PS kundër demokracisë

0
144

psÇelo Hoxha

 

Kur pranoi ndryshimet kushtetuese, në një nga marrëveshjet e pakta që PS ka bërë me kundërshtaren e vet gjatë kohës që është udhëhequr nga Edi Rama, prej të cilave u përftua Kodi Zgjedhor i sotëm, i cili fuqizoi kryetarët e partive, u shfaqën qartë tendencat autokratike të zotit Rama. Më pas, sjellja e tij ka vazhduar me këtë tendencë, me përjashtimet nga partia, me mënyrën e vendimmarrjes, me mospërfilljen e ligjit në shumë raste, me kërcënimin e zyrtarëve të rangut të ulët përmes telefonit etj. Bazuar në veprimet e tij, dyshimet për prirje diktatoriale të zotit Rama janë shtuar dhe janë bërë vazhdimisht publike. Ai vetë nuk ka bërë asgjë për t’i përgënjeshtruar, madje ka shkuar edhe më përpara në tendencën e tij, duke demonstruar se ajo nuk është pasojë e karakterit të tij, por një vizion politik i qartë i modeluar sipas diktaturës komuniste. Kush ka dyshime nuk duhet të ketë më, kjo u konfirmua javën e kaluar, me deklaratën e tij për të hequr monumentin e demokracisë në qendër të qytetit të Kavajës.

Shënjestrimi i monumentit nga pretendenti për kryeministër, pavarësisht nga justifikimet, është qartësisht një qëndrim politik i qëllimshëm. Ai që e artikuloi dhe forca politike mendimin e të cilës ai artikulon, kanë konflikt me demokracinë, ajo i acaron, dhe mënyra më e mirë është zhdukja e simulove të saj. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet, që të kërkohet heqja e një simboli të tillë.

Debati për monumentet në Shqipëri është i hapur. Është shumë e vërtetë që në hapësirat publike të saj ka shumë monumente që duhen të hiqen, sepse nuk përfaqësojnë vlerat që mendohet se përfaqësojnë, por pjesa dërrmuese e tyre lidhen me monumentet që glorifikojnë komunizmin, një regjim kriminal për vetë popullin shqiptar. Në qendër të Tiranës është mozaiku i famshëm që simbolizon ndërtimin e socializmit me dy mjete që përdoren vetëm për shkatërrim: pushkë dhe kazëm. Ai simbol i komunizmit duhet të hiqet prej andej, duhet të ishte hequr madje dhe të ishte futur në ndonjë muze, një muze për periudhën e socializmit, për shembull. Aty mund të shërbente edhe për vizitorët që dëshirojnë të mësojnë diçka nga e shkuara, edhe për nostalgjikët që mund të shkojnë e të çmallen me të. Një kontakt i tillë, brenda muzeut, u krijon, nostalgjikëve, edhe intimitetin për të cilin ata kanë nevojë, se lidhja e tyre me komunizmin tashmë është veç një lidhje emocionale. Shoqëria shqiptare në tërësinë e saj nuk ka lidhje me komunizmin. Monumenti i partizanit të panjohur, edhe ky shumë pranë qendrës së Tiranës, është një tjetër monument që mund të shërbente fare mirë për t’u shitur si skrap, të paktën do të bënte, një copë herë, ca njerëz të lumtur. Aty ku është, përcjell vetëm dhimbje, sepse është thjesht një simbol i vëllavrasjes. E kështu me radhë, lista e monumenteve të tilla bëhet e gjatë. Kurse lista e emrave që duhen hequr nga rrugët e ndërtesat është akoma më e gjatë. Vetëm në Tiranë janë më shumë se 100 rrugë me emra kriminelësh, sigurimsash e spiunësh ndërkombëtarë.

Megjithatë, forcat antikomuniste në Shqipëri janë treguar të matura dhe nuk kanë bërë asgjë me revansh. Një veprim që nuk përshtatet me dëshirën e shumicës së shoqërisë nuk ka për të qenë jetëgjatë, prandaj gjërat bëhen në kohën e duhur dhe në mënyrën e përshtatshme. Ata që dikur quheshin heronjtë e Vigut, dhe ishin monument në Shkodër, u hoqën në përputhje me vullnetin e shumicës së qytetarëve të Shkodrës. Pavarësisht se çfarë lehën penat enveriste të Tiranës, ajo ishte çështje e Bashkisë së Shkodrës dhe e qytetarëve shkodranë. Edhe monumenti i Kavajës, pavarësisht se në të u përfshi politika e nivelit të lartë, është një çështje e popullit të Kavajës dhe nuk mund të hiqet vetëm pse ashtu i pëlqen kryetarit të bashkisë. As e këshillit bashkiak, sepse ky këshill që ekziston, kur bëri fushatë, nuk e shtroi çështjen e monumentit. Pra, ai nuk ka marrë mandat të bëjë diçka – kaq me rëndësi – që nuk e ka pasur në plan. Këshilltarët janë përfaqësues të popullit, por nuk mund të bëjnë gjithçka në emër të tij. Ata, për shembull, nuk mund të marrin vendim që të pushkatojnë gjysmën e qytetit, megjithëse, teknikisht, mund ta bëjnë.

Bashkia e Kavajës mund ta rregullojë sheshin, por duke ruajtur identitetin e tij. Dhe identiteti i atij sheshi dhe i gjithë Kavajës nuk ka asnjë vlerë pa simbolin e tyre të demokracisë. Në rastin e monumenteve të komunizmit, që duhet të hiqen, çështja është krejt ndryshe, sepse ata janë vendosur në një kohë kur shqiptarëve u mungonte liria. Ato janë vendosur me forcë. Dhe heqja e tyre, ashtu si heqja e prangave, kompleton lirinë e shoqërisë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency