Hyn në fuqi paketa e re penale, 38 vjet burg kush vret një efektiv policie

0
148

Sonja Caka

halimiHalimi: Kjo, paketa më e ashpër penale në këta 20 vjet, garanton sigurinë e jetës së qytetarit. 20 vjet burg kush vret gruan, 25 vjet burg kush abuzon seksualisht me një të mitur

 

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, njoftoi përmes një konference për shtyp  hyrjen në fuqi të paketës së re të ndryshimeve në Kodin Penal, ku parashikohen masat më të ashpra që ka pasur ndonjëherë ligji shqiptar, për disa lloje krimesh, të cilat kanë qenë të shpeshta dhe kanë rritur statistikat e vrasjeve apo dhe pasigurinë e jetës në vendin tonë. Sipas ministrit Halimi, në vijim kush ngre dorë mbi një efektiv policie do të dënohet deri në 38 vite, kush vret gruan do të përballet me një dënim deri në 20 vjet burg, kush abuzon seksualisht me një të mitur do të dënohet deri në 25 vite dhe për armë pa leje nga 7 deri në 15 vite burg, masa dënimi këto nga të cilat i dënuari nuk do mundë të përfitojë as dënim me kusht. “Sot hyn në fuqi paketa e re penale, e cila, është më e ashpra e këtyre 20 viteve”, – bëri me dije për mediat ministri i Drejtësisë. Gjatë një konference për shtyp, ministri Halimi theksoi se kjo paketë përbën një garanci më shumë ndaj jetës së qytetarit dhe sigurisë publike. “Kushdo që do të ngrejë dorë mbi policët dhe do të vrasë për gjakmarrje duhet ta dijë mirë se nuk do të ketë më një dënim më të ulët se 30 vjet burg deri në burgim të përjetshëm”, – theksoi ministri i Drejtësisë. “Kushdo që do të ngrejë dorë mbi gruan duhet ta dijë mirë se do të ketë një dënim nga 20 vjet burg deri në burgim të përjetshëm dhe duhet ta kuptojë mirë se s`ka për të shpëtuar askush për të marrë një dënim më të ulët se ai që parashikon Kodi Penal, duke u përjashtuar nga çdo lloj lehtësie. Gjithashtu, dhuna seksuale ndaj të miturve do të marrë 25 vjet burgim dhe për “armëmbajtje pa leje” s`do të ketë më dënime më të ulëta se 7 vjet deri në 15 vjet burg”, – tha më tej Halimi. “Me këtë paketë penale, dënimi minimal do të jetë 10 vjet burg pa të drejtë lirimi me kusht, për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, si dhe 38 vjet pa të drejtë lirimi me kusht, nga 25 vjet që ishte më parë për kryerjen e një vepre penale, si vrasje..etj, dhe në rast se veprat penale janë më shumë se 1, atëherë dënimi do të jetë i përjetshëm dhe pa të drejtë lirimi me kusht”, theksoi Halimi, duke garantuar se “çdo person që kryen një vepër penale do të vuaj dënimin e tij çdo ditë dhe pa asnjë mundësi devijimi, pasi ka ardhur dita që ti themi ndal krimit dhe kriminelëve”.

Kodi i Procedurës Penale, ndryshimet

Ministri i Drejtësisë theksoi se pavarësisht angazhimeve të tij në fushatën elektorale, stafi i tij po vijon punën me një grup ekspertësh të huaj për reformën në drejtësi. Pas hyrjes në fuqi të ashpërsimit të dënimeve për disa vepra penale, tashmë pritet që nga ekspertët të përfundojë edhe reformimi i Institutit të gjykimit të shkurtuar ose i quajtur ndryshe i pranimit të fajit. “Një grup ekspertësh në Ministrinë e Drejtësisë, së bashku me disa organizata partnere, prej 1 viti janë duke punuar për një nga reformat më të rëndësishme në drejtësinë penale: Reformimin e Kodit të Procedurës Penale. Drafti final do të jetë shumë shpejt për konsultim me ju dhe aktorët e drejtësisë. Por konsultimi paraprak me ju, për disa prej çështjeve, si vepruam me paketën e Kodit Penal, mbetet shumë i rëndësishëm” ka bërë me dije disa ditë më parë ministri Halimi. Ministri thekson më tej se në sajë të kësaj pakete, kodi do pësojë ndryshime të mëdha që sipas tij janë më thelbësoret në këto 15 vjet. Ndërsa ka paraqitur të gjitha këto ndryshime, ministri Halimi thekson se këto çështje, por dhe shumë të tjera të cilat do të diskutohen në javët në vijim, do të përbëjnë reformën më të thellë në fushën e hetimit penal në këto 15 vjet.

Hetimi i krimeve

“Procesi i hetimit të krimeve duhet të reformohet, që hetimi të jetë më efikas, më i shpejtë në zbulimin e së vërtetës. Ajo që qytetarët kanë nevojë të dinë një orë e më parë është e vërteta e një ngjarje, pa pritur me vite të tëra për zbulimin dhe ndëshkimin e autorëve. Policia gjyqësore dhe institutet e marrjes, kërkimit dhe analizimit të provave duhen reformuar. Të implementojmë Institutin e “marrëveshjes paraprake të pranimit të fajit”. Një model që do të përshpejtojë hetimet dhe do lehtësojë gjykimin dhe dhënien e drejtësisë penale efektive. Duhet reformuar Instituti i gjykimit të shkurtuar. Qëllimi për të cilin u vendos shumë vite më parë ka deformuar dhënien e drejtësisë. Në pjesën më të madhe të rasteve, ky institut ka shërbyer për shmangien e dënimit dhe dhënies së një drejtësie penale efektive. Korrupsioni duhet të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Qytetarët duhet të shohin çdo ditë se ata që abuzojnë me fonde publike apo shërbime ndaj tyre, qofshin në administratën qëndrore apo lokale, të gjykohen shpejt, por dhe me dënim të gjatë si shprehje e një drejtësie penale efektive” shkruan Halimi. “Këto çështje por dhe shumë të tjera të cilat do t’i diskutojmë në javët në vijim, do të përbëjnë reformën më të thellë në fushën e hetimit penal në këto 15 vjet. Reforma e Kodit te Procedurës Penale, do të jetë një nga ligjet e para që do të miratojmë në shtator të këtij viti”, përfundon ministri i Drejtësisë.

Detaje

38 vjet do të jetë maksimumi që do të dënohet një person që vret një efektiv policie apo kryen vrasje tjetër, pa të drejtë lirimi me kusht

20 vjet do të ndëshkohet me burg burri që ngre dorën dhe vret gruan e tij, me ndryshimet e reja, pa të drejtë lirimi me kusht

25 vjet burg do të jetë maksimumi që do të ndëshkohet me burg një abuzues seksual me të miturit, pa të drejtë lirimi me kusht

7 deri në 15 vjet janë masat minimale dhe maksimale për personat që do të kapen me armë pa leje, pa të drejtë lirimi me kusht

 

Shorti

Gerd Hoxha do gjykojë Bishdilin, presidenti i klubit të futbollit të Besës së Kavajës

Mbërrin për gjykim dosja e presidentit të klubit të futbollit të Besës së Kavajës, Shpëtim Bishdili, i akuzuar për trukim të ndeshjeve. Dje është hedhur shorti për këtë dosje, e cila do të gjykohet në ditët në vijim nga gjyqtari Gerd Hoxha. Sipas dosjes së akuzës, i pandehuri Shpëtim Bishdili, president i klubit të futbollit të Besës së Kavajës, ka kryer veprime në mënyra të ndryshme, për të paracaktuar rezultatin e ndeshjeve të skuadrës së Besës në kategorinë superiore të kampionatit shqiptar të futbollit dhe në kategorinë U-17 e U-19. Por, pavarësisht të gjithave, në pjesën më të madhe të rasteve, kërkesat e tij janë refuzuar nga arbitrat, trajnerët apo dhe vetë futbollistët, duke sjellë rezultatet jo të mirëpritura prej tij. Për ndeshjen e datës 25.11.2012, ora 14.00 midis Apolonisë dhe Besës, e cila ka dalë me rezultatin 2-1, i pandehuri ka kërkuar të flasë me ndonjë nga lojtarët e Apolonisë për t’u dhënë një “tridhjeçe” siç shprehet ai, ka folur me arbitrin kryesor të ndeshjes Ervis Peza, anësorin Denis Agaraj, ku këtij të fundit i ka thënë se donte qe ai ta favorizonte për ndeshjen. Gjithashtu, i pandehuri ka venë ne dispzozicion shumën e 15.000 dollarëve, ose këtë shumë në lekë ose euro, për t`ua dhënë 2-3 lojtarëve të Fierit dhe arbitrave. Në ndeshjen e datës 2.12.2012, ora 10.00 midis para të rinjve të Kavajës dhe Lushnjës, ka kryer veprime me qëllim që para të rinjtë e Kavajës t`ua linin tre pikëshin Lushnjës, pasi ishin në vend të fundit. I pandehuri ka folur me trajnerin e para te rinjve të Besës, ta linte lojën për Lushnjën se ja gjente më pas këto pikë. Trajneri i para të rinjve të Besës nuk ka pranuar ta bëjë, dhe kjo ndeshje është fituar nga Besa me rezultatin 2-1. Në bisedën që i referohet ndeshjes së datës 16.2.2013, ora 14.00 midis Tomorrit dhe Besës e luajtur në Berat, e cila ka dalë me rezultatin 1-0 për Tomorin ka kërkuar që meqë Berati kishte dalë, tua linte trepikëshin, kundrejt një shume prej 1 milion lekë. I pandehuri Shpëtim Bishdili ka influencuar për paracaktimin e rezultatit të ndeshjes që zhvillohej në datën 24.2.2013 midis skuadrës U-19 të Kavajës dhe U-19 të Dinamos, për të fituar skuadra e Besës. Kjo do të realizohej duke futur lojtarët rezervë, të dobët, ku edhe në qoftë se ndeshja dilte në favor të skuadrës së Dinamos, do të bëhej ndonjë gabim në protokoll dhe ndeshja do të merrej në tavolinë, por i pandehuri duhet të kapte edhe arbitrin. Kjo ndeshje faktikisht ka përfunduar me rezultatin 0-0, pavarësisht veprimeve të kryera nga i pandehuri. Nga ana e të pandehurit janë kryer veprime në funksion të përcaktimit të rezultatit edhe për ndeshjet e luajtura midis Besës dhe Tiranës dhe Besës dhe Luftëtarit, të luajtura përkatësisht në datat 10.3.2013 dhe 17.3.2013, në orën 14.00. Për ndeshjen me Tiranën, i pandehuri ka biseduar me arbitrin kryesor të caktuar për këtë ndeshje dhe me përfaqësuesin e klubit Tirana, ku të parit i ka kërkuar ndihmën e tij gjatë arbitrimit të ndeshjes dhe në dhënien e kartonëve, ndërsa shtetasi tjetër do e ndihmonte me anë të tifozëve dhe këshilla mbi formacionin e Tiranës. Përfundimisht, ndeshjen e me Tiranën e ka fituar skuadra e Besës me rezultatin 2-1. Në ndeshjen e luajtur ne datën 17.3.2013, ora 14.00 midis Besës dhe Luftëtarit, i pandehuri ka ndërhyrë që të hiqej arbitri i caktuar për këtë ndeshje dhe të vihej një arbitër nga Tirana. Megjithëse arbitri nuk është ndryshuar i pandehuri i ka kërkuar këtij të arbitrojë në favor të tij. Edhe kjo ndeshje është fituar nga skuadra e Besës me rezultatin 2 me 0.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency