Të rinjtë e dehur, salto me makinë, 2 vdesin, 1 plagoset

0
186

Elton Qyno

large_skene-krimi1369678285

Djali i një tregtari makinash në Xhafzotaj shpëton nga aksidenti fatal në Katër Rrugët e Shijakut

 

 

Një aksident tragjik, i ndodhur në vendin e quajtur Katër Rrugët e Shijakut, u ka marrë jetën dy adoleshentëve, ndërkohë që një i tretë është plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Ngjarja është regjistruar në orët e mesditës së djeshme, kur automjeti tip “Mercedes-Benz”, me targa të Durrësit, në pronësi të një biznesmeni, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një bordurë buzë saj, duke sjellë edhe copëtimin në disa pjesë të makinës. Si pasojë e kësaj përplasjeje të fortë, mjeti është ndarë në dy pjesë, ndërkohë që kanë gjetur vdekjen e menjëhershme dy pasagjerët që ndodheshin në makinë, Fatjon Qyrbja dhe Luxherd Hoxha, përkatësisht 22 dhe 18 vjeç secili. I vetmi që ka mundur të shpëtojë ka qenë drejtuesi i automjetit shtetasi 18-vjeçar Xhuljano Qyrbja, 18 vjeç, i cili është djali i një biznesmeni në Xhafzotaj, që merret me tregtimin e automjeteve në Xhafzotaj. Sipas policisë së Durrësit, gjatë aksidentit të tre të rinjtë kanë qenë të dehur, gjë e cila ka bërë që drejtuesi i mjetit të humbë kontrollin dhe më pas të përplasen me shumë forcë pranë një bordure buzë rrugës, e cila ka sjellë edhe ndarjen në dysh të makinës në fjalë. Dy personat e mësipërm kanë mbetur të vdekur në vend, ndërkohë që Xhuljano Qyrbja është transportuar me shpejtësi në spitalin e Durrësit, ku edhe ndodhet nën trajtimin e mjekëve të këtij spitali.

Makina bëri salto

Shpejtësia e madhe me të cilën ka qenë automjeti me targë DR 6165 D, ka sjellë një përplasje të fuqishme. Si pasojë e kësaj, mjeti ka fluturuar në ajër, duke kryer disa salto. Pas këtyre veprimeve, dëshmitarët kanë parë se dy personat që nuk kanë mundur të jetojnë janë nxjerrë me forcë nga xhamat e Benzit, duke rënë rreth 100 metra larg njëri-tjetrit. Fatjon Qyrbja dhe Luxherd Hoxha janë përplasur me forcë në asfaltin e rrugës, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë, ajo që ka habitur dëshmitarët në vendngjarje ka qenë ndarja e saj në dy pjesë, duke bërë që mjeti të copëtohej plotësisht. Të parët që kanë vrapuar për t’u dhënë ndihmën e parë kanë qenë disa punonjës të një karburanti, ndërkohë që me shumë shpejtësi kanë shkuar edhe efektivat e policisë së Shijakut, të cilët, pasi kanë parë gjendjen shëndetësore të tre personave, kanë vendosur të transportojnë menjëherë në Spitalin Ushtarak vetëm njërin prej tyre, pasi dy të tjerët kishin gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkaq, dëshmitarët kanë njoftuar edhe spitalin, ku në vendngjarje kanë mbërritur plot tri ambulanca të spitalit.

Shoferi i dehur

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, por edhe dy pasagjerët kanë qenë në gjendje të dehur. Si rezultat i konsumimit të tepërt të alkoolit, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e makinës dhe më pas është përplasur me shumë shpejtësi në një bordurë dhe prej andej mjeti ka fluturuar në ajër. Policia e Aksidenteve Rrugore ka shkuar me shpejtësi për të mësuar rreth shkaqeve të këtij aksidenti me pasojë dy të vdekur dhe një të plagosur. Për shkak se e gjithë rruga ka qenë e mbuluar me pjesën e makinës dhe dy trupat e pajetë të rinjve, policisë i është dashur të bllokojë tërësisht qarkullimin në këtë zonë, duke bërë më pas matjet e nevojshme në pjesën e ndodhjes së aksidentit. Lidhur me këtë ngjarje janë marrë në pyetje dhjetëra persona, ndërkohë që në pyetje është marrë edhe drejtuesi i automjetit, i cili ka treguar se nuk ishte në gjendje të kujtonte asnjë gjë nga ajo që kishte ndodhur. Sipas policisë, drejtuesi i mjetit ka vetëm dëmtime në këmbë, ndërkohë që dy viktimat kanë marrë plagë të rënda në pjesën e kokës dhe në mushkëri. Këto plagë janë bërë shkak për vdekjen e menjëhershme të tyre. Shumë shpejt e gjithë zona e aksidentit është rrethuar nga banorë të zonës, të cilët nga kurioziteti kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje për të parë se çfarë kishte ndodhur.

 

Të afërmit

Në vendngjarje kanë mbërritur me shpejtësi dhe familjarët e viktimave, të cilët, pasi kanë mësuar lajmin e rëndë nuk kanë qenë në gjendje të qëndrojnë në këmbë, por janë shtrirë në rrugë. Efektivë policie dhe persona të tjerë janë përpjekur t’i ndihmojnë duke i qetësuar dhe larguar nga vendi i aksidentit, që ngjasonte me një zonë lufte.

 

Krimi, pas një sherri mes Ledion Isallarin dhe shtetasit R. D.

Tritoli në Pogradec, policia identifikon

autorin, shpallet në kërkim 39-vjeçari

 

Një sherr mes të fortësh ka qenë motivi i vendosjes së sasisë së eksplozivit një ditë më parë në Pogradec. Policia e qarkut bën të ditur se objektivi i tritolit ka qenë banor i pallatit, Ledion Isallari, 41 vjeç. “Si autor i dyshuar i kësaj ngjarje rezulton shtetasi R. D., 39-vjet, banues në lagjen nr. 1, veprim i kryer pas një konflikti të hershëm për motive të dobëta, midis të dëmtuarit dhe të dyshuarit. Po punohet për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, – thuhet në njoftimin e policisë së qarkut. Mëngjesin e të dielës, rreth orës 02:30, një sasi e vogël eksplozivi shpërtheu në shesh pushimin e katit të tretë të një pallati në Pogradec. Fatmirësisht nuk pati dëme në njerëz, ndërsa është dëmtuar vetëm dera hyrëse e apartamentit të Isallarit. Mbi 39-vjeçarin rëndon akuza e shkatërrimit të pronës me eksploziv. Policia e Pogradecit e ndihmuar edhe nga ajo e Korçës, ka bërë pyetjen e disa personave të cilët kanë parë një shtetas që ka lëvizur në orët e mesnatës pranë pallatit ku dhe ndodhi krimi i rëndë. Nisur nga këto të dhëna operative, është marrë sërish në pyetje shtetasi Ledion Isallari, i cili ka treguar se me këtë shtetas ka pasur një konflikt për motive të dobëta dhe për pasojë, mund të ketë qenë dhe ai personi që i ka vënë tritolin. Shënjestra e këtij sulmi njihet nga policia si person me precedentë penale për shkak se ka qenë i dënuar në Greqi për trafik droge, por edhe në Shqipëri për akuzën e Vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë. Të gjitha këto raste kanë qenë nën lupën e ekspertëve të Korçës, por që më vonë rezultoi se vendosja e tritolit është vënë nga shtetasi me inicialet R. D., që tashmë është shpallur në kërkim.

 

Grabitjet

Vidhen magazinat në Tiranë dhe në Gramsh

Policia e Elbasanit ka bërë arrestimin e tre personave, të akuzuar për grabitje. Mësohet se në Poliçan janë ndaluar shtetasit Qenam Maksutaj, 54 vjeç, dhe Luan Hajdëraj, 55 vjeç, pasi kanë grabitur rezervat e shtetit në fshatin Tozhan në Komunën e Tërpanit. Arrestimi i tyre u bë në flagrancë, teksa po transportonin produktet me makinë. Po dje u kap një 21-vjeçar në fshatin Guras të Elbasanit, sepse ka vjedhur rreth 80 metër kabllo duke e shitur atë për skrap. Materiali është vjedhur në pronën private të një personi dhe vlera e tij kap shifrën e rreth 15 mijë lekëve të reja. Sipas policisë, ai është Kastriot Azizolli, i cili dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor me dy personat e mësipërm. Ndërkohë, gjatë pasdites së djeshme policia ka marrë informacione se është vjedhur një nga magazinat e ish-Doganës në Tiranë, ku dyshohet se mund të jetë kryer nga punonjës policie. Mësohet se grabitësit kanë marrë një sasi të konsiderueshme paketa cigare, të sekuestruara nga policia. Aktualisht, janë duke vijuar hetimet dhe po merren në pyetje të gjithë punonjësit e doganës.

 

Ngjarja në Berat

Alarm për bombë në një filial banke

Një alarm për bombë është dhënë në Berat, ku një telefonatë anonime në polici ka thënë se brenda filialit të “Bankës Popullore” të këtij qyteti ishte vendosur një mjet shpërthyes. Kjo ka vënë në lëvizje policinë e këtij qyteti, e cila fillimisht ka bërë evakuimin e punonjësve të bankës dhe më pas ka bllokuar të gjithë rrugët pranë saj. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se alarmi ishte i rremë. Para se të konfirmohej një gjë e tillë mësohet se janë angazhuar një numër i madh forcash policore, pasi banka ndodhet në shëtitoren e qytetit dhe në katin e parë të një hoteli. Për disa orë janë kryer kontrolle të imtësishme në të gjithë ambientet e bankës, ndërsa janë duke vijuar hetimet për të zbuluar personin që ka telefonuar. Burime policore bëjnë me dije se lajmi ka qenë fals, por pritet versioni zyrtar për identifikimin e personit që ka telefonuar në sallën operative.

 

Aksidenti

Lezhë, vdes 52-vjeçarja në aksident

Një 52-vjeçare ka humbur jetën në një aksident me makinë në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. Sipas policisë, Drane Ndreka nga fshati Zojz i Komunës Dajç, Lezhë, ka humbur jetën në vendin e quajtur Kryqëzimi i Gjadrit, ku dy mjete u përplasen me njëra-tjetrën. Policia shton se makinat e aksidentuara janë një “BMW” me targa AA 743 BB dhe një “Peugeot”. Në mjetin e fundit udhëtonte edhe gruaja si pasagjere, kurse burri i saj Gjergj Ndreka, 56 vjeç, ishte shoferi. Sipas informacioneve të para nga vendi i ngjarjes policia thotë se mjeti tip “Peugeot” ishte duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën kur është goditur në mënyrë fatale nga automjeti tjetër. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti. Ndërkohë që në pyetje janë marrë disa persona që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes dhe i kanë dhënë ndihmën e parë personave të përfshirë në aksident.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency