Ëndrra e këputur e Ramës

0
125

Nga inxh. Agim Berisha

keputurFushata zgjedhore ndodhet në kulmin e saj. Deri tani kjo është nga fushatat më të egra të zhvilluara ndonjëherë, aq sa disa e quajnë për jetë a vdekje. Disa paralajmërojnë se po nuk fitoi ky apo ai do të ketë deri mosbindje qytetare, madje na sjellin në mëndje vitin e mbrapshtë ‘97. Në fakt, duhej të ishte ndryshe. Kjo duhej të ishte një fair-play normal, mes ideve e programeve, pa thirrje e klithma të frikshme, për burgosje, degdisje, aullime e deri tek shpenzimet altruiste e humanitare, që do bëhen për t’i falur karrigen tjetri, pavarësisht nga etja e madhe për pushtet. Jo vetëm politikanët, por edhe analistët, gazetarët, mediat, madje edhe humoristët janë bërë tifozë të zjarrtë, përmes show-eve, opinioneve e exit polle-ve. Në një ekonomi tregu gjithçka është komerciale, njerëzit janë bërë pragmatistë dhe bindjet për ta janë në plan të dytë. Gjithçka është mbijetesa në këtë sistem tregu. Megjithatë, fëmijët shqetësohen me këto që dëgjojnë dhe shpesh më pyesin pse babi fushata është kaq e frikshme. Ata janë votues për herë të parë dhe e kishin menduar si një eveniment të rëndësishëm këtë moment. Profesioni im si ndërtues më ka krijuar mundësinë e komunikimit me shumë kolegë nga vende të ndryshme, jashtë Shqipërisë. Gjatë vizitave tek njëri-tjetri, në fakt ata vinë me shpesh tek unë, jo vetëm për shkak të mundësive më të mëdha që kanë, në raport me mua, por edhe për faktin se ndryshimet tek ne janë shumë më të mëdha, më të shpeshta, e dallohen nga dita në ditë. Ne kemi vendosur një rregull, që në axhendën e përbashkët të vizitave vendin kryesor e zënë prezantimi i ndryshimeve të bëra, gjatë periudhës nga vizita në vizitë. Ne jemi kthyer eksplorues të ndryshimeve të bëra, që kanë lidhje me profesionin tonë, e pse jo analistë të tyre. Kjo do të vazhdojë edhe për shumë kohë, sepse edhe për disa vite të tjera ndërtimet në përgjithësi e ato të infrastrukturës në veçanti, do jenë prioritet për vendin tonë. E pa dyshim preferenca ime janë rrugët e reja, e autostradat që ndërtohen në vendin tonë. Para ca vitesh kur kalonim në Rrugën e Kombit, ata bënë një krahasim i cili më është ngulitur në mendje, vepra të tilla i bëjnë shtete të fuqishme ose një njeri me “crazy courage” (kurajo të çmendur), Sali Berisha. Gjatë vizitës në tunelin e rrugës Tiranë-Elbasan, një nga miqtë e mi të huaj, i entuziazmuar më tha: “Albania needs a person with such a courage for even a few years…, at least a few years…” (Shqipëria ka akoma nevojë, për një njeri të tillë të guximshëm edhe për disa vite…, së paku edhe për disa vite). Në fakt, Kryeministri shquhet për guxime të tilla. Ai guxoi kur tha do ketë drita 24 orë, kur erdhi në pushtet, e jo vetëm, por do kthehemi në superfuqi energjetike në rajon. Nënqeshën atëherë, por sot kjo po bëhet e vërtetë. Guxoi për liberalizimin e universiteteve dhe sot të gjithë ata që mbarojnë shkollën e mesme vazhdojnë shkollën e lartë. Guxoi për tunelet, madje një opozitar sapo të ndërtohej rruga me tunelin Tiranë-Elbasan, do anëtarësohej në partine e tij. Guxoi që do liberalizonte vizat, që do futeshim në NATO. Guxoi për turizmin, për ullinjtë, për arrorët, guxoi… E sot ky njeri guxon të kërkoj mandatin e tretë, jo për ato që ka bërë, por për ato që do bëjë. Disa thonë përsëri ky, por njerëzit janë mësuar tashmë me guximin e tij praktik, madje u duhet akoma ky guxim, siç thoshte miku im… e këtë besoj e kanë kuptuar të gjithë shqiptarët pa dallim partiak, që nuk janë nën efektin e politikës. E teksa ata flisnin për këtë vepër, produkt i guximit të një njeriu që i jep vlerë natyrës, në mendje më kalonin debatet që bëheshin në parlament nga disa, për mos ndërtimin e rrugës. Mendoj se ky duhet të jetë rast unik në botë, që të zgjedhurit nga populli të jenë kundër ndërtimit të rrugëve, për ata që i kanë zgjedhur. Këtë nuk mund t’ua thosha miqve të huaj. Miku im vazhdoi, vepra të tilla janë pjesë e reformave të integrimit dhe ndikojnë në integrimin në Evropë. Ata flisnin e fjalët e tyre më ngacmonin vërtet, sepse unë gjithmonë integrimin e kuptoj edhe si përballje edhe si ballafaqim me Evropën. Kam lexuar shumë për historitë e ndërtimit të qyteteve të mëdha të Evropës e Botës. Për ndërtimin e tyre është dashur shumë mund e shumë sakrifica për shumë e shumë vite nga brezat paraardhës, për t’i gëzuar brezat e sotëm, por edhe t’i rezistojnë viteve. Nga historitë e tyre kam mësuar që kemi humbur shumë vite, e nuk mund të vazhdojmë më tej të eksperimentojmë, me jetën tonë, sepse do te mbetemi përjetësisht brezi i humbur. Por ato nuk mund të ishin të tilla të paprekshme pa udhëheqës vizionar, të guximshëm, të sakrificës e jo vetëm, por që ditën të menaxhojnë sakrificat e kombit të tyre. Ndërtimi i tyre filloi nga rrugët dhe respektimi i parametrave urbanistikë në gjerësi e cilësi ishte një kusht i panegociushëm. Dhe sot ato janë ashtu siç janë bërë para dhjetëra apo qindra vjetësh. Me miqtë e mi të huaj jemi kolegë. Asnjëherë ata nuk më kanë thënë që jeni si Gjermania apo Amerika, por janë impresionuar nga guximi i një vendi të vogël si Shqipëria, për të marrë përsipër sipërmarrje të tilla, të lakmueshme nga shumë vende të perëndimit. Unë jam kundër, që për hir të një mirëqenieje të përkohësie, false, të vazhdojmë të zvarritemi. Kemi shumë vite që zvarritemi. Ne ndërtuesit kemi një postulat që ndërtimi në radhë të parë kërkon guxim. Ndërsa teoria e praktika e zhvillimit na mësojnë, se zhvillimi fillon nga rrugët dhe ai që vlerëson dhe ka prioritet rrugët e ka kapur demin nga brirët. Në historinë e lindjes së qyteteve “foshnjat” e para të saj janë rrugët. Mos vlerësimin e këtij postulati po e vuajnë sot në qytetet kryesore e sidomos në Tiranë. Janë dhënë shumë leje ndërtimi për megapallate e ato nuk kanë rrugë as për banorët, jo më për rreziqet që mund tu vinë,nga fatkeqësi të ndryshme, të cilat janë të pashmangshme. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse mungesë vizioni e mungesë koncepti zhvillimi. Njerëzit kanë kursyer shumë për të blerë një apartament banimi, por lëvizja në rrugët lidhëse është kthyer në burim të madh stresi. E për çudi sot ata që krijuan këtë katrahurë sulmojnë rrugët. Por kjo besoj, është më shumë një vetëmbrojtje për gabimet e bëra sesa alergji ndaj rrugëve. Shqipëria sot, për shkak të bukurive natyrore është kthyer në një treg të fuqishëm turistik. Sot flitet për miliona turistë. A do të ishte industri turizmi pa rrugë. Bujqësia sot po konkurron fuqishëm edhe në tregjet jashtë, e çdo të ishte kjo pa rrugët. Ai që e ndërton fushatën me sulmet ndaj rrugëve, arteriet e një kombi ai ka shkallë lirie, që në gjuhën e ndërtimit do të thotë, nuk mund të qëndroj gjatë në këmbë dhe rrëzohet… Të sulmosh kundërshtarin në pikat më të forta të tij, për mua është zgjedhja më e gabuar, nga teoria e sulmeve. Sot një nga pikat më të forta të qeverisë janë ndërtimi i rrugëve, e jo vetëm, e pikërisht këtu janë drejtuar “armët” e Ramës, që nuk bënë asgjë përveçse promovon ndërtimet e tyre. Për ta bërë më të besueshëm, ata kanë zgjedhur rrugën e sulmeve indirekt, përmes sulmit të rritjes së borxheve, por në fakt na sjellin në mëndje atë nen famëkeq të kushtetutës së komunizmit, jo kredive, që në fakt është neni i vulosjes së varfërisë, sepse gjithçka duhej të ndërtohej me forcat tona edhe po të na duhej të hanim barë… Nga të gjitha argumentet që kam dëgjuar, më i besueshmi që thotë Rama është se rrotacioni politik është i nevojshëm, por kjo është e pamjaftueshme për të fituar zgjedhjet, përballë një njeriu që vjen në këto zgjedhje me “thesin” pothuajse me të gjitha dhuratat e premtuara 4 vite më parë. Politika është si futbolli, fiton më i miri në një lojë të rregullt. Çdo ndryshim vjen vetvetiu kur bëhet domosdoshmëri për të gjithë, jo vetëm për ata që duan pushtet me çdo çmim. Ëndrra e Ramës mund këputet, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të vazhdojë në zgjedhje të tjera… Një njeri me vullnet për të arrirë gjithçka, siç është Rama, provon më shumë se një herë… Ndërsa Berisha jo vetëm që është “i dashuruar” pas veprave të tilla, e sidomos tuneleve, por më duket se tunelet i ka orakuj të fitoreve. E sikur të mos mjaftonte tuneli i Elbasanit, pas katër viteve të tjera do të jetë tuneli i Rrugës së Arbrit… po pas katër viteve të tjera, të tjera, kush e ka radhën se ai po flet edhe për 12 vite më pas.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency