Dekretohen gjashtë prokurorët Elvin Gogaj transferohet në Laç

0
173

Elton Qyno

Elvin GogajEmrat e prokurorëve që lëvizin në Prokurorinë e Përgjithshme, Tiranë dhe Elbasan

 

Dekretohen gjashtë emrat e prokurorëve që do të jenë pjesë e stafit të Prokurorisë së Përgjithshme. Vendimi është marrë nga Presidenti Bujar Nishani, i cili i dha “OK” listës së dërguar në tavolinën e tij nga kryeprokurori Adriatik Llalla. Pritet që brenda kësaj jave, prokurorët Altin Binaj, Madrit Kullolli, Rovena Gashi, Alma Muça, Kudusi Shahu dhe Adnand Xholi të marrin detyrat e tyre pranë kësaj prokurorie. Mësohet se pas mbërritjes së trupës prej gjashtë prokurorëve, Llalla, do të zgjedhë mes Altin Binajt dhe Adnand Xholit për të qenë drejtues të Zyrës së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërkohë, katër prokurorët e tjerë do të kryejnë funksione të rëndësishme në këtë prokurori, duke shqyrtuar me imtësi dhjetëra dosje penale dhe ankesa të tilla. Shtimi i numrit të prokurorëve vjen pas riorganizimit dhe reformimit të organit qendror të akuzës. Të gjashtë emrat janë përzgjedhur nga kryeprokurori Llalla, si meritë e punës së tyre gjatë këtyre viteve që kanë ushtruar detyrën e përfaqësuesit të akuzës. Prokurori Altin Binaj vjen në Tiranë pas një karriere që në vitin 1997 dhe më pas duke drejtuar Prokurorinë e Vlorës, Fierit dhe Durrësit. Ndërsa kolegu i tij Madrit Kullolli, ka mbi supe një eksperiencë më tepër në fushën e krimit ekonomik, duke përqendruar njohuritë e tij në njësitë task-forcë, të ngritura prej disa vitesh në prokurorinë shqiptare.

Gjashtë prokurorët

Të gjashtë prokurorët kanë mbi 8 vite që ushtrojnë detyrën e tyre në organin e akuzës. Gjatë kësaj kohe ata kanë ushtruar një sërë veprimesh hetimore, kryesisht në krimin financiar, por edhe në atë të rrugës, ku në gjykim kanë çuar organizata kriminale dhe persona të rrezikshëm për shoqërinë. Veç kësaj, janë dhe dy prokuroret Alma Muça dhe Rovena Gashi, të cilat kanë shërbyer në Prokurorinë e Tiranës, ku kanë hetuar dosje të ndryshme, kryesisht ato që lidhen me problematikën e të miturve. Adnand Xholi, Altin Binaj dhe Kudusi Shahu janë prokurorë që kanë pasur poste drejtuese në prokurorinë Shqiptare. Shahu, jo më larg se katër muaj ka qenë në detyrën zv.drejtues i Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë që prokurori Adnand Xholi vjen në Prokurorinë e Përgjithshme pas një eksperience në krye të Prokurorisë së Lezhës. Më parë, Xholi ka drejtuar dhe Prokurorinë e Gjirokastrës, për të qenë më pas prokuror i Krimeve të Rënda, ku ka hetuar dhe gjykuar disa prej grupeve kriminale. Ai ka drejtuar dhe Prokurorinë e Lezhës dhe së fundmi është rikthyer sërish tek Krimet e Rënda.

Transferimi i Gogajt

Pas miratimit të listës së gjashtë prokurorëve, Adriatik Llalla ditën e djeshme ka urdhëruar transferimin e prokurorit të Elbasanit, Elvin Gogaj. Ky i fundit largohet nga kjo detyrë pas disa vitesh eksperiencë dhe, siç mësohet, në vend të tij do të shkojë prokurori i njësisë hetimore task-forcë Gentian Osmani. Ndërsa prokurori Gogaj do të marrë timonin e Prokurorisë së Laçit. Pritet që prezantimi i Osmanit të bëhet ditën e mërkurë. Osmani prej disa vitesh ka qenë pjesë e task-forcës së Tiranës, ndërkohë që tashmë ka fituar besimin e kryeprokurorit Llalla për të qenë drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Me shumë merita nga Elbasani largohet prokurori Elvin Gogaj, i cili gjatë karrierës së tij ka drejtuar disa prokurori. Gjatë punës në Elbasan, Gogaj ka kryer disa operacione, duke arrestuar dhe gjykuar njerëz të përfshirë në korrupsion, por edhe në vrasje të bujshme, që kanë tronditur qytetin e Elbasanit.

Lista e emrave

  1. Altin Binaj
  2. Madrid Kullolli
  3. Alma Muça
  4. Rovena Gashi
  5. Kudusi Shahu
  6. Adnand Xholi
  7. Genti Osmani Elbasan
  8. Elvin Gogaj Laç

 

Aksidenti Peqin

Humb jetën pedagogu i Universitetit Elbasan

Një pedagog i Universitetit të Elbasanit, Arben Poroçani, ka ndërruar jetë në spital pas aksidentit të rëndë pasditen e djeshme. Ngjarja ndodhi në segmentin rrugor Elbasan – Peqin, në vendin e quajtur Paulesh të Komunës së Pajovës, ku mjeti tip “Mercedes-Benz”, me targë AA 523 DA, me drejtues Poroçanin, u përplas me mjetin tip “Ford”, me targë AA 991 AF, me drejtues Dashamir Lekën. Si pasojë e përplasjes së fortë mes dy mjeteve, mësohet se ka gjetur vdekje në vendin e ngjarjes Dashamir Leka, tregtar i armëve të gjahut në qytetin e Elbasanit, ndërsa është plagosur rëndë pasagjeri që ndodhej në mjetin e tij, emri i të cilit ende nuk është identifikuar nga policia. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e aksidentit me pasojë vdekjen. Paraprakisht, mësohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara nga ana e të dy drejtuesve të mjeteve. Poroçani ishte dhe anëtar i PS-së në Këshillin Bashkiak të Elbasanit.

 

Ilirian Zeqaj

Vrau dy persona, ekstradohet nga Anglia

Një shtetas shqiptar është ekstraduar nga Londra, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për shkak të akuzës së “Vrasjes me paramendim”. Interpol Tirana ekstradoi ditën e djeshme rreth orës 15:00, Ilirian Zeqajn, 41 vjeç, nga Cakrani i Fierit. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier në vitin 2000, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” pasi më datë 26 shtator 1999, në fshatin Cakran të Rrethit Fier, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, kanë vrarë për motive hakmarrje dy persona. Si rezultat i bashkëpunimit e shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës me Interpol Londra, më datën 27 shtator 2011 është bërë arrestimi në Londër me qëllim ekstradimin e tij drejt vendit tonë. Sapo ka zbritur në Rinas, Zeqaj i është dorëzuar autoriteteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të cilat kanë bërë dhe akomodimin e tij në një nga burgjet e vendit.

 

Ngjarja në Lushnjë

Aksidentohet për vdekje 30-vjeçari

 

Një person ka ndërruar jetë në spital, pasi u aksidentuar rëndë në aksin rrugor Lushnjë – Golem. Viktima Beqir Boci, 30 vjeç, nga Elbasani sipas policisë ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij tip “Mercedes-Benz” me targa EL 8424 B. Për shkak të lagështisë automjeti ka dalë nga rruga duke u përplasur me një pishë dhe më pas ka rënë mbi një furgon të parkuar brenda një biznesi privat. Policia është detyruar të presë makinën për të nxjerrë trupin e të aksidentuarit ndërsa po heton për zbardhjen e plotë të aksidentit. Nga matjet e kryera në teren dhe pyetja e disa prej personave që kanë qenë në vendin e krimit, policia bëri me dije se mjeti me të cilin udhëtonte viktima ishte duke udhëtuar me shpejtësi dhe se nuk ka pasur mundësi të manovrojë dhe për pasojë ka dalë nga rruga, duke u përplasur me forcë me një pemë dhe si rezultat i rënies së pishës, është dëmtuar dhe një furgon me ngjyrë të bardhë.

 

Policia arreston dy nga autorët, njëri shpallet në kërkim

Tre persona ndjekin nga Durrësi drejtuesin

e kamionit, i grabisin sasinë prej 20 milionë lekësh

Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Elbasanit si të dyshuar për vjedhje dhe një person i tretë është shpallur në kërkim. Policia tha se ka arrestuar 28-vjeçarin Ledio Muçollari, 22-vjeçarin Andi Çibaku, të dy nga qyteti i Durrësit. Sipas të dhënave të policisë, të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë grabitur me forcë në kamionin me targa DR 8727 E, në pronësi të shtetasit R. C., i cili ndodhej i parkuar në afërsi të lokalit “Gjahtari” në Librazhd, 20 milionë lekë të vjetra. Grabitja ka ndodhur në segmentin Elbasan-Librazhd në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Tre personat kanë pasur dijeni për praninë e parave që drejtuesi i mjetit ka pasur në makinë dhe menjëherë nga Durrësi ata i janë vënë nga pas kamionit që drejtohej nga shtetasi me inicialet R. C. Grabitësit kanë shfrytëzuar pikërisht momentin kur drejtuesi i makinës ka qëndruar në një xhep të rrugës Elbasan-Librazhd në afërsi të lokalit “Gjahtari” dhe sapo kanë kaluar rreth 30 minuta nga ky qëndrim, tre personat janë hedhur në aksion duke shkuar pranë kabinës së drejtuesit të kamionit. Pikërisht në këtë moment ata kanë trokitur në derën e shoferit, ku pasi është hapur, R. C. ka parë se në kokë kishte të vendosur grykën e një pistolete. Shumë shpejt dy persona të tjerë kanë filluar ta qëllojnë me grushte dhe sende të forta, ndërsa i treti ka hipur në kabinë dhe prej andej ka marrë sasinë e 20 milionë lekëve të vjetra. Pikërisht në këtë kohë ata janë larguar me shpejtësi, por drejtuesi i kamionit ka arritur t’i ndjekë për disa metra duke i marrë targën e makinës. Menjëherë ai ka njoftuar në telefon policinë e Elbasanit, ndërkohë që në lëvizje janë vënë strukturat policore, të cilat kanë bërë të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin e dy personave, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim. Ndaj tyre është referuar materiali në Prokurorinë e Elbasanit për akuzën e “Grabitjes me armë” në bashkëpunim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency