“Bashkëbisedime” antidemokratike

0
115

 

bashkbisedime“Ndëshkim me votë qeverisë” (Rama), “Fushatë e blinduar e Ramës” (Berisha) janë deklarata me retorikë disi agresive. Jemi në një fushatë të ethshme elektorale, ku përplasjet politike shfaqen në forma shumë të ndryshme, duke filluar nga sulmet e drejtpërdrejta, deri tek batutat e sofistikuara ndaj kundërshtarit politik. Në fushatën e 2011-ës, për qeverinë vendore, filluan të lulëzonin disa forma moderne me emra te huaj, por shumë demokratike si round-meetings, town-halls. Këtë fushatë po shohim edhe një tjetër formë komunikimi të përdorur nga kreu socialist Edi Rama, corner speech (kënd fjale), por të homogjenizuar (apo të artificializuar) nga ai. “Corner speech” ne e përkthejmë gju më gju me popullin, ku publiku ndihet në një ambient të ngrohtë diskutimi. Krejt në antipod po e servir Rama, përgjatë fushatës së tij, këtë formë shumë demokratike. Corner speech-i i tij është një diskutim i ftohtë, ku në mënyrë të vazhdueshme dëgjon vetëm një zë, unik, atë të liderit të majtë. Ky corner speech, që po përdor Rama, është një formë e përshtatur për “Made in Albania”.

 

Duke parë efektet e tubimeve të para zgjedhore, që dukeshin si një përplasje demash mes të mëdhenjve, Rama hoqi dorë prej tyre, duke preferuar speech corner-at. Disa thonë se kjo ishte pjesë e strategjisë së selisë rozë, por vështirë të besohet se pas dy-tri mitingjeve, Rama hoqi dorë lehtësisht prej tyre, saqë edhe hapjen e fushatës në Tiranë e zhvilloi brenda. Të tjerë mendojnë se pas dy-tre mitingjeve të para të PD-së në Korçë, Vlorë, Berat apo Elbasan, pa përmendur Shkodrën, Lezhën e qytete të tjera bastione, Rama dhe këshilluesit e tij u trembën dhe preferuan të kalojnë në planin B apo strategjinë e bashkëbisedimeve, nëpër brigje dhe bahçe. Nuk ka rëndësi arsyeja sesa fakti që kryesocialisti i deformon edhe këto forma bashkëbisedimi, duke i shndërruar në referime të tij apo në një vend ku mund të dëgjosh batuta rreth kundërshtarit të tij. Duke parë se të tilla “bashkëbisedime” transmetohen në televizione, Rama del edhe më shumë në pah nga sa do të dilte nëpër mitingje, ku zakonisht flasin edhe të tjerë, kandidatë për deputetë apo drejtues vendorë. Kjo është e vetmja pikë pozitive, sërish në favor të unit të Ramës, që përfaqësojnë speech corner-at e tij, që në disa raste e kanë nxjerrë zbuluar, kur ka humbur toruan nga ndonjë i pranishëm apo ndonjë pyetje që nuk i ka pëlqyer.

Rama e ka formatuar “corner speech”-in e tij si një ambient të rrumbullakët. Formatet e rrumbullakëta prej shekujsh nënkuptojnë një komunikim dhe vendim gjithëpërfshirës, pa lider. Kjo e ka fillesën tek kalorësit anglezë, të cilët ishin të gjithë të barabartë, në një tryezë të rrumbullakët. Në kujtesën tonë historike, ka qenë pleqësia, ku burra me një barrë mend diskutojnë për një problem, të gjithë së bashku. Ndërkohë, Rama e ka përcaktuar saktë, “kënd fjale”, pra me një cep (vetëm forma është e rrumbullakët, jo përmbajtja), ku vetëm lideri flet dhe të tjerët janë krejt pasivë apo ku shumë shpesh zërat e qytetarëve pjesëmarrës, nuk dëgjohen thuajse fare. Pra, edhe këto forma të vjetra e moderne njëkohësisht, i transformon në një tip “Made by Edi” (sipas Edit).

 

Kur pranon një format tepër paqësor dhe demokratik si town halls, round tables apo corner speech, tregon që ka ardhur momenti, që edhe në politikën më të egër, ka një moment që armët ulen. Kur përdor këto formate komunikimi, duhet të kesh kujdes që të mos u shkëpusësh thelbin apo shpirtin. Forma e rrumbullakët apo forma e pleqësisë së vjetër ka një domethënie shumë të saktë; të gjithë të barabartë, të gjithë flasin dhe të gjithë dëgjohen, pa qëndruar në krye askush.

Në një town halls apo corner speech nuk ka të parë dhe të fundit, nuk ka kundërshtarë dhe aleatë, janë të gjithë të barabartë. Në këto formate, nuk ekziston një liri pushteti, por një liri individi. Në një corner speech, nuk ka gjunjëzim të kundërshtarit, por ka diskutim. Në një corner speech, nuk ka nënshtrues dhe të nënshtruar. Mirëpo, edhe pas 20 vitesh, edhe në formate tejet demokratike, ende kemi sjellje antidemokratike dhe autoritariste. Nëse një qytetar bën një pyetje, që nuk i pëlqen kreut të formatit, ai rikthen format tallëse, fyese, ku ndihen situata tensioni, mospranimi, mosdëgjimi. Një gjë është e sigurt, që halli apo edhe mendimi alternativ i qytetarit nuk dëgjohet.

 

Si është formati klasik dhe real? Këto formate nuk e shikojnë qytetarin si elektorat politik, por si një publik, ku dëgjohet me shumë vëmendje njëri-tjetri, lideri dhe qytetari. Këto forma të reja jo vetëm tërheqin vëmendjen, por edhe kuriozitetin e publikut. Thelbi i qenies njerëzore është kurioziteti dhe përafrimi ndaj diçkaje të re.

 

Këto formate të reja japin një impakt të padiskutueshëm, por kur janë reale, jo artificiale. Këto forma të reja reale po përballen çdo ditë me format arkaike agresive, duke dominuar në psikikën e qytetarëve, të cilët kërkojnë sot mirëqenie, në një krizë globaliste financiare. Zgjedhjet janë testi i konceptit të politikëbërjes. Sot, aty ndahen format paqësore nga ato agresive apo qoftë denigruese dhe fyese, ku qytetari që duhet të ishte i pari qëndron në fund të politikës. Zgjedhjet janë testi se kush i ka përthithur konceptet reale të demokracisë dhe kush jo apo qoftë edhe këto truket e simbolikave. Ne, sot kërkojmë një sjellje tejet civile të zgjedhjeve. Fakti që në zgjedhjet e 2011-ës fitoi kampi blu tregoi se elektorati nuk mbështet më politika të dhunshme, por do qetësi dhe forma demokratike.

 

Me situata tensioni, Rama tenton të ruajë ende terren, si një mjet të vetëm fitimi të një kredoje politike. Pse them se nxjerr përfitime politike? Për 10 vjet radhazi, ai ishte në pushtetin e vendzgjidhjes së problemeve direkte të qytetarëve dhe do të kishte dhënë ndonjë ilaç për plagët e kësaj varfërie. Institucioni i bashkisë është faktor i drejtpërdrejtë dhe përgjegjës për mirëqenien e çdo qytetari. Bashkia nuk është më objektivi i Edi Ramës dhe ai e di këtë. U fut në një betejë politike dhe e humbi. Ai, përgjatë qëndrimit në opozitë, objektivin e tij politik të zgjedhjeve të parakohshme e humbi. Sot, synon kryeministrin, por me forma të gabuara.

Politika është konsideruar nga politologë më shumë se dashuri, “urrejtje e organizuar”. Nga disa të tjerë, politika konsiderohet luftë dhe kompeticion, ku mund të mos e urresh kundërshtarin, por nuk mund ta duash atë. Por, në Shqipëri, emocionet politike kanë kaluar përtej dashurisë dhe urrejtjes. Por, të hapësh televizorin, do të shohësh dhunë verbale apo fizike. Lexon çdo ditë tituj, artikuj gazetash, ku lufta, dhuna, dhimbja e vuajtja janë, në çdo moment, të pranishme. Këto ditë, më shumë se kurrë, dëgjojmë deklarata politike për shkaqe, fajtorë, faje, vjedhje, beteja.

 

Së pari, jemi ende në kufijtë e një politike, që nuk pranon kundërshtarë, ku me sulme, kemi synimin për të gjunjëzuar kundërshtarin.

Së dyti, praktikojmë një tip politike që bëhet burim dhe shkakton shumë dhimbje. E shikon dhimbjen njerëzore si domosdoshmëri të tij dhe si shtysë drejt lirisë së pushtetit, jo të individit. Së treti, me fyerje të vazhdueshme jemi në kufijtë e një politike, që mohon vlerat individuale. Së katërti, përdorim pjesë të errëta, në mënyrë që të jetë më i lehtë dominimi. Në një bashkëbisedim qoftë edhe me forma moderne duhet që gjithsecili të ndiejë se është dikush. Ndërkohë, shohim që qytetarët trajtohen si askushi, duke mos u lënë të flasin.

 

Politika ka shpikur, që nga antikiteti, shumë mjete komunikimi për të bindur elektoratin për t’ia marrë votën. Forcat politike përdorin truke antike me elektoratin, sepse komunikimi politik ka nevojë për mesazhe elementare, që përthithen lehtë nga truri i të gjithëve. Shoqëria njerëzore historikisht ka qenë e ndjeshme ndaj disa koncepteve të thjeshta, nocioneve sociale, si liria, drejtësia apo kategorive estetike, si e bukura. Edhe me këtë atraksion, apo dobësi, ka manipuluar politika, në të gjithë dialogun e gjatë me elektoratin, por që është gjithmonë i efektshëm. Shumë forca politike përdorin simbolet e paqes të dashurisë, kjo jo vetëm për të përthithur elektoratin, por edhe për të arritur tek thelbi, bashkëpunimi për reformat me forcat kundërshtare politike. Vërtet janë truke, por që funksionojnë, në botën demokratike.

 

Por, në Shqipëri, megjithëse këto forma kanë mbetur hibride, po fillojnë, jo vetëm të përdoren, por edhe të kenë sukses. Sot, kjo botë preferon më mirë qetësi apo mirëkuptim, qoftë edhe të shtirur, përpara një agresiviteti të dukshëm dhe real, kërcënues.

 

Sot pas 20 vjetësh luftë për standarde, po reflektojmë një tendencë perëndimore zgjedhore, me gjithë deformimin e formateve demokratike. Format arkaike të sjelljes politike, agresive, fodulle, ironike, fyese, përçmuese, deformuese, shantazhuese, euforike, jo mbi baza reale, po tejkalohen nga elektorati, duke e detyruar politikën dhe politikanët, që i përdorin, të heqin dorë prej tyre.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency