Përgjithmonë Riberi: Nuk iki nga Bajerni

0

Përgatiti: Altin Vorpsi

Loading...

Riberi me trofete“Përse do të më duhet të largohem diku tjetër ku mund të mos ndihem i lumtur? Kur t’i jap fund karrierës, dëshiroj që ta bëj si një “Grand Seigneur”

 

 

Riberi dëshiron ta mbyllë karrierën në “Allianz Arena”. Në një intervistë për tabloidin gjerman “Bild”, francezi ka rrëfyer pjsësn që askush nuk ka arritur që t-ia shohë. Zemra e tij “rreh” vetëm për Bajernin. Ndër të tjera Riberi ka treguar emocionet për tripletën, shiritit të kapitenit, çfarë i thanë Zidan dhe Abidal pas triumfit në “Wembley” dhe marrëdhëniet me Robenin.

 

Të gjithë kanë vetëm një dilemë në mendje: Kur do të rinovoni kontratën tuaj me Bajernin?

Kemi rënë dakord për gjithçka në parim. Dhe një “po” e klubit është një “po” për mua. Më mjafton konfirmimi verbal i klubit për kontratën. Në fakt, nuk kemi nevojë për letër. Gjithsesi, kontrata duhet firmosur që të quhet e juridikisht e vlefshme dhe kjo do të ndodhë në mundësinë e parë që do na jepet. Nuk kemi asnjë ngut për të nxituar.

 

Firma mbi kontratën e re do ta bënte për ju perfekt sezonin e tripletës?

Po. Për këtë fakt jam më i lumtur si kurrë më parë në jetën time si profesionalisht ashtu edhe privatisht. Përse do të më duhet të largohem diku tjetër ku mund të mos ndihem i lumtur? Kur t’i jap fund karrierës, dëshiroj që ta bëj si një “Grand Seigneur” (në gjuhën frënge do të thotë Zotëri i Vërtetë) me një miqësore lamtumire ashtu siç ka bërë Mehmet Shëll.

 

Ju jeni kampion i Bundesligës, fitues i Kupës së Gjermanisë dhe i Champions-it, me ndryshimin e vetëm se këtë sezon i keni fituar të gjitha…

Titullin dhe kupën i kisha fituar dy herë më parë, por trofeun e Ligës së Kampioneve nuk e kisha ngritur asnjëherë. Kjo është një ndjesi e jashtëzakonshme.

 

Na e përshkruani njëherë…

Zidan më uroi menjëherë pas fitores. Përpara finales fola në telefon edhe me Abidalin. “Ajo është kupa juaj, shko ngrije, – më tha. – Më beso: Është një ndjenjë e pakrahasueshme”.

 

A ishte e tillë?

Doja të qeshja, doja të qaja. Doja t’i bëja të dyja njëherazi. Ishte një emocion mes të dyjave. Jeta dhe karriera ime më kaluan përpara syve si një film. Pashë momentin kur luaja në kategorinë e 3-të në Francë, kur punoja me babanë në ndërtimin e rrugëve. Familja jonë nuk ka pasur kurrë mjaftueshëm të ardhura. Kemi banuar në një apartament modest: 2 deri 3 persona në një dhomë. Babai im, i cili ka qenë futbollist amator, ka bërë gjithçka për të përballuar jetën. Kur i dhashë kupën në Londër, të dy derdhëm lot.

 

Pastaj e morët trofeun me vete në shtrat. I pëlqeu kjo gjë gruas tuaj, Vahiba?

E di çfarë më tha: “Ti je i çmendur”! Bëmë disa foto, unë ajo dhe kupa. Po më mirë të mos i publikojmë (fillon të qeshë). Prandaj e morëm kupën në krevat. Është diçka e jashtëzakonshme që më në fund e kemi tonën. Trofeu i Champions-it është prova që tashmë unë jam një lojtar i madh dhe luaj me një skuadër të madhe që ka shkruar historinë. Por a e dini se çfarë më bën më shumë krenar?

 

Po?

Fakti që kam qenë tre herë kapiten i kësaj skuadre këtë sezon. Në Barcelonë, pasi Jup zëvendësoi Shvajnin dhe Lamin, Filip erdhi direkt tek unë dhe më dorëzoi shiritin. Ishte një gjest i vogël, por që për mua kishte rëndësi të madhe. Ia thashë edhe pas ndeshjes.

Në dhomat e zhveshjes gjatë gjysmëfinales me Realin një sezon më parë, iu u konfrontuat me Robenin. Në finalen e “Wembley”-t kombinimet tuaja ishin vendimtare. Nëse ju të dy nuk do të kishit luajtur bashkë, atëherë sot Bajerni ndoshta nuk do ishte kampion. Si është marrëdhënia juaj këto momente?

Me Robben kemi folur shpesh. Unë i kam thënë: “Nuk ka rëndësi kush shënon”. Këtu nuk është FC Roben apo FC Riberi. Këtu është vetëm FC Bajern, dhe vetëm të bashkuar mund të arrijmë suksesin. Kjo ishte pika jonë më e fortë këtë sezon: Shpirti i grupit brenda skuadrës. Roben ka ndryshuar lojën e tij, tashmë punon shumë më tepër për ekipin.

 

Edhe ju keni ndihmuar më shumë në mbrojtje, por ishit të fortë edhe në sulm. Ka një sekret për këtë?

Secili prej nesh ka bërë më shumë pas shokut që pësuam një sezon më parë. Kam përshtypjen se ky është sezoni më i mirë në karrierën time. Ndihem më i fortë se kurrë fizikisht. Sigurisht që ka të bëjë edhe me stërvitjen e Hejnkesit. Por kam sakrifikuar shpesh edhe ditët e pushimit për t’u stërvitur. Regjimi ka qenë rigoroz: jam stërvitur edhe vetëm në “Zebener Shtrase”, kam shkuar në sauna dhe kam fjetur shpesh pasditeve.

 

Kur do ta kemi më në fund duelin e pompave me Samerin, të cilin e kishit planifikuar nëse fitonit Champions-in?

I takon atij të zgjedhë kohën. Mua më ka gati në çdo moment, do jem edhe për disa vite të tjera këtu.

 

 

Bajerni fiton edhe një tjetër “titull”

Pas Superkupës së Gjermanisë, Bundesligës, Ligës së Kampioneve dhe Kupës së Gjermanisë, Bajerni ka marrë një tjetër trofe. Liga e Futbollit Gjerman (DFL) i ka shpallur kampionët e Gjermanisë si skuadrën më “Fair Play” të Bundesligës, përpara Shalkes dhe Dortmundit. Në Bundesligën 2 skuadra më korrekte është ekipi i Odise Roshit dhe Edmond Kapllanit. FSV Frankfurti la pas Këlnin dhe Eintrahtin e Braunshvajgut, të cilët u ngjitën në Bundesligë. Tre klubet përfituan 50 mijë euro bonus, nga të cilat 25 mijë do i përfitojë Frankfurti, 15 mijë Këlni dhe 10 mijë Braunshvajgu. Këto të ardhura do të përdoren për zhvillimin e akademisë së klubeve. Përzgjedhja e skuadrave më “Fair Play” bëhet nga informacioni i arbitrave dhe vëzhguesve në procesverbalet e ndeshjeve. Në vlerësim merren parasysh 6 kritere: Veç kartonëve të verdhë dhe të kuq, vlerësohet respekti për kundërshtarin, arbitrat, sjellja e zyrtarëve të skuadrës, por edhe bukuria e lojës.

 

 

Gjoza: Në “Mersin 2013”, për të thyer rekordin e medaljeve mesdhetare

 

Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka premtuar se në “Mersin 2013” shtanga kuqezi do të kapërcejë çdo bilanc medaljesh që Shqipëria ka marrë nëpër Lojëra Mesdhetare.

Ai ka folur edhe për problemin midis FSHP-së dhe KOKSH-it, pasi shtanga pati çuar një listë prej 10 sportistësh dhe 3 trajnerësh për në Lojërat Mesdhetare të fundqershorit, ndërsa organizmi olimpik ua shkurtoi në 6 sportistë dhe 2 trajnerë.

 

– Z. President, pas organizimit të suksesshëm të Evropianit të Të Rriturve në Tiranë në prill, përpara kemi Lojërat Mesdhetare, ku si zakonisht, të gjithë i kanë sytë te peshëngritja për sa u përket medaljeve. Si shkon Shqipëria në këtë eveniment rajonal?

 

– Sikundër e thatë edhe ju, peshëngritja shqiptare vjen në këtë eveniment mesdhetar pasi ka marrë vlerësime maksimale nga bota e shtangës. Mjafton t’ju them se gjatë qëndrimit në Moskë, gjatë kongresit zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes, kam marrë urime të përzemërta nga homologët e mi, evropianë dhe botërorë, si dhe nga drejtuesit më të lartë të këtij sporti. Vetë presidenti i IWF-së dhe miku i Shqipërisë, Tamas Ajan, e ka shprehur edhe kur ishte këtu në Tiranë, por edhe atje në Moskë, vlerësimin e tij me superlativa për organizimin e shkëlqyer që ne i bëmë Evropianit të Tiranës. Këtë vlerësim e ilustron më së miri nderimi me medaljen e artë që Federata Botërore e Peshëngritjes i bëri akademikut të mirënjohur shqiptar, Gudar Beqirajt, si kryetari i Komitetit Organizator të Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur. Për të gjitha këto, mund të them se ne shkojmë mjaft të mobilizuar në këto Lojëra Mesdhetare, ku medaljet janë një detyrim.

 

– Megjithatë, ka pasur një problem midis jush dhe KOKSH-it, pasi ju keni çuar një listë prej 10 sportistësh dhe 3 trajnerësh, ndërsa organizmi olimpik jua ka shkurtuar në 6 sportistë dhe 2 trajnerë. Si jeni ndjerë për këtë?

– Natyrisht që nuk më erdhi mirë, sepse ne kërkonim medalje nga të gjithë sportistët emrat e të cilëve ne i çuam në KOKSH. Fetije Kasaj, Xhulio Prroni, Endri Haxhihyseni dhe Endri Karina janë sportistë të sprovuar në arenën ndërkombëtare, duke marrë medalje dhe jemi të sigurt që, në një veprimtari si Lojërat Mesdhetare ku jepen medaljet vetëm për stile dhe jo për dygarësh, shanset ishin shumë të mëdha. Për këtë na erdhi keq që u lanë jashtë këta sportistë, por jemi të sigurt se Romela Begaj, Daniel Godelli, Briken Calja, Ervis Tabaku, Isa Bala dhe Arbër Çerçizi do të dominojnë në “Mersin 2013” dhe mbase KOKSH-i do ta kuptojë se duhet të na kishte dhënë më tepër hapësirë me sportistët tanë në këto Lojëra Mesdhetare. Ne jemi Federata Shqiptare e Peshëngritjes dhe ne jemi Federata më e suksesshme shqiptare në të gjithë historinë e sportit!

 

– Në “Peskara 2009”, peshëngritja ishte e vetmja që mori medalje, 6, nga të cilat dy të arta dhe 4 të argjendta. Mendoni se do ta kapërceni këtë prag në “Mersin 2013”?

– Sigurisht, që do ta kapërcejmë. Madje, unë nuk mendoj kështu, unë jam i sigurt që do të jetë kështu, pasi Begaj, Godelli dhe Calja e kanë treguar veten edhe në Kampionate Evropianë dhe Botërorë dhe, duke parë konkurrencën në Mesdhe, jam i sigurt që ata do të kthehen me medalje. Po kështu kam besim se, me pak përqendrim dhe fat, edhe Tabaku, Bala dhe Çerçizi mund ta arrijnë podiumin.

 

– Përtej “Mersin 2013”, çfarë presim nga peshëngritja shqiptare për pjesën e mbetur të këtij viti?

– Në fakt, Shqipëria e tha fjalën e saj, madje bindshëm, në peshëngritjen evropiane dhe atë botërore gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Megjithatë, në pjesën e mbetur të këtij viti, kemi përpara Kampionatin Evropian të nën-15 dhe nën-17-vjeçarëve, që do të mbahet në Klaipeda të Lituanisë, nga data 1 deri më 9 shtator, si dhe Kampionatin Evropian të Të Rinjve dhe nën-23-vjeçarëve, që do të mbahet në kryeqytetin e Estonisë, Talin, në 10-ditëshin e fundit të shtatorit. Është ende herët për të folur për pjesëmarrjen tonë në këto dy veprimtari moshash, por natyrisht që finalja e madhe e këtij viti është Kampionati Botëror i Të Rriturve, që do të mbahet në Vrocllavë të Polonisë, ku medaljet mbeten synimi ynë.

 

 

 

Murinjo “lavdëron” Ronaldon: Kujton se di gjithçka

Pas firmës me Çelsin, ka ardhur koha që Zhoze Murinjo të fillojë të shpjegojë arsyet e problemeve të këtij sezoni te Real Madridi. Portugezi ka nisur deklaratat bombastike duke sulmuar Kristiano Ronaldon, të cilit i ka dhënë pak a shumë ngjyrat e një mendjemadhi. “Kristiano ka bërë tre sezone të shkëlqyera me mua. Unë kisha vetëm një problem të vogël me të, që e kritikoja nga pikëpamja taktike, duke tentuar që të përmirësoja atë që nga këndvështrimi im mendoja se duhej përmirësuar. Ai nuk e pranoi mirë një gjë të tillë pasi mendon se di gjithçka dhe se një trajner nuk mund ta ndihmojë që të përmirësohet më shumë”, – ishte deklarata e Murinjos në emisionin sportiv “Punto Pelota”. Më pas, radhën e kishte raporti i tij me një tjetër portugez, mbrojtësin Pepe, i cili mendohej se ishte mes të besuarve të tij, por në javët e fundit kritikoi hapur trajnerin duke i dalë në mbrojtje Iker Kasijasit. “Ai ishte me një këmbë jashtë Realit kur erdha, por e mbajta dhe luftova që të kishte një kontratë më të mirë për një futbollist që e cilësoj fantastik dhe që kishte qëndruar për shumë kohë jashtë fushe për shkak dëmtimi. Atë e zëvendësoi një djalë që është 12 vjet më i ri se ai, Varane, pasi në vizionin tim e meritonte më shumë, por Pepe nuk e pranoi një gjë të tillë. Por të gjithë njerëzit që nuk e donin në skuadër, që e quanin vrasës, që çdo ditë i kujtonin sjelljet në fushë dhe atë që kishte bërë ndaj Getafes, ndryshuan sjellje dhe e mbrojtën shumë. Por situata e trajnerit është që të tërheqë urrejtjen mbi vete në mënyrë që të mos u ndodhë lojtarëve dhe ata të jenë më të qetë”, – ishte shpjegimi i Murinjos për rastin në fjalë. “Sinqerisht që nuk e kam ndier aq shumë tensionin. Duhet të jem trajneri i vetëm i Real Madridit që nuk ka ngrënë kurrë në restorantet e rëndësishme, që nuk ka shkuar kurrë në redaksi gazetash, pasi kam bërë jetën time mes klubit, shtëpisë e familjes. Nuk kam ndier një trysni më të ndryshme nga vendet e tjera. Sigurisht që edhe unë kam bërë gabimet e mia, por nuk pendohem për asgjë, kjo është pjesë e lojës. Ndarja ishte më e mira për mua dhe për klubin, pasi nëse fillonte sezoni i ardhshëm, do të niste me disa probleme që po shtoheshin hap pas hapi. Kjo ishte më e mira për të gjithë, sidomos për lojtarët të cilët do të jenë më të qetë. Jam krenar që kam drejtuar Real Madridin dhe nëse nuk do të kisha kaluar nëpërmjet kësaj etape në karrierën time, nuk do të kisha qenë i kënaqur plotësisht. Jam krenar se kam fituar tre trofe në Spanjë”, – tha Murinjo.

 

 

 

 

 

Loading...