Procesi zgjedhor Nuk gjejnë emrin në lista, regjistrohen kërkesat e para për votime

0
180

Sonja Caka

GJYKATASi procedohet nëse nuk gjen emrin në lista, afati i fundit për t’iu drejtuar gjykatës, 6 orë para mbylljes së votimit. Tre qytetarë të Tiranës i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës

Afrimi i procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit ka angazhuar edhe gjyqësorin në mbarëvajtjen e këtij procesi. Roli i gjykatave është t’u japin të drejtën qytetarëve që nuk gjejnë emrat në lista për të votuar. Në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar tri kërkesat e para nga qytetarë kryeqytetas për t’i lejuar për të votuar, pasi nuk kanë gjetur emrat në listat e afishuara në lagjet përkatëse. Objekti i kërkesës së tyre është t’u regjistrohen emrat në listat zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, konkretisht të 23 qershorit, pasi emrat e tyre nuk figurojnë në listat e zgjedhësve të afishuara në lagje. Kërkuesit janë Tatjana Rama, Nazmi Shahu dhe Natasha Shehu, kërkesat e të cilëve do të shqyrtohen nga gjyqtarët Vjosa Zaimi, Manjola Bejleri dhe Rilinda Selimi. Kërkesa e parë është depozituar më 23 maj, ndërsa dy të tjerat më 28 maj. Kodi Zgjedhor përcakton qartësisht rastet kur i drejtohesh gjykatës së rrethit përkatës për të drejtën për t’u lejuar për votim.

Procesi gjyqësor

Neni 55 i Kodit Zgjedhor përcakton edhe rastet kur qytetari i drejtohet ankimit gjyqësor, nëse nuk gjen emrin në listat e zgjedhësve. Çdo person që nuk gjen emrin në listë i drejtohet me një kërkesë gjykatës së rrethit gjyqësor, në juridiksionin e së cilës ndodhet njësia e qeverisjes vendore. Ankimi bëhet jo më vonë se 5 ditë nga marrja dijeni për vendimin ose nga kalimi i afatit për marrjen e vendimit mbi kërkesën nga zyra e gjendjes civile. Kërkesëpaditë, sipas këtij neni, përjashtohen nga pagesa e taksës së shërbimit gjyqësor. Gjykata shqyrton çështjen dhe merr vendim brenda 5 ditëve nga çasti i paraqitjes së kërkesëpadisë. Në rast se paditësi ose përfaqësuesi i tij ligjor nuk paraqitet në gjykim, gjykata pushon gjykimin. Në rast se i padituri nuk paraqitet në gjykim, gjykimi zhvillohet në mungesë. Gjykata duhet t’i njoftojë vendimin palës në mungesë, sipas dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Civile, brenda 24 orëve nga data e shpalljes së vendimit. Zyra e gjendjes civile është e detyruar të zbatojë vendimin e gjykatës brenda 48 orëve nga marrja dijeni, pa qenë nevoja që paditësi të kërkojë lëshimin e urdhrit të ekzekutimit. Në çdo rast, gjykata duhet të vërë në dispozicion të palëve vendimin e saj të arsyetuar me shkrim në të njëjtën datë me shpalljen e vendimit. Kërkimi provohet me të njëjtat dokumente dhe prova, me të cilat provohet kërkesa para zyrës së gjendjes civile.

Vendimet gjyqësore

Neni 57 i Kodit Zgjedhor përcakton edhe veprimet që kryhen pas dhënies së një vendimi gjyqësor, ndërsa lista zgjedhore është hartuar dhe vërehen mungesa. Kur zgjedhësi vëren se përbërësi i tij zgjedhor përmban pasaktësi, nuk është i regjistruar në listën e zgjedhësve të zonës së qendrës së votimit të vendbanimit të tij ose nuk është regjistruar fare në ndonjë nga listat e njësisë së qeverisjes vendore ku ai ka vendbanimin, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatën e rrethit gjyqësor përkatës deri 24 orë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa, sipas kësaj pike, përjashtohet nga taksat gjyqësore. Në rast se zgjedhësi ndryshon vendbanimin pas shpalljes së listës së zgjedhësve, lista nuk ndryshon dhe zgjedhësi voton në qendrën e votimit ku ka emrin në listën e miratuar. Në rast se zgjedhësi paraqet kërkesë në gjykatë në kushtet e kësaj pike, kërkesa rrëzohet. Gjykatat e rretheve gjyqësore shqyrtojnë dhe vendosin në lidhje me kërkesat, sipas pikës 1 të këtij neni, si në ditën e fundit para zgjedhjeve, edhe në ditën e zgjedhjeve, por jo më vonë se 6 orë përpara mbylljes së votimit. Në rastin kur vendimi gjyqësor bën korrigjimin e përbërësve zgjedhorë, përcaktohet qartë përbërësi zgjedhor që ndryshohet. Kur saktësohet qendra e votimit ose zgjedhësi shtohet në listë, vendimi gjyqësor përcakton qendrën e votimit ku zgjedhësi do të votojë dhe numrin e dokumentit të identifikimit. Emri i zgjedhësit që paraqitet për të votuar me vendim gjykate shënohet nga KQV-ja në një regjistër të posaçëm, të cilit i bashkëngjitet vendimi i gjykatës. Në këtë regjistër shënohet edhe numri i dokumentit të identifikimit që përdoret për votim. E njëjta procedurë zbatohet edhe për rastet kur vendimi është marrë në përputhje me nenin 55, por vendimi nuk është pasqyruar në listën e zgjedhësve.

Objekti

Kërkesë për regjistrimin e emrit të kërkuesit në listat zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, pasi emri nuk figuron në listat e zgjedhësve.

Neni 55

Në Kodin Zgjedhor përcaktohen edhe rastet kur qytetari i drejtohet ankimit gjyqësor, nëse nuk gjen emrin në listat e zgjedhësve

Neni 57

Në kodin Zgjedhor përcaktohen veprimet që kryhen pas dhënies së një vendimi gjyqësor, ndërsa lista zgjedhore është hartuar dhe vërehen mungesa.

Detaje

6 orë përpara mbylljes së votimit, gjykata ka të drejtë të vendosë që një qytetar të regjistrohet në listat zgjedhore

24 orë përpara datës së zgjedhjeve, qytetari ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatën e rrethit gjyqësor përkatës

 

Vendimi

Kanosi për hakmarrje familjen Mema, dënohet 10 muaj burg

Gjykata e Tiranës dënoi me 10 muaj burg të pandehurin Urim Koldashi, pasi kanosi një familje. Akuza për të cilën u dënua Koldashi është “Kanosja serioze për hakmarrje ose gjakmarrje”, ndërsa para gjykatës ai u shpreh i penduar për veprimet e kryera. Ngjarja ka ndodhur në mes të janarit të këtij viti, kur denoncuesja Luljeta Hasmema ka qenë në banesën e saj. Ajo ka dëgjuar një zë që thërriste nga poshtë banesës te dera: “A ka burra në këtë shtëpi” dhe më pas: “Ma hapni derën se do t’ju vë minat”. Pas kësaj, Hasmema ka zbritur nga kati i dytë i banesës duke i thënë shtetasit Xhemal Mema se dikush po i binte derës. Në këto momente, shtetasi Xhemal Mema është ngjitur në katin e dytë dhe ka parë të pandehurin Urim Koldashi, i cili po vazhdonte të bërtiste se do t’i vriste. Ky shtetas i ka thënë të pandehurit Urim që të largohej, ndërsa ky i fundit jo vetëm që nuk është larguar, por ka filluar t’i binte derës duke i kërcënuar se do t’i vriste. Duke parë se i pandehuri nuk po largohej, Mema ka njoftuar policinë me telefon, ndërsa kjo e fundit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje duke kryer dhe arrestimin në flagrancë të Koldashit. Nga hetimit gjyqësor ka rezultuar se mes dy familjeve ka pasur konflikt, konkretisht mes bashkëshortit të shtetases Luljeta Mema, Hasan Mema, me shtetasin Naim Koldashi i cili është kushëriri i të pandehurit Urim Koldashi. Për shkak të këtij konflikti, Hasan Mema është i arrestuar. I pyetur në hetimet paraprake dhe në gjykatë, i pandehuri Urim Koldashi e ka pranuar akuzën dhe është treguar i penduar. Përfundimisht gjykata e dënoi atë me 6 muaj burg e 20 ditë.

 

Reformat në drejtësi

Ministri Halimi jep Medaljen e Mirënjohjes publike për ekspertët e huaj

Në Ministrinë e Drejtësisë është zhvilluar dje ceremonia e dhënies së medaljes “Mirënjohje publike” për katër ekspertë të huaj z. Joaquín Pablo Urías Martínez, z. Gianluigi Pratola dhe z. Alan MacDonald, si dhe z. John A. Carver, të cilët asistuan Ministrinë e Drejtësisë në realizmin e reformave më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në vend në këto 20 vite. Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi, i konsideroi ata si katër burra të mençur, të cilët me kontributin e tyre ndihmuan në konsolidimin e sistemit të drejtësisë duke e bërë atë më eficent dhe me të përgjegjshëm. Ministri Halimi shprehu një mirënjohje të veçantë për ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Spanjës dhe përfaqësuesve diplomatikë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuar dhe të Delegacionit të BE-së, falë mbështetjes së të cilëve u bë i mundur realizimi me sukses i projekteve që asistuan Ministrinë e Drejtësisë në një seri reformash strukturore, si në hartimin e ligjeve, në ngritjen e Institutit të Shërbimit të Pronës dhe dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë etj. Z. John A. Carver, drejtor i Projektit për Forcimin e Sektorit të Drejtësisë në Shqipëri (JUST) të USAID iu dha medalja “Mirënjohje publike”, për kontributin e veçantë në fushën e rritjes së transparencës në sistemin gjyqësor dhe në forcimin e shtetit ligjor në Republikën e Shqipërisë. Ministri Halimi i dha z. Joaquín Pablo Urías Martínez drejtuesi i projektit dhe z. Gianluigi Pratola Zëvendës drejtuesit i projektit “Konsolidimi i Sistemit Shqiptar të Drejtësisë – EURALIUS III, medaljen e “Mirënjohje publike”,për kontributin e veçantë në fushën e europianizimit të sistemit të drejtësisë dhe forcimin e shtetit ligjor në Republikën e Shqipërisë. Alan MacDonald, këshilltar rezident i projektit të binjakëzimit mes Shërbimit Shqiptar të Provës dhe atij të Mbretërisë së Bashkuar “Mbështetje për Shërbimin e Provës dhe alternativave të dënimit me burgim” iu dha medalja e “Mirënjohje publike”, për kontributin e veçantë në fushën e reformimit dhe modernizimit të sistemit te dënimit duke pasur prioritet rritjen e sigurisë publike dhe trajtimin e të drejtave të individëve në Republikën e Shqipërisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency