Rrezikoheni nga diabeti, si ta parandaloni

0

diabetiPor diabeti ka edhe kosto ekonomike, sepse diabetiku kërkon medikamente, trajtime, ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme. Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me 2-2,5 herë

 

 

Risku, si llogaritet:

 

Çdo njeri mund të provojë vetë të llogarisë rrezikun nëse mund të ketë diabet, në mënyrë shumë të thjeshtë. Janë tetë pyetje të cilave u duhet dhënë përgjigje sa më e drejtë, nëse jeni të interesuar të dini gjendjen tuaj të vërtetë

 

 

Diabeti është një sëmundje me zhvillim të ngadaltë dhe shpesh “të heshtur”, kështu thelbësore është sensibilizimi, informimi i komunitetit për njohjen e diabetit. Ndaj, edhe këtë vit tema e ditës botërore është informimi dhe sensibilizimi, në mënyrë që njerëzit të dinë sa më shumë se çfarë është diabeti, shenjat e tij, si diagnostikohet a mund të parandalohet, kush rrezikon etj. Diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak, për arsye se organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulinë ose prodhimi është i pamjaftueshëm apo pamundësisë e veprimit të insulinës në qelizat e organizmit. Sheqeri, që është burim energjie, për t’u përdorur ka nevojë për insulinë. Nëse insulina nuk prodhohet ose nuk funksionon mirë, sheqeri nuk thithet dhe rritet niveli i tij në gjak. Diabeti i sheqerit është në fakt një sëmundje e vetme dhe karakterizohet nga çrregullimi i prodhimit të insulinës.

Mjekimi

Diabeti është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt, ka kosto të lartë shëndetësore, pasi diabeti është një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare, jep verbim, sëmundje të veshkave, infeksione urinare, amputime të këmbëve etj. Por diabeti ka edhe kosto ekonomike, sepse diabetiku kërkon medikamente, trajtime, ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme. Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me 2-2,5 herë.

Tipat

Format e diabetit janë diabeti tip 1, që haset në rreth 10-15 për qind të të sëmurëve me diabet. Edhe në vendin tonë diabeti tip1 haset deri në10% të rasteve me diabet. Ai shkaktohet nga mungesa totale e prodhimit të insulinës. Pacientët me diabet tip 1 nuk mund të jetojnë pa insulinë, ndaj ky tip diabeti është quajtur insulinovartës. Diabeti tip1 takohet kryesisht tek fëmijët dhe moshat e reja. Ky tip diabeti zhvillohet në përgjithësi papritur, shpejt, zakonisht mbas ndonjë gjendje virale, zbulohet me lehtësi, sepse shoqërohet me shenjat klinike karakteristike, që e shqetësojnë të sëmurin dhe e çojnë te mjeku apo e detyrojnë të bëjë analizat.

Diabeti tip 2

Diabeti tip 2 është shumë më i shpeshtë. Ai haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet. Në këtë tip diabeti kemi prodhim jo në sasinë e duhur apo në kohën e duhur të insulinës. Diabeti tip 2 shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç, por ai po haset gjithnjë dhe më shpesh edhe tek fëmijët dhe të rinjtë me mbipeshë dhe obezë. Ai përparon shumë ngadalë, shpeshherë i heshtur, pa treguar shenja për shumë vjet me radhë dhe zbulohet më me vështirësi. Ky tip diabeti nuk kërkon mjekim me insulinë, por kërkon “bllokimin” e insulinës së trupit nga faktorët që e pengojnë atë të veprojë, si mbipesha, obeziteti. Diabeti i shtatzënisë, tip diabeti që shfaqet gjatë shtatzënisë. Ai ndodh në 2%-5% të grave shtatzëna dhe mund të avancojë ose të zhduket pas lindjes. Diabeti i shtatzënisë është plotësisht i shërueshëm, por kërkon një mbikëqyrje të rreptë mjekësore gjatë shtatzënisë. Rreth 20%-50% e grave të prekura zhvillojnë diabet të tipit të dytë apo kanë rrezik të lartë për të bërë diabet tip 2 më vonë në jetë. Gratë shtatzëna duhet të kontrollojë gjithmonë gliceminë, sidomos nëse në familje ka një diabetik. Tipi i diabetit që takohet më shumë, është diabeti i tipit 2. Në çdo 10 persona me diabet, 9 kanë tipin 2 të diabetit ose 90% e diabetit është diabet tip 2.

Shkaqet

Diabeti tip 2 është rrjedhojë e mënyrës jo të shëndetshme të jetës. Njerëzit kanë ndryshuar mënyrën e jetesës në një jetë pa shumë aktivitet fizik dhe ushqehen me ushqime me kalorazh të lartë dhe me shumë yndyrat, ndaj mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme, obeziteti janë ndër faktorët kryesorë shpërthyes të sëmundjes së diabetit.

Rreziku

Diabeti mund të prekë çdo njeri. Në diabetin tip 2, shenjat e tij mund të jenë më të zbehta apo edhe mund të mungojnë për shumë vjet. Por faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë trashëgimia apo personat me familjarë me diabet janë më të predispozuar apo kanë mundësi për t’u bërë me diabet më shumë se të tjerët dhe kjo varet nga mënyra e tyre e jetesës, moshat mbi 45 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme, tensioni i lartë i gjakut, konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri, gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme, personat që bëjnë infeksione të shpeshta, gratë me mukoza të vazhdueshme gjenitale etj.

Shenjat

Shenjat e diabetit janë etje e shtuar, pra pirje uji në sasi të madhe, urinim i shpeshtë dhe në sasi të madhe ditën dhe natën, tharje goje, shtim oreksi, por që shoqërohet me humbje peshe, lodhje më tepër se zakonisht, dhimbje stomaku, shikim i mjegullt, mungesë e theksuar përqendrimi, mpirje e duarve ose e këmbëve, plagë të ndryshme që mezi mbyllen, infeksione të ndryshme. Nuk duhet harruar asnjëherë se në shumicën e rasteve, diabeti tip 2 mund të mos shfaqë fare shenja, mund të rrijë i heshtur për vite me radhë, dhe vetëm kur sëmundja e diabetit ka përparuar, shfaqen një sërë shenjash klinike, të cilat janë tipike dhe lehtësojnë shumë zbulimin dhe diagnozën e saj.