Grantet e reja, 8.2 milionë euro për fermerët

0
144

 Ervin Kaduku

Fermeret-brenda-ne-sereKjo skemë synon të mbështesë investime që do të ndërmerren nga prodhues e përpunues të qumështit, mishit, perimeve, frutave si dhe disa fushave të tjera

 

8.27 milionë euro do të jepen si ndihmë për fermerët shqiptarë nga skema e granteve “IPARD-like”. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit së bashku me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ hapin kështu thirrjen e dytë për aplikime për skemën e granteve prej 8,27 milionë eurosh në ndihmë të fermerëve dhe agropërpunuesve. Kjo skemë synon të mbështesë investime që do të ndërmerren nga prodhues e përpunues të qumështit, mishit, perimeve, frutave etj. “IPARD-like” financohet me 6,2 milionë euro nga Bashkimi Evropian dhe me 2,07 milionë euro nga buxheti i shtetit i qeverisë shqiptare. Këto fonde janë mundësuar nga projekti i BE-së IPA 2011 “Mbështetje për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural”.

 

Pamje simbolike

Për Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural pranë kësaj ministrie, Gjokë Vuksani: “Fermerët dhe agropërpunuesit mund të përfitojnë falas shumën dysheme prej 50 për qind të shpenzimeve të pranueshme për investimin pasi ta kenë përfunduar atë… Janë më shumë se 8 milionë euro të dhëna, nga të cilat 75 për qind nga Bashkimi Evropian dhe 25 për qind nga qeveria shqiptare që kanë të bëjnë me subvencionimin e bujqësisë në formën e granteve pa shpërblim deri në 50 për qind të shumës”.

 

Investimi në dy drejtime kryesore

Subvencionimi i fermerëve do të bëhet n dy drejtime kryesore: në investime në ferma, në ndërtimet e brendshme dhe blerjen e mekanikës bujqësore si dhe në investime në agropërpunimin që ka të bëjë me përmirësimet dhe ngritjen e strukturave përpunuese të frutave, perimeve, mishit, qumështit etj.

Me fjalë të tjera, kjo është hapësira e cila ka një procedurë të përcaktuar qartë, sqaron Vuksani. “Kemi filluar pikërisht me Shkodrën sepse mendojmë se është një rajon shumë i rëndësishëm bujqësor për mbarë Shqipërinë. Krahas Shkodrës këto procedura janë të hapura edhe për fermerët e krejt rajonit verior të Shqipërisë si Lezha, Kukësi, Dibra, Puka etj. Prandaj ne jemi optimistë sepse edhe herën e parë kemi pasur aplikime nga i gjithë ky rajon”, – thekson Vuksani. Prandaj ai shkrehet i sigurt se edhe kësaj radhe fermerët e këtyre zonave do të vijojnë të aplikojnë pranë AZHBR-së deri në afatin përfundimtar të përcaktuar që është data 14 qershor 2013.

 

Grantet, 2500 deri në 1 milion euro

Në fazën e parë ka pasur rreth 1 mijë e 500 aplikues në të gjithë Shqipërinë dhe nga rajoni verior mbi 20 vetë që kanë bërë aplikime mjaft të suksesshme për skemat e thjeshta që kanë të bëjnë me investimet në vlerë nga 2 mijë e 500 dhe shkon deri në 1 milion euro, në varësi të projektit që aplikohet.

Po sipas Vuksanit “granti i jepet aplikuesit pas realizimit të projektit”. Në këto procedura janë të angazhuara edhe bankat të cilat janë instrumente ndërmjetësuese midis fermerëve dhe dikasterit përkatës që mund të financojë dhe të japë kredi deri në fazën e implementimit përfundimtar.

Por, një pjesë e fermerëve nuk rrezikojnë për të aplikuar, pasi frenohen nga përmbytjet e ndodhura në këtë zonë. Kësisoj, jo pak fermerë sidomos të zonës fushore të Nënshkodrës do të donin që të aplikonin për këto grante, por nuk janë të sigurt me afrimin e dimrit pasi ashtu si 3-4 vitet e fundit, kjo zonë ka qenë dhe mbetet si një ndër më të dëmtuarat nga përmbytjet. Dhe druajtja e tyre është mjaft e bazuar sepse në rast përsëritjeje të përmbytjeve ashtu si dhe më parë, zakonisht gjatë muajve dhjetor dhe janar, të mbjellat e tyre do të asgjësoheshin dhe grantet e përfituara të niveleve nga më të ndryshmet për investimet e mësipërme do t’i çonin drejt falimentimit të sigurt. Ky fenomen ka marrë përmasa të mëdha duke shkaktuar dëme të pallogaritshme në zonat ku banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre rural një numër i konsiderueshëm fermerësh.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency