Rama: Do rishikojmë të gjitha koncesionet dhe tapitë e tokave

0
140

Ervin Kaduku

ediDebati ekonomik nga Dhoma Amerikane e Tregtisë

Mima: Vetëm bujqësia krijoi 100 mijë vende pune.

 

Duke iu referuar modelit ekonomik që ofrojnë, dy përfaqësuesit u ndanë qartësisht në qëndrime rreth rolit që shteti duhet të luajë për zhvillimin ekonomik të vendit

Dy grupimet garuese për qeverisjen e pas 23 qershorit të këtij viti shpalosën publikisht alternativat e tyre për zhvillimin e vendin dhe reformat që do të ndërmerren në 4 vitet e ardhshme. Në forumin “Perspektiva ekonomike 2013-2017”, të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe revista “Monitor”, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Florjon Mima iu përgjigjën të njëjtave pyetje, të shoqëruara me kërkesën që debati të jetë tërësisht i bazuar mbi alternativën ekonomike, duke lënë mënjanë debatin politik.

Kështu kryesocialisti Rama bëri të ditur se sa i takon problemit të pronësisë, PS ka programuar të rishikojë të gjitha tapitë e tokave. “Çështja e pronësisë në Shqipëri ka 3 elementë. Elementi i parë është pronari dhe raporti me pronën e kahershme. Elementi i dytë është fermeri dhe raporti me tokën, i treti i ardhuri dhe raporti me shtëpinë pa leje. Janë elementë të ndërthurur me njëri-tjetrin sa përpjekja për tu kapur me njërin duke lënë tjetrin është jofunksionale. Ne do ta marrim çështjen në bllok. Të tre këta elementë duhet të jenë të vetëdijshëm që zgjidhje nuk mund të kenë 100% ata dhe të lerë komplet pa zgjidhje dy elementët e tjerë. Ne jemi në gjendje që të bëjmë një operacion publik të rishikimit të kthimeve dhe kompensimeve korruptive. Kemi kontaktuar agjenci të specializuara për bashkëpunim me ne. Do të bazohemi në shtënien në dorë të dokumenteve origjinale të pronësisë”, tha Rama. Në të njëjtën linjë, kreu socialist theksoi se në programin e PS-së është parashikuar rishikimi i të gjitha koncesioneve dhe privatizimeve. “Jemi në gjendje të themi se do të bëjmë rishikimin e të gjitha koncesioneve dhe privatizimeve që janë si në dëm të publikut apo si prodhuese asetesh kriminale. Edhe për këtë jemi duke punuar me një agjenci shumë të specializuar ndërkombëtare. Këto do të na japin mundësi për të zgjidhur problemin e pronës”, pohoi ai.

 

Ndërkohë referuar modelit ekonomik që ofrojnë, dy përfaqësuesit u ndanë qartësisht në qëndrime rreth rolit që shteti duhet të luajë për zhvillimin ekonomik të vendit. Për sa i përket rrugës së garantimit të rritjes ekonomike, ministri Mima tha se mazhoranca ka planifikuar ruajtjen e të njëjtit model por, me reforma të reja strukturore, rregullatore dhe fiskale, duke pasur në fokus shpejtimin e procesit të privatizimeve, zhvillimin e sektorit bujqësor dhe zhvillimin e turizmit. Nga ana tjetër, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama tha se programi qeverisës së forcës së tij parashikon një model të ri ekonomik me 3 shtylla kryesore, zhvillimin rural, industrinë dhe turizmin, që do të jenë sektorët që do të udhëheqin rritjen ekonomike të viteve të ardhshme. Një pikë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe niveli dhe menaxhimi i borxhit publik. Duke iu referuar nivelit aktual të borxhit, ministri Mima tha se ai nuk paraqet rrezik për stabilitetin makroekonomik pasi huamarrja është afatgjatë dhe ka shërbyer për investime.

Nga ana tjetër, kryesocialisti Rama tha se forca e tij synon ristrukturimin e borxhit që vlerësohet si i rrezikshëm në kushtet aktuale dhe rivendosjen e marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar . Duke iu referuar modelit të taksimit, kryesocialisti Rama tha se projekti i forcës së tij politike parashikon ndryshimin e tij për sa i përket tatimit mbi të ardhurat personale dhe dividendin, pa rënduar mbi korporatat. Ndërsa ministri Mima tha se do të vijojë të ruhet i njëjti model taksimi, madje me synimin që të ketë lehtësi të mëtejshme fiskale.

 

Mima: Vetëm bujqësia, 100 mijë vende pune

Gjatë fjalës së tij, ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Florion Mima tha se për qeverinë, gjatë mandatit të tretë prioritet do t’i jepet bujqësisë, si një sektor i cili do të gjenerojë 100.000 vende pune. Turizmi, gjithashtu vlerësohet si një sektori i rëndësishëm i cili do të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë së vendit, por edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Këto dy sektorë, por edhe tregtia sipas ministrit Mima do të ndihmohen nga modernizimi i rrjetit rrugor, por edhe nga përmirësimi i infrastrukturës së portit të kontejnerëve në Vlorë, i cili do të shërbejë si nyje e drejt Evropës Qendrore.

Në periudhën afatmesme, sipas ministrit Mima do të punohet në tri drejtime kryesore: drejt asaj strukturore ( siç janë privatizimet), reformës rregullatore (shtet i vogël me pak ndërhyrje në ekonomi) dhe për reformën fiskale.

Ministri i Ekonomisë bëri edhe një përmbledhje të shkurtër rreth burimeve nga do të mund të sigurohet gjenerimi i vendeve të punës. Sipas tij, rreth 100 mijë vende pune do të hapen në bujqësi, 50 mijë do të gjenerohen nga investimet në infrastrukturë, 20 mijë do të vijnë nga investimet e huaja direkte, 50 mijë nga ato indirekte siç është projekti i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline, 20 mijë nga gazifikimi i vendit dhe nga zhvillimi i sektorit të teknologjisë së informacionit.

Numrin një i ekonomisë, foli edhe për borxhin publik, të cilin e konsideroi në kufij të pranueshëm dhe që nuk mbart rrezik.

Sipas tij, stoku i investimeve të huaja gjatë mandatit të tretë do të rritet ndjeshëm. Nga 4 miliardë euro që u llogarit gjatë mandatit të dytë, parashikohet të arrijë në 6-7 miliardë euro.

Ai garantoi përfaqësuesit e sektorëve të ndryshëm të biznesit që marrin pjesë në këtë konferencë se qeveria do të vazhdojë të aplikojë taksën e sheshtë për sigurimet shoqërore, për pjesën e punëdhënësit. Ai u shpreh kundër idesë së hedhur për uljen e pragut për pagesën e TVSH-së për bizneset, i cili sipas tij do të vazhdojë të mbetet 5 milionë lekë, pasi sa më shumë që të ulet, aq më shumë ulen arkëtimet nga kjo taksë.

Mima gjatë fjalës së tij u ndal edhe në reformën e pensioneve që pritet të jetë gjithashtu prioritet i mandatit të tretë të qeverisë në tri drejtime: reformim rrënjësor i kolonës së parë (pay as u go), prezantim i kolonës së dytë që do të jetë zgjerimi i mundësive për zhvillimin e kolonës së tretë, por për këtë sipas tij duhet bashkëpunim i opozitës dhe të bien dakord gjithë aktorët.

Ministri i Ekonomisë u ndal edhe në një pikë të veçantë, siç është ajo e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën, për të cilën tha se qeveria po punon për identifikimin e problemeve që janë shkaktuar mes dy vendeve. Sipas tij me qeveritë e të dyja vendeve po punohet për një strategji e cila do të na çojë drejt bashkimit ekonomik.

 

 

Qershor, hidhet në qarkullim kartëmonedha 1.000 lekë, emetim i vitit 2011

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, me vendimin nr. 48, datë 29.6.2011, miratoi rishtypjen e kartëmonedhës shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 1.000 lekë. Në zbatim të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë njofton publikun se në datën 3 qershor 2013 do të hidhet në qarkullim kjo kartëmonedhë. Kartëmonedha e re ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën me vlerë nominale 1.000 lekë, emetim i vitit 1996, hedhur në qarkullim më 11.7.1997 dhe rishtypjeve të saj të vitit 2001, hedhur në qarkullim më 8.4.2002 dhe të vitit 2007, hedhur në qarkullim më 14.11.2008.

Ndryshimet me emetimin e fundit janë ndryshimi i fillit të sigurisë, i cili bëhet nga 1.5 mm, 2 mm, viti i emetimit në trupin e kartëmonedhës që do të jetë 2011 dhe firma e drejtorit të Departamentit të Emisionit.
Duke filluar nga data 3 qershor 2013, në fjalë do të përdoret si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, të emisioneve të mëparshme.

 

 

Një ekspozitë e veçantë nga artistë të veçantë

 

Një ekspozitë tepër e veçantë hapi dyert pasditen e së hënës ne Kryeqytet. Ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u pushtuan nga punime artistike të veçanta të punuara me shumë dashuri nga artistë me aftësi ndryshe.  Kjo ekspozitë mori frymëzimin nga një prej projekteve fituese të programit “Bota e Ndryshimit” të Fondacionit Vodafone Albania. projektit  të Xhik Domit, Projekti i tij i cili ka nisur të implementohet prej 6 muajsh në bashkëpunim me qëndrën “Ndihmoni Jeten”, konsiston në përfshirjen në art të fëmijëve me aftësi ndryshe. Për më shume se 6 muaj këta fëmijë kanë ndjekur kurse arti dhe punimet e tyre më të mira u përmblodhen në këtë ekspozitë që la pa fjalë pjesëmarrësit

Mundësia që të jep arti, me përdorimin e materialeve të ndryshme bëri që femijet me aftësi ndryshe të shprehnin  më lehtë anën e tyre shpirtërore, kreativitetin, talentin që ata mbartin dhe të tregonin që ashtu si të gjithë edhe ata duan të jenë plotësisht të përfshirë në jetën në komunitet. Drejtor i Fondacionit Vodafone Albania, Albi Greva u shpreh se në këtë rast arti flet më shumë se fjalët dhe ajo çka na gëzon të gjithëve është se talenti dhe pasioni për artin kalon çdo pengesë. Ideatori i projektit, Xhik Domi falenderoi Fondacionin Vodafone Albania i cili bëri të mundur që projekti i tij të realizohej në mënyrën më të suksesshme të mundshme dhe premtoi se sëbashku me qendrën “Ndihmoni Jetën” do të jenë të angazhuar për të vijuar punën e tyre me pasion dhe dashuri për artin

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency