Për kë do të votojë Vlora, Lezha, Durrësi, Kavaja në zgjedhjet e ardhshme?

0
140

Artan Fuga

 

FUGAPara disa ditësh në një kanal televiziv të huaj ndoqa me interes një emision debati lidhur me problemet e ngrohjes globale, i cili më vuri në mendime. Aq më shumë, isha tejet i ndjeshëm ndaj asaj që u diskutua aty, në kushtet kur shoqëria shqiptare është në një periudhë fushatash elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Për këtë qëllim, vendosa që ato përjetime që ndjeva t’i ndaja me lexuesit e mi.

Emisioni ishte një debat mes njerëzish të informuar për këtë problemin te “ngrohjes globale” dhe që dikutuan aspekte të rëndësishme, dhe në forma përplasjesh mendimesh të kundërta, gjithsesi me shumë etikë dialogu dhe respekt për bashkëbiseduesit. Midis tyre kishte edhe një person që ishte laureuar me çmimin Nobël për kërkimet e tij shkencore në këtë fushë, por edhe individë të tjerë me peshë, të cilët jo medoemos ishin dakord me rezultatet e kërkimit shkencor të nobelistit.

 

Çfarë kishte në emisionin në fjalë që më bëri përshtypje?

Në fillim një shpjegim i qartë, dhe i saktë i termit “ngrohje globale”. Sigurisht moderatori i emisionit nuk bëri përkufizime sikur të kishte qenë pedagog apo mësues, por ndërmjet pyetjeve që u bënte të ftuarve të tij, nxori edhe kuptimin e termit në fjalë, i cili me thënë të drejtën njihet prej kohësh. Por, mediat kështu e kanë, duhet të përsërisin sepse ato u flasin edhe audiencave të reja, të cilat jo medoemos i dinë të gjitha gjërat. Kujtesa kolektive e opinionit publik e tillë është. Ka gjëra që i dinë të gjithë, pastaj ato harrohen, vjen një brez i ri, të cilit duhet t’ia kujtosh ato që nuk ka pasur rast t’i mësojë.

Si rezultat i emetimit të gazit karbonik në atmosferë, çka vjen nga shumë burime, pra edhe nga konsumimi dhe djegia e lëndëve që prodhojnë energji, qymyri, nafta, etj., ky gaz karbonik sikur e mbështjell planetin tonë me një shtresë, e duke krijuar atë që quhet “efekt i serës”, pra që atmosfera bëhet si një serë, e cila e mban brenda ngrohtësinë e ardhur nga rrezet diellore dhe nuk lejon shkëmbimin midis ngrohtësisë së Tokës dhe universit.

Për të mos u zgjatur në këtë pikë, theksoj vetëm se pjesëmarrësit në debat vunë në dukje anë shumë të rëndësishme të këtij procesi.

Temperatura e atmosferës së Tokës si pasojë e këtij procesi ka pësuar dhe pritet që deri në fund të shekullit në vazhdim të pësojë ngritje. Si do të mësohet njeriu, flora dhe fauna e planetit, më këtë ndryshim temperaturash?

Qysh tani si pasojë e kësaj ngrohjeje globale kanë filluar të shkrijnë masa të mëdha akujsh në Arktik që lidhet edhe me kthimin e tyre në ujë të lëngët, pra me ngritjen e pashmangshme të nivelit të oqeaneve. Thuhet se deri në fund të këtij shekulli niveli i oqeaneve dhe i deteve mund të ngrihet edhe deri në afërsi të 1 metri.

Çfarë do të thotë kjo?

Jo ndonjë të madhe.

Po, ja që Kavajës, Lezhës, Shkodrës, Durrësit, Vlorës t’i futet ujët nga poshtë dhe t’i përmbysë. Nuk do të ketë më votues atje, as deputet të atyre qarqeve. Do të mblidhen të gjithë në kodrat rreth Tiranës.

Ata që kanë ardhur nga majat apo kodrat, do të detyrohen të rikthehen atje, sepse po vazhdoi “ngrohja globale” jo ata, por edhe të tjerët, sipas parashikimeve, do të kërkojnë të emigrojnë në male e kodra.

Sipas një filmi ku ish nën Presidenti amerikan Al Gore paraqet vizionin e tij për këtë çështje, ky efekt natyror do të kishte pasoja shumë të bezdisshme për të gjitha ato qytete amerikane, gjigande, qendra të rëndësishme tregtare dhe kulturore botërore, të cilat gjenden në buzë të oqeaneve. Por, jo vetëm atje, edhe në Europë i njejti rrezik paraqitet.

Gjeopolitika dhe gjeografia janë të lidhura shumë bashkë. Proceset politike sot nuk mund të ndahen nga dukuritë e ruajtjes dhe të mbrojtjes nga efektet negative të një ekologjie globale të vendosur në rrezik.

Këtu marrin një rëndësi të veçantë dukuri që kanë të bëjnë me zhvillimin e qendrueshëm.

Nuk ka rëndësi vetëm se çfarë prodhon sotpërsot. Gjithnjë e më e rëndësishme po bëhet se çfarë strategjish mund të vendosen dhe zbatohen për ta mbrojtur të ardhmen e planetit në një plan afatgjatë. Mund të ketë një zhvillim ekonomik sot që nëse nuk respekton disa parametra të caktuar globalë që të përputhen me parimet e  ekologjisë, atëhere është e ardhmja, është jeta e brezave që vijnë, e cila vendoset në rrezik.

Nga njera anë niveli i ujit të oqeaneve mund të vijë duke u ngritur nëse nuk përballohet “ngrohja globale”, por nga ana tjetër në shumë rajone të planetit, si pasojë e ngritjes së temperaturave, do të ketë thatësirë. Diskutantët flisnin dhe debatonin se, nëse situata del jashtë kontrollit bota e fundshekullit në vazhdim rrezikon të ç’ekuilibrohet si pasojë e emigrimit ekologjik. Popullsi të mbetura në zona pa ujë, me kripë, ku humbet edhe prodhimtaria e tokës, me dhjetra miliona, do të kërkojnë të zhvendosen në zona të tjera duke krijuar probleme demografike dhe institucionale në vende të ndryshme të zhvilluara.

Nga njera anë masa të ftohta ajri që vijnë nga oqeanet, nga ana tjetër, masa të ngrohta, shumë të nxehta, ajti, që vijnë nga brendësia e Tokës. Nga ndikimi i kësaj përplasjeve lindin edhe fortunat, “tornadot” e famshme të cilat me fuqi ciklonike dhe qiklopike shkatërrojnë çfarë gjejnë përpara.

Gjendja e “efektit të serës” është përkeqësuar nga shekulli në shekull sepse përqindja e gazit karbonik në atmosferë është rritur së tepërmi, ndofta, sipas disa matjeve, edhe është dyfishuar nga koha e revolucionit të parë industrial (shekulli i nëntëmbëdhjetë) deri në ditët e sotme. Sado masa që janë premtuar të merren, rritja e prodhimit industrial, shtimi i qarkullimit automobilistik, zmadhimi i zonave urbane, konsumimi gjithnjë e më i madh i energjive të ardhura nga nafta dhe qymyret, futja në ekonominë globale të vendeve dikur të pazhvilluara industrialisht, etj. kanë bërë që “efekti i serrës” të rrisë praninë e tij në botë.

 

 

Çfarë lidhje ka e gjitha kjo që u paraqit në atë emision televiziv, e cila dihet, me proceset ekonomike në vendin tonë, dhe, aktualisht, me premtimet elektorale dhe problemet socialekonomike që ka vendi ynë?

Puna është se, sipas specialistëve që morrën pjesë në atë debat, problemet që duhet të përballojë bota kundër “ngrohjes globale”, mund të përballohen vetëm me strategji globale. Edhe nëse një vend i vetëm, sado i madh që të jetë, ta zemë redukton qarkullimin automobilstik, kjo nuk e zgjidh “efektin serë” sepse atmosfera e planetit nuk i njeh kufijtë shtetërorë. Nga të dhënat e trajtuara del se, vetëm një marrëveshje mes ShBA dhe Kinës si superfuqi ekonomike mund ta reduktojë gazin karbonik në atmosferë, përderisa thuhet se janë këto dy ekonomi të cilat edhe e prodhojnë atë në një përqindje sasie të madhe.

Në fakt ato prodhojnë për gjithë planetin.

Bashkëbiseduesit në emisionin televiziv ishin pra të një mendjeje se problemet sociale, ekonomike dhe të zhvillimit shoqëror sot janë bërë më shumë se kurrë globale. Ato nuk duhet të mendohen edhe të gjejnë zgjidhje vetëm brenda ekonomisë kombëtare, por duhen parë në një plan global.

Kjo më vjen ndërmend sa herë bisedohet për shqetësimet që ka ekonomia dhe shoqëria shqiptare.

A mendohen ato brenda një dëshire volntariste, por jo të përputhur me mundësitë tona objektive? Apo më shumë janë dëshira dhe premtime elektorale? A janë ato të menduara, propozimet dhe politikat, pra, në një kuadër planetar, të paktën rajonal, në përputhje me tendencat ekonomike botërore apo janë menduar në mënyrë të izoluar? Po të ndodhë kjo e dyta do të ishte vërtet një dramë.

E gjitha kjo bëhet shumë e ndjeshme sepse në shtypin tonë trajtimi i dukurive globale dhe i atyre të botës së jashtme është shumë i kufizuar dhe i njënashëm, shumë i sipërfaqshëm. Po kështu edhe në emisionet tona televizive, edhe tani në kohë fushate elektorale, debatet bëhen a thua sikur disa probleme lindin dhe zgjidhen vetëm në Shqipëri dhe jo në një kuadër rajonal, kontinental dhe global.

Sa pak botime ka për ekonominë botërore?

Sa pak mendimtarë të sotëm që trajtojnë çështjet globale përkthehen.

Sa pak njeh publiku dhe rinia lidhjen mes dukurive globale që përcaktojnë edhe fatin e shoqërisë shqiptare!

Sa mrekullira premtohen gjatë fushatave elektorale, pa parë e studjuar se, cilat janë mundësitë e vërteta për t’u realizuar! Dhe shpesh kjo nuk bëhet me qëllim, por edhe nga padija.

Çfarë del nga ky debat televiziv për të cilin fola në fillim të shkrimit?

E para, që problemet lokale nuk mund të shihen nga prirjet botërore. Kush bën krahasime, studime, analiza duke studjuar edhe rrafshin global?

E dyta, që nuk ka zgjidhje të përkryer. Pse? Sepse nëse dëshiron të ulësh “efektin serë” duhet që të ulësh ritmin e industrializimit dhe të përdorimit të energjive djegëse. Kjo në kushte të caktuara do të thotë të rrisësh papunësinë dhe varfërinë në botë. Shpesh një zgjidhje krijon probleme të tjera që më parë nuk ekzistonin.

Së treti, duhet parë se çfarë ndodh jo vetëm sot, por me largëpamësi. Ku do të shkojnë ekonomikisht shqiptarët në shekullin që vjen? Kjo pyetje dhe si kjo duhen shtruar dhe jo thjesht çështje të ditës, të cilat sigurisht edhe ato kanë rëndësinë e tyre. Kanë rëndësi pensionet e sotme, por ka shumë rëndësi edhe të dihet se çfarë do të bëhet më prirjen e shoqërisë shqiptare që gjithmonë bëhet më pak e re?

E katërta, rrezikun që ndesh Shqipëria se në kushtet kur vendet europiane kërkojnë të plotësojnë standarde ekologjike, disa industri që ndosin t’i zhvendosin në vende jashtë BE-së, e këtu Shqipëria mund të ndiejë presionin për t’i pranuar. Si mundësi flasim.  E ka shoqëria apo politika shqiptare mundësinë për të thënë “Jo”? Mbase e ka, por edhe jo aq shumë, pavarësisht se nuk e dua fatalizmin.

E pesta, meqë problemet janë globale dhe zgjidhja globale, a mos rrahim kot ujë në havan ne këtu? Unë s’e besoj për vete, por pyetjen e bëj amà! E ngaqë nuk gjejmë dot zgjidhje zihemi nëpër studio televizive pikërisht se nuk kemi çfarë të themi brenda kohës që na ka lënë në dispozicion A-M-A? Pikërisht për këtë arësye shpikim edhe një çështje si ajo e Komisionit të zgjedhjeve, pikërisht për të pasur diçka për të folur.

Ngrohjes globale nuk kemi çfarë ti bëjmë, ama, (AMA) për komisionet elektorale mund të flasim dhe ta zgjidhim një ditë, andej nga fundi i fushatës sepse edhe muhabetet mbarojnë!

Ja pra se, çfarë mendoja kur ndiqja atë emision televiziv të huaj lidhur me “ngrohjen globale”.

Është detyra e gazetarëve që këto parime metodologjike t’i vendosin në zbatim si kur ata bëjnë intervista me politikanë, si kur ata moderojnë emisione televizive, si kur ata komentojnë programet elektorale të forcave të ndryshme politike. Në këtë pikë duhet “përplasur” jo vetëm një politikan i një force të caktuar politike me atë të një force kundërshtare, por edhe politikani me studjuesin, me shkencëtarin, me kërkuesin shkencor. Në panele duhet të zenë vend jo spektatorë që paguhen sa për një copë bukë, që duartokasin për të qenë figurantë, por politikanët duhen vendosur përballë studjuesve në mënyrë që çështjet të rrihen dhe të dalin tamam në pah. Përndryshe, fushatat do të mbesin si vende ku shprehen dëshira të mira, në rastin më pozitiv, dhe vende të premtimeve pa bazë, në rastin më të keq, çka do të ishte në dëmin e të gjithëve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency