Berisha Meta të sjellë Ramën, t’u kërkojë falje skraparllinjve për fyerjet kolektive

0
113

Ina Jano

berishaKreu i PD-së prezantoi dje kandidatët për deputetë në Skrapar, Manzë dhe Fushë-Krujë

 

Ditën e djeshme Kryeministri e shtriu aktivitetin elektoral në vendlindjen e ish-aleatit të tij, kreut të LSI-së, Ilir Meta. Pikërisht për këtë të fundit, shefi i qeverisë pati një kërkesë drejtuar të gjithë qytetarëve të këtij qyteti. Ai u tha atyre që t’i kërkojnë Metës, që të sjellë në Skrapar Ramën për t’u kërkuar të falur të gjithë qytetarëve, pasi i ka fyer ata në mënyrë kolektive, ndërsa u la të gjithëve një porosi që të votojnë për veten e tyre. “Unë flas lirshëm. Unë nuk jam rritur rrëzë Tomorit, por jam rritur rrëzë Shkëlzenit. Ndaj do t’i kërkoj një gjë Ilir Metës, ta sjellë këtu Edi Ramën dhe Edi Rama të kërkojë falje para skraparllinjve për fyerjet kolektive që i ka bërë Skraparit e skraparllinjve. Këtë duhet ta bëjë dhe po s’e bëri këtë, asnjë votë. Votoni për veten tuaj! Kaq t’i kërkoni, sepse askush në botë nuk ka të drejtë t’ju fyejë ju kolektivisht. Ju keni një histori, me të cilën krenoheni dhe do të krenoheni gjithmonë, sepse në çdo rast që ka pasur nevojë kjo tokë, ju nuk keni kursyer asgjë për mbrojtjen e saj. Ndaj edhe zotëria që shëtit me autobusin mavi të vijë këtu e të kërkojë të falur për ato sulme që ka bërë për origjinën skraparlli ndaj aleatit të tij të sotëm”, – u shpreh kreu i demokratëve. Potencialet në Skrapar dhe investimet që janë bërë dhe do të bëhen në mandatin e ardhshëm ishin një nga pikat e tjera ku u ndal kryetari i selisë blu gjatë fjalës së tij. “Skrapari ka ndër potencialet e turizmit malor më të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Zotohem se në katër anët e këtij rrethi po ecim drejt Përmetit, shumë shpejt do të ecim drejt Tomorit, dhe atë do ta bëjmë të njohur në Evropë dhe botë për potencialin e tij turistik. Zotimi im është të bëjmë gjithçka për të shfrytëzuar këtë potencial në të gjitha anët e tij. Ndaj me infrastrukturën e ardhshme do keni lidhjen me Përmetin, Gramshin dhe në trajektoren e TAP rrugën me Korçën. Kam kënaqësinë t’u njoftoj se shumë shpejt merret vendimi për TAP dhe gjeografia juaj dhe gjendja juaj do të ndryshojë në mënyrën më thelbësore”, – vuri në dukje Berisha. Ky i fundit u ndal dhe në të tjera potenciale të këtij rrethi, siç është kanioni, i cili është më i gjati dhe më të bukuri në Shqipëri rajon dhe më gjerë. “Ndërtuam rrugën dhe jam i sigurt se rafting krahas resorteve të skive do e bëjnë Skraparin të njohur në Evropë e botë. Po kështu Skrapari ka gurë dekorativ për ndërtim, ujërat që do të ndërtohen hidrocentrale, që do të punësohen qytetarët. Ka traditën e prodhimit të rakisë dhe do bëjmë gjithçka që ajo të njihet në Evropë e botë”,- deklaroi kreu i qeverisë.

Manzë e Fushë-Krujë

Kryeministri nuk ka lënë pa përmendur dhe kundërshtarin e tij politik, kryesocialistin Edi Rama duke quajtur atë si një njeri që vuan nga fiksimet. “Por cila është alternativa tjetër. Alternativa e fyerjeve dhe sharjeve. Rama nga xhamat e zi të autobusit të tij mavi thotë se ju qytetar që mbështesni alternativën e lirisë, jeni skllevër dhe robër për të. Për gjyzlykët e tij nuk ka ndodhur asgjë e mirë në këto 4 vite në Shqipëri. Gjatë gjithë fushatës, në çdo takim nuk harron të servirë këmishën, xhaketën apo jelekun tim si antiplumb. Një demokrat më çoi një sms dhe me tha”, – ai beson se ke lindur me këmishë. E ka fiksim nuk kemi ç’t’i bëjmë. Tani u qan hallin nipërve dhe mbesave të mi se nuk ka kush të kujdeset për ta, ka fiksime, le t’ia lëmë ato”, – tha Kryeministri. Ai ka sulmuar programin e PS-së dhe ka akuzuar Ramën për paaftësi. “Ky nuk merr vesh absolutisht se ç’është fshati, tregu. Ky i doli një ditë një lopë përpara autobusit mavi dhe u tmerrua, kjo s’është rrugë tha. Dhe shkoi e u tha qytetarëve ja rrugët e Saliut, të del lopa. Po të del lopa se kështu jemi ne, kemi dhe veturën dhe lopën. Ecim përpara ne. Me dy gjëra ai përbën një rast unik në historinë e një kombi. Së pari me integrimin bëri çfarë pati në dorë për ta shkelmuar. Çdo komb në Evropë e ka jetik integrimin kurse Shqipëria e ka 2 herë jetik. Së dyti sot kur e gjithë bota po i ul taksat për të dalë nga kriza, sot kur Italia vendosi taksën e sheshtë për të përballuar krizën, sot kur të gjitha institucionet e rëndësishme po deklarojnë se Shqipëria e ruajti rritjen ekonomike, ky do zëvendësimin e taksave të ulëta me taksën që për herë të parë në Shqipëri e vendosi daja i tij Spiro Koleka. Taksa që ne kemi vendosur është më e drejta, më e ndershme që ka ekzistuar në shekuj dhe mijëvjeçarë”, – u shpreh Berisha.

 

Rruga e Kanioneve të Osumit në rikonstruksion

Kryeministri: Gjithçka për zhvillimin e turizmit

Kreu i qeverisë shqiptare i ndodhur në qarkun e Beratit në aktivitete elektorale, u ndal edhe në Kanionet e Osumit për të inspektuar rrugën që është duke u rikonstruktuar. Rruga është me gjatësi 12.7 km dhe ka një vlerë investimi 401 milionë lekësh, prej të cilës përfitojnë 7900 banorë, duke mos përfshirë këtu rëndësinë e madhe që ajo ka për zhvillimin e turizmit dhe të sportit rafting. Kryeministri Berisha, pa nga afër dhe u interesua për ecurinë e punimeve, duke përgëzuar njëkohësisht për punën e deritanishme. Ai garantoi se do të ndërtohet dhe asfaltohet çdo rrugë e këtij rrethi, duke i dhuruar kështu një infrastrukturë moderne e bashkëkohore kësaj zone. Kryeministri premtoi se do të realizojë zotimin solemn për ta në 4 vitet që vijnë, për ndërtimin e të gjitha shkollave, ujësjellësve, kanalizimeve, njësoj si në lagjet e qyteteve. Përgjatë rrugës janë parashikuar vendqëndrime panoramike për kalimtarët ose turistët, duke ju krijuar mundësi të shijojnë bukuritë e Kanioneve të Osumit. Kryeministri takoi edhe një grup përfaqësuesish të skuadrave Rafting të kategorive mjeshtra, të rritur, të rinj dhe femra, së bashku me Presidentin e Federatës Shqiptare të Rafting, zotin Zamo Spathara, të cilët e falënderuan kryeministrin për mbështetjen e dhënë nëpërmjet ndërtimit të rrugës së kanioneve, duke shprehur besimin se tashmë kjo zonë do të jetë më shumë e frekuentuar nga turistët e huaj. Nga ana e tij, shefi i qeverisë i përgëzoi për guximin dhe dëshirën për të ushtruar këtë lloj sporti, i cili me ndërtimin e kësaj rruge, vjen më afër dhe më lehtë pranë dashamirësve dhe ushtruesve të tij. Kjo rrugë në të cilën janë realizuar 50% të punimeve, do të lidhë 7 fshatra të komunës Çepan, jo vetëm me njëri-tjetrin por edhe me Çorovodën dhe do të shërbeje si rrugë lidhëse me Komunën Frashër në rrethin e Përmetit. Është pikërisht kjo rrugë që të çon drejt Kanioneve të Osumit, perla të natyrës shqiptare. Ndaj me rikonstruksionin e saj, i jepet një shtysë e re turizmit, pasi vizitorët vendas dhe të huaj do ta kenë shumë të lehtë të shkojnë drejt këtyre kanioneve. Përfundimi i këtij segmenti rrugor do t’i japë një zhvillim të madh të gjithë zonës duke nxitur turizmin dhe lehtësuar kushtet e jetesës së banorëve. Kjo rrugë do të hapë perspektivën për ta sjellë Skraparin shumë më afër të gjithë atyre pritjeve, për këtë lloj turizmi kaq të veçantë, kaq interesant, i cili do të marrë dimensione të reja kryesisht pas përfundimit të punimeve.

 

Nisin punimet Perondi -Kuçovë

Kryeministri Berisha në vijim të vizitës që po zhvillon sot në qarkun e Beratit inauguroi fillimisht nisjen e punimeve në rrugën Perondi – Kuçovë, me gjatësi 3.5 kilometër dhe investim me vlerë 45 milionë lekë. Më pas, Kryeministri inauguroi përfundimin e rrugës në fshatin Tapi, Komuna Perondi, investim me vlerë 30 milionë lekë. Të dyja këto rrugë ndërtohen nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në kuadër të përmirësimit të rrugëve lokale dhe dytësore. Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë i falënderoi të gjithë banorët për mbështetjen që i kanë dhënë Partisë Demokratike, gjatë gjithë këtyre viteve. Ai u shpreh se në katër vitet që vijnë do të ndërtohet rruga Magjatë – Goraj – Velagosht dhe çdo rrugë tjetër në këtë komunë; do të rindërtohet shkolla e mesme e komunës dhe ajo do të profilizohet në bujqësore, si dhe ndërtimi i çdo shkolle tjetër në këtë komunë, në Berat e kudo; do të ndërtohen pritat mbrojtëse për tokat në fshatin Tapi; do të vendoset një sistemi modern vaditje.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency