Vau i Dejës Berisha: Rruga jonë nuk është bulevard, por të çon në ngjitje të sigurt

0
141

Ina Jano

berisha-fushata1-271x200Presim nga ju mandatin e tetë, atë të artin

 

“Rruga jonë nuk ka qenë bulevard dhe ende nuk do të jetë bulevard, por është një rrugë e cila çon drejt një ngjitje të sigurt, është një rrugë, e cila na çon drejt horizontit evropian më shpejt se kurrë. Është një rrugë, e cila na çon drejt integrimit në Bashkimit Evropian, drejt mirëqenies, punësimit dhe zhvillimit”. Ky ishte mesazhi që kreu i Partisë Demokratike zgjodhi që të jepte për të gjithë shqiptarët dhe demokratët e Vaut të Dejës, duke u treguar atyre të ardhmen që do të kenë, nëse zgjedhin të votojnë për Aleancën për Punësim, Integrim dhe Mirëqenie.

Ekonomia

Lideri demokrat, nën një atmosferë të ndezur, që ia kishin rezervuar të gjithë qytetarët e Vaut të Dejës, u shpreh se alternativa e majtë është ajo e rrënimit të bizneseve dhe fermave, duke u përqendruar kështu edhe në platformat ekonomike që të dyja kampet politike përfaqësojnë në këto zgjedhje. “Nga ky shesh dua të theksoj se platforma që paraqet shoku i autobusit për fermerët shqiptarë është një kobë i vërtetë për fermat e tyre. Çfarë premton ai? Ai premton që lumenjtë e djersës që keni derdhur, fermat që keni ngritur, t’jua falimentojë duke hequr taksën e vlerës së shtuar për miellin, për qumështin, për vezën, për bukën dhe kjo do të thotë se vezët në Shqipëri nuk kanë pse të shiten, sepse do të vijnë nga gjemitë me vezë nga pularitë gjigante të Evropës, të cilat i prodhojnë me kosto shumë të ulët dhe mund ti shesin me po ato çmime. Me premtimin e tij se do të heqë TVSH për miellin do të thotë se ju s’keni pse të mbillni më grurë, sepse prodhuesit e mëdhenj të grurit, në qoftë se heqim TVSH, Ukraina, Rusia, Kanadaja, Argjentina do të sjellin këtu grurë me çmime që do të bllokojnë çdo shitje tuajën. Në qoftë se hiqet TVSH, qumështi i lopëve tuaja do t’ju mbetet pa shitur, sepse gjemitë me qumësht do të mbyllin tregun shqiptar dhe juve qumështi do t’ju mbetet në shtëpi. Ky është premtimi i tij. Premtimi ynë është ky. Mbrojtja juaj. Ne do t’ju mbrojmë ju. Por ne do të rrisim rrogat, do të rrisim pensionet. Ne zotohemi se do të rrisim rrogat e mësuesve në 700 dollarë. Të vazhdojmë rritjen e madhe të pensioneve dhe rrogave të rrisim fuqinë blerëse, por jo të cenojmë mundin djersën e mbi 350 mijë familjeve shqiptare, që jetojnë në fshat dhe që vadisin me djersën e tyre tokën, fermat, stallat për të krijuar më shumë të ardhura për vetë dhe familjen e tyre”, – u deklaroi Kryeministri.

I teti

Duke e quajtur të artë mandatin e tetë që do të dalë nga qarku i Shkodrës, lideri i selisë blu tha se kjo është ajo çka presin shqiptarët. Ai nënvizoi se pikërisht për shkak të gjitha arritjeve që vendi ka pasur nën drejtimin e demokratëve duhet që të ketë një tjetër mandat. Për numrin një të ekzekutivit të gjithë demokratët e qarkut të Shkodrës duhet të vendosin veton e tyre dhe t’i japin Parlamentit të ardhshëm një tjetër deputet, i cili do të jetë përfaqësuesi më i mirë i të gjitha interesave të tyre. “Ne po ecim drejt zgjedhjeve dhe mbarë Shqipëria pret nga ju mandatin e tetë, mandatin e artë, mandatin e fitores sonë të thellë dhe të merituar. Shqiptarët presin nga ju mandatin e tetë, sepse ju këto vite firmosët anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, sepse ju këto vite firmosët lëvizjen e lirë në mbarë Evropën, sepse ju këto vite firmosët Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, sepse ju këto vite patë se si ndryshoi Shqipëri, se si në Shqipëri u ndërtua rrjeti rrugor më modern që ka ekzistuar dhe ekziston”, – vlerësoi shefi i mazhorancës. Ky i fundit dhe edhe arsyet se pse duhet që Kuvendit ti jepet ky deputet i tetë. “Shqipëria pret mandatin e tetë, sepse këto vite rrogat dhe pensionet u rritën me shumë se kurrë në historinë e këtij vendi. Pensionet në fshat u dyfishuam, rrogat e mësuesve, mjekëve, infermierëve u rriten me 120-150 për qind. Shqipëria pret nga ju mandatin e tetë, sepse këto vite Shkodra, Vau i Dejes mbarë Shqipërisë u shndërruan në vendet turistike më të njohur më të bukura se kurrë më parë. Shqipëria pret mandatin e tetë nga banorët e Vaut të Dejës dhe të Shkodrës, sepse ne së bashku ia dolëm të ndërtojmë në Shqipëri shoqërinë e informacionit, Shqipërinë dixhitale, të ulen 3 deri në 5 herë bisedat e celularëve. Shqipëria pret nga ju mandatin e tetë, sepse këto vite ne financuam me grante të qeverisë qindra e qindra fermerë në Shkodër, në Vaun e Dejës dhe 42 mijë në mbarë Shqipërinë”, – tha lideri demokrat në aktivitetin elektoral të paradites së djeshme.

 

Topalli: Rama, gaztori i rilindjes

Kryeparlamentarja Topalli ishte dje e pranishme në takimet elektorale së bashku me Kryeministrin Berisha. Ajo u shpreh: “Një njeri punon kundër vendit të tij. Ai quhet Edvin Rama. Ai është një njeri që nuk fiton kurrë, ai qahet rrugëve të Shqipërisë dhe shan e mallkon rrugët dhe bën me faj Sali Berishën pse nxori vendin nga balta. Më qesharak burri 50 vjeç nuk bëhet. Ndonjëherë më vjen keq se si flet ashtu. Gaztori i rilindjes, Edi komiku thotë se nuk ju duhen rrugë, shkolla, NATO dhe bërtet kot rilindje”. Sipas Topallit, Rama rrënoi kryeqytetin me taksa dhe të njëjtën gjë do të bëjë dhe me Shqipërinë. “Po të kishte 2 gradë dashuri, do kishin dalë e tepruar ta bënte Tiranën si Tokioja, por për 11 vjet rresht, rriti taksat dhe e renditi Tiranën si qytetin me taksat më të larta në Shqipëri”, – përfundoi ajo.

 

Mima dhe Halimi, fushatë në Tiranë dhe Durrës

Kandidatët për deputetë Jorida Tabaku dhe Florion Mima kanë shprehur angazhimin e PD-së për të vijuar me politikat lehtësuese për biznesin në mënyrë që ata të kenë më shumë mundësi për t’u zhvilluar dhe për të hapur vende të reja pune. Punonjësit ishin të kënaqur me vendimin e fundit të qeverisë për heqjen e tatim-fitimin për pagat nën 30 mijë lek të reja. “Duke filluar nga ky muaj ju do të filloni të merrni 35 mijë lek më shumë vetëm si rezultat i heqjes së tatim fitimit”, – u shpreh Tabaku. Nga vendimi i qeverisë përfitojnë rreth 158 mijë të punësuar në sektorin privat dhe shtetëror. Ndërsa në qytetin e Durrësit, ministri Halimi u takua me të rinjtë durrsakë. Ai u shpreh se Kryeministri Berisha dhe Partia Demokratike mbajnë fjalën. “Ai ka një plan konkret për të ardhmen, krijimin e 250 mijë vendeve të reja të punës. Kemi një plan konkret për rininë që biznesit t’i hiqen taksat për çdo të ri që punëson. Ka në plan të shtrojë çdo cm rrugë. Aleanca tjetër kërkon që të mbysë biznesin me taksa, kështu ku do të punojnë të rinjtë?”, – u shpreh Halimi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency