Berisha Rama do të kthejë në piedestal etërit e komunizmit dhe gjykatat popullore

0

Loading...

Ina Jano

berisha-20132Kryeministri Berisha prezantoi në Burrel dhe Bulqizë kandidatët për deputetë në këto qytete. Ai premtoi ulje të moshës së pensionit për minatorët, duke e çuar në 55 vjeç, ndërsa nuk la pa akuzuar edhe kryesocialistin Rama

 

Në vijimësi të veprimtarive në kuadër të fushatës elektorale, selia blu vijoi dje me prezantimin e kandidatëve për deputetë në Bulqizë dhe në Burrel. I pranishëm në këto veprimtari, kreu i demokratëve, zoti Berisha, tha se kandidatët do të jenë në Parlament për të mbështetur qytetarët e tyre. Kryeministri lëshoi akuza të forta në drejtim të opozitës dhe tha se ajo përfaqëson vetëm alternativën e mashtrimit dhe të hedhjes poshtë të veprave.

Burrel

Berisha e filloi fjalën e tij në Burrel, duke përmendur Mbretin Zog, duke e quajtur si një figurë perëndimore dhe që luftoi gjithnjë për këtë vokacion të shqiptarëve. “Mos mendoni ju kurrë se Ilir Hoxha dhe Edi Rama po luftojnë për të vendosur në piedestal Naim Frashërin, Sami Frashërin dhe burra të tjerë të shquar, sepse shqiptarët ata i kanë në zemër dhe në shpirt. Ata po luftojnë për të rikthyer në piedestal etërit e tyre; po luftojnë për të kthyer në piedestal, siç po shprehet vetë ai, gjykatat popullore. Ai kalon nga një miting në një tjetër duke kërcënuar qytetarët, duke i quajtur robër, duke u treguar hekurat. Ndërsa dje u premtonte mësuesve gjyqet publike, gjyqet e turpshme të kohës së shkuar”, – u shpreh lideri demokrat. Kryeministri u bëri edhe një sugjerim të gjithë qytetarëve të Burrelit: “Matjane dhe matjanë, kam një lutje për ju: kur të vijë këtu, ju priteni këtë kandidatin, por pyeteni: Sa e pagove biletën për në autobusin mavi? Ku i more ato para për të hyrë në klubin e miliarderëve? Kujt ia more dhe nga i nxore, pastaj ju votoni në vullnetin tuaj të lirë”. Gjithashtu, udhëheqësi demokrat u shpreh se investimet e qeverisë do të vijojnë në të gjitha zonat. Ai tha se nuk ka asnjë rast tjetër se kur ato që janë premtuar gjatë fushatës elektorale, për mandatin e ardhshëm janë vënë në zbatim nga qeveria, duke synuar që ta shtrijnë efektin në një kohë sa më të shkurtër.

Bulqizë

Nga qyteti i minierave, duket se Kryeministri e pati një lajm të mirë për t’ia dhënë kësaj kategorie. Ai tha se të gjithë minatorët do të dalin në pension në moshën 55 vjeç, një premtim i dhënë ky nga Berisha edhe disa javë më parë, gjatë një konference të organizuar në Tiranë. “Ndryshime të mëdha pozitive kanë ndodhur në minierat e Bulqizës. Këto javë filloi punën traverbanku, do të fillojë punën fabrika e pasurimit, do të fillojë nga puna pusi i thellë që garanton minierën edhe për 100 vjet të tjera. Ju dhe unë do të kishim dashur që këto zhvillime, këto ndryshime të kishin ndodhur më parë, por ju garantoj se ritmi i tyre nuk ka të ndaluar dhe se Bulqiza do të jetë përsëri një nga minierat më të rëndësishme në Evropë e botë për nxjerrjen e kromit. U premtoj solemnisht minatorëve të Bulqizës, të Matit dhe të mbarë Shqipërisë se një nga aktet e para do të jetë mosha e tyre pensionit 55 vjeç”, – tha Berisha. Duke qenë në zonat kufitare me Kosovën ai foli edhe për deklaratat e Ramës, bërë në lidhje me patriotizmin. “Zoti Rama, herë pas here flet për Kosovën, herë pas here flet edhe për patriotizëm dhe çdo shqiptar ka të drejtë e detyrë të jetë patriot e atdhetar. Por shpjegoju pak shqiptarëve, kush e vuri çelësin në gjoksin e Goran Bregoviçit, këngëtarit të himneve mbi masakrat e Kosovës dhe emër të shqiptarëve apo në emër të tjetër kujt e bëre atë?”, – u shpreh kreu i PD-së. Ai tha se çdo shqiptar duhet të kuptojë se Rama ka bërë ç’është e mundur që të frenojë integrimin e Shqipërisë dhe votimi i së enjtes në Parlament ishte një ngjarje që duhet të ishte zhvilluar shumë më herët. “Nuk është në natyrën time të vë etiketa dhe epitete, por çdo shqiptar e ftoj të reflektojë e të mendojë se cilat janë arsyet që shtynë Edi Ramin të protestojë kundër NATO-s dhe para pak ditësh ta quajë atë natë, të bëjë gjithçka për të bllokuar vizat, të ngrihet e të thotë se po kërkon liberalizimin e vizave me Amerikën, në mënyrë që të dynden shqiptarët në Amerikë. Jo. Shqiptarët do të bëjnë gjithçka për të vizituar Amerikën, por ata do të bëjnë gjithçka për të ndërtuar Shqipërinë, për të lumturuar veten, për të ndërtuar të ardhmen e tyre në këtë vend”, – përfundoi Berisha.

 

 

Basha: Kërcënimet e Ramës për bllokim të projekteve të Tiranës marrin përgjigje më 23 qershor

Kryebashkiaku Lulzim Basha është takuar me banorë të njësive bashkiake 3, 9 dhe 10. Zoti Basha ka theksuar se dhjetëra projekte që janë në përfundim e shumë të tjera që nisin në javët në vazhdim po e transformojnë tërësisht infrastrukturën e kryeqytetit. Përballë kërcënimit të ish-kryetarit të Bashkisë Edi Rama, për bllokimin e këtyre projekteve, Basha u ka kërkuar qytetarëve që më 23 qershor të zgjedhin mes të shkuarës dhe të ardhmes së tyre. “Sot, 3 javë para 23 qershorit, Edi Rama ka guximin të kërcënojë në ditë me diell dhe natë me hënë se do të bllokojë projektet e Bashkisë së Tiranës, projekte te cilat ai nuk i bëri për 11 vjet. Sot ne gjendemi para një zgjidhjeje të qartë, për të mos u kthyer më pas por për të vazhduar përpara, për interesin tuaj, për zhvillimin, për Shqipërinë evropiane”, – u shpreh z. Basha. Në takimet me banorët, kreu i bashkisë është ndeshur dhe me shqetësimin e tyre për kërcënimin e Ramës se do të bllokojë planin urbanistik të Tiranës nëse vjen në pushtet. Për z. Basha, dashuria dhe respekti për qytetarët nuk shprehet duke folur me dialekt por duke mos i penalizuar për interesa klienteliste siç ndodhi me pronat e tiranasve për 11 vjet. “Ish-kryetarin tani e ka kapur një dashuri e madhe për tiransit autoktonë dhe ka filluar t’u flasë me dialekt. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse thjesht servilizëm. Atë që kishte mundësi për 11 vjet, ish-kryetari ta bënte për tiransit dhe Tiranën e nuk e bëri, ne ia dolëm ta bëjmë në më pak se dy vjet. Bëmë planin urbanistik, hoqëm përkufizimin absurd që ndalonte zhvillimin e pronave të autoktonëve duke i quajtur zona muze, për të mundësuar që prona juaj të marrë vlerën që meriton!”, – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

 

Bode, takim me korçarët: Në 23 qershor marrim mandatin e tretë

Ministri i Financave, dhe njëkohësisht kryesues i listës së deputetëve të PD-së në qarkun e Korçës, Ridvan Bode, zhvilloi dje një takim me intelektualët dhe korçarët me banim në Tiranë. Sipas Bodes, më 23 qershor do të ndodhë një moment i rëndësishëm në jetën e çdo individi në një shoqëri demokratike. “Më 23 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme dhe unë mendoj, që gjithsecili nga ju, gjithsecili nga, çdo shqiptar në një moment të tillë është e rëndësishme të thotë fjalën e tij, përmes një arsyetimi dhe gjykimi të ftohtë dhe mendoj që ju pjesëmarrës në këtë takim keni urtësinë dhe mençurinë për të gjykuar në mënyrën më të drejtë të mundshme lidhur me atë që ne presim më 23 qershor”, – tha Bode. “Është më mirë për Korçën, për familjet tuaja, për Shqipërinë, që të vijojmë me Partinë Demokratike, e cila ka një program, një projekt, që po e ekzekuton prej dy mandatesh dhe që unë kam bindjen dhe besoj që edhe në gjykimin tuaj, ne po ecim në rrugën e duhur, në drejtimin e duhur, sigurisht me gabime dhe të meta që ndeshen në rrugëtim, por vullneti, dëshira, këmbëngulja jonë janë të drejtuara aty ku është interesi i të gjithëve”, – u shpreh ministri. “Ne, – vijoi Bode, – çmojmë reputacionin tuaj dhe në këtë rast nuk kemi ndërmend të keqpërdorim asnjë, por mendojmë që është detyrë qytetare e civile që gjithsecili të bëhet pjesë e një ane të mirë dhe unë mendoj se ne jemi ana e mirë. “Prandaj edhe njëherë duke ju ftuar të gjithëve të bëheni pjesë e kësaj fushate, të bëheni pjesë e këtij programi dhe projekti që ne kemi si Parti Demokratike, dua t’ju falënderoj paraprakisht që ju do t’i përgjigjeni pozitivisht thirrjes sime”, – përfundoi ministri. 

 

Loading...