Benfika nuk i shpëton “mallkimit” të Gutmanit

0
155

Marrë nga “Repubblica.it”

BENFICADisfata përballë Çelsit ishte e shtata për Benfikën që prej trofeut të fundit të fituar në 1962… nëse mendoni se është një koincidencë, atëherë përgatituani, pasi nuk është e tillë. Mbi “shqiponjat” e Lisbonës qëndron “mallkim” i Gutmanit.

 

 

Stadiumi Olimpik i Amsterdamit. Është 2 maj 1962. Finalja e Kupës së Kampioneve sapo kishte mbaruar. Një ndeshje historike ishte mbyllur. Atë natë luajtën në një fushë dy burra që nuk do t’i vinin më futbollit. Ferenc Pushkash realizoi një tregolësh që në fund do të rezultonte pavlera. Edhe pse bëri një nga takimet më të mëdha të jetës së vet, Reali i tij u mposht 5-3 nga Benfika e Lisbonës. Ajo ndeshje ishte një nga ato “të porositura” nga lart pasi në të njëjtën fushë nga njëra anë ndodhej një sulmues që ishte në fund të karrierës (Pushkash ishte 35-vjeçar) dhe nga ana tjetër qëndronte Eusebio. “Pantera” në këtë sfidë shënoi dy herë. “Perla e Mozambikut”, që në shkëmbeu fanellën me Pushkashin, realizoi golat më të rëndësishëm ai shënoi të katërtin dhe të pestin për “shqiponjat” e Lisbonës.

 

Mallkimi

Por pak më tutje ishte Bela Gutman, tekniku i Benfikës, që po festonte triumfin e dytë radhazi në Kupën e Kampioneve. Për teknikun hungarez ishte diçka speciale, pasi kishte mundur përsëri nxënësin e tij, Ferenc Pushkashin. Në atë moment Gutmani ishte në majën e karrierës së vet, por ishte gati që të braktiste gjithçka. Tekniku në fjalë kishte prishur marrëdhëniet me Benfikën, pasi klubi nuk pranoi t’i jepte disa para më shumë në formë premiosh për sukseset e arritura. Kështu Gutman, i fyer, i nxehur dhe i vrarë nga ajo që po ndodhte, nuk mendoi dy herë dhe mallkoi futbollin portugez dhe Benfikën në veçanti: “Asnjë skuadër portugeze nuk do të fitojë më për dy vite me radhë Kupën e Kampioneve, ndërsa Benfika për 100 vite nuk do të fitojë më një kupë Evrope”.

 

Pa të…

Nëse do t’i hidhni një sy historisë së kupave të Evropës, atëherë do të “dridheni”, pasi që prej asaj ditë asnjë klub portugez nuk ka fituar Kupën e Kampioneve për dy vite me radhë si dhe Benfika nuk ka parëm më asnjë ditë “të bardhë” në kupat e Evropës. Madje, klubi i “shqiponjave” ka humbur të shtata finalet që ka mundur të arrijë në këtë hark kohorë. E fundit ishte e vlefshme për Ligën e Evropës (i mundi Çelsi, 2-1). Si për ironi të fatit Bratislav Ivanoviç shënoi golin e fitores për “blutë “ e Londrës në minutën e 93-të në “Amsterdam Arena”. Ky ishte mallkimi i Gutmanit. Ai më shumë se një trajner ishte një mit, pa të cilin nuk do të kishim Helenio Herrerën dhe në ditët e sotme Hoze Murinjo, pa të mbase nuk do të kishte ekzistuar Hungaria e madhe e viteve ‘50 apo Brazili i madh i Pelesë. Më shumë se jetë, ajo e tija ishte një roman me shumë seri….

 

Fillimet

Gutmani lindi në Budapest në 1899. Ai ishte djali i dy mësuesve kërcimi. Në moshën 16-vjeçare ishte bërë gati që të jepte leksione vallëzimi, por në një moment, pasioni për futbollin i errësoi sytë dhe e detyroi që të linte “balerinat” dhe të fillonte të godiste topin. Ai shumë shpejt do të behej një mesfushor elegant. Në fillim luan në kategorinë e parë e parë dhe menjëherë vihet re dhe merret nga përfaqësuesja. Në kohën kur luajti futboll, Danubi ishte pika e referimit e për të tërë ata që adhurojnë këtë lojë. Gutmani kishte temperament të fortë, ai ishte shumë rebel. Që në moshën 22-vjeçare vendosi që të luante në Austri me skuadrën e Hakoah të Vjenës. Ky ishte një klub i pasur i ngritur nga dy sionistë që inspiroheshin nga “hebraizmi muskulor”.

 

 

Rebeli

Teksa luan në Vjenë, Gutmani laureohet për psikologji. Pas Olimpiadës së Parisit (u mbajt në 1924) ai dha dorëheqjen nga përfaqësuesja, pasi drejtoi një revoltë. Si shumë futbollistë të tjerë, Gutmani nuk aprovoi se si u sistemuan në një hotel të Montmartres. Gjithashtu, ai ishte lider i një “peticioni” të veçantë. Duke qenë se në Paris kishin udhëtuar më shumë drejtues sesa atletë, Gutmani mori disa minj të ngordhur dhe i vari në dyert ku pushonin vendimmarrësit.

 

I joshur nga paratë

Kështu i dha lamtumirën Hungarisë. Ndërkohë, Hakoah e Vjenës xhiroi botën për shkak se ishte kthyer në një simbol të hebrenjve dhe tërhiqte mjaft spektatorë në fusha. Një herë ai luajti në Londër, aty ku mundën Uest Hemin 5-1 (asnjëherë më parë një skuadër angleze kishte humbur në shtëpinë e vet përballë një skuadre të huaj). Më pas stacioni ishte në Nju Jork. Aty Gutmani zbriti për të zhvilluar një miqësore me Nju Jork Xhajënts, por fati deshi që t’i ofronin një kontratë. Kështu hungarezi pranoi pasi u josh nga paratë dhe jetës së bukur të “mollës së madhe”.

 

Vendimi

Pak vite më pas, ashtu si shumë të tjerë, Gutmani humbi gjithçka me “kapitullimin” e Wall Street-it dhe për herë të parë njeh varfërinë. Ai e pati veten kaq ngushtë sa që nga ai moment e tutje filloi të jetonte vetëm për famë dhe para. Kështu Gutmani rikthehet në Evropë dhe bëhet trajner. Në fillim ulet në bankinën e Hakoah, më pas tek Tvente Enshede (këtu hedh hapat e parë të mëdhenj, pasi paguhet mirë dhe fillon të mendojë që ti ngjajë Helenio Herrerës,trajneri i parë i madh modern).

 

Periudha e errët

Pasi erdhi Lufta e Dytë Botërore, Belës i duhet që të kalojë periudhën më të errët të jetës së vet. Për një kohë askush nuk dinte se ku ishte dhe vetëm muaj më vonë po vetë ai do të thoshte se në ato vite “më ka ndihmuar Zoti”. Kështu vendosi që të riniste gjithçka nga Hungaria, aty ku filloi të stërviste Ujpestin. Më pas, Bela kaloi në Rumani tek Ciocanul Bukuresht aty ku e paguan me perime dhe produkte ushqimore. Më pas vjen edhe kontakti i parë me Ferenc Pushkashin (u puqën tek Honved). Por një ditë, në fund të një pjese të parë të një ndeshjeje Honved-Gyor, Gutmani nervozohet shumë me një nga lojtarët e vet dhe nuk e lë të futet në lojë. Por në këtë histori ndërhyn Pushkashi dhe bind shokun e ekipit të rifutet në pijë. Në atë moment Gutmani ikën në tribunë dhe fillon të lexojë një gazetë… më pas merr tramin dhe ikën. Pas këtij episodi tek Honved askush nuk do ta shohë më. Kështu Bela vendos të shkojë në Itali, aty ku tërhiqet nga kontrata e majme e Romës. Më pas mendohet dhe braktis gjithçka dhe shkon të stërvisë Padovën dhe Triestinën (mes 1949 dhe 1951). Futbolli i tij është spektakolar: “Nuk më intereson nëse kundërshtarët na shënojnë një gol pasi ne gjithmonë do t’i bëjmë një më shumë”. Kjo është një nga fazat më të famshme të tij. Fakti që Gutmani joshej lehtë nga paratë bëri që në Itali të qëndronte pak.

 

“…As kriminel, as homoseksual”

Ai shkoi në Argjentinë për të marrë drejtimin e Kuilmesit. Më pas shkoi në Qipro tek Apoeli i Nikozisë. Dhe përsëri përfundon në Itali. Saktësisht në anën e Milanos kuqezi. Ai u bë tekniku i “djallit” kuqezi në vitin 1953 dhe bashkëpunoi me futbollistë si Skiafino dhe Lied’holm. Por vetëm pas një viti e gjysmë e pushojnë edhe pse Milani ishte i pari në klasifikim. Motivet? Asnjëherë nuk u bënë publike. Pas ditëve të para të shokut, Bela vendos të organizojë një konferencë për shtyp dhe pasi i përulet gazetarëve flet një nga frazat e tij më të famshme: “Po më dëbojnë, edhe pse nuk jam as kriminel e as homoseksual, lamtumirë”.

 

Mjeshtër në Brazil

Para se të kthehej tek Honvedi, ai kaloi pak muaj tek skuadra e Lanerosi Viçencës. Gjatë një transferte në Spanjë, tanket sovjete pushtojnë Budapestin dhe Honvedi, ekipi më i fortë i Hungarisë, qëndron jashtë gardhit të hekurt të komunistëve. Kjo ishte një zgjedhje e vetë futbollistëve që xhirojnë gjysmën e botës, por nuk gjejnë paqe pasi vetë FIFA do t’i “shkrinte”. Ndërkohë, ky ekip luante miqësore në Itali, Portugali dhe Spanjë. Ndërsa Bela refuzon të kërkojë strehim politik në Meksikë dhe vendos të qëndrojë në Brazil në 1957. Atje ai do të stërviste San Paolon dhe fut skemën e panjohur më parë për brazilianët, 4-2-4 e famshëm. Bela, me mënyrën e vet, fitoi kampionatin dhe moduli i tij do të adoptohej edhe nga përfaqësuesja “e artë” që fitoi Botërorin në 1958-ën në Suedi me 18-vjeçarin Pele.

 

E para

Pas këtij episodi Gutmani arrin që të marrë një ofertë të majme nga Portoja dhe rikthehet në Evropë. Me bardheblutë ai fitoi kampionatin dhe pastaj kalon direkt tek Benfika në 1959. Aty ai përmbush kryeveprën e vet: pasi largon 20 lojtarë të plakur ai dallon të rinjtë më të fortë dhe i aktivizon në formacion të parë. Me “shqiponjat” ai fiton kampionatin më 1961 dhe Kupën e parë të Kampioneve (mundi 3-2 në finale Barcelonën e Suearezit, Cziborit dhe Kocsis; dy të fundit i kishte njohur tek Honvedi).

 

Zbutja e “panterës”

Një ditë teksa kishte shkuar tek berberi, Bela bisedoi me Hoze Karlos Bauerin (një ish-lojtar i vet që sapo ishte kthyer nga një udhëtim në Afrikë). Bauer mësohet t’i ketë thënë: “Kam parë një djalosh që nuk i përket kësaj bote”. Po flitej për Eusebion. Rivalët e Benfikës, Sportingu i Lisbonës kishte rënë në gjurmët e të riut nga Mozambiku por Gutmani ia hedh bukur. Tekniku i Benfikës i dhuron nënë së afrikanit, 20000 dollarë dhe pastaj kur djaloshi vjen në aeroport ndodh e papritura. Teksa menaxherët e Sportingut po qëndronin në sallën e pritjeve, Bela qëndronte në pistë. Aty ai mori “panterën” dhe e bëri një “shqiponjë”.

 

E dyta

Një vit më vonë në finalen e Amsterdamit, Reali i madh i Pushkashit, Di Stefanon dhe Gentos shkon në avantazh të dy golave por portugezët e Benfikës barazojnë gjithçka, 2-2. Ndërkohë që ishte Pushkash me të majtën do ti jepte sërish avantazhin Realit. Gjatë pushimit të kësaj sfide mes Realit dhe Benfikës, Gutmani u betohet të tijve: “Ne kemi fituar, ata janë të vdekur”. Dhe është pikërisht kështu pasi gjithçka mbyllet 5-3. Benfika hyn në legjendë. Pas kësaj finaleje Gutmani mallkon dhe asgjë do të jetë më si më parë si për të ashtu edhe për Benfikën. Ai do të shkonte të stërviste më pas skuadra si Penarol në Uruguai, përfaqësuesen e Austrisë, Benfikën, Serveten në Zvicër, Panathinaikosin në Athinë, Austrinë e Vjenës dhe në fund Porton (takimin e fundit si trajner i zhvilloi më 1973).

 

Mallkimi vazhdon

Ai ka luajtur dhe trajnuar për mbi 50 vite në tri kontinente të ndryshme në dhjetë shtete të ndryshëm. Bela u nda nga jeta më 1981, në Vjenë aty ku ndodhet edhe varri i tij. Para finales së Kupës së Kampioneve të 1990 (Milan-Benfika) pasi “shqiponjat” kishin humbur pesë finale kupash Evrope që prej 1962, Eusebio shkoi t’i “lutej” Gutmanit në varr që të prishte mallkimin. Por asgjë nuk ndodhi. Milani mundi Benfikën 1-0 falë një goli të Rijkardit. Kjo finale ishte e gjashta e humbur nga ana e “shqiponjave”… ndërsa ajo e Çelsit ishte disfata e shtatë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency