Arrestimi I skeduari për grabitje vjedh makinën e kandidates për deputete

0
1330

Elton Qyno

klodianaSportistes olimpike, Klodiana Shala, tentojnë t’i marrin makinën, i vjedhin vetëm çantën

 

Një ngjarje jo e zakonshme ka ndodhur mëngjesin e djeshëm për sportisten olimpike Klodiana Shala, njëherësh edhe kandidate për deputete në Tiranë e Partisë Demokratike. Një person i ka thyer xhamin e makinës së saj, të cilën e kishte parkuar buzë rrugës “Riza Cerova” dhe ka dashur t’ia vjedhë atë. Por në pamundësi për t’i marrë mjetin, grabitësi ka arritur t’i marrë vetëm çantën sportistes, brenda së cilës kishte vetëm sende personale të Klodiana Shalës. Në momentin e tentativës së vjedhjes, sportistja ka qenë në gjumë dhe është njoftuar për vjedhjen vetëm nga ana e forcave të policisë, të cilët gjatë patrullimit në rrugë, kanë konstatuar një të ri me një çantë në dorë që ishte duke ecur me vrap. Pikërisht në këtë moment kanë ndërhyrë me shumë shpejtësi autopatrullat e policisë “Shqiponja”, të cilët kanë bërë dhe arrestimin e shtetasit Bledar Kotorri, 30 vjeç, me banim në zonën e Kombinatit. Kotorri ka tentuar të largohet nëpër rrugicat e lagjes, por është ndaluar nga efektivat e komisariatit nr. 4. Sapo ai është prangosur, është shoqëruar në vendin e krimit, ku edhe ka treguar se cilën prej makinave kishte grabitur. Kotorri i ka treguar automjetin, të cilin ia kishte thyer xhamin trekëndësh të derës së pasagjerit dhe menjëherë ka arritur të hapë makinën pa asnjë problem. Shumë shpejt Kotorri është gjendur në makinë, ndërkohë që mësohet se ka tentuar ta ndezë atë, por nuk ia ka arritur. Për pasojë, ai ka vendosur të marrë vetëm çantën e sportistes Klodiana Shala. Ndërkohë, strukturat e policisë kanë bërë verifikimin e targave të automjetit, ku kanë konfirmuar nga qendra se makina që ishte bërë objekt grabitjeje, i përkiste shtetases Klodiana Shala. Kjo e fundit është njoftuar nga policia dhe menjëherë ka zbritur poshtë pallatit të banimit, duke u njohur me dëmtimet dhe dhënë sqarime rreth çështjes. Ndërkohë, ndaj 30-vjeçarit Bledar Kotorri është marrë masa e arrestit në flagrancë dhe ndaj tij tashmë policia e Tiranës ka ngritur akuzën e “Vjedhjes”. Kotorri rezulton të jetë person me precedentë të mëparshëm penalë, i cili edhe është dënuar nga gjykata e kryeqytetit me 6 muaj burg për akuzën e vjedhjes së pasurisë. Aktualisht, materialet hetimore për këtë çështje i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë pritët që ditën e hënë Bledar Kotorri të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë që do të kërkojë përfaqësuesi i prokurorisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency