Seanca e së enjtes PS: Votojmë vetëm tri ligjet, amnistinë fiskale jo

0
140

Gëzim Saliu

hysiHysi: S’kemi pse ngatërrojmë integrimin me amnistinë fiskale

 

Partia Socialiste do të votojë në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të të enjtes vetëm paketën e tri ligjeve të integrimit, duke kundërshtuar propozimin e mazhorancës për amnistinë fiskale. Deputetja socialiste Vasilika Hysi bëri të ditur dje qëndrimin e opozitës së majtë, ku theksoi rëndësinë e votimit të tri ligjeve dhe nga ana tjetër bëri të ditur se këto ligje nuk kanë pse të ngatërrohen me amnistinë fiskale.  ““Partia Socialiste është e gatshme t’i votojë të tre ligjet vetëm nëse pala tjetër e pranon kompromisin e ofruar nga opozita. I votojmë të tre ligjet, se pala tjetër, është dakord që këto tre ligje të hyjnë në fuqi vetëm pas konstituimit të Parlamentit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Sali Berishës për ta mbajtur çështjen e integrimit evropian larg fushatës elektorale. Të mos e ngatërrojë votimin e tre ligjeve me premtimet e tjera elektorale. Nëse duam integrimin e Shqipërisë në BE, le të votojmë paketën e kompromisit një orë e më parë, pa i ngatërruar tre ligjet me amnistinë fiskale” tha Hysi.

 

Qëndrimi

Qëndrimin e opozitës lidhur me propozimin e kryeministrit Berisha për të votuar së bashku tri ligjet e integrimit dhe paketën e amnistisë fiskale e bëri të ditur pak ditë më parë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. Duke komentuar votimin e tri ligjeve të integrimit, në seancën e ditës së enjtes në Parlament, pasi ka vlerësuar qëndrimin e fundit të kryeministrit të vendit, Meta ka theksuar se votimi i amnistisë fiskale, nuk ka pse të jetë një kusht. “Shpresojmë që të jetë një deklaratë e qëndrueshme që mos ketë modifike, sigurisht që tri ligjet në bazë të kompromisit tonë,që të hynë në fuqi në shtator do të ishin një arritje. Amnistia fiskale nuk ka pse të vendoset si një kusht”, tha Meta për “abcneës”. Ndërkohë që katër ditë më parë, kreu i qeverisë Berisha deklaroi nga qyteti i Kukësit, se në seancën e jashtëzakonshme parlamentare që do të thirret për tri ligjet të votohet edhe për amnistinë fiskale, propozim i mazhorancës që nga viti 2011. “Jam sot këtu nga qyteti i Kukësit, informoj shqiptarët se ditën e hënë( seanca e vendosur për të enjten) do të mblidhet Parlamenti shqiptar për të votuar ligjet. Por, aty ne shkojmë ballëhapur, sepse ne bëmë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat, sepse ne çdo ditë kërkuam votimin e ligjeve, ndërsa ti mjeran vjen në Parlament me çelësin e Goranit në qafë, që s’të hiqet kurrë. Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje të votojnë amnistinë fiskale nga viti 2011 deri më sot për të gjithë shqiptarët. Se ti zotëri kishe amnistuar Koçon, ti që Koços i jepje 80 për qind të tenderave të bashkisë, të gjitha reklamat e kryeqytetit. Ti, që i llogarisje bulevardet për sheshe ndërtimi. Ti refuzove amnistinë fiskale të qeverisë. Ndaj dhe së bashku me tri ligjet të votojmë amnistinë, që nuk votove dhe të regjistrosh me 23 qershor fundin që ti meriton”, bëri thirrje Berisha. Projektligji për amnistinë fiskale i propozuar  nga mazhoranca që në vitin 2011, i cili ka hasur deri më tani kundërshtinë e opozitës, parashikon që të përfitojnë nga ky draft të gjithë qytetarët shqiptarë. Ky projektligji përfshin legalizimin e kapitalit, faljen e pasurive të paluajtshme, të pahipotekuara deri tani, dhe faljen e detyrimeve dhe taksave doganore. Gjithashtu, të gjithë bizneset, të cilët deri më tani nuk janë pajisur me kasa fiskale, sipas ligjit në fuqi dhe janë penalizuar me gjobë, do t’iu falen gjobat sipas këtij ligji.

 

Deputeti i pavarur

Malaj: Të miratohen njëkohësisht tri ligjet dhe plotësimi i KQZ-së

Deputeti që kandidon si i pavarur në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, Arben Malaj ka kërkuar dje konsensusin e kolegëve të tij të majtë dhe të djathtë për të votuar në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të së enjtes jo vetëm tir ligjet e integrimit por edhe plotësimin e KQZ-së. “Dëshiroj të deklaroj që në fillim se miratimi i tre ligjeve për përfitimin e statusit të vendit kandidat duhet të bashkëshoqërohet me zgjidhjen e krizës politike lidhur me KQZ-në. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se, për të mirën e shqiptarëve dhe përshpejtimin e ritmeve të procesit të integrimit të vendit, plotësimi i standardeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë jetike për sfidat me të cilat përballemi”, tha Malaj. Sipas tij Kuvendi duhet që në kohën më të shpejtë të mundshme, të miratojë së bashku rikonfirgurimin e KQZ-së për t’i dhënë siguri dhe besueshmëri organizimit të zgjedhjeve dhe miratimit të tre ligjeve, që plotësojnë një prej kushteve për të përfituar statusin e vendit kandidat të BE-së. “Çdo përpjekje individuale, çdo përpjekje spontane, çdo përpjekje që nuk është arritur nga një konsesus ndërmjet partive parlamentare e pengon plotësimin e dy kushteve kaq të rëndësishme për zgjedhjet dhe sidomos për sfidat tona pas zgjedhjeve. Është koha e mjaftueshme dhe duhet të kemi detyrimin maksimal për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, si edhe për të votuar tre ligjet dhe për të shmangur eksperiencën negative të dështimeve tona të përsëritura, të ushqyer nga ngërçet dhe krizat e përhershme”, deklaroi Malaj.

 

Vizita e zyrtarit të DASH

Moore sot në Tiranë, PS: Jemi të hapur për një zgjidhje për KQZ-në

Vizita e sotme në Tiranë e Drejtorit për Europën Qendrore dhe jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore shihet si një mundësi për të arritur konsensusin mes palëve për çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nënsekretari i Partisë Socialiste Koli Bele, argumentoi dje se roli i KQZ-së është i rëndësishëm në organizimin e zgjedhjeve, por pavarësisht kësaj, një komision me 4 anëtare sipas tij, nuk do ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve. “Partia Socialiste është e hapur për të gjetur një zgjidhje për KQZ, duke thënë edhe një nga variantet e mundshme është riformatimi i KQZ. Partia Socialiste kërkon një konkurrim të drejtë dhe të lirë, por shkarkimi i Ilirjan Muhos, solli një shkelje të ligjit, që nuk mund të kalonte pa pasoja”, tha ai për News 24. Ndërsa lidhur me vendimet e marra së fundmi nga KQZ, Bele tha se,: “Vendimet e mëparshme të KQZ-së me 4 vota , ishin në shkelje të hapur me ligjin. Pasi duheshin 5 vota dhe jo 4 si u interpretuan në KQZ”. Ditën e sotme do të mbërrijë në Tiranë Drejtori për Europën Qendrore dhe jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, ku pritet që çështja e KQZ-së të jetë pjesë edhe e bisedimeve mes tij dhe krerëve të forcave kryesore politike në vend.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency