Kur do të bëhet kryeministër Meta

0
137

Çelo Hoxha

 

ilir_metaKur deklaroi se më 24 qershor kryeministër do të bëhej Ilir Meta, deputeti i LSI, Nasip Naço, e dinte se çfarë thoshte. Një copë kohë, zoti Naço ishte zëvendës i Kuvendit të Shqipërisë dhe ministër, poste që një fije i ndan nga posti i kryeministrit. Për atë dhe për këdo në pozicionin e tij do të ishte absurde që të shkonte në Berat dhe t’i ftonte votuesit të votonin LSI, sepse Ilir Meta do bëhej drejtor i ujësjellësit të Tiranës. Populli ka nevojë për premtime të mëdha, sidomos nga ato që nuk arrihen dot, se gjërat e vogla votuesit e thjeshtë i bëjnë vetë. Ata adhurojnë – dhe e votojnë – dikë që realizon, ose tenton të realizojë, gjëra të mëdha.

Dhe Ilir Meta është i tillë. Vetëm në sajë të politikës së Ilir Metës, në LSI kanë arritur të bëhen ministra dhe zëvendësministra njerëz që në parti të tjera, te PS që ishin më herët, nuk do të ishin bërë as drejtorë drejtorish. Zoti Meta ka qenë aq i suksesshëm në politikë, sa me 4 deputetë, afërsisht 15 herë më pak se PD, arriti t’i merrte kryeministrit Berisha një të pestën e pushtetit. Këtu nuk e gjykoj moralin e politikës së LSI, por aftësinë e saj për të bërë politikë dhe marrëveshje politike shumë herë më të madhe se fuqia e saj. Marrëveshja me zotin Berisha ka merr dhe fuqi shtesë, po të kemi parasysh që ai shikohet nga e majta si një njeri që kërkon të kontrollojë sa më shumë pushtet.

Me Edi Ramën gjërat janë më të thjeshta për Ilir Metën. Zoti Rama është një kryetar i dobët. Në PS atë nuk e kanë dashur kurrë, as sot nuk e duan, pavarësisht se zërat kundër brenda partisë së tij janë gjithnjë e më të pakët. Edi Rama nuk erdhi në krye të PS me ndonjë vizion, ai nuk krijoi kurrë një frymë pro tij, ai përdori vetëm makinacione. Në periudhën 2003-2005, zoti Rama punoi vetëm për largimin e PS nga pushteti, me qëllim që të merrte partinë. Kush e kujton, se tashmë është e vështirë ta ndeshësh në ndonjë veprimtari publike, shoqata “Mjaft” që tallej me kryeministrin Nano gjithë ditën ishte mbështetëse e zotit Rama. Eriona Veliaj, personazhi kryesor i Mjaftit, u militon në radhët e PS së Edi Ramës. Gjatë rrugës, në mënyrë indirekte, zotit Rama i ka dhënë nga një dorë për të arritur qëllimet e tij dhe zoti Berisha.

Kodi i ri zgjedhor është krijuar tërësisht sipas dëshirave të Edi Ramës. Në përpjekje për të kontrolluar partinë e tij, zoti Rama krijoi këtë kod zgjedhor që kemi sot. Ai i dha mundësinë vetes që të emëronte deputetët e PS, duke përjashtuar, siç bëri, gjithë ata që nuk mendonin si ai. Në valën e spastrimeve u përfshi dhe vetë hartuesi i kodit, për llogari të zotit Rama, deputeti Kastriot Islami. Në këtë proces, kryeministri Berisha nuk bëri shumë, por i dha zotit Rama okejin, fillimisht, dhe, më pas, votat në Kuvend.

Megjithatë, edhe tani që zoti Rama ka bërë spastrime të konsiderueshme në parti, ai vazhdon të jetë i dobët e i pasigurt. Ai mund të jetë i fortë brenda grupit të deputetëve, tani, por kjo nuk e ndihmon gjatë. Partia ka një funksion madhor, gara elektorale, dhe kjo garë gjendet në derën e tij. Siç e kemi parë, Edi Rama është i sulmuar nga të gjitha anët. Njeriu më i butë me zotin Rama duket sikur është zoti Berisha. Të gjithë përjashtimet që ka bërë brenda partisë, do ta ndihmojnë zotin Rama t’i humbasë zgjedhjet. Arben Malaj në Vlorë, Kastriot Islami në Tiranë, Agron Duka në Durrës dhe disa deputetë të tjerë të PS që punojnë për të djathtën, janë produkt i lidershipit të Edi Ramës. Ilir Meta, sigurisht, e ka shqisën vigjilente për pikasur të çara dhe në Berat, me deklaratën e zotit Naço, i dha një goditje serioze Edi Ramës. Tani që të gjithë janë larguar – Nano, Malaj, Islami – zoti Meta është më i favorizuari që, pas zgjedhjeve, t’i japë goditjen përfundimtare zotit Rama dhe të kërkojë drejtimin e PS, duke e shkrirë LSI në radhët e saj. Ben Blushi e ndonjë tjetër në PS nuk kanë karakter luftarak, janë shumë konformistë për t’u bërë liderë. Veç kësaj, pas një humbjeje të tretë, socialistët do të shikojnë te Ilir Meta një njeri që di të udhëheqë, i vetmi që mund të mund Sali Berishën. Me aleancën që ata bënë në 2009 ai ka treguar se di t’i imponohet zotit Berisha, por po të ketë PS nga mbrapa ai mund të jetë në gjendje ta mundë.

Me pak fjalë, Ilir Meta mund të bëhet kryeministër kur të marrë PS.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency