Kohë e lirë dhe kohë e mohuar

0
194

Besnik Sopoti

 

kohaMendimi i lirë, ai që lind e zhvillohet  brenda nesh lidhet me kohën intime të njeriut -individ, me atë të drejtë pra të ligjëshme e të pamohueshme që duhet të ketë çdo pjestar i një shoqërie vërtetë demokratike që ruan e shpreh haptas  ndjenjat e mendimet e gjithkujt.Njeriu-individ, ndryshe  nga njeriu-masë është ai që mendon dhe krijon në mënyrë të pavarur prej kushteve në të cilat ndodhet e, duke u larguar e shkëputur prej të tjerëve, gjen jo vetëm përmasën e vetvetes por edhe ate të botës në kuptimin e vërtetë të fjalës. Individi ka qenë gjithmonë në kohë, por ai s’ka ekzistuar veç në ato çaste kur jetoi vërtetë kohën e tij, çastin vetiak, të thellë, përmasën e brendshme dhe të patjetërsueshme që e cilësonte dhe e shquante nga të tjerët.Ky tip i heshtur që mediton duket ca i çuditshëm e gati i pakuptueshëm për të tjerët, ata që s’janë në gjendje ta kuptojnë, sepse i vetëm e gjithmonë i mbyllur ndaj mjedisit ku jeton.Përshtypje kjo , jo vetëm e gabuar, por edhe e padrejtë.

”Sa më e madhe të jetë sfera e mosndërhyrjes “ thotë Isaiah Berlin “ aq më e madhe është liria ime”.I lirë pra do të thotë të mos jesh rob i kushteve në të cilat rrethanat të detyruan të bësh pjesë.Kjo optikë kërkon kurajo civile , vendosmëri e qëndrim të prerë në ato sisteme  autoritare ku gjithçka kontrollohet.

Duke u misur nga kjo pikëpamje, themi se çdokush prej nesh, sidomos nga pozita në të cilën ndodhet,e çmon në mënyrën e vet  kohën.Kështu, pikërisht sepse e vlefshme, ajo shihet ndryshe nga ana e pushtetarit e ndryshe nga njeriun-masë, numër mes numrash, i destinuar vetëm të derdhë mund e djersë për atë që dikton ligje e jep urdhëra. I narkotizuar nga një ideologji e rreme, njeriu-masë merr pjesë në paradat euforike dhe duartroket si robot fjalimet e diktatorit që premton një të ardhme të shkëlqyer që s’do të realizohet kurrë. Vetëdije sociale do të thotë përgjegjësi personale e kolektive, por kjo kërkon, dashur padashur, pjesëmarrje dhe angazhim serioz të njeriut-individ në emër të jetës, së dashurisë për njeriun dhe përparimin e vendit.Ai nga një anë e masa –turmë nga ana tjetër.Dhe faktori kohë mes tyre.

Pati periudha që zgjatën edhe shekuj, në të cilat një popull  a një tjetër jetoi duke e kujtuar si gjë të vyer kohën e shkuar kur pat figura të shquara e që shënuan pika kulminante në procesin e gjatë të historisë njerëzore.E kaluara duhet ruajtur e respektuar prej  çdokujt prej nesh, por pa u shtypur nga pesha e saj dhe duke vështruar përherë drejt së ardhmes,sepse vetëm kështu, duke konsideruar kohën mjedisin tonë të veçantë jetësor e bëjmë tonën dhe lëvizim e ecim lirisht në hapësirën që na përket.Ndryshe historia do të na shfaqet si një tragjedi pa autor: koha e jetës njerëzore-individuale dhe koha –historike. Kur ngjarjet  kuptohen vetëm duke i jetuar, lexo pësuar, koha merr masa e përpjestime tepër të gjata për ekzistencën e individit si person që detyrohet të largohet nga skena e jetës pikërisht në çastin  kur e ndjen veten më tepër se kurrë të përgatitur e të gatshëm për të vepruar.Mjer kush jeton një kohë që s’është e tija, kohë ku tirani pretendon të bëhet idhull e të jetë i adhuruar nga të gjithë duke imponuar devotshmëri absolute pikërisht prej  atij populli që e shtyp dhe e shfrytëzon pa mëshirë.Sadizëm e kaluar sadizmit.

Nuk ekziston asnjë personazh negativ historik që s’e ka ndjer për detyrë të mbajë një maskë mbi tiparet e veta..Pas saj ai fsheh jo vetëm fytyrën, por edhe ndjenjat e tija të vërteta. Sa më e natyrëshme  e bindëse të duket shprehja e paraqitjes së saj, aq më i madh është numri i viktimave që shkakton.Shpesh historia tragjike e njerëzimit u  zhvillua prej personazheve që vunë maska mbi tiparet e tyre të vërteta,dhe këte gjë e pranuan si diçka normale,duke e konsideruar si një natyrë të dytë të tyre sepse vetëm kështu  qenë të lirë e krejt të çpenguar në veprimet që bënë. Jeta për ta qe një skenë teatri, ashtu si dikur, këtu e mijra vjet më parë bëmat historike e legjendare vallzoheshin e recitoheshin në skena të hapura përpara një publiku që ndiqte me interesim ngjarjet e jetën e personazheve realë e të trilluar nga forca krijuese e poetëve që hodhën bazat e letërsisë europiane e asaj botërore.Historia qe shfaqje tragjike që luhej edhe në ato kohë të mjegullta me maska dhe si krimi ashtu edhe flijimet kryheshin jo vetëm me fuqinë e armës po edhe me ndihmën e maskës që fshihte e mbulonte gjithçka që merrte formë e jetë.Flijimi kryhet në kohë dhe çdo kohë pati flijimet e veta, shpesh për pushtet e për etje të shfrenuar sundimi.

Njeriu  i veshur me pushtet dhe  që arrin të bëhet ,me dredhitë e poshtërsitë e veta zot e satrap i vendit të tij, kur vjen momenti të zhdukë kundërshtarët  për rivalitet në udhëheqje, është plotësisht i justifikuar të kryej edhe aktin më të urryer të vrasjes po ta paraqesë për arsye Shtetërore, për një luftë të çfardoshme a në emër të revolucionit .Kështu, jo vetëm shfajsohet për gjestin, po arrin edhe të mburret në saje të maskës  që mban dhe paraqitet edhe më i fuqishëm për çka bën përpara kastës që udhëheq , duke u shpallur madje gjer hero edhe shpëtimtar i situatës.Kjo ndodhi me bolshevizmin rus  kur tirani zhduku tërë opzitarët dhe përfaqësuesit e vërtetë të artit,të shkencës e të filozofisë,me fashizmin italian  që nxorri jasht ligjit të gjitha partitë dhe me nacionalsocializmin gjerman që zbatoi parimin e vdekjes dhe jo atë të jetës, nekrofilinë e jo biofilinë.  Pra vrasjet në sistemet totalitare bëhen rituale: një herë ndaj kundërshtarëve, armiqëve realë e të trilluar sa herë ta lypë nevoja , popullsive të huaja, popullit të tyre, grave, fëmijëve e në fund  gjer edhe vetes së tyre.Makabriteti bëhet sinonim i pushtetit në sistemet ku Njëshi vepron në” emër të popullit”.

E tillë qe gjëma që jetuam për gjysmë shekulli edhe  ne shqiptarët,ku pamë viktima e të pafajshëm të çdo lloji që u përndoqën të gjallë e të vdekur për t’i lënë vend  absolutizmit më të egër që pa ky truall.Janë vet statistkat që e dëshmojnë këtë mënxyrë.Kështu, në 46 vjet sundimi, regjimi i kuq ekzekutoi 5O37 burra dhe 45O gra; I6.788 burra e 7367 gra u dënuan me nga 3 deri 35 vjet burgim; 7O mijë vetë u internuan; 354 shtetas të huaj u pushkatuan, ndër ta 95 shqiptarë të Kosovës. Në vend u ngritën 4O burgje e 75O mijë bunkerë  dhe u shembën  2O35 objekte kulti.Edhe kisha e Vaut të Dejës, e ndërtuar  mbi 95O vjet më parë, ku pat vënë kurorën Gjergj Kastrioti me Donikën, u hodh në erë me dinamit me urdhër të MehmetShehut. Nuk u muar parasysh as fakti se qe shpallur monument kulture.Televizioni shtetëror dha pamjet makabre të hapjes së varreve ku preheshin  prej shekujsh eshtrat e njerëzve të shenjtë bektashi e u hodhën në lumë. Më 1976 ateizmi u sanksionua edhe në kushtetutë. Shqipëria e vitit I938 ishte 2,7 herë më e varfër se  Greqia, kurse më I990 ishte I2,3 herë më e varfër se ajo.Krejt në kundërshtim me propagandën zyrtare që fliste për “arritje”të papara ndonjëherë, vendi ynë atë vit qe më i varfëri i kontinentit europian.Kjo një nga arsyet e atij eksodi masiv , pa përmendur këtu mungesën e të gjitha të drejtave njerëzore që çuditi botën mbarë.

Ky qe rezultati i “shkëlqyer” i udhëheqjes së ndritur të Hoxhës dhe xhelatëve të popullit tonë që patën  shpallur I4 ditë zije me rastin e vdekjes së diktatorit Stalin duke u betuar  botërisht se do të ndiqnin gjer në fund rrugën e tij.U  kërkua shuarja totale e dijes, u asgjësuan pishtarët e  vërtetë të shqiptarizmit, të artit, të shkencës, të fesë dhe të kulturës sonë kombëtare për t’i hap rrugë pansllavizmit e veglave të tyre. Përgjegjësi për këtë krim përbindëshor ka i tërë sistemi, duke u nisur nga aparati drejtues e gjer tek propagandistët e pafytyrë dhe bejtexhinjt që i kënduan lavde kryqëzatës së egër kundër kombit më të lashtë të gadishullit ballkanik.Shtypësi që fshihet pas emrit të lirisë është më i keqi i gjithë shtypësve.

Por maskën s’e përdor vetëm tirani, atë e ve me shumë sukses edhe një perandori e tërë, siç qe ajo e Qendrës së “demokracive” të Lindjes europiane që mbulonte diktaturën dhe krimet e saja ndaj armatës së disidentëve që s’kërkuan tjetër veç një socializëm me tipare njerëzore.Po atë maskë përdori edhe Ushtria e Paktit të Varshavës në ndërhyrjen që bëri me tanket në Budapest dhe në Pragë në emër të paqës, të lirisë dhe të vëllazërimit të popujve.Vriteshin në mënyrën më brutale ëndrrat e popujve të qytetëruar për t’i lënë vend terrorit, dhunës e vdekjes.U vetdogj i riu Jan Palak në shenjë proteste mes sheshit Shën Vençeslav e kjo ndodhte jo në shekujt e obskurantizmit mesjetar por në natën e errët të komunizmit botëror.

Sot historia, ajo e vërteta, duhet të  pushojë së qeni paraqitje, shfaqje teatrale e luajtur nga maskat, në mënyrë që figurat e gjalla të marrin më në fund trajtat e tyre reale duke hyrë kështu dalëngadalë e me kujdes në fazën e thjeshtë njerëzore,  në ate pa idhuj e pa viktima.Gjëja e parë që duhet  bërë është ajo e dallimit mes viktimës dhe xhelatit, përndryshe  shoqëria , ciladoqoftë ajo, prek fundin e degradimit të saj.Nuk shkohet përpara duke patur një njohje të sipërfaqëshme, të ngrirë e të njëanëshme të historisë e duke vënë në jetë të njejtat metoda që përdori për gjysmë shekulli diktatura e kuqe.Dhe aq më tepër nuk kanë të drejtë civile të flasin për barazi ata që deri dje mbështetën një Ideologji që s’pati asgjë njerëzore.

Nuk jemi më në ato kohra kur shpalleshin “armiq” personalitete të shquara si Gyorgy Lukàcs që me studimet e tija të thella vuri në dukje  e nxiste nevojën për një rilindje filozofike e të një letërsie tjetër për vendet europiane të Lindjes që të ndryshonte nga optika e Bashkimit Sovjetik, që jepte  vepra me një shkëlqim të rremë ku ndjenjat e vërteta shtypeshin nga dhuna.Kërkoi t’i çirrte maskën atij sistemi ku terrori zgjatej me vite e bëhej një aparat i qëndrueshëm  duke u shndërruar në institucion vdekjeje me plot kuptimin e fjalës.Ku fshatarët shndërroheshin në punëtorë krahu për kolkozet dhe vdisnin  me miliona nga varfëria e uria dhe letërsia s’bënte veç propagandë që ta kthente individin në skllav të bindur = “njeri të ri”.

Ditën kur gjithë popujt e botës do të arrijnë të rrojnë si qenje  plotësisht njerëzore , në një  sistem e shoqëri  vërtetë të lirë e të përshtatshme, vetëm atëherë mund të themi  se njeriu do të gjejë më në fund banesën e tij, “vendin e vet natyror “në botë.Por që ky çast të vijë,duhet një herë masa të njohë mirë vetveten, ta zbulojë horizontin e vet dhe ta përshkojë atë fund e krye duke ndjer mirë faktin që e sotmja është pika e takimit mes së kaluarës dhe së ardhmes.Pa një pararendje s’ka  dhe s’mund  të ketë të ardhme, nuk hapet asnjë shteg real për ata që vijnë pas. Jeta ec përpara kur njeriu rron e punon në kohën që ai vet ndërton duke u ushqyer me të vërtetat dhe jo me parullat e propagandave ideologjike që përhap Qendra, qëllimi i sëcilës është mbajtja me çdo kusht e pushtetit.

Demokraci nuk është  vetëm qeveri e popullit,për popullin e në duart e popullit ,por një sistem i tillë ku kërkohet me forcë që individi të jetë person me plot kuptimin e fjalës.Të ruaj pra dinjitetin dhe të ketë personalitetin e vet që e shquan nga të tjerët.Jo një ideal që të mbetet ëndërr a utopi, por një fakt real i jetës sonë të përditëshme.Kurse ideologji do të thotë lajkatim që i bëhet masës – turmë nga ana e atij që ka pushtetin dhe e përdor kundër interesave të popullit e të kombit. Demagogu e degradon popullin duke e ulur në nivelin e turmës, e kthen pra në material të papërpunuar: jo realitet –popull që do të ishte një vërtetësi njerëzore, mundësi jetese për gjithkend, botë ndjenjash e projekte që bëhen realitet, po vegël e verbër në shërbim të pushtetarit, qenje anonime pa asnjë përgjegjësi a vetëdije,sepse vetëm në këtë mënyrë pushteti merr formë e dukje përjetësie dhe diktatori krijon kultin e tij të individit.Kështu gjuha tjetërsohet gjer në atë pikë sa koha shndërron vetveten e bëhet send mes sendesh , reduktohet në një “jo” a një “po”që shprehet sipas urdhërave e diktateve që vijnë nga lart, duke mos i lënë vend asnjë far dialogu kostruktiv personit.Kështu kalojnë dekadat dhe koha e brendshme mbetet intime, sa e thellë po aq e vërtetë, prandaj e fshehur, pa të drejtë qytetarie.Pse lind vallë kjo gjendje? Nga shtangësia e dogmatizmit që i imponohet si mënyrë të menduari një populli të tërë, duke ia bërë jetën zbor ushtarak, formë politike dhe aksion pafund, që t’i shuaj edhe mundësinë më të vogël që të merret me vetveten, të rritet dhe të piqet. Duke ia mohuar kohën, nuk i krijon kushtet që të marrë pjesë në zhvillim e t’i përcaktojë vetes një objektiv.

E verteta absolute dhe dogma nuk kanë vlerë në një shoqëri demokratike, ato zenë vend  e lëshojnë rrënjë  vetëm në shoqëritë autokratike. Kurse ajo që është e vërtetë universale ka përpara vetes një të ardhme pafund, sepse çdo tezë a pozitë që paraqitet e drejtë edhe në horizontin më të largët, ajo e ndjen për detyrë ta përfshijë në gjirin e saj dhe ta bëjë pjesë të pandarë të vetes.Ky objektiv  merr formë sepse ajo e vërtetë është aq e fuqishme dhe bujare sa i kalon edhe caqet e vetes e bashkohet në mënyrë të natyrëshme me gjithçka  pozitive që jep koha.Kështu rritet, gjallërohet e zmadhon përditë e më tepër botën e vet të dijes, bëhet frymëmarrje e krijon përmasa gjithmonë e më të reja.Ky fenomen nuk mund të gjejë vend në sistemet ku sundon dogma e Njëshit, ku e vetmja mënyrë qeverisjeje është diktati, imponimi me dhunë e nënshtrimi pa kushte i gjithçkaje që është krijuese, e gjallë e dritëdhënëse.

Populli përbëhet nga shumica = sasi dhe pakica = cilësi. Demokraci do të thotë shoqëri e humanizuar,  ajo pra në të cilën  jo vetëm mund por edhe duhet të ketë si qëllim  të parë personin.Sa herë  populli ndodhet a lihet i vetëm,  pa një drejtim  të vërtetë shpirtëror që e udhëheq, aq herë ai rrezikon të bëhet turmë.Në sistemet totalitare ajo që luftohet pandërprerje  është mendimi i pakicës intelektuale, të ngritur e me nivel sepse  vetëm ajo paraqet ide për ndryshueshmëri të pavarura, nuk ka si qëllim shndërrimin e popullit në masë amorfe, por i njeh atij forcën vepruese e  kërkon ta bëjë të vetëdijshëm në trasformimin e shoqërisë e të botës.Përpiqet t’i hapë sytë e ta bëjë pjesë aktive në jetën politike të vendit duke u projektuar në të ardhmen.  Siç ndodh me njeriun që ,duke gabuar nxjerr mësim, po ashtu edhe populli ka nevojë për kohë e përvojë. Problemi qëndron në faktin se pakica,pikërisht sepse e ngritur, nuk i jepet as rasti dhe as mundësia  për të vepruar lirisht.Luftohet sepse paraqet vetëdije dhe bart të ardhmen, dritën, përparimin, prandaj  bëhet çmos  që të lihet forcë e izoluar,pa asnjë mbështetje, e braktisur  e gjithmonë e përndjekur nga forcat e errta.

Emblematik është rasti i Miguel de Unamunos që, pasi mbajti një fjalim të shkurtër në universitet  mbi rolin e kulturës në shoqërinë moderne , që u prit me duartrokitje prej të pranishmëve, falangistët iu përgjigjën me thirrjet : “Poshtë kultura “ dhe  “Rroftë vdekja”, shkrimtari i madh iu drejtua me fjalët e famshme : “ Ky është tempulli i dijes “ tha “ dhe unë jam përfaqësuesi i lart i saj. Jeni ju që po e dhunoni këtë vend të shenjtë. Ju do të fitoni sepse keni forca shtazore edhe më shumë nga ç’ duhet. Por nuk do të arrini të  bindni njeri, sepse që t’u mbushni mendjen njerëzve  duhet më parë të arsyetoni me ta. Po që ta bëni këtë keni nevojë për diçka që ju mungon, arsyen dhe të drejtën e luftës që kryeni.Që ju të mendoni për Spanjën, më duket  e tepërt. Mbarova.” I vunë prangat dhe vdiq në burg.

Ja pse shqiptari i vërtetë i fshehu brenda vetes vlerat e traditat e të parëve e s’i la të humbnin në harresën e viteve, as nën pushtimin fashist e as nën atë komunist, vite që demokracinë e mohuan plotësisht si vlerë humane dhe e paraqitën vetëm si fjalë boshe në panairet  e cirqet ku shfaqën numra  me kafshë të çdo lloji për të dëfryer si kastat e ndryshme drejtuese po ashtu edhe masat e gjëra të popullit.Gjëja më e lehtë për demagogët  profesionistë  të çdo ngjyre politike qofshin është ajo që të ndërtojnë ferre të vërteta e të shpikin parajsa të rreme për popullin e paditur.

Demokracia është regjimi i uniteteve të larmive dhe njohja e të gjitha ndryshimeve të mundshme, kurse absolutizëm  do të thotë sistem që ka parasysh vetëm një situatë të përcaktuar dhe s’lejon ekzistencën e asgjëje tjetër.Demokracia  është e fortë për aq sa njerëzit e duan dhe e mbështesin.Politika e arësyeshme  është ajo që bën zgjedhjen më të drejtë e më të mirë për popullin.  Shoqëria në fakt është një tërësi gjendjesh të larmishme që rriten e zhvillohen në kohë e në hapësirë e, po të mos kihet parasysh qoftë edhe  vetëm njera nga ato situata domethënëse, e tërë  shoqëria  destinohet të shkojë drejt katastrofës a paralizës totale. Por edhe situatat, duke qenë të gjalla, ndryshojnë sipas kohës e rrethanave.Si në jetën e njeriut , edhe në ate të shoqërisë ka simptoma që dëshmojnë se gjendjet ndryshojnë e marrin trajta të reja. Janë shenja evolucioni: nuk mund të ketë inerci aty ku ka rritje, zhvillim dhe pjekuri mendore e fizike. Përshtatja ndaj ndryshimeve do të thotë t’i përgjigjesh etikës personale në histori.Duhen pasur gjithmonë parysh situatat, dhe nga një herë duhet të dijmë edhe si të korrigjohemi.Vetëm personi është në gjendje të korrigjojë vetveten.Diktatori dhe tirani kurrën e kurrës.Ata rrojnë  vetëm në përmasën e vetvetes.

Ajo që u jep liri njerëzve ka qenë dhe mbetet gjithmonë e vërteta.”Totalitarizmi” thotë disidenti i njohur  Vàclav Havel “ nuk mposhtet me dhunë por me forcën e ideve.” Sa herë marrim pjesë në ngjarjet e jetës dhe realizojmë gjëra reale mësojmë ç’është ndjenja e përgjegjësisë.Regjimi demokratik nuk duhet konceptuar si një lloj strukture fikse, jo send mes sendesh.Demokracia e vërtetë është fluide dhe jo kaos, si kërkojnë ta paraqesin armiqt e saj.Problemi shtrohet a jemi të përgatitur për një demokraci të drejtë e të vërtetë?Ka njerëz që duan demokracinë po tërhiqen prej atyre figurave që flasin si diktatorë.Barazi nuk do të thotë uniformitet, por jetë e harmoni në larmi,pra zhvillim e lëvizje e pandërprerë.Një sinergji në kuptimin e vërtetë të fjalës.Mendja e shumë njerëzve vazhdon të jetë akoma statike dhe ta konceptojë realitetin si një tërësi sendesh të ngrira dhe jetën  vetëm si një bashkim ngjarjesh, duke mohuar  faktin që ato nuk janë tjetër veç disa “çaste” të një procesi  të gjatë e të pafund zhvillimi.Duhet të çlirohemi një herë e mirë nga materialzmi.

Absolutizmi  i trembet pluralizmit, realitetit njerëzor, larmisë dhe ndryshimit.Kurse jeta është një sinfoni  e mrekullueshme që sa herë e dëgjojmë aq herë e rikrijojmë brenda nesh.Duhet ta përfshijmë në tërësinë e saj për ta ndjer siç duhet e plotësisht madhështinë që  na trasmeton.Rendi i një shoqërie demokratike ka të bëjë më shumë me harmoninë muzikore se me ngurtësinë arkitetktonike.Kjo sepse është e gjallë, lëviz,merr formë të re dhe trasmeton botën e ndjenjave  dhe të stinave tona.Nuk shpall dënime me vdekje për kundërshtarët e vet, po bën ç’është e mundur t’i bindë e t’i bëjë për vete, krijon hapësira gjithmonë të lira e u garanton të gjithë atyre që meritojnë të drejtë qytetarie. Nuk njeh racizëm e as ksenofobi. Eshtë e hapur dhe pranon gjithkend.Kërkon t’i zbulojë dhe arrin t’i korrigjojë edhe të metat që ka.Qëllimi i demokracisë është dhe mbetet njeriu, jo pushteti.

Ankthi që ka diktatori për sundim është aq i madh sa arrin ta konceptojë gjithësinë statike, të palëvizëshme e të pandryshueshme si në kohë ashtu edhe në hapësirë,ku ai dhe vetëm ai lëviz e sundon gjithçka.Ndjehet i plotpushtetshëm dhe kërkon të ndalë gjer edhe rrjedhën e ngjarjeve.Bëhet  jo vetëm zot i kohës së lirë, por shpall edhe kohën e mohuar të njerëzve që i konsideron veç skllevër  të bindur të tij.

Maj 2013

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency