IHT: Çfarë ka ndodhur me Tribunalin e Hagës?

0

5 qershor gjykata e hages

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi ka vendosur të enjten të lirojë dy zyrtarë serbë të sigurisë shtetërore, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq. Shfajësimi është edhe një prej prapësimeve dramatike të tribunalit gjatë vitit të kaluar, shkruan gazeta International Herald Tribune.

Sipas saj, Stanishiq dhe Simatoviq kanë pasur dorë të madhe në krijimin, trajnimin, armatosjen, financimin dhe drejtimin e disa prej grupeve paramilitare, përgjegjëse për një numër të madh të krimeve në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Arsyetimi i vendimit 800-faqesh të gjykatës ofron ca lexime interesante: Pohon se krimet janë kryer dhe i përshkruan ato në detaje torturuese. Emëron viktimat, autorët; në shumicën e rasteve, jep hollësi për lidhjet në mes të palëve të akuzuara dhe autorëve të drejtpërdrejtë.

Pastaj, refuzon të dënojë, me arsyetimin se dëshmitë nuk tregojnë se mbështetja e dhënë për kriminelët ka qenë “e drejtuar në mënyrë specifike për kryerjen e krimeve”.

International Herald Triubune shtron pyetjen se si ka shkuar tribunali në këtë pikë, duke hedhur poshtë ambicien për të sjellë drejtësi për viktimat, paqe në rajon si dhe të vërtetën e historisë së dhunës në ish-Jugosllavi? Është duke shfajësuar njerëzit, të cilët kanë udhëhequr iniciativa të fshehta për të kryer krime?

Përgjigjja qëndron pjesërisht në vendimin e muajit shkurt të Dhomës së Apelit për të liruar gjeneralin Momçillo Perishiq, shefin e shtabit të ushtrisë jugosllave, i akuzuar për lehtësimin e krimeve të kryera nga ushtria serbe e Bosnjës.

Prokuroria ka argumentuar se me armatosjen, financimin dhe sigurimin e oficerëve, Perishiq ka bërë gjenocid dhe krime të mundshme kundër njerëzimit.

Por, Dhoma e Apelit ka konstatuar se mungojnë prova specifike se Perishiq ka siguruar qëllimisht ndihmë në kryerjen e krimeve.

Po ashtu në një vendim që lidhet me nëntorin e kaluar, Dhoma e Apelit ka vendosur të lirojë Ante Gotovinën dhe Mlladen Markaçin, dy gjeneralë kroatë, të akuzuar se kanë bindur popullsinë civile serbe të largohet nga Kroacia, duke përdorur forcën ushtarake.

Sipas International Herald Tribune, këto prapësime dramatike pasojnë një dekadë të jurisprudencës së Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, e cila kë bërë përpjekje të vendosë sundimin e ligjit mbi aktivitetet militare dhe paramilitare në konfliktet e armatosura.

Së bashku me disa dënime të tjera, dënimet e shkallës së parë të Perishiqit, Gotovinës dhe Markaçit dukeshin si pikë referimi në përcaktimin e përgjegjësisë komanduese dhe mbrojtjen e civilëve. Ndryshimet e regjimit në Serbi dhe në Kroaci në vitin 2000 i kanë ofruar gjykatës qasje te të dyshuar më të shquar. Gjykata ka gjykuar dhe ndonjëherë dënuar kryetarë shtetesh dhe gjeneralë të lartë. Dënimet e saj kanë përfshirë precedente të mëdha për krimet e gjenocidit, për statusin e dhunës seksuale si shkelje e ligjit ndërkombëtar, si dhe për mënyrat e përgjegjësisë për krime të mëdha.

Deri në kohën kur gjykata ka lëshuar aktakuzat e fundit, më 2005, shumë vëzhgues janë ndjerë rehat, duke argumentuar se ajo përfaqëson një përpjekje të suksesshme për të sjellë sundimin e ligjit në një fushë, ku është guxuar rrallë të shkelet.

International Herald Tribune shkruan se me siguri nuk do të dimë arsyet e plota përse gjykatësit kanë vendosur të ndryshojnë kursin, derisa gjykata të mbyllë dyert e saj dhe personalitetet kyçe të nxjerrin kujtimet e tyre.

Një mundësi është se derisa vendosja e standardeve ligjore ka qenë në rregull për shtetet e vogla dhe të margjinalizuara si ato të përfshira në konfliktin e Jugosllavisë, ato kanë kërcënuar fleksibilitetin e shteteve më të fuqishme, që mund të jenë të përfshira në konflikte në të ardhmen, shkruan International Herald Tribune.

Europa e Lirë

 

 

 

Prishtina dhe Beogradi – bisedime për ndryshimet ligjore

 

Delegacionet nga Kosova dhe Serbia, pritet të fillojnë të mërkurën një raund të ri negociatash në Bruksel, ku një nga temat do të jetë edhe çështja e ndryshimeve ligjore që implikon zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit.

Aktualisht, Prishtina zyrtare thotë se nuk dihet se sa ligje do të mund të implikonte zbatimi i marrëveshjes, përderisa në Beograd thonë se Kosova do të detyrohet të ndryshojë shumë ligje.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet numri i saktë i këtyre ligjeve. Por, sipas tij, Kosova ka ligje tejet fleksibile të cilat mund të jenë të zbatueshme edhe në rastin e implementimit të marrëveshjes.

“Grupet punuese do të udhëtojnë sot (e marte) për në Bruksel dhe dy ditët e ardhshme do ta definojnë edhe më qartë edhe pozicionin e ndryshimeve që duhet të jenë, por edhe pozicionet tjera që janë me rëndësi në implementimin e marrëveshjes”.

“Kosova ka pasur dhe ka ligje fleksibile të mjaftueshme edhe për implementimin e marrëveshje. Kryesorja është që ne do t’i marrim obligimet për zbatim, ndërsa të tjerat janë çështje që do t’i diskutojmë”, ka thënë Kuçi. Ndërkohë, edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se grupi punues do të jetë ai i cili do të identifikojë ligjet për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

Sipas tij, Kosova është ajo që do të duhet të ndryshojë shumicën e ligjeve për të zbatuar këtë marrëveshje. Sa i përket Serbisë, ai ka thënë se baza ligjore e zbatimit të marrëveshjes do të vendoset me miratimin e ligjit kushtetues.

“Kur është në pyetje Serbia, ne planifikojmë të hartojmë ligjin kushtetues me të cilin gjithë atë që kemi biseduar, dhe mbase krejt në fund të këtij procesi, do të definohet edhe si autonomi substanciale që do të vlente në Kosovë”, u ka thënë medieve në Beograd, Daçiq.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se nuk është diskutuar ndonjëherë për numrin e madh apo të vogël të ligjeve që duhet ndryshuar apo miratuar.

Por, se sipas tij, me rëndësi është që palët të fillojnë të zbatojnë obligimet e marra përsipër me marrëveshjen tashmë të nënshkruar.

Njëherësh, Kuçi i ka ftuar edhe Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të jenë të vëmendshme, sidomos në mbikëqyrjen e zbatimit të detyrimeve që ka marrë pala serbe.

“Ne nuk e kemi diskutuar numrin, as konkret e as numrin e madh. Më shumë ka qenë supozim të them i mendimeve të lira dhe nuk ka ende asgjë konkrete që ka mund të ndodhë deri më tani”.

“Por, qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës e kanë gatishmërinë që të respektojnë marrëveshjen e arritur, ta zbatojnë atë në përpikëri, por kërkojmë që edhe pala tjetër ta bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë Kuçi.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë bashkë me planin e zbatimit, pritet të dalë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

Paraprakisht, Komisioni për Legjislacion planifikon të ftojë për një informatë zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi për të bërë prezantimin e ligjeve që duhet miratuar, ndryshuar apo plotësuar për të zbatuar marrëveshjen me Beogradin.

Si rezultat i marrëveshjes së Brukselit, pritet të themelohet dhe një trup me emrin asociacioni i komunave serbe, i cili i ka të përshkruara edhe kompetencat të cilat tani thuhet se implikojnë ndryshime në kornizën ligjore të Kosovës.

 

Maqedonia në kërkim të emrit

Maqedonisë i kanë mbetur vetëm edhe 20 ditë deri në samitin e BE-së, për të përmbushur kushtet që kërkohen për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Në këtë kuadër, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, ndodhet në një ofensivë të re diplomatike në disa shtete të BE-së, për të kërkuar mbështetje si dhe për të sqaruar pozicionin e Maqedonisë, e cila, siç thekson ai, është e gatshme të zgjidhë të gjitha çështjet që tashmë një kohë të gjatë janë pengesë për hapërimin e mëtejmë të vendit në BE.

“Maqedonia është e interesuar të bisedojë për të zgjidh këtë çështje sa më shpejtë të jetë e mundur, gjithashtu kemi i kemi njoftuar edhe me aktivitetet e deritanishme sa i përket marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, për reformat në kuadër të dialogut të lartë që bëhet me BE-në, reformat që bëhen në të gjitha fushat, përfshirë dialogun me gazetarët si dhe për zbatimin e marrëveshjes politike të arritur ndërmjet dy partive politike në vend, që komisioni anketues të themelohet sa më shpejtë”, ka theksuar Besimi. Para samitit të BE-së, Maqedonia dhe Greqia duhet të prononcohet lidhur me propozimin e ri të ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic, i cili nuk është prezantuar në opinion, por jo zyrtarisht bëhet e ditur se ai përmban emrin “Republika e Maqedonisë Veriore”, emër ky që do të ishte në përdorim të përgjithshëm nëse pranohet nga të dyja palët. Në rast se Maqedonia pajtohet me një kompromis të tillë, apo nëse jep sinjale se do të pranonte diçka të tillë, atëherë sipas Ismet Ramadanit nga këshilli euroatlantik, Maqedonia ka gjasa të merr të paktën një datë të kushtëzuar për nisjen e bisedimeve me BE-në.

“Varësisht se çfarë përgjigje do të japë kryeministri, respektivisht qeveria, Mejtu Nimicit lidhur me propozimin e fundit, pasi më 10 qershor duhet ti përgjigjet, dhe nëse është ndonjë përgjigje që lënë shteg për zgjidhjen e çështjes së emrit me ndonjë klauzolë kushtëzuese, të afatizuar, atëherë mendoj se ekziston ndonjë mundësi që të paralajmërohet ndonjë afatizim për datën e Maqedonisë me BE-në”, thotë Ramadani. Ai shton se përveç çështjes së emrit, Maqedonia duhet të përmbushë edhe kritere tjera si raportet e mira ndërfqinjësore, dialogu mes pozitës dhe opozitës dhe ai mes qeverisë dhe mediave për garantimin e lirisë së shprehjes.