Kryeministri i ardhshëm Meta: E zgjidh Kushtetuta dhe vota e sovranit

0
130

Gëzim Saliu

metaKreu i LSI-së: Berisha të marrë me vete karrigen e Kryeministrit, e ka dhuratë nga LSI-ja

 

Me mohimin e konfuzionit mes së majtës lidhur me çështjen e Kryeministrit të ardhshëm të vendit, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje se kjo çështje merr zgjidhje nga vota e shqiptarëve dhe Kushtetuta e vendit. “Nuk ekziston asnjë konfuzion në kampin opozitar, përkundrazi gjithçka ecën në sintoni të plotë. Sot opozita synon të arrijë 80 mandate në shkallë kombëtare dhe të fitojë me diferencë gati 200 mijë vota, gjë që është plotësisht e mundshme dhe e realizueshme. Ndërsa për çështjen në fjalë, mendoj se është një çështje e zgjidhur, e zgjidh Kushtetuta, e zgjidh vota e qytetarëve shqiptarë”, – tha Meta në një konferencë nga selia e LSI-së në përgjigjen e radhës ndaj reagimeve që u bënë pas deklaratës së Naços në Berat, ku theksua që Meta duhet të bëhet Kryeministër.

Batuta për Berishën dhe Gjinushin

Deklaratave të Kryeministrit të vendit, sipas së cilave, Meta ka si objektiv kryesor karrigen e Kryeministrit, kreu i LSI-së u është përgjigjur me një batutë, duke pohuar: “Për premtimin e doktorit, se unë nuk ia marr dot karrigen dhe se ai nuk ka ndërmend ta lëshojë karrigen e Kryeministrit, unë do t’i propozoj një kompromis tjetër doktorit për këtë çështje, sepse ai nuk ka çfarë bën, do ta pranojë vullnetin e sovranit dhe do ta lëshojë zyrën, por karrigen që ka mbajtur përgjatë këtyre tetë viteve, ta marrë me vete në shtëpi në studion e tij ose në Partinë Demokratike, siç ka bërë edhe idhulli i tij Les Valesa. Edhe ai kështu e bëri, kur humbi Presidencën, e mori karrigen e Presidentit me vete”. Në këtë kontekst, Meta nuk ngurroi t’u përgjigjej edhe kritikave të aleatit tradicional të PS-së, kreut të PSD-së, duke thënë: “Gjinushi do të ketë ndonjë shqetësim për këtë çështje, ne do të angazhohemi si LSI të përballojmë shpenzimet për një karrige tjetër”.

Tri ligjet

Kreu i LSI-së lëshoi një thirrje ndaj mazhorancës qeverisëse për të përmbyllur sa më parë votimin e tri ligjeve të Brukselit, në kohën kur Kryeministrit Berisha pranoi dy ditë më parë kompromisin që këto ligje të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të 23 qershorit. “Unë kërkoj që tani që të zyrtarizohet procedura për çështjen e tre ligjeve dhe natyrisht që kjo në radhë të parë është në dorë të mazhorancës, e cila drejton edhe Parlamentin. Do të ishte edhe një tregues i përgjegjshmërisë së mazhorancës për fatet e vendit. Por në fund të fundit do të ishte edhe një kontribut që ata do të jepnin në procesin e integrimit evropian, sepse në rast se nuk do të japin këtë kontribut tani dhe në rast se ligjet miratohen në shtator me 84 vota pa kontributin e tyre, nuk do të ishte pozitive dhe diçka serioze. Prandaj, unë dua të besoj në angazhimin e Partisë Demokratike për të ndihmuar procesin e integrimit evropian”, – tha Meta. Në këtë kontekst, kreu i LSI-së theksoi se tani nuk është koha për kritika dhe autokritika lidhur me çështjen e integrimit. “Shqiptarët kanë nevojë për një mesazh konstruktiv, për një mesazh përgjegjshmëri nga klasa politike. Ne kemi një shprehje të veçantë ku themi se fundi mbahet mend. Dhe fundi i këtij Parlamenti do të ishte pozitiv duke bërë një akt të tillë dhe njëkohësisht do të ishte një akt shumë i mirëpritur nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, – u shpreh kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.

 

Zgjedhjet

Manjani: Nuk do ketë parti të vetme që do ketë shumicën, s’dërgojmë emra për KQZ-në

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, komentoi dje deklaratën e dhënë nga deputeti i kësaj force, Nasip Naço, duke theksuar se ajo përbën një qëndrim personal. Sipas tij, deklarata është bërë në një kontekst elektoral dhe se Kushtetuta, theksoi Manjani, e ka të përcaktuar qartë çështjen e kryeministrit. “Është bërë një deklaratë në një kontekst elektoral, LSI është pjesë e një koalicioni që ka si objektiv fitoren e zgjedhjeve. Qëllimi kryesor i LSI-së është fitorja e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 23 qershorit”, – tha ai. Nga ana tjetër, Manjani komentoi edhe sondazhin e bërë publik për zgjedhjet e 23 qershorit, duke bërë të ditur se rritja e LSI-së nuk konfirmohet nga sondazhet. “Nuk do ketë parti të vetme që do ketë shumicën e vendeve në kuvend, por do të jetë koalicioni që do të ketë më shumë. Sondazhi është afër përputhshmërisë, por ne presim më shumë. Rritja e LSI-së nuk pritet të konfirmohet nga sondazhi”. Sa i përket situatës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nënkryetari i LSI-së tha se opozita nuk do të propozojë asnjë kandidat pasi sipas tij është mazhoranca ajo që ka shkelur ligjin. “KQZ nuk do ketë asnjë propozim nga opozita. Ky është vendosur si një qëndrim i imponuar. Në të gjithë rruzullin tokësor e dinë se KQZ u dhunua njëanshmërisht nga mazhoranca dhe në këto moment opozita ka vetëm një objektiv të mos bëhet pjesë e farsës elektorale. Në qoftë se kryeministri ka vendosur të bëjë tërheqje kjo është një gjë tjetër, deri më sot nuk kemi dëgjuar asgjë”, – pohoi Manjani. Ndërkohë lidhur me votimin e tri ligjeve të integrimit, ai tha: “Kjo punë është një telefonatë larg. Kryeministri të thërrasë znj. Topalli dhe ajo të mbledhë parlamentin e të votohen tri ligjet”.

 

Pollo: Opozita numëron kryeministrat në hije, deri tani kanë shkuar tre

Ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit nga Berati deklaroi dje se teksa mazhoranca po ndërmerr çdo ditë investime të shumta që po ndryshojnë jetesën e njerëzve, e majta është përfshirë në një “luftë” të brendshme për postin e Kryeministrit. Opozita po numëron kryeministrat në hije, që deri më sot kanë shkuar në numrin 3”, – tha Pollo, ku paralajmëroi se në verë përurohet Unaza e Shpirakut.

 

Bregu: Koalicioni i pazareve të mos luajë blofin, të votojë tri ligjet

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, akuzoi dje se Partia Socialiste së bashkë më koalicionin e saj, po luajnë blofin me çështjen e tri ligjeve, duke kushtëzuar sërish integrimin e Shqipërisë në BE. “Pa asnjë ide, pa asnjë projekt dhe pa asnjë kauzë të shëndetshme, dyshja e koalicionit të pazareve po kërkon një kamerdare shpëtimi nga anija që po mbytet e që askush nuk e di cilin ka për kapiten. Duke mos pasur sy e faqe t’u kërkojnë falje të gjithë shqiptarëve për këto tre vjet e 230 ditë pengmarrje të ëndrrave dhe prosperitetit të tyre, kjo dyshe ka paturpësinë dhe pafytyrësinë të vazhdojë me tallje dhe blofe, sikur janë ata të interesuarit e mëdhenj të votimit të 3 ligjeve të integrimit”, tha Bregu. Sipas ministres, Rama duhet të kërkojë falje për bllokimin dhe të çojë deputetët në parlament për të votuar menjëherë 3 ligjet. “Edi Rama, pasi t’i kërkojë publikisht falje qytetarëve për dëmin e madh që u ka bërë imazhit, mirëqenies dhe prosperitetit të tyre, këto tre vjet e 7 muaj, t’í sjellë të tijtë në Parlament dhe t’i votojë 3 ligjet, për të ndihmuar jo vetëm shqiptarët, por për të çliruar edhe vetveten nga sindroma e bllokimit dhe shtrëngicës politike, që po e detyron të futet në këto zgjedhje vetëm me një platformë: atë të blofeve, farsave e barcaletave”, – u shpreh Bregu.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency