Presidenti që na duhet

0
144

 

Nga Nebil Çika

presixent
Ditën kur Shkëlqesia e Tij, Bujar Nishani u zgjodh Presidenti i Republikës, kam botuar një profil, “Presidenti që duam apo Presidenti që na duhet?” Unë këmbëngulja tek ky i fundit dhe më vjen mirë sot që ajo që parashikova atëherë po konkretizohet të paktën në një nga veprimet dhe vendimet e fundit të kreut të shtetit shqiptar.
Vendimi i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për të mos marrë pjesë në samitin e SEECP të Ohrit përbën pa dyshim një pikë kthese në sjelljen e shtetit shqiptar në raport me interesat kombëtare si një detyrim që rrjedh nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në profilin në fjalë kam theksuar faktin që Shqipërisë i duhet një kryetar që të zbatojë ligjin themeltar të shtetit, në mënyrë të veçantë nenet që kanë të bëjnë me interesat kombëtare. Më parë, kjo nuk ka funksionuar në mënyrë korrekte.
Ky qëndrim i Presidentit Nishani, i lidhur me mospjesëmarrjen e Kosovës në samit, i argumentuar politikisht dhe juridikisht, përbën ndoshta hapin e parë të sigurt të Shqipërisë për t’u sjellë si shtet amë, por edhe të përdorimit të saj në të mirë të interesave kombëtare të përparësive gjeopolitike në funksion të tyre. Shteti shqiptar duhet të marrë pa dyshim rolin lider në zhvillimet mbarëkombëtare. Ky refuzim i z. Nishani ndaj një forumi politik rajonal, ku përjashtohet një pjesë e konsiderueshme e kombit dhe popullit shqiptar, është një fillim i mirë për një lloj tjetër politike të jashtme që Shqipëria ka detyrim, por edhe mundësi ta aplikojë. Pozita gjeopolitike e shqiptarëve në rajon, të shpërndarë në katër shtete dhe me dy shtete të tyre – Shqipëria dhe Kosova, dhe dy të tjera të kushtëzuara nga ta – Maqedoni dhe Mali i Zi, si dhe pozita superiore në integrimin euroatlantik, janë elemente të mjaftueshme që shqiptarët të imponohen si faktor në rajon dhe më gjerë. Fqinjët tanë duhet ta kuptojnë se zhvillimi i tyre dhe i rajonit nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen apo miratimin edhe të shqiptarëve në hapësirat e tyre etnike, gjë që deri tani ka ndodhur pak apo aspak. Vende të tjera nuk lënë mundësi pa përdorur për të konsoliduar e mbrojtur interesat e tyre në rajon, duke krijuar shpeshherë kriza të gjata, siç është p.sh. bllokimi, nga Greqia, i integrimit euroatlantik të Maqedonisë për shkak të emrit. Greqia ka përdorur të drejtën e vetos së saj në NATO e BE për të bllokuar Maqedoninë apo dhe Turqinë, në përpjekjet e tyre për integrim. Ndryshe nga sa mendon kryetari i opozitës, Edi Rama, anëtarësimi në NATO i Shqipërisë përbën një zhvillim të paparë në pozitat tona gjeopolitike, por edhe një mundësi e garanci shumë të fortë për shqiptarët e tjerë në rajon. Kjo përparësi euroatlantike e vendit e ka rritur dukshëm mundësinë e shtetit shqiptar për të ndihmuar pjesët e kombit të mbetura jashtë tij, mjafton që drejtuesit të kenë vullnetin e duhur politik për ta bërë një gjë të tillë. Z. Nishani, si ushtarak i shkolluar edhe në SHBA, e di mirë rëndësinë e anëtarësimit në NATO dhe pritet ta shfrytëzojë me efikasitet këtë përparësi të shtetit që drejton. Vendeve të tilla si Maqedoni, Serbia, Mali i Zi etj. do t’u duhen patjetër votat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO, gjë që pikësëpari duhet të kushtëzohet me interesat kombëtare dhe respektimin e tyre nga këto vende, por edhe të tjera që kanë interesa në nismat rajonale e më gjerë. Por, me gjithë rëndësinë parësore, nuk është vetëm NATO forca imponuese e respektit e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në rendin e ri, politikat globale janë përcaktuese në zhvillimet kombëtare e rajonale. Siç thashë, shqiptarët janë faktor politik, ekonomik e shoqëror në disa shtete, Shqipëri, Kosovë Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, por edhe në Serbi, me Luginën Preshevës. Pa stabilitetin e tyre politik, ekonomik, shoqëror e sidomos etnik nuk mund të pritet kurrfarë stabiliteti i rajonit. Nëse arrijmë të veprojmë të koordinuar në mbrojtjen e interesave kombëtare, gjë që është së pari detyrë e shtetit shqiptar, suksesi do të jetë i padiskutueshëm. Edhe aspekti ekonomik është i pashfrytëzuar mirë nga shqiptarët. Tregu prej pothuaj 12 milionë shqiptarësh në rajon nuk mund të jetë i pakonsiderueshëm nga ekonomitë rajonale e ndërkombëtare. Nëse ai reagon i koordinuar ndaj interesave antishqiptare, besoj se do të arrijë të jetë një gur i fortë në damën e diplomacisë mbarëkombëtare, pjesë e së cilës është edhe ky vendim i Presidentit Nishani.
Sigurisht që mosmarrja pjesë e Shqipërisë në samitin e Ohrit e dobëson, për të mos thënë e bën të pakuptimtë, këtë aktivitet të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili pa shqiptarët ka pak apo aspak shanse të funksionojë. Fakti që bllokimi i Kosovës vazhdon i pandryshuar edhe pas marrëveshjen e 23 shkurtit 2012 për Përfaqësimin dhe Bashkëpunimin Rajonal, si edhe Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, datë 19 prill 2013, garantuar më Marrëveshjen e Parimeve të Përgjithshme për Zbatimin e Planit të renë dakord mes Kosovës dhe Serbisë, datë 22 maj 2013, të nënshkruara mes kryeministrave Thaçi i Kosovës dhe Daçiç i Serbisë, në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, sipas të cilave, asnjëra palë nuk do të pengojë dhe nuk do të inkurajojë një palë të tretë të bllokojë përparimin në rrugën e integrimit evropian e bën të papranueshme pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë samit dhe vendimin e Presidentit Nishani shumë të drejtë dhe të rëndësishëm. Mendoj se ky standard i vendosur nga ky refuzim legjitim i z. Nishani, për të marrë pjesë në një forum ku nuk respektohen shqiptarët dhe roli i tyre në rajon, duhet të bëhet një pikë orientimi për politikën e jashtme të Shqipërisë dhe të gjitha raporteve, marrëdhënieve rajonale e më gjerë të shtetit shqiptar. Sigurisht që roli, por edhe shembulli i z. Nishani si kryetar shteti, është i mjaftueshëm për të imponuar një kthesë në politiken tonë të jashtme, ku interesat kombëtare të jenë objektivi parësor. Sigurisht që me këtë veprim z. President i Republikës ishte në përmbushje të plotë të detyrës së tij kushtetuese dhe ndokush ka të drejtën të thotë se pse duhet veçuar e lavdëruar ky vendim i Shkëlqesisë së Tij?! Duke u kthyer edhe një herë në krye të radhës, dua të theksoj se pikërisht ky lloj zyrtari e politikani që përmbush me vullnet e guxim detyrën e tij kushtetuese i ka munguar dhe i duhet më shumë se çfarëdo tjetër këtij shteti, populli e kombi. Me këtë veprim z. Nishani më ka forcuar edhe më shumë bindjen se mund të jetë Presidenti që s’e duan të gjithë shqiptarët, por sigurisht është ai që na duhet të gjithëve brenda dhe jashtë shtetit që ai drejton.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency