ODIHR, McCormack: Do të ishte shumë më mirë pasja e një trupe të plotë të KQZ-së

0
155

connyEkspertja amerikane Conny McCormack: ODIHR nuk do të lejojë asnjë kompromis për zgjedhjet

 

Kryevëzhguesja e misionit të OSBE-ODIHR në Shqipëri Conny McCormack, në komentin e parë të saj mbi ecurinë e procesit parazgjedhor, thotë se edhe pse KQZ funksionon me katër anëtar, do ishte mirë që trupa e këtij komisioni të ishte e plotë. Sipas ekspertes amerikane KQZ po monitorohet në çdo vendim që merr dhe pas dy javësh pritet një raport ku do të përfshihet edhe puna e administratës më të lartë zgjedhore. Gjithashtu, McCormack tha se aspekti ligjor dhe zbatimi i tij është shumë i rëndësishëm në këtë proces dhe për zgjidhjen e ngërçit me KQZ-në po merren individë dhe organizata të tjera, por jo ODIHR. Në intervistën e saj, McCormack shpjegoi se misioni i ekspertëve të ODIHR është vëzhgimi i zgjedhjeve dhe për këtë ajo garantoi transparencë të plotë.

Conny McCormack

“Ne jemi duke mbledhur informacion. Po vëzhgojmë vendimet që merren, se cilat prej tyre janë në përputhje me Kodin dhe cilat duhet të kenë 5 vota pra një shumicë të cilësuar. KQZ-ja do të jetë pjesë e raportit tonë të ndërmjetëm. Ne padyshim do të flasim qartësisht për këtë pasi siç e thashë KQZ-ja është në mendjen e të gjithëve pasi është komponenti kryesor dhe ky aspektet do të vlerësohet. Ne shikojmë të gjitha aspektet. Ne shikojmë të gjithë administrimin e zgjedhjeve që nga numërimi, procesi votimit që është çelësi i të gjithë procesit, përfshi transparencën në të cilën zhvillohet, transmetimi të rezultateve nëse shkon apo në mënyrë të saktë. Padyshim që aspekti ligjor është një aspekt me rëndë i procesit. Këto momente janë shumë njerëz që po përpiqen të gjejnë një zgjidhje të situatës me KQZ-në. Natyrisht do të ishte shumë më mirë pasja e një trupe të plotë të KQZ-së. Po funksionon tani. Për ta vlerësuar punën e KQZ-së duhet të presim edhe gjatë procesit”, – deklaroi McCormack në një intervistë për “TCH”.

Zonja McCormack premtoi se në hartimin e raportit të ODIHR-it nuk do të pranohet asnjë kompromis nga partitë politike dhe misionet e tjera vëzhguese në Shqipëri.

“Ne shpresojmë të prezantojmë një raport unanim gjatë konferencës për shtyp. Do të doja t’ju them ju se ODIHR nuk do të lejojë asnjë kompromis. Nëse do të kemi gjetje të cilat duam t’i themi ju do t’i dëgjoni ato”, – tha McCormack.

 

 

 

Wollfarth: KQZ-ja e plotë duhet të jetë në krye të listës

Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth, deklaroi dje se pasja e një KQZ-je të plotë me 7 anëtarë do të ishte një gjë pozitive për procesin para dhe paszgjedhor.

Pyetjes lidhur me plotësimin e vendeve në KQZ ambasadori i OSBE-së iu përgjigj duke thënë: “E kam përmendur para disa ditësh pasja e një KQZ-je të plotë duhet të jetë në krye të listës së dëshirave. Ajo çka është më e rëndësishme, dëshiroj të them se ndiej një sens gjithmonë e më të madh konstruktiviteti këtu në vend, këtu në Shqipëri, në këto ditë të rëndësishme para zgjedhjeve, në këtë vit të rëndësishëm. Zgjedhjet dhe përgatitja e zgjedhjeve është një proces i rëndësishëm, ku qartas përfshihet KQZ-ja. Por edhe diskutimi nga partitë politike dhe liderët politikë rreth gjërave të tjera të rëndësishme që vijnë pas 23 qershorit është shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm. Hapja e rrugës drejt integrimit të mëtejshëm evropian dhe, kështu, edhe drejt stabilizimit institucional, është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm, prandaj unë uroj të merret sa më shpejt, duke përfshirë këtu edhe parlamentin”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency