“Elegji” për komunizmin!

0
126

varianti-i-azise-jugore-i-draperit-dhe-cekanit-150x150Luan Myftiu

 

Paske pasur shtatë shpirtra, mor komunizëm! Edhe pse kudo u vetëshkretove, prapë shpreson të lulëzosh? Dhe kur gjithkush ty të mallkon, mendon se je i adhuruar? Kur hëngre bijtë e tu, prapë mbahesh humanist? Ç’kërkon të bësh më tej? Vallë, ç’peng i zí të mban mbi dhé? Ç’mynxyrë ke lënë në mes? Mos vallë, një ligësí që vetes ia fshehe? Me kë të të krahasosh? S’ke shok në historí! Je etalon i dyfytyrësísë. Vallë, vetë ti veten nuk e njeh? Mos je verbuar nga florinjtë që vodhe? Apo shurdhuar je nga duartrokitjet e servilëve? Mos prapë mendon që të zbulosh “armiq”? Apo i mpirë je krejt nga vetë deliri i madhështisë? S’je nginjur me urrejtje? Me krisma pushkatimesh endé s’je kënaqur? Rënkime nënash, vallë, nuk ndien në gjumë? Fantazma kundërshtarësh të pafajshëm, s’të ndjekin pas? S’të ndjek jehona e tmerrit tënd, që vrau energjitë e kombit? S’të mbyt, vallë, lumi i lotëve të shamizezave, që le kërcure? Vërtet s’t’i vrau sytë fytyra verdhacuke e Shqipërísë, që mbajte të uritur? S’të bren ty sot në shpirt përçarja që i bëre gjindjes? Lugat!…Mos dil nga gropa, ku të flaku Historía! Mos vër më maskë të re, të mbijetosh! Mos shko në parlament të majtën të ndërsesh! Mos dil “kukudh” në Pezë, që të mashtrosh rinínë! Urrejtjen mos e shto midis shqiptarëve. Hiq dorë! Mëkatet s’i lan dot me korrupsion. Me Drejtësí të “kapur”, dhëmbët s’i fsheh dot. Asnjë mëkat nuk fsheh dot në bunkerët. A s’e kupton ç’mjerim që të ka zënë?!…

O pjellë e ambicies më të verbër, që për pushtet mohove bijtë e tu! Mos e rëndo më veten me zullume! Mos i mëso dishepujt si të vjedhin. Me korrupsion nuk zbutet krimi yt. Mallkoje veten, se, ndoshta, lehtëson xhelatët! Pendesa është për ta ilaçi më i mirë. Nuk lahet krimi si paraja e pistë!…Prapë do një popull në konflikt? O ti, Kain i kohërave moderne! Sot dhe Evropa po kërkon ndëshkim për ty. Ul kokën dhe prano ndëshkimin si balsam për gjithë viktimat që shkaktove. Mësoji, ç’ke dishepuj, prej teje të largohen. Prano mallkim´n e tyre si një shpërblim për djallëzitë që u mësove. Ti “ferrit” s’i shpëton, as duke hequr zvarrë ithtarë, që zhyte keq në krime. Asnjë imazh të rí nuk fiton dot, duke u mburrur për ç’ke bërë me dashje. Janë qindra mijë akuzatorët kundër teje.

Nuk bindesh? Vërtet? Kujton se njerëzit kanë harruar ç’u ke bërë? Kujton se mbeten mëkatarë ata që detyrove të pranojnë fajësíra të paqena? Ata që zhduke pa një gjurmë? Ata që s’u le varr, që njerëzit t’i kujtonin me një lule? Kush t’i harron ty, komunizëm, gjëmat? Fëmijët që ke lënë jetimë, në rrugë, pa prindër? Ata që fute në bodrume, që vetë të ngjiteshe në vila? Ata që le pa shkollë dhe i përbuze me dekada?!…Ata që torturove për t’i bërë spiunë? Ata që kalbe nëpër burgje; që mbyte në këneta; që plake para kohe internimesh. Kush ta harron, o Judë, që pushkatove dhe poetë! Që s’le një prift e hoxhë pa bërë fajtor, pa plumb në ballë e pa litar në fyt!?…Kush ta harron që detyrove Shqipërínë të urrejë veten?! Që mijëra gra i le të veja dhe vajzat pa martuar? Që djemtë i plake burgjesh dhe pleqtë i le kërcunj pa degë. Që bëre gjyqe farsë, me dru i nxore dëshmitare djalit nënën?!…

Kush t’i harron krushqitë që prishe dhe virgjëreshat vajza mplakur në të zeza? Ato legjione motrash, që fjetën nëpër pemë t’u shpinin bukë vëllezërve, që jepnin shpirt në galerítë e tua vdekjeprurëse? Kush t’i harron kufomat, mbytur në këneta, që kurrë s’i ktheve në familje? O ti, katil, që s’le një nënë shqiptare me zë të qante birin, që kot ia vrave? Që s’le një fis të ngushëllonte veten për birin që ia shave, poshtërove!… Tani mos prit mëshirë, kur një pendesë nuk shfaqe! Një gjyq i madh të pret, tregohu një herë burrë! Mallkoje veten troç, që të mos ngjallesh kurrë!…Mos prit të bëhesh rishtas nuse!… U shoftë fryma jote shkatërruese!…

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency