Takimet në Labinot e Cërrik Rama: Ne nuk kemi shkopin magjik, s’mund t’i punësojmë të gjithë

0
116

Gëzim Saliu

5-qershor-Edi-Rama-ne-Labinot

Kreu i PS-së: Çdo familje që jeton në fshat, do të përfitojë certifikatën e pronësisë

“Berisha që ka marrë dy katra, s’mund të marrë një të tretë”

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje në një bashkëbisedim me banorë në Labinotit-Fushë se PS nuk mund të bëjë çudira për të ardhmen e vendit, por, sipas tij, e majta ka zgjidhjen e vetme për punësimin. “Ne nuk jemi në fushatë elektorale që të tregojmë përralla e të bëjmë propagandë. Shkop magjik ne nuk kemi, përralla nuk tregojmë si gjyshi me jelek që thotë do punësohen të gjithë, pa pikën e turpit. I thotë popullit kemi hapur 200 mijë vende pune do hapim 250 mijë të reja, ndërkohë që INSTAT thotë kanë humbur 51 mijë vende të reja pune. Për ata që e kanë diplomën janë 2 rrugë. Ripërtëritjen e sektorit publik, të konkurrojnë për administratë dhe rritje të sektorit privat. Në sektorin publik të kemi konkurrencë dhe të kemi njerëz që japin kontribut dhe jo robërisë politike futu në punë se je yni. Por të hapim kapitull normal që njerëz sipas meritës të punësohen me konkurse, por shkop magjik këtu nuk ka”, – tha Rama. Më tej kreu socialist u ndal dhe tek situata e rendit dhe kriminaliteti në vend nga ku garantoi se me qeverisjen socialiste do të vendoset rendi për 300 ditë. “Sot është krimi që kontrollon Ministrinë e Brendshme dhe jo kupola e Ministrisë së Brendshme ajo që të kontrollojë krimin. Një program i qartë riorganizimi dhe aksioni dhe 300 ditët e para luftë ballë për ballë pa asnjë tolerancë me krimin për të vendosur rendin e krimin. Kush prek një shqiptar të zakonshëm të konsiderohet prekje e Republikës së Shqipërisë, por të përballet me Policinë e Shtetit. Kush prek pronën e përbashkët të përballet me ligjin e Policinë e Shtetit dhe këtë duam të arrijmë një orë e më parë, pas 23 qershorit”, – pohoi kreu i PS-së. Në të njëjtin kontekst, Rama deklaroi se PS do të jetë e angazhuar për ndërtimin e rrugëve ndryshe nga mazhoranca aktuale, e cila sipas tij, ka zhytur në borxhe kompanitë për rrugët që nuk janë përfunduar akoma. “Do të nxisim sa më shpejt rrjetin e nxitjes dhe qarkullimit të prodhimit dhe më pas rrjetin e grumbullimin dhe shpërndarjes së prodhimit, që të mos biem në situata që kalbet prodhimi, ose e ofron prodhimin me çmime të paimagjinueshme, që nuk i mbulon koston”, – u shpreh kryesocialisti.

Cërrik

Pas takimit me banorët e Labinotit-Fushë, kreu socialisti zhvilloi dje një mitin elektoral në Cërrik, ku prezantoi kandidatët për deputetë të qarkut të Elbasanit. Në fjalën e tij, kreu socialist theksoi se programi “Rilindja e Shqipërisë” do të zgjidhë problemet aktuale që po kalon vendi. Sipas Ramës, me uljen e taksave, të gjithë ata që fitojnë më pak se 1,5 milionë lekë të vjetra do të përfitojnë një rrogë më shumë në fund të vitit të parë të qeverisjes së majtë. “Me ne çdo familje që jeton në fshat do përfitojë certifikatën e pronësisë, heqjen e taksës për akcizën e naftës, plehun kimik, TVSH e ushqimeve. Programi ynë transformues për bujqësinë parashikon financime prej 160 milionë dollarë për të çuar ujin në çdo parcelë dhe për të bërë kullimin e çdo parcele”, – premtoi ai. Më tej, kreu i PS-së ironizoi premtimet e kryeministrit Berisha, duke theksuar se qeveria ka punuar vetëm për veten dhe se e ushqen popullin vetëm me gënjeshtra. “Sot më thanë që Saliu premtonte certifikata toke brenda fundit të këtij viti, kush është ai shqiptar që e ha këtë gënjeshtër, kur ky kishte 8 vjet kohë të jepte certifikatat e tokës. Në këto 8 vjet qeveria u kthyer në kompani biznesi, janë bërë të gjithë me toka, ndërkohë që qytetarët e ndershëm rropaten dhe tokën se kanë ende të tyren”, – theksoi Rama, i cili në fund të fjalës së tij shtoi se ka shumë arsye për tu votuar numri 29 në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. “Ju duhet që t’i jepni fund sundimit të atij kryeministri që ka marrë dy katra dhe nuk do ketë më shansin të marrë dhe 4 vite të tjera. Votoni PS-në në mënyrë që të marrim një fitore të thellë jo për vete, po për të hapur së bashku rrugën për rilindjen shqiptare”.

 

 

Denoncimi

Rama: Vajzës nga Labinoti i kërkuan 5000 euro dhe 100 vota për PD-në për t’u bërë mësuese

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, denoncoi rastin e një vajze, të cilës, sipas tij, i kanë kërkuar para dhe vota në këmbim të një pune si mësuese. I zbuluar si rast gjatë bashkëbisedimit me banorët e Labinotit-Fushë, ky shembull përbën sipas kryesocialistit, domosdoshmërinë e rilindjes së arsimit për mes meritës. “Matilda Qosja vajzë në Labinot Fushë: Më kërkojnë 5000 euro dhe 100 vota PD që të bëhem mësuese! PS, Rilindje për arsimin përmes meritës”, – shkruante Rama në rrjetin social Twitter. Në lidhje me sistemin arsimor, Programi i PS-së parashikon: “Mundësitë ligjore për ndryshimin e drejtuesve dhe mësuesve të shkollave, nga ana e prindërve dhe komunitetit, kur ata nuk i shërbejnë interesit më të mirë të nxënësve. Përmirësim i të ardhurave reale të mësuesve dhe kritere shpërblimi e emërimi bazuar në meritokraci. Mësues të aftë dhe me status, tekste dinjitoze, mjedise normale për çdo nxënës, pavarësisht origjinës dhe burimeve ekonomike familjare. Asnjë mësues nuk do të detyrohet të marrë pjesë në aktivitete politike dhe asnjë mësues nuk do të pengohet të marrë pjesë në aktivitetin politik të opozitës”.

 

 

Malaj: Hiqni dorë nga presioni, mandati im pas 23 qershorit, i pavarur

Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Vlorës, Arben Malaj, kërkoi dje që dy partitë kryesore të heqin dorë nga presionet ndaj të pavarurve. “Të dyja partive politike, ato që kanë pushtetin qendror, dhe aty ku PS ka pushtetin vendor, keqpërdorin mandatin e tyre kundër deputetëve të pavarur, apo kundër partive konkurrente. Kështu që mesazhi im, edhe dje në takim me përfaqësues të OSBE/ODIHR, është të gjithë shqiptarët, ata që përfaqësojnë partitë politike dhe ata që konkurrojnë të pavarur meritojnë të njëjtat standarde, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe qeveritë qendrore apo vendore të heqin dorë nga presioni direkt ose indirekt. Presioni me post, apo joshja me para, për të deformuar vullnetin e lirë të votuesve shqiptarë, në Vlorë dhe kudo në Shqipëri”, – tha Malaj, duke shtuar se si kandidimi i tij i pavarur ashtu edhe mandati i tij i deputetit do të jetë i pavarur, në mbështetje të reformave të domosdoshme për të ardhmen e vendit. Po ashtu gjatë ditës së djeshme, kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Vlorës zhvilloi një takim në Qytetin Studenti në Tiranë me studentë vlonjatë, sarandiotë dhe delvinjotë që studiojnë në kryeqytet. Mesazhi kryesor që ai përcolli në këtë takim ishte se pjesëmarrja e te rinjve masivisht në votime është mënyra më e mirë për të shprehur qëndrimin e tyre mbi domosdoshmërinë që vendi ka për ndryshim. “Të rinjtë duhet të kontribuojë për rritjen e pjesëmarrjes në votime. Ata e kanë shprehur zhgënjimin e tyre deri më sot nëpërmjet mospjesëmarrjes. Ju ftoj që së bashku të bëhemi pjesë e një ndryshimi cilësor për të ardhmen e vendit”, – theksoi ai. Sipas Malaj, vendi ka nevojë për një rrotacion politik, i cili vjen vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Ndërkohë, qeveria e ardhshme do të ketë përgjegjësinë për rritjen e ekonomisë dhe përballjen me sfidën e nivelit të lartë të papunësisë që ka mbërthyer vendin. Modeli i ri i politikëbërjes që ne propozojmë është një burim shprese dhe frymëzimi që të rinjtë të bëhen pjesë e sfidave me të cilat përballet vendi i tyre”, – deklaroi kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Vlorës Arben Malaj.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency