Miting madhështor në Shijak Kryeministri: Taksat e ulëta mbajnë shtetin në këmbë, taksa progresive e Ramës rrënim

0
115

SHIJAKKa një javë që bën beteja me rrugët, por kur i ngecën në fyt deklaroi sot në Labinot se rrugët duhen, por duhet t’i shërbejnë tregut

 

Ekonomia ishte kryefjala e mitingut madhështor që u mbajt dje në Shijak. Kreu i qeverisë sulmoi taksën progresive që mbështet e majta, duke e krahasuar atë me atë të sheshtë. Berisha vlerësoi edhe një herë se taksa e sheshtë ose taksa e të dhjetave siç preferon ta quajë ai, është taksa më e drejtë dhe më e ndershme për qytetarët, përkundrejt taksës progresive që Berisha e etiketoi si taksë të regjimit komunist dhe që sjell rrënim. “Këto ditë Rama zotohet se do heqë TVSH për produktet bazë ushqimore, kjo është tu godasësh në zemër fermerëve tanë prodhimet e tyre, të hapësh dyert për prodhuesit gjigantë të botës, do të thotë që gruri në Shijak të mos mbillet më kurrë. Po hoqe TVSH, të huajt janë të gatshëm të dynden në porte me prodhimet e tyre”, – theksoi ai, duke shtuar se me vendosjen e kësaj takse do të falimentojnë shumë biznese. Kryeministri ka sulmuar teorinë e Ramës për infrastrukturën, “rrugë vetëm aty ku ka treg”. Nga Shijaku, ku edhe prezantoi kandidatët demokratë për deputetë, Berisha deklaroi se në një vend të lirë, liria ekonomike është përcaktuese për zhvillimin, begatimin dhe mirëqenien e qytetarëve. “Ka një javë që bën beteja me rrugët, por kur i ngecën në fyt deklaroi sot në Labinot se rrugët duhen por duhet ti shërbejnë tregut. Atje sot shkon dhe autobusi mavi, por mos mendoni ju se ai ishte vetëm kundër ndërtimit të rrugës në Labinot, ai quajti Rrugën e Kombit rrugën e asgjëkundit, votoi kundër autostradës Tiranë-Elbasan. Deklaroi se duhet rrugë aty ku kalon tregu, të dashur qytetarë tregu kalon aty ku punon çdo qytetar. Në një vend të lirë për njeriun liria ekonomike është përcaktuese për zhvillimin, begatimin, mirëqenien e qytetarëve”, – tha Berisha. Ai sulmoi edhe premtimin e Ramës për heqjen e TVSH-së për 5 ushqimet bazë, që sipas tij do ta kthejë Shqipërinë në një “republikë bananesh”, duke mos prodhuar asgjë vetë. Duke iu referuar deklarimeve të Ramës për moshën e tij, shefi i mazhorancës, u shpreh se nuk ia vlen të merresh me një 50-vjeçar që fyen tjetrin për vitet e moshës. “Alternativa tjetër është e kazanit, e sharjeve, mallkime, kërcënime nuk ia vlen të merremi me të. Në të ecim përpara. Një burrë 50-vjeçar që beson dhe ka moralin të fyejë tjetrin për vitet e moshës, më mirë të mos merremi me të”, – tha Berisha. Lideri i PD kërkoi mbështetjen e banorëve të Shijakut për të vazhduar më tej rrugën e ndërtuar bashkërisht, për një Shqipëri të zhvilluar dhe evropiane. “Shumë punë kemi për të bërë, po ne që ndërtuam shumicën e infrastrukturës duke e nxjerrë Shqipërinë nga balta, ne do ndërtojmë edhe atë që ka mbetur. Ne që ngritëm ndërtesën e arsimit do ta shtyjmë atë drejt cilësisë. Këto vite ne bëmë gjithçka për të përmirësuar klimën e biznesit dhe e vërteta është se në Shijak bizneset janë 2 dhe 3-fishuar. Ne ligjet bëmë, por lumenjtë e djersës i derdhët ju, duke e shndërruar Shijakun në një port të rëndësishëm industrial dhe bujqësor të vendit. Kemi bërë gjithçka për një shëndetësi moderne, sigurisht ka vend për përmirësim. Kjo është rruga jonë, rrugë me djersë, vështirësi, por rrugë e suksesshme, rrugë e sigurt. Do vazhdojmë të rrisim rrogat, pensionet, do t’ju mbrojmë ju fermerë shqiptarë”, – përfundoi lideri demokrat.

 

 

 

Shkodër – Han i Hotit, përfundon rruga e re

Kryeministri inauguroi dje përfundimin e rrugës Shkodër – Hani i Hotit, një investim me vlerë 34.2 milionë euro. Ai e konsideroi këtë segment të një rëndësie shumë të madhe për zhvillimin e qarkut të Shkodrës, por edhe si rruga e komunikimit me Malin e Zi dhe vendet e tjera përtej, Bosnjën, Kroacinë etj. Rruga Shkodër – Hani i Hotit me gjatë 39 kilometra ndikon në fuqizimin e korridorit veri-jug që nis në kufirin me Malin e Zi në veri dhe shkon drejt Greqisë në jug dhe Maqedonisë në lindje. Ky aks kalon nëpërmjet qytetit të Shkodrës, duke përmirësuar trafikun, si dhe gjithë infrastrukturën nëntokësore, parkime, trotuare e pistë për biçikletat. Të lidhur me të janë realizuar dy bypass-e, ai i Koplikut dhe i Bajzës, duke marrë parasysh trafikun nga Mali i Zi drejt Shqipërisë dhe anasjelltas. Njëkohësisht është rehabilituar pjesa urbane me gjithë infrastrukturën e qytetit Koplik dhe Bajzë, duke i lidhur ato me dy bypass-et. Rruga në fundin e saj përshkon anash liqenin e Shkodrës. Ndërsa e vlerësoi ndërtimin e saj në parametrat dhe cilësinë më të lartë, kreu i PD-së u shpreh se ndërtimi i një rrjeti modern rrugor ka qenë një nga zhvillimet madhore që vendi ka arritur në vitet e fundit. “Çdo qytetar që hyn në Shqipëri, nga territori i Morinës së Kukësit, Qafë Morinës së Tropojës apo Vermoshit, udhëton deri në Konispol me rrugë tërësisht të reja, pothuaj në tërësi të ndërtuara nga viti 2006 e deri më sot. Kjo është arritja jonë e madhe”, – u shpreh Kryeministri.

 

Përurohet kampusi i ri universitar

Kryeministri: Do të ndërtojmë më të madhin në rajon

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në përurimin e ndërtesës së parë të kampusit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës. “Nga 999 studentë 7 vjet më parë, Universiteti i Durrësit sot numëron 14 mijë studente. nga një ndërtesë e improvizuar, sot është një nga ndërtesat më moderne”, – u shpreh Kryeministri. Kreu i qeverisë tha se në një vend të lirë, ku mendimi i lirë gëlon në universitete duhet të bëjmë gjithçka për cilësinë. “Liria akademike, bashkëpunimi me sektorin privat na çojnë nga një nivel cilësor në tjetrin”, – tha Berisha. Ai hodhi poshtë dhe akuzat e kreut të opozitës Edi Rama që sipas tij i quan universitetet ‘piramida’. “Të quash sot piramida universitet e vendit është një absurditet shumë i madh. Në Universitet e vendit pa diskutim nga dobësi,element informaliteti, po nuk janë dominuese, këto janë terciare, dhe nuk mund të hedhës djersën e të rinjve dhe të pedagogëve që me ambicien më pozitive përpiqen të kapin nivelet më të larta. Nuk mund të hedhësh poshtë përpjekjen për kampuse të tilla. Ky universitet do të jetë diamant për Durrësin. Ju uroj shumë suksese, ju garantoj se zoti rektor u gëzova kur pashë ndërtesën tjetër që ka filluar themelet, plani do zbathet dhe këtu do ndërtohet korpusi shqiptar më i mirë i vendit dhe rajonit”, – përfundoi Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency