Berisha: Pyesni Meidanin se çfarë programi ndërton Rama

0
1968

sali-berisha-4Ina Jano

Rama s’e di nga është vetë, na doli mirditor

 

Ndryshe nga të gjitha prezantimet e tjera të kandidatëve nëpër qytete, Kryeministri Berisha dje u shpreh për kreun e opozitës se ai nuk e di se ç’është programi politik dhe po ashtu as programi ekonomik. Deklaratën e tij kreu i qeverisë e bazoi duke marrë shembull real një rast me ish-presidentin Rexhep Meidani. “Në qoftë se ka njëri në Shqipëri që për shkak të padijes nuk di se çfarë është programi politik, nuk di se çfarë është programi ekonomik, nuk di se çfarë është programi legjislativ, ky është vetëm një dhe ky është Edi Rama. Socialistë të Mirditës dhe të mbarë Shqipërisë, pyeteni pak ish-presidentin Rexhep Meidani, të cilit në zgjedhjet e 2009 i dorëzoi një vëllim, ku i tha se janë 5 mijë faqe program dhe Meidani u tha shqiptarëve se nuk kishte asnjë fjalë programi. 23 qershori po vjen, ndaj dhe ju ftoj që me 23 qershor të gjithë së bashku për një Mirditë të zhvilluar, për një Mirditë me infrastrukturë moderne, me një hyrje madhështore të Rrëshenit nga autostrada në qytetin tuaj, me rrugë të asfaltuara ne të katër anët e saj, me shkolla të reja, me ujësjellës, me shërbime, le të ecim të sigurt drejt zhvillimit, drejt të ardhmes sonë evropiane”, – tha Berisha. Ai u ndal edhe në çështjen e legalizimeve dhe komentoi deklaratat e Ramës. Kryeministri ironizoi deklaratat e kryesocialistit Rama sipas të cilit origjinën e katragjyshërve të tij e ka nga Mirdita. Sipas Berishës, ai është një njeri që nuk e di origjinën e tij. “Cila është alternativa tjetër do ju jap një shembull të javës së fundit për ta kuptuar. Shkoi Rama dikur në Rrashbull, bëri një takim me qytetarët, një mirditor u ngrit dhe pyeti çdo bësh ti me ne” Do shkosh atje në mal i tha, se tokën do ta marrin ata që e kanë pasur. Mirditori e pa njëherë dhe i tha unë këtu jam në shtëpinë time. Pasi e kuptoi çfarë bëri doli me origjinë nga Mirdita, shkon në Tropojë dhe ju thotë të njëjtat gjëra, një njeri që nuk di se nga është, por nuk do ta dijë se nga është. Ai është nga një fshat shumë i mirë, që unë e kam vizituar, por i duhet të thotë njëherë jam këtej, njëherë jam andej”, – tha Berisha. Kreu demokrat më tej akuzoi Ramën për bllokimin e tre ligjeve, tentativat për të bllokuar firmosjen e marrëveshjes së stabilizim-asocimit si dhe atë të liberalizimit të vizave. Sipas tij, Rama zbaton testamentin që i kanë lënë etërit e tij që e urrenin Evropën. “Rruga jonë drejt Evropës ishte jo e lehtë, ne këto 236 ditë Rama përdori pushtetin e zgjedhësve, pa pyetur asnjë interes përjashtove Shqipërinë nga statusi për një vit, u mbyll mundësia që këtë vit të marrë statusin, a është ky interesi i qytetarëve të Mirditës? Ky është testamenti i etërve të tu që urrenin Evropën dhe donin izolimin e Shqipërisë”, – shtoi ai. Lideri i së djathtës kërkoi mbështetjen e mirditorëve për të vazhduar më tej projektin e Shqipërisë së zhvilluar dhe asaj evropiane. Ndërsa ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, i cili kryeson de listën e kandidatëve për qarkun e Lezhës, hodhi akuza në drejtim të kryetarit të PS-së, Edi Rama, që, sipas tij, punon kundër interesave të shqiptarëve.

 

PDIU: Të çojmë në Parlament 7 deputetë

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar pasditen e djeshme takimin e radhës elektoral në kryeqytet, me banorët e njësisë 2, ku u prezantua kandidati për deputet i qarkut të Tiranës zoti Tahir Muhedini. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, është ndalur gjatë tek rëndësia e Qytetit Studenti, si vendi ku 23 vjet më parë nisi ndryshimi i Shqipërisë. Me këtë simbolikë, zoti Idrizi i bëri thirrje të gjithë votuesve që sërish nga ky shesh, më datë 23 qershor të nisi rrugëtimi për zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame. “Miq, nga ky shesh 23 vjet më parë studentët nisën betejën e tyre për rrëzimin e regjimit komunist. Le të shërbej ky shesh për të na dhënë fuqi për të çuar akoma më përpara zgjidhjen e çështjes çame. Edhe pse me dy deputetë në Parlament, në këto 4 vite Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka bërë shumë për ta vendosur çështjen çame në vëmendje të politikës shqiptare. Ishte fal këmbënguljes sonë që sot ne kemi një Rezolutë për çështjen çame. Ishte fal përkushtimit tonë që e gjithë klasa politike nisi ta ketë çështjen çame në vëmendjen dhe në programet e tyre politike. Miq të gjitha këto që kemi bërë janë një garanci që ne dimë t’i dalim për zot vendit tonë. Ne sot kërkojmë që më datë 23 qershor të votoni numrin 50, të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në mënyrë që në Parlamentin e ardhshëm të kemi 7 deputet, 7 zëra patriot që do ta çojnë drejt zgjidhjes përfundimtare çështjen çame”, – u shpreh zoti Idrizi. 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency