Mavraj nuk “firmos” për barazimin: Nuk jemi në sallon bastesh, duam fitoren

0

Altin Vorpsi

Mergim MavrajMavraj: Kemi mundur Norvegjinë në fushën e vet dhe mund t’ia dalin edhe këtu. Dua që edhe në këtë takim të mos pësojmë gol. Në shumë raste na ka mjaftuar vetëm një gol i shënuar për të fituar, kështu duam të bëjmë edhe në këtë sfidë.

 

 

Dëmtimet e shumta që kanë prekur repartin e prapavijës kanë nxjerrë në pah vlerat e një skuadre… të paktën në konferencën për shtyp. Në një të tillë, të mbajtur dje nga dy lojtarë të përfaqësueses sonë është kuptuar se grupi është mjaft i bashkuar. Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga Mërgim Mavraj. Tani për tani ai është mbrojtësi i vetëm ku Xhani de Biazi do të ndërtojë tërë repartin. Pikërisht në mungesë të Canës, Currit dhe Lilës, ka dalë edhe karakteri i qendërmbrojtësit që militon në Bundesligë me skuadrën e Grojter Fyrtit.

 

Mangësitë në forcë

Shtatlarti i Fyrtit nxori dje tërë grintën kur tha se mungesat e Canës dhe Lilës nuk ishin shumë shqetësuese, pasi Shqipëria, për të, ka një skuadër me shumë kualitete. Më tej ai shpjegoi se nuk është vetëm detyrë e mbrojtjes për të ruajtur portën pa prekur: “Mbrojtja nuk është se janë vetëm mbrojtësit. Një ekip duhet që të dijë të mbrohet si skuadër në grup. Dhe ne në takimet e fundit ia kemi dalë më së miri në këtë pikë. Kemi pësuar shumë pak gola, pasi jemi mbrojtur në grup”.

 

Ndryshimet e rivalëve

Siç kemi mësuar në muajt e fundit, tek Norvegjia kanë filluar që të ndryshojnë shumë gjëra. Disfata me Shqipërinë ka qenë takimi i fundit me kombëtaren i njërit prej ikonave të formacionit të “vikingëve”. Flasim për mbrojtësin e krahut Xhon Arne Rise, që u largua pak javë më parë. Në këtë pikë Mavraj u tregua i kthjellët dhe ktheu një përgjigje diplomatike: “Për mua nuk janë shumë të rëndësishme ndryshimet e Norvegjisë. Luan apo jo Rise dhe Abdelaue nuk na intereson shumë. Ne duhet që të zbresim në fushë të përqendruar. Unë them se luajmë në shtëpinë tonë, me publikun përkrah nesh dhe kemi në dorën tonë gjithçka”.

 

“Nuk jemi në sallon bastesh”

Ndërkohë që, përballë pyetjes klasike nëse tanët do të firmosnin për një barazim para këtij dueli, Mavraj qe i prerë duke i shprehur hapur ambiciet e formacionit kuqezi: “Nuk jemi në një sallon bastesh këtu. Ne mundohemi që të japim maksimumin për të marrë vetëm fitore. Them këtë, pasi ne i kemi tërë mundësitë për të fituar. Nuk është se kemi përballë një ekip superior”.

 

“Nuk na tremb as… Gjermania”

Në fund të konferencës për shtyp, Mërgim Mavraj karikoi edhe më shumë ambientin, duke dhënë një mendim disi të fortë. I pyetur nëse e trembin “vikingët”, mbrojtësi u përgjigj duke thënë: “Nuk na tremb asgjë. Norvegjia ka emrin e madh, por nuk ka nivel që të na trembë. Në këtë që kam ardhur këtu mendoj se jemi rritur shumë. Tani nuk duhet të kemi frikë përballë asnjë skuadre. Duhet të kemi vetëbesim. Të hymë në fushë për fitore. Pa llogaritur se kemi Norvegjinë apo Gjermaninë përpara”.

 

 

 

Bashat kundër

Migjeni “sfidon” Vullnetin: Kur të vish këtu, hapi sytë mirë

Shqipëri – Norvegji nuk do të jetë vetëm një ndeshje futbolli për familjen Basha. Dy djemtë e kësaj familjeje do të mbrojnë ngjyra të ndryshme në “Qemal Stafa”. Migjeni i Shqipërisë do të luajë përballë Vullnetit të Norvegjisë. Si për ironi të fatit, sfida e parë midis dy vëllezërve që kanë bërë zgjedhje të ndryshme, luhet në “Qemal Stafa”. Në konferencën për shtyp të mbajtur dje, “shqiptari” me shaka sfidoi të vëllain duke i thënë: “Hapi sytë si duhet! Mirë se vjen!” Pas këtyre çasteve situata u bë më serioze dhe Migjen Basha filloi që t’u kthente përgjigje gazetarëve. Për Shqipërinë ai tregoi se luante “edhe në sulm”. Ndërkohë, sa u përket mungesave të shumta në mbrojtje, mesfushori i Torinos tregoi se e shihte në të njëjtin këndvështrim si Mavraj: “Siç tha edhe Mavraj, për ne nuk do të jetë problem. Ne jemi një skuadër e fortë fizike dhe do të mundohemi që të mbrojmë në grup. Kemi lojtarë që janë shumë mirë nga ana teknike. Kemi shumë lojtarë që luajnë në ligat më të forta evropiane, prandaj them se do ta kalojmë me sukses këtë takim”. Më tej mesfushori energjik përfitoi nga rasti për të komentuar gjendjen në të cilën ndodhen rivalët: “Është e vështirë të themi se çfarë presim prej tyre. Në takimin e parë ata në habitën, pasi luajtën me topa të gjatë. Kemi menduar se janë një skuadër më teknike”. Ndërkohë, pas deklaratave të vëllait që tha se nuk do ta falte Shqipërinë ashtu siç bëri Xhaka në sfidën me Zvicrën, Migjeni u përgjigj: “Ai (Vullneti) duhet të vijë një herë në “Qemal Stafa” dhe pastaj të flasim se çfarë do të bëjë”. Në fund mesfushori u pyet edhe se cilin preferonte si “koleg” reparti tek Shqipëria, Ervin Bulkun apo Vullnetin. Përgjigjja kësaj radhe qe diplomatike. Migjeni tregoi se me të dy do të shkonte mirë.

 

Dilemat

De Biazi humb përfundimisht Currin

Shtohen dilemat për formacionin anti-Norvegji pas dëmtimit të Debatik Currit. Mbrojtësi 29-vjeçar ishte i pafat në seancën e pasdites së rtë martës, ku u dëmtua në gju pas një dyluftimi ajror, e për rrjedhojë nuk mund të jetë në dispozicion të De Biazit për supersfidën e të premtes. Shqetësuese mbetet edhe gjendja fizike e Hamdi Salihit, i cili është stërvitur në kohë të reduktuar, për shkak të lodhjes fizike. Sulmuesi i Jiangsu Saintit në kampionatin kinez, autori i golit të fitores në transfertën e Oslos, gjithsesi pritet të jetë në fushë ndaj nordikëve. Trajneri Xhani de Biazi kërkon t’i befasojë sërish norvegjezët, duke mos lejuar rrjedhjen e informacionit në seancat stërvitore. Kamerat dhe gazetarët janë mbajtur rreptësisht larg fushës nga rojet e sigurisë, ndërsa nuk ka asgjë qëndrim zyrtar të federatës për shkallën e dëmtimit të Debatik Currit. Tekniku italian i ka kushtuar vëmendja maksimale fazës mbrojtëse, aty ku mungon kapiteni Lorik Cana. Alternativat në qendër të prapavijës përkrah Mërgim Mavrajt, janë Admir Teli, Tefik Osmani si dhe Ilir Berisha. Enigmat më të mëdha i përkasin mesfushës. Emrat më të favorizuar janë Bulku-Basha në mesfushë, ndërsa Jurgen Gjasula dhe Valdet Rama nga krahët. Gjithsesi, një konkurrent shumë i fortë për një fanellë titullari është edhe Ergys Kaçe, mesfushori 19-vjeçar i Paokut. Sa i përket sulmit, nuk pritet ndonjë ndryshim nga sfida e Oslos. Edgar Çani dhe Hamdi Salihi mbeten për momentin zgjedhje të para për Xhani de Biazin, i cili ka treguar se di të surprizojë në momentet më të rëndësishme.

 

 

 

Reportazhi

Norvegjezët janë përgatitur për të luajtur në një stadium komunist

Sfida mes Shqipërisë dhe Norvegjisë është nga ato për të mos u humbur. Rivalët tanë, nëse dalën kokë poshtë nga stadiumi, atëherë do t’u thonë lamtumirë shpresave për kualifikim. Por ky fakt është mënjanuar disi nga mediat nordike që janë fokusuar tek terreni ku do të luajnë shanset e tyre të fundit. Mediat norvegjeze i kushtojnë vëmendje të veçantë stadiumit “Qemal Stafa”, që në këndvështrimin e nordikëve i përket një epoke tjetër. Në një reportazh të “aftenposten.no”, thuhet se sapo shkel në stadiumin ndërkombëtar të Shqipërisë, kupton që në Evropën e zhvilluar ekzistojnë skuta që nuk kanë shumë lidhje me realitetin. “’Qemal Stafa’”, i ndërtuar në vitin 1946 nga vullnetarët menjëherë pas revolucionit komunist, ka ndryshuar shumë pak nga ajo kohë. Dallohet qartë vendi ku qëndronin drejtuesit e Komitetit Qendror, në mes të tribunës kryesore, ndërsa në dhomat e zhveshjeve ku duhet të qëndrojnë futbollistët e të dyja skuadrave ekzistojnë ende dollapët me kyç. Ai vend të kujton një provincë të vogël të Norvegjisë të shumë vite më parë. Kapaciteti i “Qemal Stafës” është 16 900 persona, por ndaj Norvegjisë do të kërkojnë të hyjnë në stadium shumë më tepër. Në Shqipëri jetojnë me ëndrrën Brazil 2014, ndaj interesimi për këtë ndeshje është si kurrë më parë. Çmimi i biletave në tregun e zi është rreth 100 euro, e barabartë më gjysmën e rrogës mesatare mujore në Shqipëri. Atmosfera në stadiumin që mban emrin e një heroi lufte, pritet të jetë nga më të zjarrtat ose më saktë një festival folklorik shqiptar. Tirana do të jetë e mbushur me tifozë të shumtë të futbollit, shumë prej të tyre të ardhur nga Kosova apo vise të tjera shqiptare. Pikërisht ata tifozët kuqezi do të këndojnë këngë patriotike për Shqipërinë e Madhe, edhe kjo një ëndërr ende e parealizuar sikurse kualifikimi në botëror. Shqipëria synon të fitojë, të njëjtin qëllim ka edhe Norvegjia, por suksesi i Oslos më 22 mars i ka krijuar shpresa të mëdha në Shqipërinë e vogël dhe të varfër”.