Agjenti i rremë i Interpolit kërcënime për lekë qytetarëve

0
282

arrestimElton Qyno

Luftar Hoxha arrestohet pas denoncimit të një qytetari. Bënte presion për arrestim

 

Një agjent i rremë i zyrës së Interpolit është vënë në pranga nga ana e policisë së Tiranës, pasi ndalonte qytetarët në rrugë dhe u kërkonte lekë, në të kundërt do t’i shoqëronte në komisariat. Një veprim të tillë Luftar Hoxha, 25 vjeç, nga Berati, e ka përsëritur disa herë, duke përdorur si mjet për të vënë në presion qytetarët një kartë identiteti me stemën e Policisë së Shtetit dhe zyrës së Interpolit. Duke përdorur këto dy dokumente Hoxha, arrinte t’i fuste të dridhura qytetarëve, të cilët për të mos u futur në duart e policëve, kanë pranuar të japin para nën dorë, agjentit të rremë, dhe më pas ky i fundit ka vendosur t’i lëshojë, duke mos i mbajtur më peng në mes të rrugës. Veprimtaria e 25-vjeçarit kryhej ditën dhe natën në disa rrugë të Tiranës, ndërkohë që në shumë raste ai ka arritur t’u marrë qytetarëve të gjitha lekët që kishin me vete. Personat më të preferuar të tij ishin të moshuarit dhe të rinjtë, të cilët pranon të jepnin lek, kundrejt lirimit nga ana e agjentit të rremë. Ka mjaftuar vetëm një kallëzim nga një qytetar dhe menjëherë në lëvizje të vihet policia e Tiranës, e cila brenda tri ditëve ka mundur të lokalizojë agjentin e rremë dhe të kryejë arrestimin e tij, në kushtet e flagrancës, pasi 25-vjeçari kishte ndaluar një të ri dhe po i kërkonte para, pasi në të kundërt do ta shoqëronte, duke argumentuar se e dyshonte si person të shpallur në kërkim policor.

Kallëzimi në polici

Një person me inicialet R. B. ka qenë duke ecur në rrugë kur papritur para tij, në qendër të Tiranës është shfaqur shtetasi Luftar Hoxha. Ky i fundit i ka kërkuar të ndalojë dhe menjëherë qytetari ashtu ka vepruar. Menjëherë Hoxha ka nxjerrë nga xhepi një kartë identiteti, ku e ka njohur qytetarin se ishte agjent i zyrës së Interpolit dhe për pasojë, kërkonte menjëherë të shoqëronte në polici. Qytetari ka pohuar se nuk ka bërë asnjë gjë, por menjëherë Luftar Hoxha nuk i ka dhënë kohë të mbruhet, por ka nxjerrë telefonin dhe ka bërë sikur ka telefonuar qendrën e Interpolit, duke njoftuar për lokalizimin e një personi, që kishte ngjashmëri me atë që kërkonte edhe Interpoli. Në këtë situatë është ndier në panik qytetari me inicialet R. B., i cili ka vijuar të mbrohet. Por pikërisht në këtë moment, Luftar Hoxha i ka pohuar se nuk kishte çfarë të bënte, pasi të tilla ishin rregullat e policisë shqiptare. Në bisedë e sipër ai i ka pohuar se ka njoftuar qendrën që t’i sjellë një makinë për transportimin e qytetarit në polici. Mirëpo pas kësaj, Hoxha i ka ofruar një ofertë qytetarit, duke i treguar se nëse kërkonte të shpëtonte nga duart e policëve, atëherë ai duhet t’i jepte të gjitha paratë që kishte me vete dhe ai do ta lironte, pasi këtë problem do ta mbyllte vetë me kolegët e tij të zyrës së Interpolit. Kësaj oferte i ka thënë “OK” qytetari, i cili nuk ka vonuar dhe menjëherë i ka dhënë të gjitha lekët që kishte me vete shtetasit Lefter Hoxha. Pas ka marrë lekët ky i fundit e ka porositur që të mos e bënte muhabet me njeri këtë gjë, pasi çdo veprim do të përkthehej në arrestimin e menjëhershëm të tij nga zyra e Interpolit.

Arrestimi i burrelsit

I tronditur nga ajo që kishte ndodhur, qytetari R. B. ka marrë guximin dhe t’i drejtohet policisë së Tiranës, duke denoncuar për akuzën e korrupsionit oficerin e rremë të Interpolit. Qytetari ka dhënë shpjegimet e tij rreth karakteristikave të personit që e kishte ndaluar dhe menjëherë kanë nisur hetimet për lokalizmin dhe arrestimin e këtij shtetasi. Pas katër ditësh kontrolli, policia arriti të bënte lokalizimin e Luftar Hoxhës, teksa kishte qëndruar një preson tjetër në rrugë dhe i kërkonte para, duke u prezantuar si agjent i Interpolit. Pikërisht në këtë moment kanë shkuar pranë tij forcat e policisë, të cilat bënë të mundur arrestimin e tij në kushtet e flagrancës. 25-vjeçari është marrë në pyetje gjatë shoqërimit në polici dhe aktualisht ndaj tij është ngritur akuza e “Përvetësimit të titullit dhe detyrës shtetërore” si dhe e “Mashtrimit” më shumë se një herë.

 

Panik në Rinas

Alarm i rremë për bombë në avion

Një telefon i braktisur në bordin e një avioni të linjës Tiranë-Stamboll është bërë shkak paniku mes pasagjerëve, të cilët kanë njoftuar autoritetet e aviacionit për një atentat terrorist. Pas këtij njoftimi, të gjithë pasagjerët, mes të cilëve edhe fëmijë, janë detyruar të zbresin me urgjencë nga avioni dhe vendin t’ua lënë forcave të policisë shqiptare. Për shkak se është menduar se aparati i telefonit mund të ishte i telekomanduar dhe mund të kishte ndonjë lidhje me sasi eksplozivi, në vendngjarje kanë shkuar efektivë të policisë, të cilët kanë bërë kontrollin e imtësishëm në avion dhe më pas kanë dalë në përfundimin se në bordin e avionit ka qenë vetëm një aparat telefonik, që mund të jetë harruar nga ndonjë pasagjer. Kjo ka zbritur me këmbë në tokë të gjithë pasagjerët, të cilët i kapi paniku.

Arrestimi

Tufa kërkon të djegë veten para Parlamentit

Policia e Tiranës ka shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë ish-të përndjekurin politik Skënder Tufa. Ky i fundit, gjatë mëngjesit të së enjtes, përballë Parlamentit ka kërcënuar se do të djegë veten e tij, ndërsa mbante edhe një shishe me benzinë në dorë. Në këtë moment kanë ndërhyrë edhe forcat e komisariatit numër 1, të cilat bënë me dije se ish-i përndjekuri në momentin e arrestimit ka tentuar t’i vërë flakën vetes. Tufa vazhdon të mbahet në ambientet e komisariatit numër 1 dhe të merret në pyetje për ngjarjen. Skënder Tufa ishte koordinatori i grevës së urisë së ish-të përndjekurve, dy prej të cilëve i vunë zjarrin vetes, ndërsa njëri prej tyre, Lirak Bejko, humbi fatkeqësisht jetën. Skënder Tufa ka hedhur edhe kandidaturën e tij për të qenë kandidat i pavarur në Tiranë. Kjo nuk është hera e parë që Skënder Tufa shoqërohet në ambientet e komisariatit, pasi edhe herë të tjera ai është arrestuar, por më pas është liruar sërish.

Ngjarja në Elbasan

Sherr mes të rinjve, plagoset njëri

Si pasojë e një sherri me të rinjve, ka mbetur i plagosur një person me armë zjarri në Elbasan. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 në qendër të qytetit, ndërsa nuk ka shumë detaje lidhur me identitetin e personit të plagosur dhe autorët e ngjarjes. I riu është dërguar në spitalin e qytetit për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa po punohet për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e motivit të krimit. Policia e Elbasanit bëri me dije se ngjarja ka si motiv një sherr për motive të dobëta dhe për pasojë të rinjtë kanë përdorur armët. Në vendngjarje ka shkuar me shpejtësi policia e Elbasanit, e cila ka bërë pyetjen e dëshmitarëve të cilët kanë qenë të pranishëm në vendin e krimit, si dhe ka sekuestruar gëzhojat e armës. Nga të dhënat paraprake është bërë identifikimi i autorit të krimit dhe se që nga dita e djeshme policia e Elbasanit është vënë në kërkim të tij, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

 

Policia shpall në kërkim dy persona, sekuestron drogën

Trafikantët ndiqen nga policia e Durrësit

djegin në Lalëz furgonin me 372 kg drogë

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në qytetin e Durrësit, pasi dy persona i kanë vënë zjarrin një furgoni të mbushur me drogë. Mësohet se shoferit i është bërë shenjë nga një postbllok policie për të ndaluar, por ai nuk e ka bërë këtë gjë dhe ka vijuar rrugë. Pasi është larguar nga efektivët në Gjirin e Lalëzit ai së bashku me një tjetër person i kanë vënë flakën makinës, me qëllim për të humbur gjurmët. Policia ndërhyri menjëherë dhe bëri shuarjen në flakëve, ndërsa u arrit të konfiskohej një sasi prej 372 kg hashash. Po ashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit Renato Kebej, 38 vjeç, me banim në Durrës dhe Artur Selmani, 33 vjeç, me banim në fshatin Rrashbull. Aktualisht, është bërë sekuestrimi edhe i furbonit tip “Toyota” me targa britanike, ndërsa po punohet për arrestimin e dy personave të mësipërm. Kërkime janë kryer na banesat e tyre, por që në fakt nuk është gjetur asnjë gjë e dyshimte nga ana e forcave të policisë së rendit. Kërkime janë kryer edhe në disa banesa të tjera ku mendohet se fshiheshin dy personat por pa rezultat. Tashmë ndaj tyre është ngritur akuza e “Prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike”, ndërkohë që dyshimet e policisë flasin se lënda narkotike kishte si destinacion Italianë. Lidhur me këtë dyshime hetime janë duke u kryer edhe për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik droge. Sipas oficerëve të policisë lënda narkotike mund të fshihej në pyllin e Gjirit të Lalëzit dhe më pas ajo dërgohej me skafe ose me anije peshkimi në det të hapur, ku dhe merrej nga trafikantë italianë, që përdorin peshkarexhat e tyre, për të dalë në det të hapur.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency