Prostitucion kulturor në bulevard!

0
193

 

monumenti-333Eleni Laperi

Kur lexova për dhënien me qera të monumenteve të kulturës, m’u kujtua një historian arti, i cili ka thënë se kur shteti nxjerr në shitje objekte të kulturës së tij, atëherë punët nuk janë mirë; po kur shteti nuk tregon kujdes për kulturën, punët janë vërtet keq. Fatkeqësisht Shqipëria është një rast që vërteton këtë thënie. Këtë e sheh jo vetëm kur jepen me qera monumente të kulturës së vendit. Këtë e sheh kur vidhen kryevepra të artit shqiptar apo kur ato jepen si dhurata “miqve” të huaj nga punonjës të institucioneve të paguar për t’i mbrojtur.

Mungesën e kujdesit e dallon kur galeritë nën administrimin e shtetit nuk kanë katalogë për të promovuar vlerat, që ruajnë. Kush është sadopak vëzhgues, e dallon si janë punët e shtetit tonë sapo i hedh një sy mënyrës se si po rriten qytetet te ne. Sidomos njëri: Tirana. Sepse ‘e gjithë’ Shqipëria është në Tiranë: gati një e dyta e popullsisë jeton në Tiranë, madje edhe qytetarët nga Kosova po synojnë të jetojnë, të punojnë e dëfrejnë në Tiranë. Në Tiranë, madje jo kudo nëpër qytet, po sa më pranë bulevardit kryesor, mundësisht vetëm në ‘bllok’. Sepse pranë bulevardit kryesor janë grumbulluar jo vetëm të gjitha institucionet e qeverisjes lokale e kombëtare, po edhe përfaqësuesit e shteteve të huaja, edhe institucionet ndërkombëtare, tempujt fetarë, monumentet, muzetë, Teatri Kombëtar, Teatri i Opera, Teatri i Varietesë.

Të gjithë shqiptarët sot e dinë: po të duash të kesh fatin të bësh jetë qytetari, duhet të vish në Tiranë !

Pse ndodh kjo?

Sepse gjithnjë na kanë munguar udhëheqësit vizionarë! Që në kohën e Skënderbeut, ndryshe nga princat e mbretërit e botës, princat shqiptarë ishin më të interesuar për të luftuar luftërat e të tjerëve, për të fituar famë për veten e tyre, se sa për të gjetur mënyra si të siguronin paqe, për të pasuruar vendin, për të ndërtuar shkolla e pallate, për t’i zbukuruar ato me vepra arti.

Si rezultat, ne, sot kemi një muze të Skënderbeut në kalanë e Krujës, i cili, sipas fjalëve të filozofes sllovene Marina Grzhiniç, mund të cilësohet si “teatër i historisë”. Sepse në të nuk ka asnjë dokument origjinal nga jeta e vepra e Skënderbeut dhe e princave arbër të kohës; ka vetëm kopje e fotokopje apo objekte të krijuara për të luajtur rolin e origjinaleve.

E njëjta gjë ndodhi edhe gjatë mbretërimit të Zogut, gjatë sundimit të Hoxhës, gjatë qeverisjeve të këtyre viteve në demokraci. Kush ka pak njohuri nga historia e artit tonë, e di se si u lanë krejt jashtë interesave publike artistët e kultura shqiptare në vitet e mbretërisë. Bashkëkohësit mbanin mënd rastin e violinistit Naraçi, që e theu violinën në pallatin e mbretit e nuk e zuri më me dorë. Motrat Zengo, të sapodiplomuara nga akademia e Athinës, kërkuan po nuk u dhanë asnjë sallë të thjeshtë për ekspozitën e tyre me rastin e festës së kombit, të cilën e hapën në dyqanin e thjeshtë të një tregtari tiranas. Vetëm Italia fashiste, sepse përgatiste pushtimin e Shqipërisë edhe kulturalisht, u kujdes jo vetëm të ndërtonte e projektonte qytetet shqiptare me frymën e arkitekturës imperiale italiane, po edhe të dërgonte një grup studentësh për të studiuar art në Shkollën e Romës, e vetmja akademi që predikonte fashizmin, artin tradicional larg rrymave të artit të ri të kohës. Pas Luftës së Dytë Botërore diktatura e quajtur ‘e proletariatit’ dërgoi grupe të rinjsh për studime në vendet nën influencën sovjetike, pra nën influencën e artit të realizmit socialist, rrymë që izolonte artistët nga kultura përparimtare botërore. Kështu artistët shqiptarë, edhe ata që studiuan në Italinë e viteve ‘30, edhe ata që studiuan në vendet socialiste në vitet ‘60, morën një edukim, bazuar mbi të njëjtat parime: krijimtari në shërbim të një propagande partiake, në shërbim të kreut të partisë. Nga ajo kohë ne kemi trashëguar një art, ku ndjehet mungesa e lirisë së artistit.

Sot, njëzetë e tre vite pas përmbysjes së diktaturës dhe fillimit të epokës së demokratizimit, artistët përballen me mungesën e vizioneve nga ana e qeveritarëve, me indiferencën e plotë nga ana e shtetit dhe mbi-tetëdhjetë-partive. Arti i krijuar në këto vite me mbështetjen e shtetit është një portret i korrupsionit, prostitucionit kulturor dhe i kulturës së forcës.

Jo vetëm artistët, po kultura në përgjithësi përjeton një përmbysje, në dobi të antivlerave. Sepse në krye të institucioneve të kulturës vihen militantë, me formim e shije të periudhës moniste. Rreth vetes ata mbledhin të tjerë militantë, me të njëjtat shije dhe pa ndonjë dëshirë për të njohur e promovuar tendencat e reja të artit, pa dashuri për kulturën, pa kulturë në mënyrën e funksionimit të qyteteve.

Për të kuptuar këtë, mjafton të shohësh Tiranën nga lart. Madje, jo shumë lart; edhe nga mali i Dajtit mëson si duket një qytet, ku logjika e më të fortit zotëron nga periferia në qendër. Bindesh se privatizimi i hapësirës është nën pushtetin e korrupsionit, jashtë kontrollit të arsyes së ndërtimit e funksionit të një qyteti. E parë nga toka, në Tiranë të pikëllojnë ndërtimet pa një lidhje logjike apo estetike me godinat rrethuese, pa mjedise për lojërat e fëmijëve, të cilët shpesh bëjnë ‘gol’ në shpinën e kalimtarëve të rrugëve apo rrugicave. E parë nga rruga-në-rrugë, njihesh me prostitucionin kulturor të artistëve e arkitektëve. Kjo dallohet jo vetëm në ndërtimin e pallateve-goxilla, po edhe në  rindërtimin e rrugëve të rindërtuara (që prej njëzetë vitesh mbushin ajrin dhe mushkëritë e qytetarëve me pluhur), edhe në ndërtimin e tempujve fetarë, edhe në krijimin dhe vendosjen e veprave të artit. Të gjithë duan të përfitojnë, duke shitur aftësitë e tyre. Nuk u mjafton kjo. Të gjithë duan të jenë sa më në sy të pushtetit, ndanë bulevardit kryesor të Tiranës, sa më pranë ministrive, sa më pranë ‘Skënderbeut’. Të gjitha monumentet i duan atje, pa pyetur në përshtaten apo nuk përshtaten me mjedisin, me hapësirën, sikur duan të na thonë: pse, çfarë ka më shumë se ne Skënderbeu?

Të gjithë shtyhen të zënë vend ndanë bulevardit kryesor: edhe lulishtet, edhe katedralja katolike, edhe katedralja ortodokse, edhe xhamia, edhe muzetë, edhe ‘Nënë Tereza’, edhe ‘Ismail Qemali’, edhe ‘vëllezërit Frashëri’, edhe monumenti i ‘100 vjetorit të pavarësisë’, edhe ‘Hasan Prishtina’, edhe ‘Ahmet Zogu’ … Madje së fundmi edhe memoriali ‘Postbllok’ gjeti një qoshe në hyrje të parlamentit, duke hyrë si pykë midis figurës së krijuesit të shtetit të pavarur shqiptar dhe institucionit, që lidhet më shumë me figurën e tij… Të gjithë duan të jenë atje, ngucur me njëri tjetrin, duke shtyrë njëri tjetrin, kush e kush të bjerë më shumë në sy të qeverisë, të ngrejë çmimin e vet. Të gjithë luftojnë për lavdinë personale, të nxjerrin në pah ‘madhështinë e tyre’, pa u shqetësuar aspak sa e dëmtojnë qytetin, shijen e qytetarëve. Pjesa tjetër e qytetit i është lënë në dorë kaosit e zbrazëtisë kulturore. Keqardhjen më të madhe e ndjen kur mendon se në vitin 1990 kishim në dorë rastin të korrigjonim gabimet e së shkuarës!

Në se duan të ‘gdhenden’, qytetarët e Tiranës duhet të vijnë në qendër, ndanë bulevardit kryesor; në se duan të zbaviten, duhet të vijnë në qendër; që të falen, duhet të vijnë në qendër; që të njohin historinë, duhet të vijnë në qendër; që të ankohen e të zgjidhnin problemet e tyre, duhet të vijnë në qendër. Që të mund të shohin diçka nga kultura jonë e kultivuar, edhe turistët duhet të kalojnë nga bulevardi kryesor i Tiranës.

Në shtetet, që janë shtete, aktiviteti ekonomik e politik është i shpërndarë në disa qytete, duke i dhënë mundësi të gjithë shtetasve të gëzojnë nga të mirat, që vijnë nga kjo shpërndarje e pushteteve, të kultivojnë aftësitë e shijet e tyre. Në çdo metropol në botë, në çdo qytet të madh si Tirana, ka disa qendra, që ekuilibrojnë shpërndarjen e të mirave të jetës e aktivitetit të një qyteti për të gjithë banorët, duke i edukuar njëkohësisht. Te ne, sapo del nga Tirana, sapo del nga qendra e Tiranës e sheh ndryshimin dhe kupton sa dritëshkurtër janë qeveritarët tanë.

Mungesa e vizionit dhe kultura e ‘të fortit’ nis nga institucionet e kulturës, të cilat bëjnë politikat kulturore, ngrenë juritë e konkurseve, përzgjedhin pjesëmarrësit, përcaktojnë fituesit, caktojnë vendndodhjen e monumenteve apo memorialëve. Ndaj niveli i këtyre krijimeve e veprimeve vërteton dyshimin se ne ndërtojnë sot-për-sot, pa e vrarë mendjen si do duken krijimet tona nesër, kur niveli kulturor i shqiptarëve do jetë njësoj me nivelin kulturor të  qytetarëve të botës së zhvilluar. Atëherë qytetarët shqiptarë do dinë të reagojnë në interes të mirëqenies së tyre e të fëmijëve të tyre. Po sot programet e partive u sigurojnë  qytetarëve shqiptarë nivel kulturor sa më të ulët. Sepse nga mungesa e kulturës së qytetarëve përfitojnë vetëm politikanët, të cilët nën brohoritjen e turmës pa kulturë, sigurojnë vetëm mirëqenien e tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency