Agjenti i infiltruar fut në kurth grupin që “nxirrte” azil në Francë

0
145

Elton Qyno

Ergys TafaniZbardhet skema e tre pjesëtarëve të rrjetit. Arrestohet sekseri, dy të tjerë në kërkim

 

Një agjent i infiltruar ka zbërthyer rrjetin që kryente trafikimin e njerëzve nga Shqipëria në drejtim të Francës, ku pikërisht në këtë shtet personat “e katapultuar” depozitonin kërkesën për azil politik. Ergys Tafani është arrestuar për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tjerë të tij janë shpallur në kërkim nga ana e policisë së kryeqytetit, ku prej 24 orësh dy personat janë në ndjekje policore, por kërkimet për kapjen e tyre kanë qenë pa rezultat. Operacioni policor vjen në një kohë kur ambasadorja e Francës, Kristin Moro, ka ngritur zërin se në vendin e saj ishin rritur kërkesat e shtetasve shqiptarë për përfitimin e azilit. Nisur në këto kushte, policia e Tiranës ka rritur vigjilencën, duke arritur të zbulojë një grup kriminal prej disa personash që vepronin në Shqipëri, Itali dhe deri në Francë, duke u kujdesuar për personat që ishin të interesuar për ndjekjen e procedurave të azilkërkuesit. Gjithçka fillonte nga një dokument i falsifikuar që vërtetonte gjakmarrjen e personit të interesuar dhe më pas e gjithë procedura vijonte në vazhdim, duke u ndjekur nga anëtarët e këtij grupi deri në kufirin mes Italisë dhe Francës. Për të gjithë këtë praktikë, personat që interesoheshin për azilin, paguanin një shumë prej 1 mijë euro, ndërkohë që vetëm për sigurimin e një vërtetimi gjakmarrje duhet të paguaje 200 mijë lekë të vjetra, dhe shumë shpejt sigurohej një dokument i tillë.

Agjenti i infiltruar

Nga informacionet operative është arritur të sigurohen të dhëna se shtetasi Ergys Tafani kryente aktivitet kriminal duke pajisur me dokumente false persona të ndryshëm dhe më pas i ndihmonte ata për të aplikuar në qendrën e azilkërkuesve në Francë. Për të mësuar më tepër rreth aktivitetit të 34-vjeçarit, është urdhëruar infiltrimi i një agjenti policie. Ky i fundit është prezantuar si një qytetar që dëshironte të largohej në Francë dhe se pikërisht në këtë shtet të aplikonte për azil. Tafani i ka kërkuar si fillim vetëm shumën prej 200 mijë lekë të vjetra për sigurimin e një dokumentacioni bazë, që ishte vërtetimi i gjakmarrjes së të interesuar. Një vërtetim i tillë është marrë nga agjenti i infiltruar dhe pas kryerjes së aktit të ekspertimit ka rezultuar se ai ka qenë tërësisht i falsifikuar. Pas këtij konstatimi, është vendosur të hidhet një hap tjetër, duke vijuar me procedurat e tjera. Gjatë kësaj kohe, agjenti ka mbajtur kontakte dhe me dy persona të tjerë, të cilët i kanë dhënë garanci se gjithçka do të shkonte mirë, pasi njerëzit e tyre do e përcillnin deri në kufirin francez, ku ai do të kalonte si turist me pasaportën biometrike dhe pas hyrjen në territorin e Francës, ai do i drejtohej qendrës së azilkërkuesve, për të dorëzuar dokumentacionin. Pasi ka zbuluar një pjesë të skemës se si vepronte rrjeti, është urdhëruar nga drejtuesit e policisë dhe prokurorisë të ndërhyhet duke kryer arrestimin e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Operacioni “Azili i rremë”

Mbledhja e të dhënave dhe administrimi i provave në dosje u ka hapur dritën jeshile specialistëve të krimit financiar në policinë e Tiranës, të cilët kanë mësyrë në punishten e shtetasit Ergys Tafani, duke bërë fillimisht arrestimin e këtij të fundit, por s’kanë mundur të ndalojnë dy bashkëpunëtorët e tij. Operacioni është finalizuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe se në momentin e arrestimit Tafanit iu bllokuan 10 vërtetime gjakmarrjeje të falsifikuara për shtetasit shqiptarë, vërtetime të cilat plotësoheshin kundrejt pagesës prej 200 mijë lekë. Pas ndalimit ai është shoqëruar në ambientet e drejtorisë së policisë Tiranës, ku dhe është marrë në pyetje. Lidhur me këtë ngjarje policia është duke punuar për zbulimin e personave të tjerë, ndërkohë që materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë së Tiranës. Në vijim të këtij operacioni janë edhe disa dosje të tjera, që kanë nën hetim persona të ndryshëm që merren me këtë aktivitet të ngjashëm kriminal.

 

10 vërtetime

Në momentin e arrestimit të Tafanit janë sekuestruar plot 10 vërtetime gjakmarrjeje, të cilat kanë qenë fiktive. Ato shërbenin për pajisjen e personave të ndryshëm, që interesoheshin për të aplikuar për azil në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian.

 

 

Maliq, i sëmuri mendor ngacmon

të miturën në uzinën e sheqerit

Arrestohet Vangjel Hoxhaj pas denoncimit të 12-vjeçares. Policia: Njihet si pedofil në zonë

 

Prekjet seksuale që i ka bërë një të miture kanë çuar në burg një 60-vjeçar nga Maliqi i Korçës. Vangjel Hoxhaj është vënë në pranga nga blutë e qytetit juglindor nën akuzën e abuzimit seksual me mitur. Kallëzimi është bërë nga prindërit e një vajze 12-vjeçare nga Maliqi, e cila akuzon Hoxhajn për kryerjen e veprimeve të turpshme. Brenda dy orësh policia ka mundur të mbledhë edhe dëshmi të tjera kompromentuese për babain e katër fëmijëve, me origjinë nga Dushari dhe banues në Maliq. Familjarët e 60-vjeçarit Hoxhaj kanë treguar për policinë se ishin në dijeni të veprimeve të kryefamiljarit, mbasi kishin pasur vazhdimisht ankesa nga banorë të qytetit. Familjarët pretendojnë se i moshuari ishte i sëmurë, por sipas banorëve të zonës, ai njihej si pedofil jo vetëm në lagjen Qesarat, por edhe në tërë qytetin. Nisur nga dëshmitë e tyre por edhe nga dëshmia e vajzës 12-vjeçare, policia e Korçës ka vendosur të arrestojë 60-vjeçarin duke ngritur paraprakisht akuzën e “Kryerjes së veprimeve të turpshme me të mitur”.

Ngjarja në uzinë

Krimi i rëndë është regjistruar paraditen e djeshme, ku 60-vjeçari ka marrë 12-vjeçaren dhe së bashku me të kanë shkuar në ambientet e ish-uzinës së përpunimit të sheqerit në Maliq. Pikërisht në këtë vend të braktisur, ai ka filluar ta prekë në vende intime të miturën, por kjo e fundit pasi ka kuptuar qëllimin e vërtetë të Vangjel Hoxhajt ka filluar të kërkojë ndihmë dhe të bërtasë me zë të lartë. I tensionuar nga një situatë e tillë, 60-vjeçari ka kërkuar që vajza të mos bërtiste, pasi ai do ta linte të lirë dhe se s’kishte për t’i ndodhur asnjë gjë. Dhe ashtu ka ndodhur, 60-vjeçari e ka lënë të lirë, ndërkohë që sapo ajo ka shkuar në banesën e saj, ka njoftuar prindërit për atë që i kishte ndodhur. Menjëherë ata kanë shkuar në banesën e 60-vjeçarit, duke u konfliktuar me të dhe më pas i janë drejtuar komisariatit të Maliqit, ku edhe kanë bërë denoncimin. Në prani të nënës së saj dhe të një oficeri policie, e mitura ka treguar me detaje të gjithë skemën dhe më pas është lënë e lirë.

I sëmurë mendor

Menjëherë pas administrimit të provave në dosje, është vendosur arrestimi i shtetasit Vangjel Hoxhaj. Ky i fundit, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar se ka qenë në shoqërinë e vajzës së mitur, por në asnjë moment nuk ka kryer veprime abuzive me të, duke shtuar se gjithçka është trillim i vajzës. Ndërkohë, nga ana tjetër, policia pretendon se 60-vjeçari ka pasur edhe raste të tjera abuzimi, por nuk është dënuar dhe arrestuar për shkak të problemeve të tij psikike. Për këtë rast, policia e Korçës ia ka referuar materialet prokurorisë së rrethit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency