Kufijtë e propagandës, informacionit dhe ligjit

0
144

propagandaÇelo Hoxha

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaroi dje në lidhje me një vendim të tij, i cili, sipas KQZ-së, mund të jetë keqinterpretuar. Ndjeshmëria për imazhin e institucionit dhe punës së tij meriton vlerësim të sinqertë, por, pas një vështrimi të kujdesshëm, KQZ nuk rezulton aq inocente sa e mban veten, në lidhje me informacionin elektoral që përgatisin partitë (në zhargon: kasetat e partive).

Kasetat e partive nuk janë fenomen i ri në zgjedhjet shqiptare dhe KQZ mund të mos jetë përgjegjëse për këtë lloj kulture, por s’ka pse tregohet e ngurtë për diskutimin e problemit. Kasetat partiake nisin me partitë e vogla, të cilat, duke mos qenë në vëmendjen e mediave, filluan – në një çast të dhënë në të shkuarën – të filmonin aktivitetet e tyre dhe t’ua dërgonin televizioneve, me shpresën e transmetimit. Kur këtë praktikë filluan ta ushtronin partitë e mëdha, ato nuk e përvetësuan metodën në mënyrë identike, ato, për fat të keq, e “revolucionarizuan” atë, e kthyen në PR (informacion promovues, reklamë). Nismëtari i kësaj forme të informimit gjatë fushatave elektorale është politikani që e ka kthyer politikën vetëm në çështje imazhi: Edi Rama. Kush nuk beson, mund të konsultojë diskutimet e shtypit dhe medieve gjatë fushatës së kaluar në lidhje me këtë çështje.

Përgatitja e kasetave partiake është, sipas KQZ-së, një veprimtari e ligjshme, bazuar në Kodin Zgjedhor, neni 84/1, që thotë: “Informacionet mbi aktivitete të fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative, bazuar në materiale të vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore, duhet të identifikohen qartë, në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”. Kodi nuk e bën në mënyrë të drejtpërdrejtë lejimin e informacionit të përgatitur nga partitë. Ai e merr të mirëqenë fenomenin, i cili ekziston në Shqipëri, të paktën që nga 1945 e këtej, në kohën kur Ministria e Propagandës përgatiste parullat që do hidheshin në mitingje apo lajmet që do jepte radioja, ATSH dhe gazeta “Bashkimi” (“ZP” rifilloi në fund të 1948-ës). Nuk e di si ka qenë trajtuar kjo pikë në kodin e vjetër, i riu është krijuar në dhjetor 2008.

Po t’i referohemi kodit, kemi një situatë që i kënaq të gjithë, edhe komunistët, edhe njerëzit e lirë. Ata që duan të bëjnë kaseta elektorale dhe t’i çojnë në televizione janë të lirë t’i bëjnë. Ata që nuk dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë, nuk i detyron kush të bëjnë kaseta. Mirëpo, katër ditë më parë, KQZ ka marrë një vendim, i cili mund të interpretohet si tejkalim i kompetencave të tij dhe shkelje e Kodit Zgjedhor në nenin 84/1. Kundërshtia qëndron te vendimi “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radio/ televizionet private, bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore…”, pika d, që thotë: “Në rast se operatori refuzon të transmetojë materialet e përgatitura nga vetë subjekti zgjedhor, operatori njofton menjëherë dhe ia vë në dispozicion menjëherë Bordit të Monitorimit të Medias këto materiale për t’i verifikuar. Bordi i Monitorimit të Medias vlerëson materialin dhe i propozon raportin përkatës për miratim KQZ-së brenda 12 orëve. BMM nëse vlerëson se materiali plotëson kriteret teknike i propozon KQZ-së transmetimin e materialit nga operatori, në përputhje me rregullat e Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së. BMM, nëse vlerëson se ky material nuk i plotëson kriteret teknike, i propozon KQZ-së kthimin e materialit subjektit zgjedhor. KQZ merr vendim brenda 24 orëve në lidhje me propozimin e BMM. BMM monitoron zbatimin e vendimit të KQZ-së”.

Me këtë pikë, KQZ nuk i lejon televizionet (operatorët) që t’i refuzojnë kasetat. Operatorët mund t’i refuzojnë kasetat për gjithfarë arsyesh, një prej të cilave është sepse ato duan të bëjnë lajmin sipas mendjes së tyre. KQZ e heq këtë mundësi, sepse partitë (subjektet) mund të ankohen te Komisioni i Monitorimit, komisioni, nëse kaseta është në rregull me normat e KQZ ia kalon atë KQZ, dhe KQZ merr vendimin që ato të transmetohen dhe zbatimi i vendimit ndiqet nga Komisioni i Monitorimit, i cili bëhet kështu një levë e propagandës ose censurës. Pra, KQZ merr rolin e Ministrisë së Kulturës dhe Propagandës, në kohën që e drejtonte Sejfulla Malëshova.

Në Kod nuk parashikohet asgjë për refuzimin e kasetave nga televizionet. Aty nuk thuhet që ndalohet refuzimi i kasetave me informacion të përgatitur nga partitë ose diçka të përafërt. KQZ s’ka asnjë detyrim ligjor të ndalojë refuzimin e kasetave nga televizionet. Ajo le të mbetet një marrëdhënie e lirë mes subjekteve elektoraleve dhe operatorëve. Asnjëra palë të mos kufizohet. Le të ekzistojnë edhe ata që duan gazetarinë propagandistike, edhe ata që duan gazetarinë informuese, meqenëse Kodi Zgjedhor, nga njëra anë, dhe varfëria, dembelizimi ose servillëku në media, nga ana tjetër, nuk mundësojnë masivizimin e gazetarisë informuese.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency