Prezantohen kandidatët në Shkodër Kryemiistri: Marrim 8 mandate, PS përballet me Vaterlonë e 23 qershorit

0
107

Ina Jano

berisha-ne-fier

Shqiptarët i besojnë shpirtit tonë perëndimor, i besojnë përpjekjes sonë për një jetë më të mirë, i besojmë dinjitetit tonë si njerëz të lirë, i besojnë Shkodrës, i besojnë Shqipërisë

 

Qyteti i Shkodrës ishte ai që pasditen e djeshme priti uraganin blu të fitores. Në qarkun më të madh të veriut, kreu demokrat Sali Berisha prezantoi 11 kandidatët për deputetë, pjesa më e madhe e të cilëve janë prurje të reja. Gjatë fjalës së liderit të selisë blu, ajo që ra në sy ishte siguria që PD ka në këtë qark, se do të marrë 8 mandate, nga 7 që ka aktualisht në grupin e saj parlamentar, duke pasur parasysh edhe përqendrimin e fushatës së Kryeparlamentares Topalli në këtë qark. “Qytetare e qytetarë të Shkodrës jeni të thirrur sot nga ora e historisë. Mandati i 8-të duhet të jetë vepra juaj. Shqipëria, Shkodra, Europa pret nga ju, gratë e burrat e Shkodrës, vajzat e djemtë e saj kudo ku jeni, 8 mandate për të ardhmen tuaj, për të ardhmen e Shqipërisë”, – nënvizoi Kryeministri. Nga të gjitha prezantimet e deritanishme, dallohet qartësisht se demokratët pretendojnë të ruajnë numrat aktualë, përveç Shkodrës dhe Lezhës, qarqe këto për të cilat ata shpresojnë se do marrin një deputet më shumë. Duke folur për përballjen e 23 qershorit, zoti Berisha duke u nisur edhe nga pjesëmarrja masive e qytetarëve në shesh, e vlerësoi atë si një miting madhështor dhe që për më tepër në beteja elektorale do të jetë si ajo e Vaterlosë, dhe më e mirë se në 1992. “Zoti Rama, ti e sheh Shqipërinë me syzet e zeza të etërve të ty, që kërkon t’i rilindësh, por me Vatërlo i përmbysëm, Vaterlo do të të japim ty, më 23 qershor”, – shtoi lideri demokrat, nën atmosferën blu të Shkodrës.

Kryeministri siguroi se “4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të liberalizuar vizat me SHBA-në. Miqtë e mëdhenj të Shqipërisë mezi presin që ne të plotësojmë kushtet për të lëvizur me viza të liberalizuara në vendin e madh të lirisë”,- tha ai.  Ky i fundit premtoi se “4 vitet që vijnë në këtë qark do të ndërtohet infrastruktura më moderne”. “Shkodra do të ketë autostradën me 4 korsi që do të lidhet me Tiranën, do të ketë të përfunduar by-passin, zgjerimin e mëtejshëm të rrugës së Murriqanit dhe stadiumin e ri të lojërave me dorë. Ne do të bëjmë rindërtimin e plotë të teatrit, fototekës “Marubi”, muzeut, dhe të gjitha mjediset e Shkodrës do të ngrihen në lartësitë e qytetit mijëravjeçarë”, – tha Berisha. Ndërkohë sipas tij, përballë kësaj alternative të zhvillimit të Shqipërisë qëndron alternativa tjetër që shëtit në rrugët e vendit me “bunkerin” e saj mavi. “Rama këtu nga Shkodra meriton përgjigjen e çdo shqiptari, sepse të krahasosh rilindasit si Sami Frashëri, Pashko Vaso, Filip Shiroka etj, me skuadrën e bllokmenëve të rinj në autobusin mavi do të thotë se ka fyer çdo shqiptarë, ndaj do të marrë ndëshkimin më të rreptë në 23 qershor. Në autobusin me xhama të zinj nuk shëtit vepra e Sami Frashërit, por me ty janë dekretet mizore dhe aktet çnjerëzore që kanë bërë etërit e tu mbi shqiptarët”, – tha kreu i qeverisë. Duke akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama se e shikon Shqipërinë me syzet e zeza të etërve të tij, Berisha tha se “ai u deklaroi shqiptarëve se NATO-ja është natë”.  “Të deklarosh një gjë të tillë, apo të thuash se mësuesit misionarët e dijes janë injorantë dhe nxënësit janë dele që futen në klasë do të thotë se, ose je i sëmurë psiqik, ose je biri i etërve të tu, që urrejnë njerëzit e lirë dhe forcën e lirisë së tyre. Zoti Rama, Shqipërinë, ti e sheh me syzet e zeza të etërve tuaj, që kërkon ti rilindësh, me Vaterlo do të përmbysim. Vaterlo do të japim ty me 23 qershor. Shkodranë, ju jeni thirrur sot nga ora e historisë. 8 mandate duhet të jetë historia juaj.. Shqipëria premtoi nga ju 8 mandate për të ardhmen tuaj dhe të Shqipërisë. Ndaj dhe le të shkojmë ne, drejt 23 qershorit , me vendimin tonë solemn për të bërë fushatën më qytetare, për të fituar votën e të gjithë atyre që u besojnë shpirtit tonë perëndimit”, – tha Berisha.

 

 

Inaugurimet

Berisha: Rama kërkon të rikthejë pinjollët e bllokut

Kreu i qeverisë inauguroi dje  rikonstruksionin e rrugës Vukatanë, Komuna Guri i Zi në Shkodër. Në fjalën e tij, sërish kryeministri ka premtuar asfaltimin e çdo kilometri rrugë në të gjitha zonat e vendit. “Ne do të ndërtojmë në çdo fshat infrastrukturën moderne në mënyrë që banorët e fshatrave të kenë rrugë të njëjta me banorët e qytetit. Jemi të vendosur të bëjmë gjtihçka që fermerët të fitojnë edhe më shumë nga fermat e tyre, ndaj dhe sot vij këtu me zotimin tonë se do të ndërtojmë çdo km rrugë në katër anët e vendit, do ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, ujësjellës, do bëjmë gjithçka që ju të ndiheni qytetarë atje ku jetoni sa i përket infrastrukturës”, – tha Berisha. Ai nuk la pa sulmuar edhe kryesocialistin Rama duke theksuar se ai kërkon të kthejë në pushtet neobllokmenët ndërsa e ka cilësuar alternativën e opozitës si alternativa e shpifjes. “Akuza, shpifje dhe asgjë më shumë nga alternativa tjetër me autobusin shtegtar me xhama të zi, që nuk lejon të shihet asnjë zhvillim, asnjë realitet. Në një përpjekje Don-Kishotiane për të rikthyer neobllokmenët në pushtet, për të rilindur pinjollët e bllokut si pushtetar të Shqipërisë. A e dëgjuat shokun e autobusit se çfarë tha dje.  U bëfsha si rrasa e gurit po nuk i mbajta premtimet dhe i mbeti të kthehet te rrasa e gurit. Por le ta lëmë shokun në autobus dhe ne do të ndërtojmë rrugë, do të ecim drej Europës, drejt zhvillimit .Ai le të qëndrojë në autobusin mavi derisa ti bëhet autobusi mavri”, – u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë, Sali Berisha gjithashtu ka premtuar se me PD do të realizohet projekti i Shqipërisë së zhvilluar, marrja e statusit dhe hapja e negociatave me BE. “Vitet që vijnë janë vitet në të cilat ju do të firmosni projektet për Shqipërinë e zhvilluar, ku firmosni rritjen e mëtejshme të pensioneve e rrogave në fshat, qytet e mbarë Shqipërinë, marrjen e statusit dhe hapjen e negociatave, janë vitet në të cilat ne do të arrijmë nivele shumë më të larta zhvillimi ku do të ndërtojmë një të ardhme që nuk e kemi parë” , – përfundoi Kryeministri.

 

 

Topalli: Seanca e jashtëzakonshme, të enjten në orën 10.00

Një ditë pas bërjes publike të kërkesës së Kryeministrit Berisha, ka ardhur dje edhe përgjigjja zyrtare nga Kuvendi. Kryetarja e Kuvendit zonja Topalli ka pranuar kërkesën e numrit një të qeverisë, për të futur në rend të ditës tre ligjet e integrimit, por edhe atë për amnistinë fiskale, ligj ky i cili ka marrë përgjigje negative nga ana e opozitës. Kjo e fundit në qëndrimin e saj ka argumentuar se nuk mund të ketë lidhje mes tre ligjeve që duhet të miratohen dhe amnistisë fiskale. “Kryetarja e Kuvendit mbledh Parlamentin në Seancë të jashtëzakonshme plenare, ditën e enjte, ora 10:00, bazuar në kërkesën e Kryeministrit të Shqipërisë, i cili ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese, duke i kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të votuar tre ligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë si dhe ligjin për amnistinë fiskale”, – thuhet në njoftimin për shtyp të bërë publik nga ana e zyrës së shtypit të Kuvendit. Ndërsa veç deklaratave dhe insistimit nga ana e PD-së për të miratuar këto ligje, duket se nga opozita është LSI ajo që kërkon më me vendosmëri që ligjet të kalojnë në seancë. Ndërsa PS duket disi më e tërhequr dhe ende nuk është shprehur zyrtarisht, në lidhje me pjesëmarrjen e deputetëve të saj në seancën e së enjtes.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency