Bëmat e Janinës Kur Ali Pasha tallej nga Hasan Zyko Kamberi

0
390

250px-Dupré_-_Ali_PashaSpeciale/Ali Pasha dhe Hasan Zyko Kamberi, dy pashallarë që urrenin njëri-tjetrin

 

Bëmat e Hasan Zyko Kamberit kishin shkuar deri në Janinë te Ali Pashë Tepelena. Emri i tij po përmendej ngado njësoj sikur të kishte qenë pashai i një vilajeti të madh. Vetë Ali Pashai kishte dëgjuar të flitej shumë për këtë njeri. Vetë pashai nuk e kishte menduar kurrë nëse do të mundeshin të rrinin dy pashallarë në të njëjtin vend. Ali Pashë Tepelena dinte gjithashtu se Hasan Zyko Kamberi ishte njeri shumë i zgjuar, dinak dhe i hidhur si zeher, ironinë e kishte në majë të gjuhës, por nuk besonte se poeti nga Kolonja do të kishte guxim të bënte ironi me pashain e madh të Janinës, i cili nuk donte t’ia dinte as për sulltanin

 

 

 

Emri i poetit Hasan Zyko Kamberi kishte shkuar larg. Vjershat e shkruara prej tij i dinin përmendësh fëmijë dhe të moshuar. Ato thuheshin edhe nëpër dasma dhe kuvende burrash. Kur donin të nxirrnin dufin ndaj mbretit të tyre, kujtonin vargje të tilla: “Mbreti q’urdhëron dynjanë/, që ka vënë taraphanë/, e i presënë paranë/, ja di kimenë parasë… kur donin të ngushëlloheshin me varfërinë e tyre, u vinte në ndihmë “Trahanaja”: “Të mjerëtë hizmeqarë/, do të ecin duke qarë/, cili për derr, cili për farë/,- dritë kush gjeti trahanë!… Hasan Zyko Kamberi ishte i dashur edhe nga vajzat. Ishte i vetmi poet që qante hallin e fatit të tyre: “Çupatë po bëjnë fiqir/, Vallë, ku e kemi takdir?/ I martojnë me pahir/ Se umur ndë dorë s’kanë… Miqtë e tij ishin të shumtë. Për ta vjershat e Hasan Zyko Kamberit ishin si gur të çmuar. Gjithnjë mbanin vesh se çfarë vjershe të re kishte nxjerrë në dritë poeti i madh i Kolonjës. Bejtet e tij mësoheshin lehtë dhe nuk harroheshin kurrë. Ishin njëlloj sikur t’i kishte nxjerrë nga shpirti i njerëzve. Por, të ishte mik i Hasan Zyko Kamberit nuk ishte e lehtë. Nuk i pëlqente lavdia, ashtu sikurse nuk duronte dot përuljen plot hipokrizi para “të mëdhenjve të vendit”. Ai ishte pashai i vetëvetes. Dëshironte gjithnjë të ishte njeri i lirë, ashtu si errërat që fryjnë maleve të Gramozit. I pëlqente të udhëtonte e të takonte njerëz. Sa herë që qëndronte diku, dëgjonte të thuhej: “Ka ardhur Hasan Zyko Kamberi!”. Gjithnjë kishte diçka të mençur për të thënë. Ata që nuk e kishin parë kurrë, dilnin të shihnin kush ishte ky njeri me emër kaq të madh. Këngët e tij për të varfërit ishin si melhemi, ironia për mbretër e vezirë ishte buzëqeshja më e bukur që u dhuronte njerëzve që dëshironin të thoshin diçka kundër vezirëve , por kishin frikë. Që të gjitha këto i kemi dëgjuar nga kujtimet e plakut të moçëm Muharrem Gedaj nga fshati Starje i Kolonjës

 

Bëmat e Hasan Zyko Kamberit

 

Bëmat e Hasan Zyko Kamberit kishin shkuar deri në Janinë te Ali Pashë Tepelena. Emri i tij po përmendej ngado njësoj sikur të kishte qenë pashai i një vilajeti të madh. Vetë Ali Pashai kishte dëgjuar të flitej shumë për këtë njeri. Hera-herës i dukeshin si të vërteta dhe herë-herë të pabesueshme. “Të jetë vërtet kaq i zoti”, kishte pëshpëritur me vete. Kërshëria nuk po e linte të qetë. Dëshironte ta njihte një orë e më parë. Pse të mos ishte edhe ai një nga bejtexhinjtë e pallatit të tij. Vetë pashai nuk e kishte menduar kurrë nëse do të mundeshin të rrinin dy pashallarë në të njëjtin vend. Gjithnjë kishte menduar se edhe Hasan Zyko Kamberi do të ishte po aq i përunjur sa gjithë bejtexhinjtë e tjerë që i kishte mbledhur nga ana e anës. Mbi të gjitha bejtexhinjtë nuk paguheshin keq. Për këngë të bukura merrnin edhe dhurata. Ali Pashë Tepelena dinte gjithashtu se Hasan Zyko Kamberi ishte njeri shumë i zgjuar, dinak dhe i hidhur si zeher, ironinë e kishte në majë të gjuhës, por nuk besonte se poeti nga Kolonja do të kishte guxim të bënte ironi me pashain e madh të Janinës, i cili nuk donte t’ia dinte as për sulltanin Të gjitha këto janë kujtime të plakut Muharrem Gedaj, i cili i kishte dëgjuar nga më të vjetrit. Madje, Gedaj është përpjekur të ndërtojë sadopak jetën e Hasan Zyko Kamberit. Nëse u referohemi studiuesve poeti tashmë ka më shumë se 250 vjet që ka vdekur, por plaku i Starjes mendon ndryshe. Për Gedajn, vdekja e poetit nuk është kaq e hershme, pasi ai ka vdekur më vonë nga sa thuhet.

 

Urdhri i Ali Pashë Tepelenës

 

Pashai i Janinës pasi ndenji edhe një çast i menduar, dha urdhër ta gjenin Hasan Zyko Kamberin kudo që të ishte dhe ta sillnin para tij. Befas një ditë në Starje u dukën njerëzit e Pashait. Ata thanë se donin të takoheshin me patjetër me Hasan Zyko Kamberin dhe se pa të nuk mund të ktheheshin në Janinë. Nëse urdhri i Pashait nuk shkonte deri në fund, atëherë kokat e tyre ishin të humbura. Kërkuan kudo, por Hasan Zyko Kamberin nuk e gjetën dot brenda fshatit. Starja atë kohë ishte fshati më i madh i Kolonjës. Ka nga ata që thonë se fshati i tyre ka patur tre mijë banorë, ashtu siç ka të tjerë që thonë se numri i njerëzve shkonte në 6 mijë. Ajo çka mbetet e vërtetë është fakti se pas shpërnguljes së Starjes u krijuan 12 fshatra të tjerë, duke filluar nga Fushëza, Masllavica, Luadhi, Tuholi, Helmësi, Zagaraj etj. Të gjitha këto fshatra u ngritën në afërsi të Kosturit ose përtej kufirit të sotëm. Megjithatë, të dërguarit e Ali Pashait kërkuan shtëpi më shtëpi, kovaçanë më kovaçanë, tek bakejtë e bakërxhinjtë, tek argjendpunuesit e orëndreqësit, por Hasan Zyko Kamberi nuk ishte aty.

 

 

Ku ishte Hasan Zyko Kamberi?

 

Lajmet për vendndodhjen e Hasan Zyko Kamberit kundërshtonin njëri- tjetrin. Pati nga ata që thanë se ai kishte shkuar në Kostur tek miqtë e tij, tek Shahin Beu, për të cilin thoshin se ishte njeriu më i pasur i asaj treve, siç kishte të tjerë që thoshin se e kishin parë në Orgockë, Zëmblak, Manastir e Follorinë, Përmet e Skrapar. Të dërguarit e Ali Pashë Tepelenës ishin gati të vinin kujën. Disa starjallinjë thanë se Hasan Zyko Kamberi ishte nisur vetë në Janinë për të parë Ali Pashë Tepelenën, siç u tha se ai kishte mbërritur në Stamboll për të vazhduar shkollën. Starjallinjtë thonë që ishte njeri i studiuar.(Në të vërtetë edhe sot e kësaj dite nga studiuesit nuk është thënë nëse Hasan Zyko Kamberi ka qenë njeri me shkollë, ashtu siç nuk kanë përcaktuar dot datën e lindjes dhe të vdekjes.) Rrëfyesi i kësaj historie thotë se Hasan Zyko Kamber vdiq në vitin 1863. Mendon kështu, sepse e krahason me ditëlindjen e gjyshit të tij, Nevruz Gedajn, pasi kur vdiq ai, Hasan Zyko Kamberi ishte 21 vjeç. Megjithatë ato ditë që Hasani kërkohej me këmbëngulje ishte duke shkruar vjershat e tij, duke shtegtuar vend më vend, ashtu siç bëri gjithë jetën e tij. Muharrem Gedaj nga ato që kishte dëgjuar kujtonte se Starja edhe pse ishte fshati më i madh i Kolonjës në ato kohë, nuk ishte në gjendje të mbante një njeri si Hasan Zyko Kamberi. Ai ishte një njeri që nuk qëndronte dot në një vend. Edhe pse ka shkruar shumë libra dhe gjithë vjershat e tij mbahen mend nga të gjithë, ai ishte njeri i heshtur. Fliste vetëm kur e donte rasti dhe vendi, por kur fliste, askush nuk ishte në gjendje t’i kthente përgjigje. Ishte starjalli i vërtetë.

 

Trahanaja

 

Ndërsa njerëzit e Ali Pashë Tepelenës ishin vënë në kërkim të tij, të tmerruar nga ankthi nëse do të binin në gjurmët e bejtexhiut të dëgjuar. Hasan Zyko Kamberi “fluturonte” mbi një kalë. Ka qenë shumë i dhënë pas kuajve. Tregojnë se e ngiste kalin pa pushim nga njeri vend tek tjetri, nga një mik tek një tjetër, aq sa tregojnë se kali i tij në një nga këto ditë kishte plasur në vend nga lodhja. I pëlqente të ishte në lëvizje dimër dhe verë. Thoshte se kudo gjente njerëz të varfër. Ndoshta nga kjo nxori këngën e Trahanasë: “Tetë muaj gjithë ç’janë,/ Që e zjejnë dhe e hanë,/ Fukarasë i mbajnë hajanë,/Dritë kush nxori trahananë…/ Në fshat u kthye me një kalë tjetër të bardhë. Ishte mëngjes herët dhe starjallinjtë prisnin ngrënien e trahanasë. Kërkuesit e Pashait i thanë se duhej ta çonin drejt e tek Ali Pashë Tepelena. U nis drejt e për atje, pa e bërë fjalën dysh. Askush nuk mori vesh se ku kishte qënë Hasan Zyko Kamberi, por të gjithë e dinin se ai kishte qenë duke shkruar këngë për njerëzit. Pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm u gjend përballë me pashain. Ky i fundit që kishte marrë vesh peripecitë e njerëzve të tij, e kishte pyetur: “Erdhe me në fund Hasan Zyko Kamberi”. Starjalliu e pa drejt e në sy dhe iu përgjigj me një bejte: “Nga Janina në Kollovoz,/ Vetë shkruan e vetë vulos…Gedaj nuk e mban mend gjithë bejten, por thotë se më këtë këngë deshi t’i thoshte: “Ju Ali Pashë Tepelena jeni zot i vendit dhe mund të jepni çdo urdhër”. Nuk është çudi që Pashait të Janinës i kishte pëlqyer kjo bejte. Madje thuhet se kjo vjershë është këndur shumë herë përpallë pashait. Hasan Zyko Kamberi ia përsëriste këtë këngë edhe kur dëshironte t’i kërkonte diçka. Pleqtë kanë thënë se në këtë mënyrë, Ali Pashë Tepelena i dhuroi Hasan Zyko Kamberit, malin e Stranës, mal ky që ndodhet mbi fshatin Starje dhe që sot e kësaj dite i thonë edhe “Strana e Hasan Zyko Kamberit”, çka dhe mbetet një nga faktet e vërteta. Pas kësaj Hasan Zyko Kamberi u bë një nga bejtexhinjtë dhe ushtarët e Pashait. Ai mori pjesë edhe në luftën e udhëhequr nga Ali Pashë Tepelena në Smederovo, në verilindje të Serbisë në vitin 1789. Megjithatë kujtonte Gedaj, Hasan Zyko Kamberi, nuk arriti të vinte ndonjë pasuri të madhe edhe pse nuk mund të thuhet që ishte i varfër. Ndoshta në këtë kohë nxori këngën: “Kadiut po t’i tregosh paranë/ Ters e vërtit sherjanë/ Për para e shet tanë/ Ja di kimenë parasë…

 

Konkurrenca e bejtexhinjve

 

Sipas Muharrem Gedajt, bejtexhinjtë e Ali Pashë Tepelenës konkuronin mes tyre për të nxjerrë më të mirin. Ali Pashë Tepelenës i pëlqente të kishte rreth vetes njerëzit më të mençur. Bejtexhinjtë që kërkonin të ishin pranë pashait ishin të shumë, madje vinin nga çdo anë e botës. Thuhet se bejtexhinjtë konkurronin mes tyre. Deri atë ditë, Hasan Zyko Kamberi nuk kishte konkuruar ndonjëherë. Vlerësohej si i pakonkurueshëm, por Ali Pashë Tepelena vendosi që të nxirrte në garë edhe Hasan Zyko Kamberin. Poetit nuk i kishte pëlqyer aspak vendimi i Pashait. Një çast deshi të largohej nga pallati, por mendoi se bejtexhinjtë do ta shfrytëzonin ikjen e tij duke thënë se poeti i Kolonjës pati frikë. Ndoshta këtë gjë kishte dëshiruar edhe pashai – ta shihte njëherë me kokën ulur. Nuk mund të kishte tjetër pasha përballë Pashait të Janinës. Do të konkurroj, tha me vetë Hasan Zyko kamberi. Në atë konkurrim do të merrte pjesë edhe një arab. Flitej shumë për të. Thuhej se ishte bejtexhi i lindur. Mjaftonte të të hidhte një vështrim dhe bejten e kishte gati. Tregonin se arabi ishte vjershëtor i sprovuar, një njeri i fuqishëm e mjaft i zi. I pari do të prezantonte bejtet ishte arabi dhe pas tij do të këndonte këngët e veta Hasan Zyko Kamberi. Bejtet thuheshin në një podium (nëse mund ta quajmë kështu, thotë Gedaj), ku vjershëtorët ngjiteshin nëpërmjet shkallëve. Edhe arabi nuk ishte i qetë. Vështronte shpesh nga Hasani Zyko Kamberi, i cili qëndronte heshtur dhe ndiqte gjithçka i ftohtë dhe ironik. Gjithsecili njihte vlerën e vetes. Duket se edhe arabi kishte filluar të ndihej i shqetësuar. Kur poeti nga Arabia kishte thënë edhe këngën e fundit, pa Kamberin të ngjitej vrullshëm drejt podiumit. Ky çast e bëri arabin të hutohej dhe të rrëzohej nga shkallët. Nuk vonoi të dëgjohej po atë çast edhe zëri i Hasan Zyko Kamberit: “Shkallët se ç’i ngjiti/ Evgjiti sytë i ndriti…” (Për këtë bejte Gedaj nuk pretendon se është autentik, por i vërtetë në lidhje me ngjarjen) Me këtë bejte Hasan Zyko Kamberi kishte treguar triumfin e tij, madje u vlerësua si poeti më i mirë, por pas kësaj ai vendosi të largohej nga Ali Pashë Tepelena. Në largim e sipër poeti do të linte pas edhe një bejte tjetër: “Shar (poet) si unë të flasë,/ S’gjen njeri të pëlcasë. Vargjet i adresoheshin Pashait të Janinës.

Sipas kujtimeve të Gedajt, Hasan Zyko Kamberi ka qenë njeri i guximshëm, nëse do të kemi parasysh që kjo bejte i drejtohej Ali Pashë Tepelenës, i cili e kishte vënë përballë bejtexhinjve të tjerë. Por me sa duket nga bejtexhiu është thënë me shumë mjeshtëri, me synimin për të shprehur atë që ai ndjente për veten e tij. Edhe Naimi e ka cilësuar si kryevjershëtor të kohës. Këtë e kam dëgjuar nga njerëzit me shkollë kujton Gedaj.(Në të vërtetë kështu është cilësuar edhe nga studiuesit) Kur ishte në moshë të thyer, Hasan Zyko Kamberi u bë dervish, por në Kolonjë e thërrisnin Baba Hasani. Tashmë varri i tij ndodhet në tyrben e Starjes, një tyrbe kjo që u dogj në vitin 1914, por që u ringrit nga starjallinjtë përsëri, ndërsa shteti e kishte shpallur monument kulture, status që e ruan edhe sot e kësaj dite. Megjithatë të gjitha këto na tregojnë se dy pashallarë nuk mund të rrinin dot në të njëjtin vend

 

Krijimtaria e humbur

 

Gedaj mbante mend se vjershëtori i Starjes kishte shkruar 50 – 60 vjersha, por shumica e tyre nuk janë gjetur. Përmbledhja e tij me vjersha ka qenë “Mexhmuaja”. Kur kalëronte mbi kalë, ai shpërndante vjershat e tij nga njeri vend tek tjetri dhe këtë e bënte me shumë kënaqësi për miqtë e tij. Ndërsa dhuronte librin, e nënshkruante atë, duke shprehur edhe konsideratat për miqtë. “Mexhmuanë” e dhuroi edhe tek miku i tij, tej Shahin Beu në Kostur, atje ku poeti ndalte frymën herë pas herë. Tregojnë se mikut të Kosturit iu dogj shtëpia. Për herë të parë banorët e Kosturit e panë Shahin Beun të lotonte e të mos e mbante do veten. Të çuditur njerëzit e pyetën nëse Beu nuk ishte në gjendje të ngrinte sërish pallatin e tij që vajtonte kështu si fëmijë, por ai u përgjigj: “Nuk qaj për gurët, por për mexhmuanë që ma mori zjarri” Këto ishin kujtimet e plakut të moçëm të Starjes Muharrem Gedaj për të treguar se kush ishte Hasan Zyko Kamberi, për të cilin studiuesit ende nuk kanë një studim të plotë për këtë njeri të madh, vjershat e të cilit të lënë të habitur. Ndërkohë kjo është një anë e jetës së poetit, e panjohur deri më tani, e sjellë nga tregimet e Starjallinjve përmes Gedajt. Jeta e Hasan Zyko Kamberit ka qenë e ndërthurur për një kohë të gjatë me atë të Ali Pashë Tepelenës, e cila nuk ka qenë në vijimësi pa probleme dhe kontradikta. E parë me këtë sy, mund të thuhet se Hasan Zyko Kamberi, ishte Ali Pasha i fjalës së lirë. Dy pashallarë e kishin të vështirë të qëndronin në të njëjtin vend së bashku, aq më shumë kur Hasn Zyko Kamberi nuk bënte dot lolon. “Poet si mua të flasë, s’gjen dot tjetër të pëlcasë”, ka thënë vet poeti.

Vepror Hasani

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency