Topi në fushën e Pezës

0
135

Gavrosh Levonja

pezaHakmarrja për motive politike pa dyshim që është ndër dukuritë më të shëmtuara të realitetit shqiptar në këtë periudhë të pluralizmit politik. Lëvizjet ne administratën shtetërore në momentet e ndërrimit të qeverive kanë qenë një dukuri aq e rëndomtë sa konsiderohej si diçka normale që nuk sensibilizonte opinionin e gjerë duke nxitur reagimin e tij. Zhurma që bëhej në kësi rastesh ishte më shumë pasojë e pakënaqësisë së vetë të larguarve, atyre që në një formë ose tjetër ishin të lidhur me ta si dhe forcës politike e cila i kishte vendosur në ato poste pas marrjes së pushtetit. Dhe më e keqja është se në momentin e shkëmbimit të vendeve pushtet-opozitë, shpesh e kanë pësuar edhe familjarë e të afërm të opozitës pa kursyer edhe rangjet më të ulëta si, fjala vjen, drejtorë shkollash e ambulancash, policë të thjeshtë etj. Prandaj, kur doktor Berisha përmendi faktin se bashkëshortja e njërit prej “prurjeve” të reja në PS, Alfred Peza, ishte drejtore në njërin nga dikasteret më të rëndësishme të qeverisë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, krahas një ndjenje habie, më shumë të entuziazmonte për faktin se ishte shenjë braktisjeje e praktikave të hakmarrjes për motive politike. Mirëpo, akoma pa u shuar jehona e publikimit të këtij fakti nga kreu i qeverisë, do të vinte “flakë për flakë” reagimi mohues nga vetë kandidati për deputet, Alfred Peza. Ai do të bënte të ditur se e shoqja e tij me të vërtetë kishte qenë drejtore në Ministrinë e Jashtme, po ishte shkarkuar që të nesërmen e ditës që ai kishte shpallur angazhimin e tij për të qenë anëtar i “skuadrës së rilindjes” të Edi Ramës. Pas këtij reagimi, ishte e pritshme që “aksionet” e Berishës në bursën politike shqiptare të pësonin rënie, kryesisht për  sa i përket besueshmërisë. Ndërsa tek ata që njohin mënyrën e të bërit politikë të protagonistit të skenës politike të këtyre njëzet e dy viteve nuk kishte si të mos i habiste një “pasaktësi” e tillë e tij. Berisha, sidomos gjatë fushatave elektorale, tregohet tepër i kujdesshëm për të mos dhënë as më të voglin argument që do t’u shërbente kundërshtarëve të tij për ta përdorur kundër tij. Për më tepër, kur lideri i PD-së njihet si një mjeshtër i vërtetë i shfrytëzimit edhe të defekteve apo deklarimeve, në dukje të parëndësishme, të atyre me të cilët është në dyluftim. Nga ana tjetër, vështirë të besohej se një kryeministër si Berisha, për të cilin thonë se ka tendencë “të kontrollojë gjithçka” të mos dijë se ç’ndodh në një ministri të rëndësishme si ajo e jashtme, aq më shumë kur bëhet fjalë për drejtorë të sektorëve të saj. Dhe ja, fill pas reagimit të Pezës do të vinte ai i Ministrisë së Jashtme, sipas të cilit Mirela Peza vazhdonte të ishte drejtore, por vetëm kishte ndryshuar sektorin në të cilin drejtonte. Për më tepër, ky ndryshim kishte ndodhur gati një vit më parë dhe nuk kishte as më të voglën lidhje me angazhimin e zotit Peza në ekipin drejtues të PS-së. Pas kësaj topi ndodhet në fushën e këtij të fundit, pasi i mbetet këtij të provojë publikisht dhe me fakte se bashkëshortja e tij nuk punon në Ministrinë e Jashtme që nga dita kur ai u shpall si kandidat për deputet i PS-së. Veç kësaj, Peza është nxitur në reagimin e tij edhe për faktin se kur ai u deklarua si kandidat për deputet i PS-së, Ministria e Jashtme drejtohej nga LSI-ja, sot në një llogore me zotin Peza, si aleate e PS-së për të rrëzuar Berishën. Pra, para se t’i drejtohej kreut të qeverisë që “ti ma hoqe gruan që të nesërmen që shpalla kandidaturën”, akuzën duhej ta kishte orientuar drejt LSI-së së Ilir Metës, që dikasterin e punëve të jashtme e kishte domen të vetin që nga viti 2009, pas “martesës” me PD-në. Në qoftë se rezulton që zonja Peza vërtet vazhdon ta ketë emrin në borderonë e Ministrisë së Jashtme, kjo do të jetë një goditje tepër e rëndë për bashkëshortin e saj, duke komprometuar karrierën e saponisur si politikan. Në këtë rast, më e pakta ai do të dilte si një politikan gënjeshtar duke vënë në dyshim raportin e tij me të vërtetën. Gjithashtu, rasti “Peza” do të ishte dhe një handikap për “rilindjen” e zotit Rama. Për të qenë realistë, Alfred Peza është njohur si një person me dinjitet e integritet dhe për sa u përket “prurjeve” qëndron shumë më lart se disa biznesmenë që i janë afruar një partie të majtë si PS për motive të dyshimta, është më i aftë se “sejmenët e rinj” apo “detashmenti i kuq i grave” që vetëm amplifikojnë deklaratat e Ramës. Dhe, kur Peza mbrohet duke gënjyer, atëherë merret lehtë me mend se ç’mund të thuhet për “rilindasit” e tjerë dhe vetë “rilindjen” si një megamashtrim.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency