Prezantohen kandidatët në Fushë-Krujë dhe Kamëz Berisha: Alternativa jonë Shqipëria e zhvilluar dhe evropiane

0
145

Ina Jano

fush krujaTë quash Koço Kokëdhimën, Fidelin apo Tom Doshin rilindës të shqiptarëve është si të quash Zani Çaushin, Skënderbeun

Je identik si me qenë binjak me Nastradinin. Ai udhëtonte me veshgjatin, ti udhëton me autobusin bunker

 

Fushë-Kruja dhe Kamza, ishin dy qytetet që dje pritën uraganin blu të fitores. Partia Demokratike vijoi ditën e djeshme prezantimin e kandidatëve për deputetë në këto qytete. Kryeministri Berisha u shpreh përpara demokratëve se alternativa e djathtë është ajo për Shqipërinë e zhvilluar dhe evropiane, ndërsa përballë saj qëndron bllokimi dhe mashtrimi. “Zonja e zotërinj, alternativat janë të ndara. Alternativa jonë është rruga e integrimit. Së shpejti do të marrim statusin e vendit kandidat, së shpejti do të hapin negociatat për vend anëtar të Bashkimit Evropian. Bashkë me ju, me heqjen e taksës mbi makineritë dhe çdo gjë tjetër që duhet për prodhim, ne i dhamë bizneseve një shtytje të re, të fuqishme, e cila do të shoqërohet me krijimin e dhjetëra mijërave vendeve të punës. Në katër vite, ne tërhoqëm 4 miliardë dollarë investime, në katër vitet që vijnë do të tërheqim 6 miliardë dollarë investime të huaja”, – tha kreu i selisë blu.

Fushë-Krujë

“Të quash Koço Kokëdhimën, Fidelin apo Tom Doshin rilindës të shqiptarëve është si të quash Zani Çaushin, Skënderbeun. Ndaj nga Kruja i bëj thirrje: mos i ofendo shqiptarët! Për shqiptarët, rilindësit janë shenjtorët e shqiptarësisë. Me rilindjen nënkupton rikthimin në pushtet të neobllokmenëve, por e shkuara në Shqipëri nuk do të kthehet kurrë. Ne do të ecim përpara drejt të ardhmes, përpara drejt zhvillimit, përpara drejt Europës”, – u shpreh Kryeministri. Më tej Berisha nënvizoi se alternativa tjetër është akuza politike, mashtrime, trillime dhe bllokime. Duke u ndalur në bllokimin e statusit të vendit kandidat, kryetari i demokratëve tha se aktin i Ramës është nga më të papërgjegjshmit, ndërsa solli në vëmendje edhe situatën e qarkut të Fierit. “Alternativa tjetër është alternativë mashtrimi. Këto ditë del e thotë se 95 për qind  e shqiptarëve pa taksa, por a mund të imagjinoni një vend të lirë, një komb të lirë, një shoqëri të lirë të mund të jetojë në kurriz të 5 për qind të qytetarëve të saj. Shoku beson se mund të mashtrojë shqiptarët nën moton: ç’më duhet mua se çfarë them unë. Rritësi më i rrezikshëm i taksave del e mashtron tani se do t’i ulë ato”, – shtroi kreu i ekzekutivit.

Kamza

Duke e quajtur Kamzën si bastion të së djathtës dhe të demokratëve, zoti Berisha u tha të gjithë qytetarëve në shesh, se ata do të jenë nga kontribuesit kryesorë në vend në fitoren e PD-së, duke nënvizuar se janë qyteti i gjashtë më i madh në vend. ndërsa duke vijuar akuzat për shefin e opozitës, ai u shpreh: “Socialistë, demokratë e të paparti të bashkisë Kamzë e të gjithë Shqipërisë, cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është etiketimi juaj një herë si shpellarë, herën tjetër si çeçenë. Urdhëro zoti Rama, këta burra që janë këtu, që kanë ardhur nga të katër anët e vendit, kanë ndërtuar me supet e tyre, me shpirtin  tyre, vilat e shtëpitë e bukura, kanë ndërtuar qytetin e 6-të më të madh të Shqipërisë. Po ju, çfarë keni bërë? Një piktor i dështuar, që e latë Tiranën me 250 kilometra rrugë të paasfaltuara. Ishit ju zoti Rama, që bëtë gjithçka që këta gra e burra të mos lëviznin pa viza në Evropë. Për një vit rresht mbajtët peng statusin e vendit kandidat. Sot qarkon me autobusin tënd. Je identik si me qenë binjak me Nastradinin. Ai udhëtonte me veshgjatin, ti udhëton me autobusin bunker. Ndaj, 23 qershori do të të përcjellë ty në banesën e gënjeshtrës, do të përcjellë në bunkerin e harresës”, – u shpreh Kryeministri. Ai premtoi se qeveria do të vijojë me politikën e integrimit, të taksave të ulëta, të rritjes së rrogave dhe pensioneve. Ai tha se fyerjet e Ramës ndaj qytetarëve nuk mund të vijojnë, pasi një herë i quan ata çeçenë dhe shpellorë.

 

 

Basha, Ramës: Qytetarët e Tiranës ta kanë pirë lëngun

Ishte kryebashkiaku Lulzim Basha i pari që kërkoi mbështetjen e banorëve të Kamzës për Partinë Demokratike, ndërsa nuk nguroi të akuzonte Ramën. Duke e quajtur si një bashkiak model, Xhelal Mziun, Basha tha se që një kryebashkiak ta bëjë mirë punën e tij ai duhet që të ketë mbështetjen e qeverisë dhe po ashtu edhe të partisë që i përket.“Rama e la Tiranën në një gjendje më të keqe se sa Kamza, por Kamza e ka një mik të sigurt është Sali Berisha dhe PD. Në Tiranë i thanë jo modelit të keqadministrimit, le ti themi jo edhe sot modelit që rri shtrembër e flet shtrembër”,- shtoi ai. Basha tha se, Kamza ka një pikë mbështetje të sigurtë, kryeministrin Sali Berisha. “Së bashku me të, ju qytetarët e Kamzës ndërtuat shkolla, rrugë dhe stadiumin që përuruat sot. Sot Kamza ka 24 orë ujë dhe drita. Kamza sot ka nevojë për një qeveri që punon për të dhe ta zhvillojë më shumë”, – u shpreh zoti Basha, që njëkohësisht është edhe koordinatori i fushatës së PD-së për rrethin e Tiranës. “Sot pas një viti vonesë opozita votoi tre ligjet kusht për në BE. Sot ju zoti Kryeministër, vini këtu me skuadrën që drejtoi për 4 vite platformën për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, që ndërtoi shkollat, rrugët, qendrat shëndetësore dhe hoqi vizat me BE. Kemi një pyetje për zotërinë që ri shtrembër, pse bllokove 150 milionë euro falas për qytetarët shqiptarë. Pse bllokove 100 shkolla falas, 50 qendra shëndetësore falas, 150 km autostradë falas. Sot kjo pyetje është vetëm retorike. Sa kohë që të rish shtrembër dhe të flasësh shtrembër, shqiptarët dhe tiranasit ta kanë pirë lëngu”, – tha Basha.

 

Fushata

Inaugurohet Pallati i ri i Kulturës në Kamëz

Kamza tashmë është më një Pallat të ri Kulture. Investimi më i fundit i në këtë zonë, i takon pikërisht fushës së artit dhe kulturës, një shumë prej 225 milionë lekësh ka shkuar për modernizimin e kësaj godine. Kryeministri Berisha përgëzoi për punën e mirë të bërë nga bashkia e Kamzës, që megjithëse me fonde më të vogla, se bashkia e kryeqytetit ia ka dalë që gjatë këtyre viteve të ndërtojë të ndërtojë 23 objekte shkollore, ndër më modernet në Shqipëri, kundrejt 7 shkollave të ndërtuara nga ish kryetari i bashkisë së kryeqytetit në 11 vite. Ndërkohë që kreu i qeverisë foli edhe për kundërshtarin e tij politik, të cilit nga Kamza i dërgoi këto fjalë: “Meqë jam tek Pallati i Kulturës i bëj thirrje të mendojë thellë për një moment, të mos lëndojë shqiptarët, çfarëdo që jemi ne demokratë, socialistë, të pa parti, rilindësit tanë i kemi pothuaj shenjtorë, pas bukës, pas ushqimit, ushqimi i dytë i madh ishin mësimet e Naimit, të Çajupit, të Pashko Vasës, të Ndre Mjedës, të Kristoforidhit, të Fan Nolit, të Filip Shirokës. Ky është fondi i artë i burrave të kombit, i dijetarëve të kombit, me të cilin nisi udhën e dijes, e nisëm ne, e nisin fëmijët tanë, e nisën fëmijët e fëmijëve tanë e kështu me radhë. Por të paraqesë Sabri Abazin si rilindas që nuk di gjë tjetër mbi tokë vetëm të vjedhë pasqyra, duke i deklaruar xhama. Të paraqesësh për rilindës Fidel Yllin, që pasi ka ndërtuar pallate gjigande, dhe duhet të dorëzojë për juve vëllezër, kishte licencën e radios, por valët janë publike, janë pasuri e juaja dhe kushtetuta e detyronte ta dorëzonte në shtet, ai ia dhuroi të motrës, duke  e bërë të motrën milionere brenda natës”. Godina e djeshme është një qendër e standardeve nga më të mirat në vend, ofron për të rinjtë dhe të rejat, si dhe për të gjithë banorët e Kamzës, teatrin meme 350 vende, multikinemanë me 320 vende, ekspozitën e qytetit, biblotekën, disa salla konferencash me 100 vende, 70 vende dhe me 50 vende, sallën internetit, si dhe ambiente te tjera. Gjithashtu, aty do të zhvillohen aktivitete te përhershme, si Festivale kombëtare e rajonale, Teatri rinor Rajonal dhe për çdo sektor do ketë veprimtari të vazhdueshme.

 

PDIU: Të krijojmë Parlamentin mbarëshqiptar, deputetë nga të gjithë trojet

Nga “Sheshi i Flamurit”, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet mes mijëra pjesëmarrësve çeli fushatën elektorale në qytetin Vlorës. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, prezantoi kandidatin për deputet të kësaj partie në Qarkun e Vlorës, njëherazi dhe deputetin aktual, zotin Dashamir Tahiri. Gjatë fjalës së tij, Idrizi falënderoi të gjithë Qarkun e Vlorës për mbështetjen e dhënë gjatë këtyre 4 viteve, mbështetje kjo që i ka dhënë më shumë forcë Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet për të vijuar më tej betejën për çështjen kombëtare dhe veçanërisht atë çame. Duke u ndalur tek programi për katër vitet e ardhshme, zoti Shpëtim Idrizi u shpreh se shtylla kryesore e programit është bashkimi kombëtar nga Preveza në Mollë të Kuqe. “Sot ne duhet të ngremë infrastrukturën e bashkimit; të krijojmë një Parlament mbarëkombëtar pavarësisht kufijve, me deputetë nga të gjitha trojet, që të mblidhen minimalisht një herë në vit për të diskutuar çështjet e përbashkëta kombëtare. Në këtë Parlament të marrin pjesë edhe Diaspora dhe shoqata “Çamëria”. Gjithashtu duhet të nisi puna për krijimin e bashkësisë së komunave e bashkive shqipfolëse nga të gjitha trojet, përfshi këtu edhe komunat arbëreshe,” – u shpreh zoti Idrizi. Ai u kërkoi mbështetësve që të votojnë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në mënyrë që kjo forcë e njohur për vokacionin e saj kombëtar, të çojë në Parlamentin e Shqipërisë 7 deputetë, të cilët do të jenë garantuesit më të mirë të mbrojtjes së interesave të kombit shqiptar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency