka avulluar prej kohësh. Me këtë rrugë ne do të bëjmë të mundur që nga qendra e Dibrës së Madhe, e sheshit “Skënderbej”, me një shpejtësi mesatare prej 80 km në orë, ne të gjendemi pranë shtëpive të njeri tjetrit, në më pak se 60 minuta”, – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

 

Basha: Të lëmë konfliktet politike, projekte për përmirësimin e Tiranës

3 mijë banorëve të rrugës “Mahmut Fortuzi” nga dita e djeshme do t’u ofrohet lëvizja në një rrugë të re. Me një investim prej 6 milionë lekësh, është bërë i mundur rindërtimi i kësaj rruge, e cila lidh Rrugën e Barrikadave me Unazën, në njësinë bashkiake nr. 9. Përgjatë kësaj rruge është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha, pastrimi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe lidhja e kanalizimeve të ujërave të zeza me disa pallate, pasi për shkak të amortizimit, banorët vuanin vazhdimisht nga shpërthimi i tyre nëpër rrugë. Përgjatë rrugës janë vendosur dhe 18 shtylla, që do të bëjnë ndriçimin e rrugës. Kryebashkiaku Basha ka marrë mirënjohjen e banorëve, të cilët për vite me radhë janë detyruar të jetojnë në kushte të mjerueshme sipërfaqësore dhe të infrastrukturës nëntokësore, me një rrjet kanalizimesh të ndërtuar prej qeramike, para shumë dekadash. Përfundimi i kësaj rruge është jo vetëm mbajtja e një premtimi dhe përfundimi i një projekti të hartuar me buxhetin e vitit 2012, përmirëson thellësisht cilësinë e jetës së banorëve të kësaj rruge por po kështu është edhe fillimi i rikualifikimit urban të gjithë bllokut”, – u shpreh Basha. Kreu i bashkisë ka garantuar banorët, se së bashku me ta, duke lënë njëherë e përgjithmonë pas konfliktin politik dhe duke vijuar përpara në bashkëpunimin me qeverinë, do të vijojnë investime të cilat do të përmirësojnë rrënjësisht jetën e banorëve të kryeqytetit. “Dua t’i siguroj banorët, se prania jonë këtu vetëm sapo ka filluar të ndihet. Ne do të vazhdojmë punën, natyrisht duke zbatuar një aksiomë që është shumë e rëndësishme, që Bashkia e Tiranës të lërë përgjithmonë pas konfliktin politik dhe vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të cilit duhet t’i hapim derën dhe t’ia mbajnë të hapur edhe qytetarët me qëndrimet e tyre në javët e ardhshme, t’i dedikohet e të vijojë t’i dedikohet me punë, me fonde, me përkushtim halleve e problemeve, t’i zgjidhë ato dhe të ecim përpara”, – theksoi kryebashkiaku.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency