Misioni qytetar i artistit dhe fundërrinat e realizmit socialist

0
158

 

Nga Nebil Çika

 

 

 

qyetetarArti është forca që ka ndryshuar më shumë se kushdo tjetër botën në mënyrë paqësore. Kështu, shumë artistë të njohur të botës, shkrimtarë, piktorë, aktorë, këngëtarë janë më shumë të njohur për mirë e për keq për ndikimet e tyre në zhvillimet politike e shoqërore dhe roli i tyre është i shënuar tashmë në histori. Autori i njohur Pol Xhons në librin e tij “Intelektualët” nxjerr rolin e shumë prej tyre në zhvillimet politike më të spikatura të planetit. Artisti, shkrimtari, intelektuali, me mesazhin e përcjellë nëpërmjet veprës me apo pa dashje jep mesazhe politike, por ka shumë prej tyre që i kanë orientuar me qëllim veprat e tyre drejt politikës, duke marrë përsipër misione e zhvillime të drejtpërdrejta në këtë fushë. Shkrimtari sovjetik Maksim Gorki u bë simbol i komunizmit botëror dhe kulturës se tij të njohur si realizmi socialist me veprën e tij e sidomos romanin “Nëna”. Shkrimtari dhe eseisti Xhorxh Oruell me veprat e tij “Ferma e kafshëve”, “Viti 1984” etj. qartësoi, më shumë se kushdo, opinionin publik në Perëndim për atë çka ishte dhe përfaqësonte komunizmi si filozofi e sistem politik. Një nga legjendat botërore të muzikës, këngëtari amerikan Xhon Lenon, iu përkushtua lëvizjes pacifiste në SHBA në kohen e luftës së Vietnamit. Goran Bergoviç, një këngëtar serb, i njohur në Shqipëri edhe si mik i kryetarit aktual të PS-së, Edi Rama, ndikoi dhe frymëzoi me këngët e tij masakrat serbe në Bosnjë e në Kosovë. Nuk mund të lë pa përmendur grupin e famshëm muzikor Scorpions dhe hitin e tyre “Wind of Change” që u bë himni i ndryshimeve politike në Evropën Lindore në vitet 1990 dhe vazhdon të jetë edhe sot kolona më e preferuar zanore e lëvizjeve për liri e demokraci anembanë botës. Sigurisht që ka edhe dhjetëra figura të shquara të artit dhe kulturës që kanë kontributin e tyre në zhvillimet politike e shoqërore globale e kombëtare, por besoj se këta që përmenda më lart janë të mjaftueshëm si shembuj për të kuptuar rolin e artit në ndryshim e botës. Por ndërsa mund të sjellim shumë shembuj botërorë, kemi të tillë edhe për zhvillimet politike shqiptare. Ky komb u rikthye në jetë falë shkrimtarëve dhe artistëve tanë, Naim Frashri, Asdreni, Fishta, Çajupi, Konica, Mjeda etj. ishin ata që me artin e tyre rikthyen jo vetëm krenarinë kombëtare, por edhe idenë dhe projektin e rikthimit të kombit e shtetit shqiptar. Më vonë të tjerë artistë të shquar, si Koliqi, Migjeni, Poradeci, Tefta Tashko, Odise Paskali, Hetem Haxhiademi etj. do të konkretizonin me veprat e tyre identitetin kombëtar dhe do të inspironin përpjekjet për zhvillim politik e shoqëror të vendit.

 

Por ndërsa kjo plejadë e parë e artistëve shqiptarë kishte nderin dhe guximin të merrte pjesë, madje të udhëhiqte zhvillimet politike shoqërore të vendit, kemi pas Luftës së Dytë Botërore një ndërprerje të përgjakshme të rolit të artit dhe kulturës dhe më pas një rikthim total të tij në shërbim të së keqes më të madhe që ka përjetuar ndonjë herë në histori kombi shqiptar, diktaturës komuniste. Krijimi i elitës kulturore komuniste i dha fund rolit pozitiv të artistëve në jetën e vendit, duke i shndërruar ata në vegla të bindura në shërbim të diktaturës dhe krimeve të saj. Me qindra artistë të realizmit socialist u bënë bashkëpunëtorë dhe propagandistë te diktaturës, duke e transformuar artin shqiptar nga një forcë zhvillimi në një forcë regresive e errësire, ndikimet negative shpeshherë kriminale të së cilës janë prezente e të efektshme edhe sot. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve u kthye në një shtojcë politike e PPSH-së dhe roli i artistit e intelektualit u kanalizua në masë kah të keqes. Mendje e zëra që tentuan të vepronin ndryshe përfunduan keq, të linçuar, së pari prej kolegëve të tyre të vënë me vullnet nën zgjedhë. Sot shohim botime me kujtime të këtyre artistëve e shkrimtarëve që vetë denoncojnë rolin dhe qëndrimet negative të kësaj “elite” të diktaturës. Kjo çoi në krijimin e artistit dhe intelektualit të ri roli i të cilëve ishte makijazhi i diktaturës, shpëlarja e trurit të shoqërisë dhe sidomos justifikimi publik i krimeve të saj. Servilizmi, heshtja dhe bashkëpunimi në krim ishin misioni i artistëve dhe intelektualëve për afro gjysmë shekulli, gjë që i dha një goditje pothuaj vdekjeprurëse gjysmës pozitive të asaj pjese të misionit klasik të artit dhe artistëve në ndryshimin e kësaj pjese të botes që quhet Shqipëri.

 

Kjo histori me artin dhe artistët në Shqipëri krijoi një model unik të këtij lloji, model që shumë karakteristika vazhdon t’i ketë edhe pas rënies së diktaturës. Ndërsa ka ndryshime në lirinë e të bërit art e kulturë, nuk mund të thuhet se ka në të njëjtën masë ndryshime për sa i përket rolit të tij në shoqëri. Modelet e diktaturës edhe fizikisht vazhdojnë të kontrollojnë rrethet artistike e kulturore, duke e kontrolluar këtë fushë me mjetet dhe mënyrat e vjetra. Konformizmi apo servilizmi ndaj politikës dhe sidomos mosreagimi ndaj fenomeneve shoqërore i prezantohet publikut si paanshmëri apo të qenit jashtë politikes, gjë që e ka ulur shumë rolin e artit dhe artistëve si pararoja të zhvillimeve. Pjesa e trashëguar nga komunizmi e artistëve përveç formatimit intelektual sipas modelit të realizmit socialist vuajnë edhe pasojat e bashkëpunimit në krime me diktaturën. Në shumicën e rasteve ata nuk ishin vetë shkrimtarë apo artistë, por edhe zyrtarë të Partisë së Punës, drejtues të organizatave politike, aksesorë të saj, deputetë, spiunë apo ekspertë të Sigurimit të Shtetit dhe sidomos agjitatorë të komunizmit dhe mrekullive të  tij. Kjo e kaluar e dyshimtë i bën ata sa servilë ndaj politikës aq edhe të tërhequr ndaj zhvillimeve politike e shoqërore. Hierarkia artistike më shumë se nga vlerat përcaktohet nga koniunkturat, ku e kaluara përbën një element parësor. Dje në “Standard” kolegia V. Murati botoi me një analizë të shkëlqyer, materiale historike shumë komprometuese për dy nga ikonat historike të realizmit socialist, por edhe në hierarkinë aktuale të kulturës shqiptare, Ismail Kadare e Dritëro Agolli, ku dëshmohet qartë roli i tyre negativ apo edhe kriminal në zhvillimet politike e shoqërore gjatë diktaturës. Ky botim i djeshëm i “Standard” është arsyeja më e saktë e këtij qëndrimi regresiv që elitat kulturore zyrtare e publike manifestojnë ndaj zhvillimeve politike sot gjë që do ta trajtojmë më poshtë.

 

Shtysën për këtë shënim ma dha në fakt reagimi i papritur i një artisti të ri kantautor, Dr. Flori, i cili ka publikuar dje një videoklip me një mesazh moral e politik të paparë e të padëgjuar për shumë kohë nga një artist ne Shqipëri. “Zemërthyer” titullohet më duket klipi dhe ka në fokus imoralitetin e politikes në veçanti (mos) marrëveshjen Rama-Meta që nis nga video-përgjimi Meta-Prifti, tek sulmi nga Rama ndaj Kryeministrisë që përfundoi me katër të vrarë, shoqëruar me akuzat e rënda reciproke Rama-Meta deri teka aleanca e tyre e 1 prillit, një histori imorale që i sjell zorrët në grykë çdo qytetari normal të këtij vendi. Politika shqiptare në këto vite post-diktatoriale ka pasur shumë histori konflikti që kanë marrë edhe jetë njerëzish. Por kjo e 21 Janarit 2011 është e veçantë, për shkak objektivave dhe akuzave të qarta mes palëve. Rrethimi i dhunshëm i Kryeministrisë u urdhërua e u motivua nga Rama, si pasojë e atij që ai e quante blloku i korrupsionit të Metës. Meta ndërkohë në përgjigjen e tij flakë për flakë e cilësoi Ramën si: “fundërrinë, shef të spiunëve, çimkë, fashist” etj. Opinioni publik e ndoshta edhe autorët e këngës “Zemërthyer” nuk kanë besuar dot që shumë shpejt z. Rama do t’i harronte të vrarët dhe sharjet me “libër shtëpie” e do të “lëpihej” më shumë se politikisht me Metën, vetëm e vetëm për të marrë pushtetin. Kjo pafytyrësi politike dhe morale e paraqitur si matematikë politike sigurisht që vlerësohet e papranueshme për çdo njeri normal. Shumë artistëve mund t’u këtë sjellë zorrët në grykë kjo sjellje politike e të majtës shqiptare, por vetëm njëri e ka bërë diferencën me mesazhin e tij. Artisti nuk ka armë tjetër më të mirë sesa arti i tij, gjë që Dr. Flori e ka përdorur në mënyrë sa efikase aq edhe fisnike. Me këtë reagim të guximshëm Doktor Flori jo vetëm ka bërë diferencën me hierarkinë hipokrite e të frustruar të kulturës sonë, por ka dhënë edhe shpresë se gjërat mund të ndryshojnë. Jam detyruar të bëj krahasimin midis qëndrimit të “hierarkisë” zyrtare kulturore dhe një artisti të ri, siç është Dr. Flori. Po marr si pika krahasimi dy nga më të reklamuarit, si dje edhe sot, Ismail Kadarenë e Dritëro Agolli. Z. Kadare ka reaguar disa herë politikisht, por asnjëherë reagimi i tij nuk ka qëlluar qartësisht kah vlerave dhe zhvillimit. Reagimi më i fundit i tij ka qenë në zgjedhjet lokale, ku i kërkonte fituesit të këtyre zgjedhjeve, Lulzim Bashës, të tërhiqej nga gara e t’i dhuronte humbësit, z. Rama, një fitore në tavolinë, një kërkesë anormale për çdo njeri normal, aq më tepër për një shkrimtar e intelektual të madh, siç pretendohet të jetë z. Kadare. Ky reagim publik si, ku synohej të deformohej vullneti i popullit dhe demokracia sigurisht që e turpëron z. Kadare, megjithëse dihet që nuk është turpi i vetëm i tij si shkrimtar. Dritëro Agolli shkon edhe më tej dhe besoj se duhet të ndiehet i sfiduar dhe i turpëruar nga reagimi i Dr. Florit. Duke i llogaritur vetëm reagimin apo më mirë të themi lajthitjen më të fundit politike të tij, “bekimin e aleancës Rama-Meta”, morali i tij intelektual nuk besoj se mund të pretendohet më as nga ithtarët më fanatikë të tij. Nuk e di çfarë mendimi ka z. Agolli për Metën dhe bllokun e tij, të vrarët e 21 Janarit etj., por besoj se me bekimin e fundit si anëtar i PS-së e fut veten në listën e spiunëve. Edhe nëse keni harruar, është Dr. Flori, që me reagimin e tij artistik na kujton akuzën e Metës që Rama është shefi i spiunëve. Po Rama është shefi i PS-së dhe spiunët e tij i bien të jenë andartët e tjerë të kësaj partie, përfshi edhe anëtarin e vjetër të saj, Agollin.

 

Ky krahasim që bëra mes këtyre përfaqësuesve të kulturës shqiptare e bën vetë diferencën e qëndrimeve që është njëkohësisht edhe diferenca e karaktereve dhe personaliteteve artistike e personale të tyre. Sigurisht që nuk kam pritur ndonjë qëndrim konstruktiv në politikë nga dy prej artistëve komunistë kanakarë të diktaturës, por kisha frikë se modeli i tyre do të ndikonte edhe tek plejada post-komuniste e elitës kulturore shqiptare. Ky reagim qytetar nëpërmjet artit i Dr. Florit pritet që përtej efektit politik e elektoral, që është edhe qëllim i autorit, të shërbejë si nxitje për artistët e tjerë të rinj, por edhe si shpresë që ky moment të jetë një fillim i ri për rolin e artistëve dhe intelektualëve në ndryshmin apo më mirë të themi në përmirësimin e jetës dhe të punëve të këtij vendi, populli e kombi. Ky qëndrim përbën pa dyshim edhe një shuplakë për kritikën artistike, e cila nuk mund të justifikohet më për paraqitjen ende në publik si hierarkia artistike e modele të artistit, kufoma të dekompozuara të realizmit socialist.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency